Shekulli Online, 13.08.2010
Në këtë intervistë për emisionin “Top Story”, të cilën po e risjellim për lexuesin e Shekullit me shkurtime, ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, flet mbi arsyet e kundërshtimit të projektligjit të SHISH-it, përplasjet me një pjesë të politikës së Tiranës, duke theksuar vazhdimisht që ai flet në emër të qeverisë së SHBA dhe se kush mendon ndryshe, nuk e njeh as funksionimin e administratës amerikane dhe as karakterin amerikan.
Z. Ambasador, ç’mendoni për Shqipërinë, demokracinë shqiptare, rrugën që po ecën dhe sfidat që e presin?
Mendoj se një nga përshtypjet me të gjalla që do mbart me vete, është forca e miqësisë mes SHBA dhe Shqipërisë. Kjo është një miqësi me rrënje historike që shkojnë në dekada. Mua më ka prekur fakti që gjatë këtyre tre viteve kam vazhduar të shoh rritjen e kësaj miqësie dhe thellësinë e saj.
Është një përgjigje e pjesshme zoti ambasador sepse pyetja ime ishte edhe për demokracinë. Keni ardhur tre vjet më parë. Si e shikoni sot demokracinë shqiptare dhe cilat janë sfidat që ajo ka përballë?
Mendoj se gjatë viteve të fundit ka pasur probleme që janë shfaqur dhe të cilat unë i kam diskutuar shumë hapur me ju dhe popullin shqiptar. Ju i njihni siç i njoh edhe unë. Ka pasur shqetësime në lidhje me pavarësinë e institucioneve, veçanërisht gjykatat, shqetësime me drafte të caktuara ligjore si ligji pastrimit të figurave dhe më së fundi ligji i shërbimit informativ. Unë mendoj se demokracia e çfarëdo lloj qeverisje nuk është statike, nuk është diçka që arrihet dhe bëhet e përhershme.
Ajo është diçka që gjithmonë evokon. Qoftë në SHBA, Francë, Suedi, apo Shqipëri, ajo që është me rendësi kritike është që të ushqehet kjo ecje përpara e demokracisë. Është me rendësi themelore në këtë vend dhe në vende të tjera, që demokracia të mbrohet, që ajo të bëje përpara. Të kryejë funksionin e saj themelor që është ti shërbeje mirëqenies dhe aspiratave pozitive të popullit shqiptar. Nëse unë do të kisha një këshillë për popullin shqiptar në përgjithësi do të ishte shumë i thjeshtë: Mbrojeni demokracinë tuaj!
Ky është një mesazh shumë i fortë dhe shumë i rëndësishëm për shqiptaret sidomos kur vjen nga SHBA. Kur thoni “mbroni demokracinë tuaj”, a mos vallë ajo është në rrezik?
Unë besoj se sistemet demokratike më shumë se çdo sistem tjetër më shumë se sistemet absolutiste apo monarkike ose janë në rritje ose janë në rënie. Dhe në këtë këndvështrim demokracitë janë në një këndvështrim të caktuar në një lloj kërcënimi. Ajo që është e domosdoshme është që drejtuesit, publiku media, institucionet të ushtrojnë funksionet e tyre të mbështesin parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar kjo shoqëri. Pra, demokracia nuk është diçka që jepet njëherë e përgjithmonë pa kosto, është diçka që fitohet dhe duhet të fitohet në mënyrë të vazhdueshme në procesin e kohës…
Jeni duke ikur, por duke ikur u është dashur të ndërhyni edhe njëherë për projektligjin e shërbimeve inteligjente. Pse opinioni i SHBA është kundër këtij ligji?
Mendoj se janë një sërë arsyesh që ne kemi shqetësime. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për çdo draft projektligj apo çdo lëvizje apo çdo ndryshim strukturash apo personeli që do të dobësonte apo mund të minonte profesionalizmin e institucionit, autonominë e institucionit apo të mund të politizonte institucionin në një mënyrë të tillë sa do të dëmtonte karakterin e tij themelor demokratik dhe aftësinë për të vepruar në një kontekst demokratik.
Së dyti jemi të shqetësuar për implikimet e këtij ligji për statusin dhe pozicionin e Shqipërisë në NATO. NATO në nivelet e saj më të larta i shprehu haptas shqetësimet e thella dhe mendoj se njerëzit që e dëgjojnë diskutimin tonë të mbajnë në mendje elementët e procesit të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Ndërsa Shqipëria u përpoq që të arrinte kërkesat për hyrje në NATO, institucione si SHISH ishin temë e një vëmendje dhe punë të madhe për t’i sjellë këto institucione në standardin që NATO kërkon për çdo anëtar.
Shqipëria ndërmori një angazhim dhe ndoshta shumë qytetarë nuk janë në dijeni të këtij fakti, institucione të tilla si SHISH dhe institucione të tilla të ngjashme nuk mund të ndryshoheshin për një periudhe tre vjeçare pas anëtarësimit të Shqipërisë. Nëse do të ndërmerreshin ndryshime të tilla këto ndryshime do të vinin një proces rivlerësimi nga ana e NATO-s. Ne nuk duam që pas një angazhimi të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe të përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit të ndërmerrte ndonjë veprim që mund të komplikonte funksionimin e saj të vazhdueshëm në organizate.
Ju siguroj që në opinionin publik ky detaj nuk dihet, sot po e dëgjojmë për herë të parë që këto institucione nuk duhet të prekeshin për një afat tre vjeçar. Ajo që nuk kuptojnë është se pse mazhoranca tentoi ta ndryshojë këtë institucion duke shkelur këtë moratorium vendosur nga Nato? E dyta kur vjen puna te shërbimet sekrete ka një lloj misteri, vishen me një pallto misteri ekstra sipër. Po ju përmend amendamentin e parë të kushtetutës amerikane që është transparenca dhe në emër të saj a ka diçka që nuk thuhet në debatin për SHISH dhe që mund të thuhet tani…?
Pjesa e parë e pyetjes suaj. Unë nuk jam në atë pozicion që mund ti jap përgjigje.
Persë i përket funksionet e shërbimit informativ, sigurisht ne jetojmë në një botë ku kemi të nevojshme që të kemi në përdorim të gjitha instrumentet e mbrojtjes kundër armiqve shumë të rrezikshëm që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në mbarë botën. Dhe është në vëmendje – veçanërisht në epokën tonë – terrorizmi. Kam në mend bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit me Shqipërinë. Ka qenë i shkëlqyer në nivel të lartë profesional dhe ky bashkëpunim duhet të çohet me tej. Të zhvillohet me tej dhe të vazhdohet me tej në ato baza në të cilat kemi punuar kaq mirë deri më tani.
Zoti ambasador kaq fort sa ç’keni ndërhyre për ligjin e shërbimeve inteligjente mbaj mend që ndërhytë për ligjin e lustracionit. Prej asaj dite nuk kanë munguar deri me sot, sulme nga oborri i mazhorancës se i bëni një zbatim personal politikës së SHBA-së në Shqipëri?
(qesh…).Mendoj se ata persona ose janë të keqinformuar ose janë të paditur për mënyrën se si funksionon sistemi qeverisjes amerikane. Gjate tre viteve që unë kam shërbyer në Shqipëri, unë nuk kam bërë asnjë deklaratë politike të një çështje me rendësi politike mbi baza personale. Dhe një gjë e tillë nuk është e mundur.
Një ambasador i SHBA flet në emër të qeverisë së SHBA. Ne jemi përfaqësuesit personale të Presidentit te SHBA në vendet ku jemi akredituar. Veprimet tona janë të koordinuara ngushtë në tërë strukturën e shërbimit diplomatik të qeverisë sonë në Uashington. Kushdo që thotë apo bën komente të tilla, thjesht nuk e kupton mënyrën se si ne funksionojmë ose përpiqet të dobësojë qëndrimin që SHBA ka marrë në çështje të caktuar…
Unë besoj se tashmë do të jetë e qartë se sekretarja Klinton mbështet plotësisht gjërat që ne jemi duke bërë në Shqipëri, sepse ato janë në përputhje të plotë me bindjet e saj të thella politike. Dhe nuk mendoj se do të ketë ndonjë ambiguitet në lidhje me këtë.
Z. Ambasador megjithatë nga mazhoranca nuk e fshehin që ju Xhon Uidhers po largoheni. Tek e djathta është bërë publik fakti se SHBA-të indetifikohen me antikomunizmin dhe një nga argumentet e përdorura kundër jush si ambasador është qëndrimi që mbajtët ndaj ligjit për lustracionit që në fakt ndëshkon të shkuarën komuniste. Dhe jeni interpretuar në një farë mënyre se i keni bërë apologjinë komunizmit dhe i jeni kundërvënë një kryeministri të djathtë. Ndërkohë nuk ka pasur nga ju asnjë kritike për opozitën.
Unë shpesh argëtohem nga komente që bëhen nga gazetarët shqiptarë por edhe nga politikanë që në një mënyrë apo tjetër përpiqen t’i japin jetë një nocioni të një marrëdhënie të vështirë personale mes – le të themi – politikaneve me njëri-tjetrin, apo marrëdhënieve personale mes meje dhe një zyrtari tjetër.
Me lejoni të them shumë qartë: Unë nuk kam asnjë vështirësi personale në marrëdhëniet e mia me askënd qofshin këta në qeveri apo opozitë. Unë kam respektin më të thellë për të gjithë zyrtarët që kam pasur privilegjin t’i takoj në Shqipëri.
Përmenda termin që është argëtues koncepti që një ambasador amerikan do merrte krahun e njërës palë apo tjetrës. Mendoj se shfaqjet e mija publike dhe ky historiku im publik është i qartë. Se unë gjithmonë i kam shprehur mendimet e mija qartazi për secilin krah. Po të shikosh këtë historik pozicionesh mendoj se shikon qartë se si nga pikëpamja publike apo dhe nga marrëdhënia private kemi diskutime të hapura me të gjitha grupet në vend.
Për cilindo që ka pasur mundësi të më vëzhgoje në Shqipëri gjatë këtyre 3 viteve, do ishte e pamundur që të mendonte se unë flas në emër të dikujt tjetër përveçse në emër të qeverisë amerikane. Ne si amerikanë jemi goxha strikt në bindjen tonë. Flasim haptazi, por gjithmonë flasim në emër të qeverisë tonë dhe popullit tonë. Dhe këtë të drejtë nuk do lejonim të na e hiqte askush.
Dy vjet pas Gërdecit zoti Uidhers, çfarë mendoni se ndodhi atje…?
Unë jam i shqetësuar nga ajo çka nuk ka ndodhur. Dhe unë do ta shprehja në këtë mënyrë. Ne të gjithë na kujtohet ajo ditë e tmerrshme. Na kujtohen të gjithëve ato imazhe të ripërsëritura në mënyre të vazhdueshme të qytetareve që çoheshin me shpejtësi drejt spitalit, që rridhnin gjak nga copëzat e predhave që kishin prekur trupat e tyre. 26 qytetarë humbën jetën. Qindra u plagosën. Pasuri të tera u shkatërruan. Të gjithëve na kujtohen.
Unë do ti bëja një pyetje shqiptarëve. Jo vetëm atyre që ishin viktima por qytetarëve të këtij vendi: A është vënë drejtësia në vend për këtë çështje? Unë mendoj se kjo është një pyetje për qytetaret shqiptarë se është një gjë që i shqetëson ata thellësisht dhe që duhet ta ndjekin.
Pyetja tjetër është: A po vihet drejtësia në vend, a u shfrytëzua gama e plotë e shkeljeve të mundshme që mund të jenë kryer atje, a po eksplorohen ato në tërësinë e tyre? Aty janë të gjithë ata që mund të kenë pasur një rol në atë që ndodhi. Janë duke u ekzaminuar me tërë përpikërinë që kërkon drejtësia? A po përdoret dispozita arkaike e imunitetit që pengon një hetim dhe një kërkim për të vendosur drejtësinë e plote në emër të atyre qytetarëve që vuajtën?
Kjo është ajo që unë mendoj se është puna e papërfunduar e Gërdecit. Për aq kohë sa drejtësia e plotë – dhe jo drejtësia e pjesshme – është akoma pa u përmbushur dhe nuk po ndiqet, atëherë mendoj se ka një mungese përfundimi të kësaj çështje. Unë nuk po e drejtoj gishtin ndaj askujt. Unë nuk e di se kush është i pafajshëm dhe kush fajtor, por që të pengosh aftësinë e njerëzve për të ndjekur një hetim të plotë, nuk më duket mënyra për të vënë në vend drejtësinë. Dhe deri sa të vendoset kjo drejtësi është sikur ato plagë të vazhdojnë të kullojnë gjak.
Si i gjykoni ju zgjedhjet e 28 qershorit si proces i tërë? D.m.th përfshirë edhe atë të numërimit?
Vlerësimi i zgjedhjeve në përgjithësi në tërësinë e tyre është shprehur nga gjithë vendet tona përfshirë edhe SBA. Ne njohëm dhe vumë re elemente pozitive të zgjedhjeve përparime të këtyre zgjedhjeve që ishin të dukshme, por mendoj që pas kësaj mbeten dy pyetje të rëndësishme:
Pyetja e parë është se ajo shpresë që unë shpreha se qytetaret e Shqipërisë të kishin një ditë të mirë të nesërmen a doli? Kjo shpresë nuk doli e tillë. Ne jemi përballur me një krizë politike të vazhdueshme mes opozitës dhe mazhorancës. Ka një konfrontim që ka vazhduar dhe ka dëmtuar të mirën e vendit dhe unë mendoj që është me rëndësi absolute që të gjendet një mënyrë për zgjidhjen e kësaj dileme që vendi të jetë në gjendje që të rikthehet te vëmendja për të gjitha çështjeve që janë me rendësi për të.
Mendoj se pasardhësi im zoti Arvizu, e shprehu aq mirë në fjalën e tij dhe unë dëshiroj ta citoj: në momente të caktuara duket sikur klasa politike shqiptare është më e shqetësuar për rivalitetet brenda saj se sa për të mirën e qytetareve të zakonshëm.
Ju e njihni zotin Arvizu?
Së pari me lejoni të shprehem në mënyrën më të saktë: Ambasadori Arvizu është akoma i propozuar, pra ai do të bëhet ambasador në përfundimin e procesit. Unë kam pasur privilegjin ta takoj Aleksin. Po merrni në Tiranë një nga diplomatët tanë më të mirë.
Nga e djathta pëshpëritet se ky i riu që do të vijë do na lërë rehat deri në zgjedhje lokale nga e majta thonë se ky i riu vjen për gjëra të mëdha. Në fakt çfarë ndryshon në politikën e SHBA-së pas ikjes suaj?
Unë nuk kam asnjë ide se nga po i marrin këto informacione këto grupe politike. Çfarë do ndryshoje? Do të vijë një ambasador i ri me ide të reja me sy të freskët me energji të mëdha. Por ajo që nuk ndryshon është politika e SHBA dhe kushdo që dyshon të kundërtën po bën një lojë. Kushdo që beson se politika amerikane lëviz në drejtimin që merr era mendoj se nuk e kupton ose e keqkupton thellë karakterin amerikan.
*Marrë me shkurtime nga Top Story
* * *
Një ditë më parë Partia Socialiste e konsideroi letrën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Philip Gordon me kërkesë dhe në emër të sekretares së Shtetit Hillary Clinton, një paralajmërim të SHBA ndaj aventurës së qeverisë së Berishës për të vënë nën kontroll drejtësinë dhe SHISH-in.
Deputeti Ditmir Bushati, në emër të PS-së ka deklaruar sot se letra është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e shpejtë të krizës politike dhe garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve.
“Ankesat e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të Ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, kur dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet. Qëndrimet e Ambasadorit në ikje Ëithers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve”- tha Bushati.
Sipas tij, është e pafalshme që Sali Berisha me praktikat okulte të ’96-’97, përdori Lulzim Bashën në 2008 dhe Ilir Metën në 2010, respektivisht me administratën Bush dhe Obama, për t’u ankuar ndaj përfaqësuesve diplomatik të SHBA-ve, të cilët kanë dhënë një ndihmë të pakursyer ndaj vendit dhe kombit tonë qysh nga ekzistenca e shtetit shqiptar.
Ai i quan të dënueshme këto veprime të qeverisë së Sali Berishës, për më tepër në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve.
_____
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, njëherësh numri dy i qeverisë deklaroi sot se nuk ka dërguar asnjë letër ankesë për ndonjë ambasador në Shqipëri, ndërkohë që ka theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në janë të shkëlqyera.
Vetëm një ditë pas reagimit zyrtar të SHBA-së, përmes një letre nga ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për cështjet europiane Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të sekretares së Shtetit Hillary Clinton, ku theksohej prerë se deklaratat e Withersit janë në fakt qëndrimi i vetë SHBA-së, Meta ka përgënjeshtruar të ketë nisur ndonjë letër ankese.
“Më vjen shumë keq që kjo thatësirë që vjen nga koha ka sjellë dhe thatësirën për lajme. Puna ime më bën që të shkëmbej letra me Washingtonin por nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë për ndonjë ambasador “- tha Meta gjatë një komunikimi me gazetarët sot në mesditë.
__________
Goditja e radhës nga SHBA
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr çdo dyshim te mazhorancës shqiptare, se deklaratat e ambasadorit Withers kane qenë qëndrime personale të tij.
Në një letër derguar qeverisë shqiptare nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për cështjet europiane Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të sekretares së Shtetit Hillary Clinton, detaje të së cilës janë zbuluar nga Top Channel thuhet :
“”Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Ëithers dhe në punën që ai po bën për të cuar përpara marredhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 viteve shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO”
Sipas Top Channel, letra është një përgjigje e letrës që më parë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta i kishte dërguar sekretares Clinton me ankesa për qëndrimet e ambasadorit Withers, përfshirë dhe deklaratat e tij për emërimet në gjykata, specifikisht në Gjykatën Kushtetuese.
Sa i përket emërimeve në gjykata, ku dhe kritikat e mazhorancës kanë qenë më të forta, ndihmëssekretari Gordon shprehet në mënyrë të prerë në të njëjtën linjë me ambasadorin Withers:
“Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve”.
Ndihmëssekretari Gordon, nuk ka lënë pa ngritur edhe shqetësimin për tejzgjatjen e krizës politike në vend. Sipas tij, kjo po kushtëzon integrimin europian të Shqipërisë.
“Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik”-ka përfunduar Gordon
***
Projektligji për SHISH-in, Withers: SHBA e ka dhënë mendimin e saj
KUKËS- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, John Withers ka deklaruar nga Kukësi, se SHBA dhe ai vetë e kanë dhënë mendimin për projektligjin e SHISH.
I pyetur për zhvillimet e fundit dhe debatin për projektligjin në fjalë, Withers ka thënë se “për këtë ligj, ambasada e SHBA-së ka dhënë opinionin e saj që mund të gjendet në faqen e saj zyrtare”.
Në faqen zyrtare të Ambasadës është deklarata ku SHBA ndan shqetësimin serioz për projektligjin për SHISH, pasi ai minon parimin e pavarësisë dhe lirisë nga të gjitha ndërhyrjet politike.
“E marrim vërtet shumë seriozisht. Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirate për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t’u siguruar që mikja jonë Shqipëria nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar”- ka thënë Withers në deklaratën e marsit, publikuar në faqen zyrtare të ambasadës.
Projektligji për SHISH-in, mbetet për t’u diskutuar në sesion tjetër parlamentar, në muajin shtator.
Pa dhënë sqarime, mazhoranca është tërhequr nga projektligji, i cili ka marrë kritika të forta, jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtar, SHBA, NATO, madje ka marrë votën kundër edhe nga pjesa e koalicionit, LSI-ja.
E lënë për t’u diskutuar në ditën e fundit të sesionit, pra në rendin e sotëm të punimeve të Kuvendit, projektigji është spostuar.
***
Presidenti i vendit, Bamir Topi, i pyetur për qëndrimin e tij lidhur me projektligjin për SHISH-in ka deklaruar se ai ka qenë dhe do të mbetet luajal i parimeve të NATO-s. Nderkohe qe kryeministri Berisha ka deklaruar se ne Shqiperi nuk do te kete asnje zyrtar te larte pa mandat, perfshire edhe kreun e SHISH-it.
Gjatë një deklarate për mediat, kreu i shtetit shqiptar ka pranuar se po e ndjek këtë proces me shumë vëmendje dhe nuk mund të paragjykojë vendimin e Kuvendit.
“Unë mund të them se po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe jam i kujdesshëm për tu thënë që nuk paragjykoj vendimin e kuvendit, sepse presidenti flet në momentin kur ka një vendimmarrje të Kuvendit dhe realizohet komunikimi zyrtar mes Kuvendit dhe institucionit të Presidentit”- tha Topi.
Megjithatë ai ka theksuar se “në parim unë kam qenë e mbetem luajal i parimeve fondamentale të aleancës së Atlantikut të Veriut që është aleanca e paqes dhe sigurisë. Nga ky parim i madh dalin edhe përfundime të mëdha”- tha Topi.
Berisha: Kreu i SHISH-it, me mandat
Kryeministri Sali Berisha ka theksuar prerë se kreu i SHISH-it do të jetë me mandat.
I pyetur nga gazetarët se si do të veprojë mazhoranca lidhur me ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, Berisha deklaroi se në Shqipëri nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat.
“Ky është një qëndrim përfundimtar i Kryeministrit të vendit. Vendet anëtare të NATO-s në tërësinë e tyre i kanë të gjithë zyrtarë me mandate të ndryshme. 4 vjet e kanë mandatin për Kryeministrin, 4 apo 5 vjet e kanë mandatin për Presidentin, dikush me mandat më të shkurtër, dikush me mandat më të gjatë. Por mandatet janë një normë dhe një standard i vendeve demokratike”- tha Berisha, por pa u përgjigjur nëse Kuvendi do e kalojë ligjin pavarësisht kontestimit të fortë të opozitës, faktorit ndërkombëtar dhe votës kundër të LSI-së.
—
Kaos në Kuvend, PD tërheq ligjin e SHISH, telefonon Rasmussen
TIRANË – Mungesa e numrave të duhur në Parlament, por edhe një telefonatë e kreut të NATO-s, Rasmussen, me kryeministrin Berisha kanë detyruar mazhorancën që për herë të dytë të tërhiqet nga ligji i SHISH. Edhe herën e parë të djathtët u dorëzuan përpara presionit ndërkombëtar. Por, dje, ata vendosën, në mënyrë surprizë, të hedhin edhe një herë në votim ligjin që vendos Shërbimin Informativ Shtetëror në vartësi të kryeministrit.
Debatet
Që në fillim të seancës, opozita ka kundërshtuar futjen në kalendarin e punimeve të amendimit të propozuar nga deputeti Fatos Hoxha për ligjin për SHISH. Sipas socialistëve, ky ligj duhet të hiqet nga kalendari i rendit të ditës. “Minimumi jeni të detyruar ta bëni këtë, qoftë për të realizuar dhe nenin formal të rregullores që kërkon dy ditë kohë. Është e drejta juaj që në seancën pasardhëse, duke na siguruar ne si opozitë minimumin të drejtën e njohjes me projektligjin, e të drejtën e njohjes me relacionin e komisionit përkatës, që ditën e hënë të ulemi ta diskutojmë”, u shpreh kreu në emër të grupit të PS, Gramoz Ruçi.
Duke shfrytëzuar pamjaftueshmërinë e votave nga ana e mazhorancës, kreu i grupit parlamentar të PS kërkoi hedhjen në votim të propozimit të tij për heqjen nga kalendari i punimeve të projektligjit për SHISH. “Në emër të grupit parlamentar, ju propozoj që të hidhni në votë, të nxirrni nga rendi i ditës së pikës që bën fjalë për projektligjin e Shërbimit Informativ. Ky është propozimi ynë, që të hidhet në votë”, tha Ruçi. Por kryeparlamentarja Jozefina Topalli e kundërshtoi, duke deklaruar se është respektuar rregullorja. “Për sa kohë që ne kemi kalendarin e votuar nga seanca plenare.
Ju keni të drejtë të kërkoni që të hiqet nga rendi i ditës”, sqaroi Topalli. Edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka kundërshtuar heqjen nga rendi i ditës i projektligjit për SHISH. “Nuk është e vërtetë që projektligji ka ardhur në seancë papritur. Nuk është problemi ynë që kur projektligji ka kaluar në Komisionin e Sigurisë, opozita nuk ka qenë e pranishme në komision. Fakti që PS nuk ka marrë pjesë në të gjitha komisionet e sigurisë nuk përbën shkak”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat. Ndërsa aleati i kryeministrit Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta, në emër të grupit u shpreh kundër kalimit të ligjit për SHISH, duke e cilësuar atë të nxituar, pasi nuk është marrë mendimi i NATO-s.
Numrat
Pas deklaratës së Metës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nisi të bëjë llogaritë e numrave që kishte Partia Demokratike. Përveç lëvizjeve të shumë deputetëve që hynin e dilnin nga salla e Parlamentit, mazhorancës i mungonin edhe disa deputetë, mes tyre edhe kryeministri Berisha. Mungesa e deputetëve dhe katër votat e LSI-së kundër ligjit të SHISH vunë në dyshim serioz votimin ose jo të ligjit në seancën e djeshme. Në këto kushte, Topalli nisi të lëshojë pe kundrejt kërkesës së opozitës.
Telefonata
Burime të “Shekulli”-t bëjnë me dije se arsyeja e vërtetë e tërheqjes së mazhorancës nga amendimi i ligjit për SHISH i propozuar nga deputeti Fatos Hoxha ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Ka qenë kreu i NATO-s, Rasmussen, ai që i ka telefonuar kryeministrit Berisha dhe i ka kërkuar tërheqjen e këtij ligji. Kjo është ndërhyrja e dytë e ndërkombëtarëve, të cilët i kërkojnë mazhorancës që të mos ndryshojë ligjin ekzistues për SHISH.
Tërheqja
Për të mos bërë një tërheqje në sallën e Kuvendit, mazhoranca vendosi ndërprerjen e seancës plenare dhe mbledhjen e shpejtë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Në këtë mbledhje, përveç votave kundër të opozitës, dhanë votën kundër edhe deputetët e djathtë, Leonard Demi, Paulin Sterkaj dhe Gazmend Oketa. Pas kësaj, kryeparlamentarja Topalli deklaroi se “plotëson” kërkesën e opozitës dhe i jep asaj 24 orë kohë për t’u njohur me ligjin e ri të SHISH.