Aristir Lumezi, 25.05.2010
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs u kërkoi palëve politike në Shqipëri t’i japin fund luftës së brendshme. Ai tha se kriza aktuale politike ka ardhur nga mospajtimi i të dy anëve të politikës shqiptare. “Për mua kriza politike nënkupton mospajtim mes dy anëve të politikës dhe dy liderëve. Por ajo që është e rëndësishme për mua është që sistemi duhet ta rivendosë veten në punë sepse ka kaq shumë probleme me të cilat përballet ky vend. Këto janë probleme urgjente dhe probleme që ndikojnë në mirëqenien e këtij populli. Ndaj për sa kohë zgjasin këto mospajtime, edhe mundësia për t’i zgjidhur e për t’i ndihmuar këta njerëz është ndërprerë”, u shpreh Uidhërs.
Ambasadori amerikan e bëri këtë deklaratë i pyetur nga “Panorama” gjatë diskutimit “Media dhe Gjyqësori”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Ambasada amerikane në Tiranë, ku merrnin pjesë dhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. I pyetur nëse kërkohet një zgjidhje politike apo ligjore, për krizën që po zhvillohet në vend, ambasadori amerikan në Tiranë tha se kriza politika ka prekur dhe qeverisjen dhe mbështeti iniciativën e Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund kësaj situate. “Unë besoj se kriza është diçka më e thellë.
Unë besoj se është krizë e qeverisjes. Me vullnet politik unë besoj se kjo situatë mund të rregullohet. Bashkimi Evropian ka një nismë shumë të rëndësishme, lidhur me zgjidhjen e kësaj situate dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e përkrah këtë nismë. Nuk ka asnjë hije dyshimi mes nismës së BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Është tërësisht thelbësore, tërësisht jetike që lufta e brendshme të ndërpritet dhe që interesi i këtij kombi të vihet përpara gjithçkaje”, u shpreh Uidhërs.
Ambasadori amerikan në Tiranë është nga të paktë diplomatë të huaj në Tiranë, që e ka ndjekur nga afër krizën politike dhe në mënyrë të përsëritur ka bërë përpjekje për daljen prej saj. Pas seancës që shënoi mbylljen e debatit për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar në muajin mars, Uidhërs u shpreh i shqetësuar për mosarritjen e një zgjidhje dhe dalje nga ngërçi politik. Sipas Ambasadorit amerikan në Tiranë, ngërçi politik duhej zgjidhur jo sipas interesave partiake. E gjitha kjo situatë, sipas tij, duhet të zgjidhet përmes një kompromisi brenda Parlamentit.
Këtë apel, Xhon Uidhers e ka bërë përmes një njoftimi për shtyp të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku shprehej shqetësimi për situatën politike në vend e duke kërkuar dhënien fund të kësaj situate politike nga lidershipi politik shqiptar. Sipas diplomatit amerikan, marrëveshja midis forcave kryesore politike të arrihet, duke gjetur pikat e takimit midis tyre dhe jo nëpërmjet interesave partiake.







