Nga Besnik Gjongecaj
Në fund të vitit që shkoi pati dy lajme për arsimin e lartë. Lajmi i parë ishte heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar në universitetet private, pra heqja e tatimit mbi fitimin që sigurojnë këto institucione me shërbimin që bëjnë, dhe lajmi i dytë ishte ai i ribërjes së sistemit të kualifikimit universitar vetëm tri vite pas bërjes së tij, duke ndryshuar sistemin me shumë nivele diplomash ndërmjetëse që ndodhet aktualisht i fiksuar në ligjin ekzistues për arsimin e lartë, në një sistem me dy nivele, bachelor si nivel i parë dhe master si nivel i dytë. Në pamjen e parë të duket sikur të dyja lajmet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, megjithëse ato u artikuluan nga qeveria, përkatësisht nga kryeministri dhe ministri i Arsimit.
Në një vështrim më të thellë, veçanërisht kur ai hidhet nga njerëz që i kanë përjetuar dhe i njohin proceset që kanë ndodhur dhe ndodhin në arsimin e lartë të këtij vendi, të dyja lajmet nuk janë të veçuara, përkundrazi, janë të lidhura me njëra-tjetrën, jo në kuptimin e një varësie funksionale shkak-pasojë apo pse thjesht koincidojnë të vijnë nga e njëjta fushë, por në kuptimin e natyrës së tyre: të dyja lajmet janë prodhuar nga një terren që po çoroditet gjithmonë e më shumë, që gjithmonë e më shumë po bëhet absurd, po zhytet në një anarki të plotë.
. . .
Heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar tek universitetet private është një veprim i papërgjegjshëm për një skemë normale të financave të një vendi, efekti negativ i të cilit mbi buxhetin e shtetit është edhe e keqja më e vogël. E keqja më e madhe konsiston në përpjekjen për të fshehur me kujdes natyrën thellësisht private të këtyre institucioneve, për të fshehur misionin e vërtetë, real, që kanë ata, i cili, jashtë çdo dyshimi, si në çdo institucion privat të shoqërisë ku jetojmë, është maksimizimi i fitimit. E keqja më e madhe qëndron pra në përpjekjen për të shkurtuar virtualisht distancën reale që universitetet private kanë ndaj universiteteve publike në Shqipëri.
Kjo distancë, në thelb, është realisht e vogël në sistemin universitar të vendeve perëndimore dhe aq më e vogël është në sistemin universitar në SHBA, e krahasuar me Shqipërinë. Prandaj, arsyetimi mbi natyrën e përdorimit të parasë në këto universitete do të na ndihmonte në fakt për të kuptuar se në ç’situatë ndodhen universitetet private shqiptare në raport me ato publike dhe mbi këtë bazë, të kuptonim më mirë, nëse duhet apo jo të tatohen universitetet private në Shqipëri. Kështu, burimet e parave që formojnë buxhetin e një universiteti tipik amerikan, i cili nuk është as tërësisht privat dhe as tërësisht shtetëror (publik) janë nga më të ndryshmet, ku përfshihen dhënia me qira e tokave të dhuruara që në themelimin e tyre nga shteti, të ardhurat nga pagesat e studentëve, nga projekte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit (të mos harrojmë që universitetet janë aktorët kryesorë të zgjidhjes së problemeve të natyrës shkencore që lindin brenda, por edhe jashtë vendit), nga donacione të natyrave nga më të ndryshmet.
Është e sigurt që universiteti harxhon një pjesë të të ardhurave gjatë një viti financiar, por e gjithë çështja qëndron se si universiteti e trajton pjesën që ai e konsideron vlerë të shtuar, pra pjesën që mbetet, pasi janë kryer shpenzimet e vitit. Në këtë moment shfaqet karakteristika e parë: universiteti nuk e përdor vlerën e shtuar për të formëzuar fitimin e asnjë pronari, për arsyen e thjeshtë se universiteti faktikisht nuk ka një pronar të tillë. Universiteti nuk e përdor atë për pagesa speciale, sepse pagesat janë përcaktuar paraprakisht nga vetë universiteti për krejt strukturën akademike dhe administrative të tij. Detyrimisht, vlerën e shtuar, pra fitimin, universiteti e përdor për forcimin e vetvetes në të ardhmen, për investimin në fushën shkencore dhe laboratorike, krijimin e posteve të reja akademike dhe administrative, botime, konferenca, në procesin e konkurrimit për projekte të reja etj. Pra, e përdor që nesër të jetë më i fortë se sot, që nesër të jetë më tërheqës për studentët se sot, që nesër të fitojë apo të përfshihet në më shumë projekte se sot, që nesër të ketë një vlerë të shtuar më të madhe se sot, pra, në fund të fundit, që vitin tjetër të ketë një buxhet më të madh se në vitin ekzistues.
Vendimet për mënyrën e përdorimit të vlerës së shtuar, si dhe për të gjitha aspektet e tjera financiare dhe administrative nuk merren nga një njeri i vetëm, nuk merren aq më shumë në fshehtësi, siç ndodh me privatët tanë. Ato merren nga një bord, “the board of trustees”, i cili përbëhet nga njerëz pa konflikt interesi, donatorë dhe autoritete të rëndësishme të jetës shoqërore. I gjithë ky përshkrim tejet i thjeshtëzuar na ndihmon të nxjerrim konkluzione të drejta, realiste, për universitetet tona private dhe joprivate. Shteti nuk i ngarkon universitetet me tatim mbi vlerën e shtuar, vetëm kur vlera e shtuar shkon e gjitha në forcimin e universitetit dhe të asnjë individi brenda tij, pra vetëm kur vlera e shtuar shndërrohet automatikisht në një “të mirë publike”. Në kohën që vlera e shtuar shndërrohet në fitim për një person të vetëm, pra për pronarin apo pronarët e një universiteti privat, atëherë ajo thjesht nuk shndërrohet në një të mirë publike, por individuale, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë shtet demokratik që të hezitojë në tatimin e saj. Çështja është akoma më e ndërlikuar.
Që një universiteti privat me misionin e njëjtë të çdo institucioni privat që kryen shërbime në një shoqëri tregu, pra me misionin e maksimizimit të fitimit, pavarësisht se si deklarohet vetë universiteti në procesin e marketingut të tij, të mos i vihet tatim mbi vlerën e shtuar, kjo do të thotë që shteti të mos dijë se sa është vetë vlera e shtuar për këtë universitet, pra të mos dijë se ç’fitime realizon ky universitet, pra të mos dijë se në ç’masë një njësi paraje e futur në universitet e shumëfishon vetveten në fund të vitit apo në një periudhe tjetër kohe. Kësaj situate i bashkohet edhe situata tjetër, në të cilën mënyra e organizimit të një universiteti privat në Shqipëri, e cila varet totalisht nga pronari apo pronarët e tij dhe nuk ka asnjë lidhje me organizimin e një universiteti publik, e bën absolutisht të pamundur ekzistencën e një kontrolli të brendshëm financiar mjaftueshmërisht të pavarur për të ndëshkuar veprimet e paligjshme, korruptive, dhe për të bërë transparente mënyrën e përdorimit të të ardhurave, prandaj edhe burimin dhe masën e realizimit të vlerës së shtuar.
Paradoksalisht, jemi përpara situatës, në të cilën universitetet private, me gjithë problemet e rënda etike, morale dhe akademike që kanë sot, kanë eliminuar me ndihmën e kësaj qeverie çdo “pengesë” në përmbushjen e misionit të maksimizimit të fitimit. Në një shoqëri si e jona, e organizuar më shumë sipas një regjimi sesa sipas një sistemi demokratik, me një qeveri që interesohet më shumë për blerjen politike të universiteteve private sesa për zhvillimin e tyre të vërtetë dhe proporcional me universitetet publike, në situatën në të cilën korrupsioni është shndërruar tashmë në një “lumë” të dalë plotësisht jashtë kontrollit, shtuar të gjitha këtyre edhe situatën në të cilën organizimi i universiteteve private është bërë pa një sistem kontrolli dhe përgjegjësie financiare të brendshme, heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar do të çojë shumë shpejt në sundimin e plotë, përfundimisht të pashpresë, të “instinktit” të fitimit mbi “qytetarinë” e universiteteve dhe diplomave të tyre. Përpara se të merrej me heqjen e barrës së tatimit mbi vlerën e shtuar nga universitetet private, qeveria shqiptare duhet të fillonte më së fundi të merrej me problemet e panumërta financiare që kanë universitetet publike të vendit, të cilat, nga pikëpamja e marrëdhënieve financiare të paktën, ndodhen në të njëjtën gjendje siç ndodheshin dikur në sistemin totalitarist të para viteve ‘90.
Qeveria shqiptare nuk ka zgjedhur akoma parimet bazë, mbi të cilat do të rregullohen marrëdhëniet midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit për të realizuar financimin e krejt sektorit të arsimit të lartë, nuk ka zgjedhur modelin e financimit të një universiteti të veçantë brenda këtij financimi të përgjithshëm, si dhe faktorët variabël, nga të cilët do të përcaktohet ky model, nuk ka zgjidhur akoma çështje që lidhen me mënyrën se si do të merren vendimet dhe do të shpërndahen paratë brenda një universiteti publik, nuk ka përcaktuar akoma një strukturë të brendshme administrative universitare që do të mund t’iu përgjigjej ndryshimeve në modelin e financimit. Ai që kemi, është vetëm një ligj, në të cilin nenet bien ndesh me njëri-tjetrin, një numër aktesh nënligjore që janë në konflikt me ligjin, dhe që për këtë arsye, por edhe për shumë arsye të tjera, nuk ka njeri në fytyrë të këtij vendi të kuptojë se si vërtet do të kryhet financimi i universiteteve publike dhe si do të përdoret paraja brenda tyre.
. . .
Megjithatë, qeveria e gjeti kohën të merrej me TVSH e universiteteve private, kur nuk ka kryer asnjë reformë në sistemin financiar të universiteteve publike. U kujtua edhe për një gjë tjetër në këtë fund viti: t’iu thotë shqiptarëve që krejt sistemi i kualifikimeve, që është përfshirë në ligjin për arsimin e lartë të përgatitur prej saj para pothuajse tri vitesh, është i gabuar dhe do të zëvendësohet nga një sistem tjetër. Autori i këtij shkrimi dhe shumë kolegë të tij të Asamblesë së Profesoratit shqiptar e kanë paralajmëruar publikisht qeverinë shqiptare, përmes qindra faqesh të shkruara, prej një kohe të gjatë, se po ndërtonte një pseudo-Bolonjë në Shqipëri dhe se kjo gjë, pra jo përfshirja, por përjashtimi i Shqipërisë nga procesi i Bolonjës po “kalcifikohej” me ligj.
Profesorati shqiptar formuloi edhe një projektligj orientues, bëri të gjitha përpjekjet për sensibilizimin e Ministrisë së Arsimit, parlamentit, e paralajmëroi qeverinë shqiptare se që nga viti 1999, viti i Deklaratës së Bolonjës, të gjitha vendet që aspironin të bëheshin pjesë e hapësirës evropiane të arsimit të lartë filluan të zhvisheshin nga forma kualifikimi dhe diploma të panevojshme të arsimit të lartë, trashëgimi e traditës së tyre dhe që nuk përputheshin më me sistemin e Bolonjës. Këtë e bëri Çekia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Italia, Gjermania etj., etj., ndërsa Shqipëria bëri të kundërtën, nuk e thjeshtoi, përkundrazi, e komplikoi strukturën e kualifikimit, duke iu kundërvënë krejt sistemit të Bolonjës. Sot, pas tri vitesh, kur sistemi pseudo-Bolonjë është implementuar në të gjitha universitetet shqiptare, e trembur realisht nga zgjimi më në fund i ndërgjegjes së studentëve të këtij vendi, qeveria pranon që ai nuk është ndërtuar sipas parimeve të procesit të Bolonjës, prandaj, si një ndërtim pa leje, do të prishet përsëri dhe do të rindërtohet, këtë radhë, sipas “Bolonjës”?!
. . .
Ajo që i bashkon të dy lajmet, heqjen e TVSH për universitetet private dhe ribërjen e sistemit të kualifikimeve universitare, kur ekzistuesi ndodhet në implementim të plotë, është mungesa e konsekuencës logjike, është mungesa e paskrupullt e përgjegjësisë. Lajmi i parë ka të bëjë me injorimin e substancës së shoqërisë që po ndërtojmë, pra ka të bëjë me “shkuljen” e thelbit kapitalist dhe orientimin klientelist të qeverisjes së saj, ndërsa lajmi i dytë është produkt i drejtpërdrejtë i anarkisë, i ndërtimit sot të një gjëje me destinacion për ta shkatërruar nesër, e kështu përditë, deri në “ndërtimin” përfundimtar të asgjësë. Është si në kohën tragjike të zhdukjes së mamuthëve, pra si në kohën e largët, kur këto kafshë të stërmëdha përpiqeshin të dilnin nga balta, e cila bëhej akoma më thithëse, më gllabëruese, sa më shumë që kafshët e gjora e shtypnin atë me këmbë në përpjekjen për të dalë prej saj.