Nga Kolec Traboini
Punonjësit e TV Klanit më kanë bllokuar filmin “Martirët” në You Tube duke paraqitur pretendimin absurd se është filmi i tyre. Atë film e kam realizuar në vitin 2011 në mënyrë të pavarur duke i realizuar të gjitha komponentët, skenar, regji, montazh, zhurma, miksazh dhe me muzikë të formuluar nga krijimtaria e kompozitorit më të vjetër Albinon.
Krejt papritur pa më njoftuar, punonjësit e Klanit paraqesin ankesën në Administratën e You Tube sikur filmi është i tyre. Nuk e kuptoj se për çfarë bëhët e gjithë kjo, për të më përvetësuar filmin apo bëjnë luftë për të më dëmtuar krijimtarinë pa menduar se unë çeshtjen mund ta hedh në gjyq sepse e drejta e krijimtarisë në Shqipëri njihet me ligj.
Por nga ana tjetër sa i përket profesionalizmit, atyre të Klanit të Frangajt u them se kur unë bëja filma, e merrja edhe çmime në Festivale Kombëtare ata ishin ende kalamaj e shkonin pas bishtit të dhisë.
Plepat e Durrësit, shkollat e Sali Berishës nuk nxorën vetëm hetues e gjykatës për tre muaj por mesa duket edhe gazetarë televizivë dhe filmaxhi televizionesh që janë kashtë e byk nga ana profesionale dhe shkëlqimin më të madh e kanë me marrëzitë e Fevzos që llafosen si pasdarke paneleve e kallamburoset me ca shkrime herë me Enverin e herë me Zogun, bën dhe promovime të neveritshme në Pallat të Brigadave (pordhi kali në derë të hanit), e ku i bën nder, me nder jush, tërë qeveria e politika që është më të vërtetë për keqardhje nga mënyra si i përkrahin marrëzitë dhe mediokritetet. Dhe natyrshëm nga që janë trokë ju duket se filmat që i bëjnë të tjerët janë të tyre…pa pike turpi ky pretendim se filmi im “Martirët” është me temë e ide si dhe trajtim profesional origjinal e pangjashëm me asnjë film tjetër i këtij lloji!
Poshtë keni edhe foto nga KLAN TV që e ka shkatërruar Kinostudion me kontributin e Saliut e kajmekamëve të tij të medieve, por dhe të tjerëve (kohët e fundit kur erdhi qeveria e re në pushtet sipas disa indicjeve u bë edhe shitja e fundit e fshehtë e tokës në Kinostudio në mënyrë të paligjshme, qeveritarët mesa duket duan ti prishim mendjen mediave ti kenë pranë vetes si aleate e jo si opozitarë). Nuk paskan të shuar në babëzi mbi pronat e popullit more, e këta të Klani të klaneve po u kursekan me filmin tim “Martirët” që kërkojnë ta përvetësojnë duke e konsideruar të tyren.
Krejt siç ndodhi me pronat e qytetarëve po ndodh me pronat publike dhe me tej edhe me krijimtarinë individuale.