Tush Ndrecë Mrijaj (1946-2005)

0
52

Tomë Mrijaj, New York

Stina e bukur e verës, është një kohë e mbushur me gëzime. Emigrantët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, për të vizituar vendlindjen dhe familjet e tyre. Në këtë sezon të ngrohtë, fillojnë edhe dasmat, që janë gëzime masive me këngë dhe muzikë vendase tradicionale popullore dhe ajo bashkëkohore e lehtë, që më sëshumti pëlqehet nga rinia në Kosovë e gjetkë.
Unë dhe familja ime prej shumë muajsh presim biletat për të udhetuar drejt vendlindjes, një gëzim dhe mall i papërshkruar për të gjithë. Unë, ndjehem ngrohtësisht i rrethuar nga familja dhe rrethi i miqve, dashuria dhe respekti i tyre, i cili, shprehet gjithnjë, falë traditës dhe zakoneve të transmetuar brez mbas brezi në trojet shqiptare. Takimet dhe bisedat vazhdojnë deri në orët e vona të natës, duke rikujtuar fëmijerinë, rininë dhe kohën e tanishme, që përjetohet me hapa të shpejtë, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
Kam qenë pranë të gjithëve, jo vetëm në momente të bukura gëzimi, por edhe në raste hidhërimi, kur miqtë, të afërmit dhe njërëzit më të dashur të familjes Mrijaj, kanë kaluar momente hidhërimi, kur kanë ndërruar jetë të afërmit ose njeri i dashur i zemrave të tyre…
Në këto momente gëzimesh dhe hidhërimesh, edhe pas 9 viteve të ndarjes nga jeta të djalit të axhës tim Tush Ndrecë Mrijaj, sërisht ruhet kujtimi i tij në zemrat tona, sepse ky njeri fjalë ëmbël është edhe sot i paharruar mbasi ndjehet gjithnjë mungesa e tij në familje dhe odat e burrave, sepse ka qenë një njeri i veçantë si dashamirë, njeri i besës, bujar, kuvendarë e i zgjuar në odat e burrave etj.
Prindërit e Tushit, Ndreca dhe Tonja, patën tre vajza njëra mbas tjetrës: Rushen, Hanën dhe Vitoren. Ata ëndrronin shumë, që në fillim të kishin një djalë, një dëshirë e madhe për çdo familje shqiptari. Por shpresa e tyre, se Zoti, një ditë do t’i dhuronte një djalë, nuk iu humbi asnjëherë. Kështu, mbas tre vajzave, lindja e fëmijës së parë djalë, ishte një gëzim i papërshkruar. Kjo gjë u shpreh edhe në fytyrat e familjes së madhe Mrijaj.
Ai, që e ndjeu më sëshumti këtë sihariq ishte axha Nikollë, i cili, me të dëgjuar lajmin e gëzueshëm kishte lënë Komunën dhe menjëherë vjen në shtëpi. Në derë të oborrit të kullës, ai zbrazi disa herë pushkën, ku jehona alarmoj gjithë katundin.
Disa ditë me radhë në shtëpinë tonë kishin ardhur shumë miq e shokë, për të na uruar lindjen e djalit të parë pas tre vajzave. Tushi i vogël u rrit me shumë dashuri, nën përkujdesin e prindërve dhe tri motrave më të moshuara, të cilat, me shumë kujdes i qëndruan pranë.
Pas Tushit, prindërit i gëzon Zoti edhe me tre djem të bukur njeri mbas tjetrit: Bardheci, Pali dhe Nika. Më vonë, këtij numëri i shtohen edhe tre vajza të tjera: Vera, Gjystja dhe Prena, duke krijuar kështu një familje të madhe, me katër djem dhe gjashtë vajza.
Tushi, në moshë të re, mbas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, ai merr profesionin e bukëpjekësit. Në këtë mënyrë, për djaloshin e ri plot enërgji rinore, fillon një jetë e re dhe e mundimshme në këtë zejë, të cilën se kishte menduar asnjëhere, se do t’a ushtronte në jëtën e tij.
Duke punuar me përkushtim dhe seriozitet në tregtinë e tij, brenda një periudhe të shkurtër, Tushit i erdhën në ndihmë (si krah i djathtë) vëllezërit e tij më të rinj në moshë. Të gjithë sëbashku, mundën që të zgjerojnë dhe rrisin tregtinë në zonën e tyre dhe përtej Kosovës, në drejtim të Republikave të tjera të ish Jugosllavisë.
Më vonë vëllezërit me udhëzimin e vëllait të madh Tushit, hapën disa dyqane, ku përmirësuan shumë mirë jetën e familjeve të tyre dhe këtë sukses e gëzojnë edhe sot e kësaj dite…
Por historia e familjes së madhe të Tushit, nuk ka vetëm gëzime dhe suksese në tregti. Kështu, një ditë Tushit i vdes babai. I ati Ndreca (për të cilin kemi folur, në një shkrim të veçantë pak më lart, shënimi im T.M.) varroset me të gjithë nderimet dhe respektin nga familja, miqte dhe të afërmit e shumtë, që kishin ardhur për t’i lënë lamtumirën, për në banesën e fundit.
Më kujtohet si sot, gjatë atyre ditëve mortore, dilogu midis Tushit dhe axhës Nikollë, i cili, i tha: “Ishte një numër i madh në vorrimin e babës këto ditë. Po mendoja, se çfarë do të bëjmë ne në vorrimin tuaj mbasi kam frikë se as fushat s’do ti zënë, sepse ju jeni shumë personalitet i njohur në botën shqiptare!?“ Im atë, me një buzëqeshje të sinçertë iu përgjegj djalit të vëllait të vet: “Këto njerëz, sot kanë ardhur këtu të më ngushëllojnë mua për vëllain (babain tënd)… Nëse ju nuk i afroni, respektoni dhe mbani miqtë dhe dashamirët pranë vedit, shumë më pak do të vijnë. Ata thonë se Nikolla nuk na sheh e s’kemi se cilin të ngushëllojmë për te…”
Me rastin e vdekjes së babait tim Nikollë Mrijaj në vitin 1999, kishte ardhur për të shprehur ngushëllimet e tyre një numër shumë i madh nga të gjithë trojet shqiptare. Pas përcjelljes në banesën e fundit, të babës, Tushi u shpreh para miqve të shumtë: “Baba Nikollë, na la shumë zbrazti ne si familje dhe rrethit të shumtë të miqve dhe dashamirëve. Këtë gjë e vërejta gjatë këtyre ditëve mortore, ku numëri i pjesëmarrësve në ceremoni i kaloj disa herë parashikimet tona… Na shkaktoj dhimbje në shpirt ndamja nga jeta e babës Nikollë, por u gëzova, se edhe ne i kemi mbajtur me nderime dhe respekt miqte e tij, të cilët erdhën dhe na nderuar, në këto ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë.”
Tashmë, peshën e madhe të barrës për drejtimin dhe administrimin me kujdes të familjes së madhe bie mbi sypet e Tushit, i cili, nga ana e tjetër kishte edhe drejtimin e bisnesit të familjes.
Përvoja e madhe e pjeku dhe e burrëroi para kohe, duke filluar kësisoj, që t’i përballoi me gjoks vështirësitë e jetës të familjes së madhe me shumë antarë. Ai si gjithnjë iu gjend pranë nënës së vet fisnike, duke qenë krahu i djathtë i saj për çdo gjë që kishte nevoj familja e tyre.
Por Tushi, me karakterin e fortë të një burri stoik dhe të dashur, i qëndroi pranë gjithnjë axhës së tij Nikollë Pren Mrijaj, ku nga ky burrë fisnik dhe i mirënjohur në të gjithë krahinën e Kosovës, mësoi shumë gjatë kohës, që qëndruan bashkë brenda familjes së madhe Mrijaj, që asokohe e drejtonte axha i tij Nikollë Mrijaj.
Edhe babai im e ka dashur shumë Tushin dhe e ka mbajtur gjithnjë pranë vetës. Im atë gjithnjë fliste me respekt për nipin e tij, mbasi tek ai ka parë një burrë të vendosur, fjalëpak dhe punëshumë, njeri me zemer të madhe dhe shumë bujar, i dashur me të gjithë vendasit dhe të tjerët jashtë trevave tona.
Tushi, sëbashku me axhën e vet Nikollën, ka shkuar në shumë pritje dhe përcjellje, takime dhe oda të burrave të krahinës dhe përtej. Ai ishte një njeri i sjellshëm dhe i kujdeshëm në bisedat me miqtë e shumtë, që kishte familja e jonë e madhe. Tushi, thoshte shpesh me respekt dhe mirënjohje, se nga axha i vet Nikolla, kishte mësuar shumë dhe për te ai burrë i madh e i dalluar në këtë krahinën, ishte një shkollë e madhe e jetës në shumë drejtime.
Të gjitha këto përvoja, që i ushtroi qysh nga mosha rinore, formuan gradualisht një burrë të veçantë, të respektuar dhe të nderuar nga të gjithë, për fjalët e tij të zgjedhura dhe të matura në odat e burrave apo në pritjet dhe përcjelljet, sipas rasteve të familjes sonë dhe në ambientet e tjera publike.
Tushi, ishte një njeri i sinçertë, i drejtë, fjalëmbël, i matur në biseda, i kujdeshëm me të gjithë grupmoshat dhe në ambientet publike e odat e burrave si mik në shtëpitë e bashkfshatarëve të tij.
Me këtë natyrë të matur, falë përvojës dhe ndershmërisë si cilësi e spikatur në karakterin e tij, ai i jepte udhëzgjidhje të rëndësishme çështjeve dhe problemeve familjare e shoqërore, që jeta ia solli si sprovë burrërie.
Ka qenë pikërisht ky karakter i fortë i një burri të pjekur dhe të urtë, që ai të ftohet shpesh në pajtimin e gjaqeve mes njërëzve, që kishin hyrë në ngatërresa dhe hasmëri të përjetshme.
Tushi, ishte një burrë i pashëm, elegant në veshje, modest në ndeje e takime, me miq e shokë. Ai u përshtatej rrethanave kohore, ku lente përshtypjen e një personaliteti të ngritur.
Ai, si një kryefamiljar i mirë u tregua prind shumë i kujdeshëm, nën drejtimin e familjes së madhe me shumë vëllezër dhe motra. Të gjithë u fejuan dhe martuan, nën përkujdesin e veçantë të tij dhe nënës së tyre.
U nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, i rrethuar nga e gjithë familja e përlotur, për humbjen e tij në moshë të re. Ai la mbrapa vetës nusen e re Tonen, djemtë: Gjokën e Gjevalinin, vajzat: Jozefinën dhe Borën të martuara, dy rejat (nuset e djemve) Vera e Betja, që u përkujdesën shumë për vjehrrin e tyre, që lëngoi ato ditë para kalimit në amshim)…
Pema e familjes ripërtërihet, me trashigimtarin e emrit të Tushit, të cilit e mban sot djali i djalit, Tushi i Ri, që sot po vazhdon shkollimin në SHBA dhe shumë nipa dhe mbesa në Kosovë dhe SHBA.