Turizmi, tetë vite duke pritur “berishët”

0
30

Nga Mero Baze, 3 Gusht 2013

Është një statistikë e thjeshtë, që mund ta verifikojë çdokush. Në mënyrën më të pazakontë në botë, për tetë vite turizmi shqiptar nuk njohu asnjë licencë ose leje nga qeveria shqiptare e Sali Berishës, për ndërtimin e ndonjë resorti turistik që duhet t’i jepte emër turizmit shqiptar. Sali Berisha, i cili po mbledh plaçkat për të ikur nga kryeministria, nuk ka mundur të firmosë dot asnjë leje të vetme që do ta bënte atë dhe qeverinë e tij krenar për kontributin në turizmin shqiptar.

Shqipëria ka sot qindra hotele të vegjël, shumica pa leje ndërtimi fare, ose me leje ndërtimi, por pa pasur vlerën e një resorti, dhe disa fshatra turistikë të licencuar para vitit 2005, të cilat edhe pse të shëmtuara, kanë shpëtuar shkatërrimin e bregdetit jashtë çdo standardi. Bile dhe vetë vajza dhe kunati i kryeministrit sapo kanë shembur dhe po rindërtojnë pa leje vilën e tyre gjigande në Gjirin e Lalzit, në një fshat turistik, që është licencuar më 2001-in.

Ka një sërë arsyesh përse ky dështim spektakolar i Berishës ka ndodhur në turizmin bregdetar. Berishës nuk i mungonte vendimmarrja dhe as guximi për të bërë investime të marra, që shkatërruan ekonominë shqiptare. Në rastin e turizmit ai nuk do të investonte asgjë, thjesht do çlironte energji për investime. Por nuk e bëri.

Bllokimi i parë ndodhi me emërimin prej tij të dhëndrit të vet në krye të një projekti afatgjatë, që rezultoi pa fund, për studimin e bregdetit jugor. Ai studim ishte nisur qysh më 2004 nga qeveria Nano, me një studio kroate, dhe ishte duke përfunduar. Dhëndri e riformatoi si projekt dhe e ktheu në një monopol bllokues duke e paraqitur si arsye formale bllokimi për këdo që dëshironte të investonte. Ai hyri në konflikt me Bankën Botërore dhe më pas vazhdoi ta udhëheqë projektin thjesht si një monopol të Familjes mbi bregdetin. Në Dhërmi, nëse shihni, ndërton vetëm shoku i Shkëlzenit, në Orikum po ashtu, ndërsa nuk i është hapur rrugë asnjë projekti serioz turizmi dhe nuk është licencuar asnjë fshat turistik.

Kjo ka nxitur bathorizimin e perlës së bregdetit shqiptar me investime kaotike, afatshkurtra dhe të shëmtuara, të cilat janë dëshmi konkrete si mund të investosh kundër zhvillimit.

Nën udhëheqjen e Dhëndrit, Ksamili mbeti i bllokuar, dhe nën konsulencën e një studioje ligjore, aty u shfaqën pronarë të dyshimtë, që pamjes së Kandaharit që i kanë dhënë ndërtimet Ksamilit, mund t’i japin në të ardhmen dhe talibanizimin e Ksamilit si në Kandahar, ku do vriten njerëzit për investime të dështuara. Fatin e Ksamilit e ka imituar Borshi, një tjetër perlë e natyrës e kthyer në plehrë. Mania për të pasur gjithçka nën kontroll, dhe mbi të gjitha mania për të shitur fuqinë e pushtetit dhe jo fuqinë e zhvillimit, bëri që nën drejtimin e Dhëndrit, të bllokohej çdo iniciativë biznesi për investime serioze dhe të katandisej bregu në motele dhe shtëpi të shëmtuara sikur i ka hedhur dikush nga avioni.

Të njëjtin fat ka Jala, Qeparoi, Dhërmiu, Palasa etj.

Premtimi i qeverisë së re për një Agjenci të Bregdetit, nuk duhet të përsërisë sagën e Berishëve, që e mbajtën atë nën kontroll nën devizën o e jona, o të prishet. Të vetmit që mund ta shpëtojnë bregdetin janë investimet e mëdha serioze, që zgjidhin problemet më shpejt se shteti me pronën dhe klientët e tyre. Përpjekja për ta mbajtur monopolin mbi bregun, si monopol për të shitur licenca e leje, është arsyeja përse ne sot pas tetë vitesh nuk kemi asnjë resort serioz dhe fshat turistik që të mbajë firmën e Berishës, por vetëm bakshishe në adresë të Familjes për ndonjë copë tokë në bregdet.

Fenomeni i dytë i shëmtuar që Berisha instaloi në bregdet, përveç kapitalizimit të “studimit të dhëndrit”, është loja e pistë me pronarët e tokës. Berishët shpikën metodën e gjetjes së një pronari të diskutueshëm, por kurrë të rregullt, për ta përdorur si pronar legjitim, në emër të të cilit kthenin shumë herë më tepër tokë se sa mund të kishte, për ta përfituar vetë pjesën tjetër. Revoltat e Orikumit kanë bazë këtë praktikë. E tillë është praktika dhe në tokat nga Vjosa në Seman dhe nga Uji i Ftohtë në Vjosë. E tillë është praktika për faqen e malit të Sarandës nga Hotel Butrinti tek Kanali i Cukës.

E tillë, mbi të gjitha, është praktika për Ksamilin, me të cilin është spekuluar me ndarjen virtuale në 96 njësi që ka pasur prona si kullotë në kohën e Zogut. Tashmë ky është një problem që do t’i mbajë peng gjithë palët. Ata që janë përdorur si pronarë, kanë dalë të humbur, pasi nuk kanë çfarë bëjnë me pronën e kontestuar, berishët, që janë pas tyre, kanë marrë lekët dhe i kanë zhytur ata në kredi, banorët vendas që jetojnë aty janë të pasigurt… Kështu zinxhiri i pasigurive rritet shumë.

Qeveria e re ka vetëm një shans të jetë operative. Të piketojë me urgjencë pikat e zhvillimit të bregdetit dhe t’ua japë ato investitorëve seriozë me kushte të rrepta zbatimi në cilësi, afat dhe perspektivë zhvillimi dhe të marrë përsipër barrën e zgjidhjes së çështjes së pronës. Kjo e fundit ka nevojë për një task- force të përbërë nga kryeministri, kryeprokurori, dy kryetarët e gjykatave, asaj të Lartë dhe Kushtetuese, dhe ndonjë institucion tjetër, që të verifikojë në themel historitë e pronave vetëm pas vitit 1944. Deri atëherë prona ka qenë e transformuar në rrugë ligjore dhe nuk mund t’i kthehet prona dikujt me tapi më 1918, dikujt me të 1938, e dikujt me të 1946. Vetëm një autoritet i lartë ndërshtetëror si mbikëqyrës i Komisionit të Kthimit të Pronave, mund t’i hapë rrugë zhbllokimit të kësaj plage korruptive që berishët i lanë vendit si mallkim nga grykësia e tyre për të dalë pronarë edhe në Ksamil, edhe në Kala të Borshit, edhe në Dhërmi, edhe në Gjipe, edhe në Orikum, edhe në Pishe Poro.

Të dyja këto plagë të rënda të berishëve, shitja e pushtetit të dhëndrit mbi bregdetin dhe shpikja e pronarëve përmes studios ligjore, duhet të marrë fund përmes një plani të shpejtë dhe eficent zhvillimi. Nëse bregdeti vazhdon të lihet nën mëshirën e studimeve dhe njerëzve jokompetentë, ai ka për të degraduar siç po degradon, duke ua çuar lekët dëm dhe atyre që kanë investuar deri tani. Një pushtet që për tetë vite ka këtë bilanc kriminal me bregdetin, ku nuk ka asnjë leje për ndonjë investim serioz, asnjë jaht në det dhe asnjë pronar në tokë të vet, tregon se ka pasur objektiv vetëm ta kishin bregun e tyre, detin e tyre, bizneset e turizmit të tyre.

Tani ikën dhe do t’i kemi për shumë kohë nëpër këmbë, nëse nuk nis të zbatohet një plan i ri zhvillimi dhe të verifikohet në themel çdo gjë që ka pasur pas berishët në bregdet.