Tunizia [… dhe Shqipëria]

1
34

Mona Eltahawy

E kemi rrezuar vallë? Më poshtë keni një fragment të një shkrimi të komentatores Mona Eltahawy, të publikuar në the Guardian. Flet për rrëzimin e diktatorit tunizian Ben Ali, dhe i thur lavde shoqërisë tuniziane. Në pjesën e dytë është një parantezë e imja, në të cilën merrem shpejt e shkurt, me logjikën e një paranteze, me shoqërinë shqiptare, së cilës, siç mund të merret me mend, nuk i thur lavde. E cili nga ne do t’i thurte?

Gjatë 58 viteve të shkuara, në çdo 23 korrik, në Egjipt, në vendin tim të lindjes, kanë festuar “revolucionin e korrikut”, që përmbysi mbretin Farouk dhe i dha fund njëherë e mirë monarkisë e pushtimit britanik. Në të vërtetë, nuk pati asnjë revolucion. Ishte thjesht një grusht shteti i realizuar nga një grup ushtarakësh të rinj. Dhe kjo punë ka qënë me të gjitha “revolucionet” që kanë ndodhur në botën arabe, ku ushtarakë gjithfarësoji, duke i lënë vendin sho-shoqit, na kanë sunduar të veshur me rroba civile (ca syresh kanë parapëlqyer gjithë kohën rrobat ushatarake) dhe për gjenerata të tëra nuk na kanë lënë të marrim vesh se ç’është e ç’do të thotë asëll-asëll një revolucion.

Për vite me radhë i kam parë iranianët me cmirë e zili. Nuk është se më ka pëlqyer rezultati i revolucionit të tyre të vitit 1979, por ajo që ndodhi atë mot në Iran ishte një kryengritje popullore, e jo një surrogato e një grushti shteti. Dhe kështu, ju mund të kuptoni pse, tok me miliona arabë të tjerë, unë do ta festoj për gjithnjë e me hare datën 14 Janar 2011, ditën kur Zine al-Abidine Ben Ali mori arratinë nga Tunizia. U deshën 29 ditë për të përmbysur një regjim 23 vjeçar. Dhe ishte një revolucion 100%, një shans për ndryshim. Është hera e parë që arabët rrëzojnë një diktator, dhe kjo është arsyeja që unë jam ende duke festuar, s’ka gjë se raportimet mbi plaçkitjet e kaosin nuk kanë të mbaruar.

[Kaq kam shkëputur nga autorja Mona Eltahawy. Tani është radha e një paranteze. Mund të duket e stisur dhe e kërkuar kjo parantezë-mbyllje, por mua s’më duket fare. Po e filloj duke thënë, se në terma të emancipimit politik e të formimit civik ne shqiptarët jemi më prapa se sa tunizianët, s’ka gjë se shumë prej nesh, me atë racizmin e tyre të vrazhdë e të papërpunuar, mund t’i kenë shpërfillur gjithë kohën këta afrikanë. Dua të them se, në ndryshim nga Mona Eltahawy, ne nuk e kemi parë ende një revolucion në vendin tonë. Ne jemi popull reaksionarësh, e jo revolucionarësh. Ne jemi një nga popujt e rrallë në botë, që prodhojmë më shumë mbështetës se sa kritikë të një regjimi.

Nuk dihet se ç’do të ndodhë më tej në Tunizi – pas revolucioneve asnjëherë s’dihet me saktësi se ç’ndodh – por ata e bënë një revolucion; ata dolën nëpër rrugë, ata rezistuan për ditë me radhë, ata sakrifikuan dhe jetë njerëzish, ata u përballën me një regjim më të ashpër se sa regjimi ynë komunist në grahmat e fundit në kapërcyell të vitit 1990. U përballëm dhe ne atë mot? Jo, kjo sendërgji nuk ka arsye të egzistojë më. Ajo që ka ndodhur në vitin 1990 ka qënë një teatër i inskenuar nga Ramis Alia. Nuk duhet të kemi pikën e dyshimit për këtë gjë.

Të terrorizuar prej ndonjë opozite hakmarrëse, që mund të dilte nga zhvillimet e pakontrolluara e mund të vinte shpejt në pushtet, Alia dhe të vetët i kanë dhënë karar punës ta lëshojnë stafetën tek të besuarit e tyre, të cilët kanë patur licencën edhe “për t’i trajtuar keq e burgosur” krerët e nomenklaturës së kuqe. Në rrethana të tjera një dreq e di se ç’do të ndodhte me Alinë e të tjerët. Kështu që ca burg e ca diskreditim publik kanë qënë karamele për krerët e regjimit më mizor të Europës. Në dhjetor të vitit 1990 pra nuk ndodhi asnjë përmbysje e as një revolucion; nuk ndodhi as edhe ndonjë putch; ndodhi thjesht një dorëzim stafete.

Sa më sipër, personalisht e kam injoruar si një version të historisë, por zhvillimet e mëpastajme më kanë bindur se ka qënë tamam kështu. Revolucioni nuk ka ndodhur; ai duhej të ndodhte; ai ende duhet të ndodhë, por tanimë jo si një revolucion i vonuar. Jo, ajo që duhet të ndodhë sot nuk më ka lidhje me stafetën e dorëzuar prapa kuintave në fund të vitit 1990; përkundrazi, ka lidhje më së pari me çfarë ka ndodhur pas atij viti, e me çfarë po ndodh sot nën sundimin e Ben Ali-së sonë, i cili, krahasuar me Ben Ali-në e Tunizisë, ka vetëm një degë më tepër ku të kapet e të mbahet.

Ka pretendimin se ka dalë nga zgjedhjet e lira. Të gjithë shqiptarët e dinë se nuk është kështu, të gjithë shqiptarët e dinë se një nga poshtërsitë e këtij njeriu ka qënë vjedhja e zgjedhjeve, por këtë pretendim ia njohin të huajt, amá. Dhe ne, në ndryshim nga tunizianët, nuk bëjmë dot pa të huajt, dhe popujt që nuk bëjnë dot pa të huajt mund të bëjnë dhe harakiri, por jo revolucion. Ne shqiptarët nuk jemi tunizianë. Ne e kemi hak ta kemi mbi krye Ben Ali-në tonë. S’do ta kemi hak në momentin që do ta rrëzojmë. Dhe duhet ta rrëzojmë, në duam të shpëtojmë.

E di, do ketë njerëz që me atë “javashllëkun e tyre neutral e objektiv” do thonë se këtu tek ne nuk është problemi tek Ben Ali-ja, por tek një sistem i tërë; kështu që revolucioni ynë duhet të synojë medemek rrëzimin e një rendi gjërash, e jo të ndonjë Ben Ali-je. Hm, besomëni, nuk ka mënyrë më të mirë për të përligjur sundimin e një psikopati, se sa ta konsiderosh këtë psikopat pjellë të një rendi të caktuar gjërash, ose thënë ndryshe, pjellë të një sistemi].

1 COMMENT

  1. Me pelqen shume ky shkrim, sa “illustruar” me ate MONOMENT te MAH: qe foli, flet e do te flase ne jete te jeteve.
    Fatkeqesi per kedo qe e neperkemb ate.
    Ai si çdo udheheqes, sidomos ata qe udheheqin per nje kohe te gjate, ka se ç’ti
    thuash dhe per lapuse, qe jane pjese e historise…
    Po, ndersa Ai, (E)dhe ishte i detyruar per kohen te qendronte si “Krishti i mberthyer”. Ç’ti themi ketij te sotmit, ne demokraci, “nuk di (do) ti zbrese kalit”.
    Ai (me popullin), ndertoj uzina dhe fabrika, sa shkolla dhe spitale, mbi te gjitha UNITEIN e nje populli.
    Ky; shkateroi ekonomine ne zero, shkaterroi ushtrine dhe gjithe sistemin mbrojtes te vendit, sa bastardoi jeten e shoqerise njerzore, te tera i vulosi me keto te fundit qe s’ka uje bote, t’i laje – jo Shqiperia.
    Dhe… akoma duhet te hezitojme per ta larguar nga udheheqia e vendit e te “gezoje” gjithçka beri ne keto 20 vjet deri ate bursen e shtetit te E. H., qe e beri Njeri po na doli Djall njeri.
    (Me korrigjoni nonje lapsus mua plakun miqt’ e mij)
    Guri Naimit D.

Comments are closed.