Nga Ben Andoni, “Mapo”
Tre turqit e rinj, që janë brenda njërës prej kabinave të kampingut të administratës, para tunelit të Thirrës, të shikojnë si me përtesë. Pinë shumë duhan, ndërsa një djalë inxhinier shqiptar, që na ka prirë drejt tyre, hesht si me sustë. Njësoj si ai kanë heshtur dhe gjithë punëtorët që pyeten për tunelin. Me një anglishte gjysmake dhe fort me bezdi, turqit të tregojnë se ku mund të gjesh informacionin “e duhur” për shembjen e Tunelit të Thirrës. “In Reps, there is information. You can get her… our director of publik relacion…”. “Ku? – e pyesim, – saktësisht”. Na gënjejnë paq, sepse njeriu i shtypit të kompanisë është në Tiranë, dhe këtë e provojmë teksa dikush e merr nga hyrja e tunelit. Në sheshin para tunelit qëndron e patrazuar një ambulancë dhe panele betoni të kryqëzuara në kënd të drejtë dhe të tjerë panele me ngjyrë të kuqe. Asnjë hap më tej. Më kot, një ditë më vonë, do e provojnë edhe disa deputetë të majtë. Të gjithë këtë hapësirë e menaxhon një polic i nginjur, që ha ambulatisht diçka. Krejt i shkujdesur. Kur provon të bësh një hap më tej, ai zgjohet dhe… fillon gjeste me duar dhe këmbë. “Rruga është qytetërim dhe një rrugë që kalon përmes malesh është akoma edhe më shumë”, – kujtojmë fjalët e thëna të kryeministrit turk, Erdogan, në inaugurimin e tij.
Si ka ndodhur?
Nuk ka shumë kohë nga inaugurimi dhe tuneli nuk funksionon më. Kuptohet, edhe rruga. Makinat bëjnë rrugën e vjetër dhe këtë e ka provuar vetë dhe prefekti i Kukësit pak ditë më parë, kur i është dashur të kalojë një ambulancë në galerinë veriore. Duhet të pyesim, gjithsesi. E gjithë shembja ka ndodhur në galerinë jugore, në atë që në fakt nuk ka pasur ndonjëherë kalime të mjeteve. “Janë shkelur parametrat e kontratës, sipas menaxherit Mort – tuneli do të përfundonte në vitin 2010, në verë të këtij viti, kurse ai u inaugurua përpara kohe”. Me këtë argument specialisti i firmës nuk i lejon dhe deputetët. “Patëm rrëshqitje të masivit jugor në tunel, dhe nuk mund të hymë brenda. Mesi i tunelit paraqet probleme”. Menaxheri i projektit Darren Mort ka pohuar gjithashtu, se tuneli nuk ka mbaruar krejtësisht dhe se kontrata me qeverinë përfundon pikërisht në fund të verës së ardhshme. Por ne nuk e kemi këtë fat, sepse askush nuk na flet.
Bash në hyrje të tunelit, në të djathtë, gjendet një hangar i ndarë në tri seksione. Në njërin janë mbledhur disa burra; në tjetrin s’ka njeri; ndërsa në të tretin është vendosur një si rulotë, ku një djalë i ri shtrirë merret me telefonin e tij celular. Të tria apo të dyja shërbejnë si minibare. Djali na përcjell te burrat, sepse nuk ka ndonjë gjë të madhe. Nga jashtë vjen e pandalur zhurma e atyre pak makinave, të cilat kanë lidhje me tunelin. “Këta s’bënë një rrugë për pesëqind vjet, jo të bëjnë gjë të hairit”, – na thotë një punëtor, sepse duhet gjetur një justifikim në historinë tonë të ngatërruar me turqit. Si për ironi, në vesh na qëndrojnë fjalët e Erdogan, që theksoi rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i kësaj rruge, ku, sipas tij, tani Shqipëria i ka afruar shqiptarët akoma dhe më shumë rreth vetes, dhe ku largësia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm 3 orë.
“Ishte aq, – më thotë një shofer. – Se tash ban sërish dyfishin”. Dëshiron të futet në bisedë.
Biem shpejt në muhabet dhe gjithçka e zbut më shumë një gotë e stërmbushur rakie. Shembja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, të një jave më parë – rreth orës 20:00. Ndërsa kanë qenë duke punuar në brendësi të tunelit, një masiv dheu ka rënë në pjesën veriore të tij. Dy syresh, që janë në këtë si hangar, mëtojnë se kanë qenë brenda. Ka pasur viktima? “Jo”, -më thotë prerë dikush. Punëtorët flasin njëkohësisht, por veçmas duket se i ruhen paq njëri-tjetrit. Dy që vijnë me uniformat e punës fosforeshente nuk pipëtinë, por, sa marrin vesh që aty ndodhet një gazetar, zhduken tej… prapa rulotës . “Shembja asht e madhe dhe shtrihet deri në 100 metra. Në këtë hapësin s’ka dritë dhe është bash e vështirë për ta pastruar”, – thotë një nga punëtorët. “E kam ni si tërmet”, – më thotë një burrë, që derdh pa kuptuar një lum fjalësh. Nga larg na ndjek një burrë, që nuk përzihet.
Kur shikon kaosin, atëherë me fonemat e rënda të Veriut, që ai i gëlltit edhe më shumë në gojën e tij, fillon të na sqarojë. “Unë s’kam frikë, – më thotë. – Jam specialist.” Preng M. është 59-vjeçar, por gjithsesi na duhet të veçohemi pak: “Tuneli në 2000-metërshin e parë ka qenë material i fortë. Kur u shkëput kontakti i bakrit me kromin ka hasur në formacione me klorite dhe këto nuk kanë qenë të studiuara. Ata e dinin se deri diku ishin, por jo që ka pasur të dhëna ekzakte në hapësirën 12 me 8 të gjerë dhe 12 me 8 të lartë. Pas saj, tuneli ka qenë i pashtruar me beton dhe duke u futur oksigjeni krijohet përzierje dhe bien.. Kjo do të bësh kështu: një hap dhe pastaj me betonim… Gabimi ishte teknologjik asgjë më tepër … sepse ana gjeologjike s’është bërë më parë dhe ka qëndruar më shumë. Ka qenë shembje e madhe. Nuk dihet lart lartësia, sepse nuk punohet dhe duhet të punohej me harqe e pastaj të eliminohet. Ka punëtorë shqiptarë, por platformat i bëjnë turqit…”.
Nuk pipëtin më asnjë, por pak më vonë do marr vesh se burri është simpatizant i PD dhe këtij i lejohet të flasë lirisht. Burri ka respekt për punën dhe mëton se shqiptarët kanë bërë punë më të vështira. Ai vetë ka punuar më parë në tunelin e Gjadrit, ku më përmend një seksion 14×9 të bërë me makineri, vetëm se këto të sotmet ndryshojnë, sipas tij. Ka qenë pneumatike puna. Duhej të gërmohej dhe të betonohej. “Duhej të përfundonin këtu dhe të vazhdonin me qemer te tjetri. Politika është tjetër, kurse teknika është ndryshe”. Në fakt, dikush që futet befas në bisedë, më tregon me një skemë të vështirë se si mbahen tunelet dhe se kjo është bërë më shpejt. Por edhe ai nuk e do emrin, sepse do ketë siklete. “Është inauguruar më parë. A e kupton apo jo”, – thotë burri dhe largohet. Jo, dhe për këtë s’është dakord punëtori i vjetër. Më tregon se ka eksperienca të vështira, sepse veç Gjadrit ka qenë edhe në Librazhd dhe në Murrash. “Unë s’jam dakord që u inaugurua më parë, por ky dyshi (galeria jugore) nuk duhet të bëhej… Gabimi më fatal ka qenë lënia shumë pa betonuar. Ky është gabim teknik. Shembja mund të ndodhë kudo dhe ne kemi punuar në kushtet më të vështira, por kurrën e kurrës s’u falet kjo… dhe sidomos “Enkës”. Dhe unë jam për këtë, se ajo ka pasur mundësi të bënte njëherësh njëshin dhe pastaj të niste tjetrin. Kjo është bërë që të mbaronte shpejt”.
Kryeministri kosovar Thaçi: “Realizuam një ëndërr. U bashkuam”. Kryeministri Berisha: “Tuneli i kushtueshëm, por më i lartë çmimi i bashkimit dhe shërbimit që i bën qytetarëve dhe daljen në det që i jep Kosovës, dhe fqinjëve të saj”. Berisha mëton se ky korridor për nga përmasat e tij vetëm në segmentin Rrëshen-Kalimash tejkalon 4 deri në 5 herë HEC-in e Fierzës dhe mbi 2,8 here tërë kaskadën e Drinit.
Nga shkohet
Burri nuk do të flasë më. Në fakt, koha ka fluturuar. Tashmë, rruga nacionale Kukës-Tiranë ka marrë atributet e dikurshme. Ëndrra e shqiptarëve dhe kryeministrave mbeti në sirtarin, ku depozitohen premtimet e shumta, duke i bërë sërish të largëta Tiranën, Kukësin dhe Prishtinën mes tyre. Ca më shumë akoma, mospërdorimi i gjatë bëri që rruga e vjetër t’i nënshtrohej erozionit, duke u dëmtuar shumë. Në të njëjtën kohë, në Qafë-Mali, Shëmri dhe Qafë-Shllak punojnë një numër fadromash, që pastrojnë dheun e skarpateve dhe prurjet e erozionit, duke bërë që të mos ndërpritet qarkullimi. Për fat, përtej Kalimashit është autostrada dhe kjo i tërheq garipat dhe qindra e qindra drejtues mjetesh, që tentojnë dhe e presin shkurt. Në këtë mënyrë karvanët e furgonëve e fuoristradave e deri tek autoveturat dhe kamionët gjetën fill pas mbylljes së tunelit, një tip “arterie ndihmëse”. Fillimisht e kaluan vetëm fuoristradat, por më pas gati çdo mjet udhëtarësh preferon t`i kalojë asaj rruge. Është e rrezikshme ajo rrugë, sidomos në dimër, flasin dy burra, që kanë ardhur sakaq në hangarin tonë. Nga rruga e vjetër tentojnë kosovarët ose furgonët lokalë, që kuptohet se i troshitin shumë njerëzit. Ata pak që provojnë rrugën e vjetër e shohin me sy katrahurën. Për fat, rruga këtu shkon vetëm 50 minuta dhe pastaj mund të manovrosh. E kam të vështirë të kuptoj shpjegimin e gjatë të një burri dhe toponomastikën, për shkak se germat shpesh shkrihen në gojën e tyre.
Një variant shkon Arrni (Qafa e Kombit) apo ajo e Qafës së Kumbullës te Laku i Qershisë. Kurse kryeplaku i Dardhasit, që ka zbritur me një kamionçinë nga fshati dhe tash është rrasur në cep të hangarit ka një version tjetër: “Për mendimin tim, si popull, rruga më e shkurtër është në hyrje të Çangës te Dardha te Qafja e Komit. Dhe dilte rrugë e sheshtë dhe me më pak probleme prej ngricave të krijuara. Por këto janë punë të qeverisë dhe unë nuk i di. Di se do dilte më shkurt”. Është i papunë, por ai më zgjidh dhe rebusin i pari, sepse shumë rrinë pa folur. Ata që njihen si mbështetës të së majtës, nuk flasin, sepse do kenë probleme në punë. Ai vetë s’ka ç’të humbasë më dhe çështjen e tij do ta përcjellë deri në Strasburg. Ka qenë dikur në postë, por e kanë pushuar. Versioni i tij i rrugës është ende më futurist. Kryetari i komunës së Fanit e ka penguar. Sa për kohën, më mirë e lëmë, të gjithëve këtu duket se nuk u duhet koha. Ndue Çeku është i egër dhe i vendosur në ato që thotë, por mllefi më i madh është me firmën dhe me punët jo të mira dhe se pse fshatin e tij e kanë anashkaluar! Dy herë ka organizuar fshatarët dhe kanë dalë në rrugë, sepse rruga, e cila është e vetmja arterie e tyre, nuk funksionon më në kushte optimale. Beson si të gjithë militantët socialistë që e majta do i fuste në burg.
Frika
Në fakt, askush s’ka hyrë në burg dhe deputetët e PS e vizituan për herë të parë vetëm këtë javë. Për fat, shembja s’ka ndodhur në tunelin që ka qenë i hapur, por në galerinë tjetër jugore dhe kjo situatë është normale. Kurse firma ndërtuese në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka”, e ka pohuar shembjen në tunel vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë, e në të gjitha herët e ka shmangur rrezikun që ekziston në të. Për hir të së vërtetës, thuhet se punëtorëve që ishin brenda u është thënë të kenë kujdes, por këtë e ke të vështirë ta konfirmosh. “Bechtel-Enka” vetë nuk e ka pohuar asnjëherë publikisht. Kur flet pa diktofonin në dorë, punëtorët të thonë se rreziku ka qenë i vazhdueshëm. Çdo ditë ndodhnin shkarje të dherave, gjë që kuptohet është hedhur poshtë me fraza teknike dhe si proces normal punimesh nga firma. Ca më keq akoma, duket se nga burrat që kemi përballë duhet të jetë dikush që prish punë, sepse ata pas pak kohësh nuk flasin më. Ndërkaq, bëjmë një hamendësim për harxhimet në tunelin e Thirrës, që me sa duket do të gllabërojë ende shifra të konsiderueshme parash nga ana e buxhetit të shtetit dhe do të ketë një kosto më të lartë për kurrizin e shtetit shqiptar.
Teknikisht, diku kam lexuar se punimet në këtë tunel i konsideron si volum pune dhe për këto duhet që të paguhet nga ana e shtetit shqiptar. E kjo shifër, e cila duhet të paguhet nga shteti shqiptar, nuk mund të parashikohet, pasi firma ndërtuese nuk punon me çmime fikse, por thjesht nga vlerësimet. Kujtoj zërin e një specialisti, kohë më parë, që fliste për rrezikshmërinë dhe për këtë formacionin problematik, që po hasej në tunel… por, ashtu si ndodhin gjërat në Shqipëri, edhe kjo kaloi thjesht. Ky aksesor në qershor u quajt i mbaruar dhe kryeministri, Sali Berisha, para një turme ku valëviteshin flamujt e pafund të PD, theksoi fatin e madh të ndërtimit të saj dhe se Shqipëria dhe Kosova ishin bashkuar tashmë. Tashmë, shumë prej këtyre burrave, edhe pse nuk janë inxhinierë, të shprehen gati me një zë: Tuneli është hapur para kohe dhe se rreziku është kurdoherë shumë i pranishëm. Në njëfarë mënyre autoritetet shqiptare, që kanë lejuar kalimin në dy galeritë, duken si shumë të papërgjegjshme me këtë rast. Por ato vazhdojnë stigmën dhe talljen e atyre që ngrenë pretendime për tunelin. Sa i përket firmës, duket se menaxheri i saj ka qenë shumë konkret këtë javë në vizitën që kanë bërë deputetët: “Do ende kohë të mbarohet”, – është shprehur ai.
Si duhej
Në të vërtetë duhet të dojë kohë. Shfrytëzojmë rastin që ka pushuar pak shiu dhe dalim jashtë. Jemi poshtë flamurit të PD, që duket si pika e vetme e referimit në këtë mjedis betoni. Burri, që është militanti i PD, bëhet më lakonik: “Kjo teknologji është e vjetër. Pretendoja që do vinte një makinë me impiant pneumatik dhe pastaj me transportier e përcjell. Bën 30 metra në ditë, por me këtë s’u bë. Fajin për këtë e mban “Enka” për mua”. Shtrëngojmë duart. Një burrë, që e mbështet, më thotë se e njëjta firmë ka bërë punë të shkëlqyera me urat dhe me veprat e tjera të artit përgjatë aksit Durrës-Morinë, por këtu s’ka qullosur gjë!!! Ndahemi. Ndueja vazhdon të ankohet dhe më kërkon një kontakt me FIKS-in. Më merr madje për të më treguar fshatin, por habitem se si një burrë që pretendon se merr thjesht 15.000 lekë, të ketë mundësi të mbajë kamionçinën në këtë rrugë. Deklamon dhe më ankohet gjithë rrugën, që përshkruajmë bashkë nga anash tunelit dhe diku deri drejt fshatit të tij: “Jetojmë me blegtori dhe punojmë ato toka me dynym. Vepër e madhe, por këtu është korrupsion i madh. Duhej hapur rruga sipër tunelit dhe të mos hapej kaq shpejt për votim. Kam dëgjuar se në Turqi këto punë shkojnë për 4-5-6 vjet. Por ky tunel ka ujë shumë dhe nga të vjetrit dimë se do ketë probleme dhe të mendosh se ka rrugë tjetër që kishte diell dhe jo si këtu që nuk e rreh fare dielli”.
…
E qetësoj disi. I premtoj numrat. “PS u njoh sot me rrugën në Kalimash, kjo është pozitive. PS njohu rrugën, edhe pse me vonesë. Por do të doja që të kishte qenë vetë Rama në Thirrë”, – ua kthen ministri Olldashi nga Tirana deputetëve, që në sheshin ku marrin sqarim u duhet të përballin disa njerëz të drejtuesve të komunës së Fanit që duan të prishin takimin dhe gjithçka. “Ky është tuneli ynë dhe kjo është rruga jonë. Ikni andej nga keni ardhur! Ç’ju duhet juve me këtë muhabet”. Kanë të drejtë me të tyren. Për ta shteti është PD. Naimi do më thotë pak më vonë se hangari ishte në tri pjesë, sepse dy vëllezër, që e kishin, s’gjenin gjuhën me njëri-tjetrin. Zgjidh dhe ‘misterin’ e flamurit të PD mbi të, që është e njërit prej vëllezërve simpatizantë të PD.
Ne e kemi më lehtë. Ndueja më merr dhe më lë diku përtej rrugës kryesore, pasi më ka treguar rrugën për në fshat dhe pamundësinë e tyre. “Tashti do më heqin dhe vajzën nga puna, – më thotë -, që të jam ankuar”. Përshëndetemi thjesht. Turqit, që kam takuar përtej, më duket se kalojnë atypari. Largohemi, ndërsa shiu ka pushuar fare pak. Kurse fjalët e tre kryeministrave për tunelin të duken të largëta dhe të largëta pafund, ashtu si edhe fundi i dy galerive të Thirrës.