Nga Tema
Kalimi në tunelin e Kalimashit, pjesë e rrugës së re Durrës-Kukës, do të bëhet me pagesë. Gazeta kosovare “Koha Ditore” bën me dije se të gjitha mjetet do të paguajnë një tarifë për të kaluar në tunel, e cila do të lëvizë nga 200 lekë të reja për veturat në 500 lekë për furgonët dhe 1000 lekë për kamionët dhe autobusët. Asnjëherë më parë nuk ishte bërë e njohur se tuneli do të kalohej me pagesë. Gjithmonë ishte thënë që ky tunel do të shkurtonte distancat dhe bënte që Kosova të ishte më afër duke bashkuar dy pjesët e kombit dhe duke rritur përfitimet ekonomike. Tuneli i rrugës Durrës-Kukës, që kur është hapur në qershor e deri më tani, është kaluar pa pagesë. Ai ka vuajtur herë pas here ndërprerje të qarkullimit për shkak të shembjeve. Nuk dihet saktësisht se kur do të fillojë qarkullimi me pagesë.
Aktivisti i njohur i diasporës shqiptare, Geri Kokalari, kishte paralajmëruar se rruga do të bëhej me pagesë, në mënyrë që kryeministri shqiptar të përfitojë sërish.
Momentalisht në tunel po bëhen punime. “Koha Ditore” lajmëron se në fund të këtij viti ekziston mundësia që një nga tunelet të hapet plotësisht në të dy krahët për të lëvizur.
Tuneli u hap për fushatë elektorale duke rrezikuar jetën e udhëtarëve. Pjesa që nuk ishte përfunduar u kthye në makthin e udhëtarëve, por vetëm tani vonë qeveria mori vendimin që tuneli të mbyllej për punime, duke pranuar publikisht se ai ishte bërë i rrezikshëm.
Paralajmërimi i Kokalarit: Rruga do të privatizohet që Berisha të mbushë sërish xhepat
Ju e keni akuzuar Berishën se po harxhon pará duke mbi-shpenzuar për rrugën Durrës-Morinë dhe ju keni pretendime se ai po shet rrugën duke e privatizuar. Përse i bëni këto akuza?
Atëherë, në fillim dua të them se nuk është më sekret që projekti ka kaluar të gjitha përllogaritjet fillestare, dhe është shkruar për këtë në publikime të besueshme për biznesin jashtë vendit, por dhe në mediet shqiptare.
Por ajo çka e bën më të keqe këtë, është se dihet tashmë se “Bechtel” ka një histori të hershme të tejkalimit të kostove.
Në fakt, në Shtetet e Bashkuara ka qenë lajmi kryesor në gazetat e mëdha, e nëse ndokush nuk e beson këtë, le të kontrollojë lajmet në internet për “Bechtel” dhe “gërmimin e madh”.
E ashtu siç Berisha ishte paralajmëruar për piramidat, është paralajmëruar dhe për “Bechtel”. Por ai tani i ka dhënë një kontratë direkt pa tender “Bechtel”. Kjo është një nga gjërat që vetëm diktatorë të papërgjegjshëm si Kim Jong II mund ta bëjnë. Kështu që përgjegjësia për shpenzimin e qindra-miliona dollarëve bie mbi ushtarët e Berishës.
Për sa i përket shitjes së rrugës, jam në kontakt me shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës dhe më ka mbërritur informacioni për këtë, ashtu si dhe për rastin e New World Telecom dhe AEY.
Një burim i besueshëm më ka thënë se Berisha po mban negociata sekrete për të shitur rrugën. Dhe besoj se Berisha po mban takime me Damir Fazlliç për këtë çështje.
Ajo që mund të them, është se shqiptarët janë të lirë ta besojnë këtë ose jo. Por është e thjeshtë për t’u kuptuar që Berisha ka hapur një vrimë të madhe ekonomike me këtë rrugë dhe po e merr në konsideratë seriozisht privatizimin e rrugës, për shkak se opsionet e tjera janë të kufizuara.
Kjo nuk duhet të jetë shokuese për çdo njeri që kujton lojërat që luante Berisha me Fatos Nanon dhe turqit për privatizimin e Albtelekomit.
Kjo nuk duhet të surprizojë askënd që pretendon se tenderi për ARMO-n ishte transparent dhe që personi që qëlloi të kishte kontrollin e saj ndodhi që ishte një mik me Berishën. Mendoj se Berisha nuk ka respekt për shqiptarët, për shkak se mendon se mund të bëjë të tilla marifete dhe ata mos ta vënë re.
A duan shqiptarët që Berisha dhe familja e tij të përfitojnë të tjera pará me rrugën e re që është ndërtuar me kaq shumë kosto për ta?