Tuneli i Kalimashit dhe pyetjet pa përgjigje

0
69

Asllan Dogjani / Deputet Kukës, 15.12.2009

Nuk po shkruaj thjesht si një deputetet i Partisë Socialiste, por si një qytetar i zhgënjyer i qarkut të Kukësit. Jam i zhgënjyer, si mijëra të tjerë, në Kukës, Lezhë, Shkodër, Malësi të Madhe, por edhe në Durrës, Tiranë, Fier e Elbasan.

Jam njësoj i zhgënjyer, si qindra mijëra shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë, që sot kërkojnë rrugën e premtuar, madje inauguruar me shumë se një herë nga Sali Berisha, por që fatkeqësisht, nuk e përdorin dot.

Tuneli, që do të bënte të mundur lidhjen e Shqipërisë me Kosovën, sot është i shembur. Bashkë me të, u shembën edhe miliona euro, të paguara nga taksapaguesit shqiptarë. Dhe mbi të gjitha, bashkë me tunelin u shemb një ëndërr – ëndrra e shqiptarëve për të qenë më pranë njëri-tjetrit, në Kosovë e në Shqipëri.

Por zhgënjimi është edhe më i madh, madje kalon në kufijtë e zemërimit, kur shikon se si një pseudo – Kryeministër, me ministrat e tij, bëjnë sikur nuk e kuptojnë atë çka ndodhi në Kalimash. Sali Berisha dhe Sokol Olldashi bëjnë sikur nuk e shohin tunelin e shembur. Pikërisht këta njerëz, që gjatë fushatës elektorale nuk pushonin se foluri për rrugën dhe veçanërisht tunelin, madje arritën deri aty sa ta inauguronin veprën e papërfunduar disa herë, sot heshtin.

Heshtin me turp, pasi nuk dinë ç’të thonë. Heshtin pasi skandali që u ka rënë mbi krye është shumë i madh dhe zgjidhjet, sipas specialistëve mungojnë.
Por heshtja nuk mund të vazhdojë, përpara një populli të tërë, që kërkon të dijë:
Çfarë ndodhi në tunelin e Kalimashit?
Pse u shemb ai tunel?
Sa i madh është dëmi?
Sa i pariparueshëm është ky dëm?
Edhe sa gjatë do të qëndrojë i mbyllur ky tunel?
Apo do të përdoret hapja e tij për zgjedhjet e ardhshme?
Kush është përgjegjës?
Kush është fajtor?
A do të riparohet ndonjëherë?
Nëse po, kur?
Sa do të kushtojë?
Çfarë garancish do të ketë?

Dhe më kryesorja është se sa gjatë do të vuajnë qytetarët kuksianë, shqiptarët që për tu lidhur me njëri tjetrin, për të sjellë të sëmurët në spital, apo për të siguruar bukën e gojës u duhet të kalojnë në rrugë pa rrugë duke rrezikuar dhe jetën.

Shumë pyetje. Deri më sot asnjë përgjigje. Vetëm heshtje, dhe shumë turp.
Sali Berisha dhe Sokol Olldashi, nuk do të mund t’i shpëtojnë përgjegjësive të tyre dhe aq më pak të vërtetës. Një popull i tërë kërkon të dijë, mbi një shembje, që çdo ditë e më shumë mban era korrupsion.
Jo si deputet i Partisë Socialiste, por si qytetar i Kukësit, nuk do të rresht së kërkuari të vërtetën. Nuk do të rresht së pyeturi Sali Berishën dhe ministrat e tij mbi të vërtetën e shembjes së tunelit të kombit. Deri sa të japin përgjigje, përpara shqiptarëve. Dhe përpara drejtësisë.