TUNË JAKAJ – NJË FIGURË SA POPULLORE AQ EDHE NACIONALISTE

0
47

NË VEND TË PËRKUJTIMIT

TUNË JAKAJ – NJË FIGURË SA POPULLORE AQ EDHE NACIONALISTE, I CILI PREHET NË AMERIKËN E LARGËT

Shkruan: Mikel GOJANI

Njeriun, në të cilin tradita, trashëgimia familjare dhe rrethi shoqëror ia brumosin vetëdijen e lartë kombëtare, mprehtësinë e gjykimit, energjinë e veprimit dhe përkushtimit të paepur plot sakrifica për kolektivitetin, për lirinë e vendit dhe popullit të tij, veçori këto të cilat me tërë qenie i vë në funksion të ardhmërisë; është njeriu që nuk vdes kurrë, vetëm shndërrohet në një trajtë tjetër, atje ku e kanë selinë meteorët që rrezatojnë dritë, që janë flakadanë të së ardhmes…

E tillë është edhe figura e atdhetarit të devotshëm Tunë Jakaj, të këtij pishtari të atdhedashurisë, i cili në kujtesën e gjithë atyre që kanë njohur do të mbetet emër i pashuar.

Tuna dhe familja e tij në shërbim të kombit e të atdheut

Kështu, më 10 qershor të këtij viti, në Miçigan të Amerikës, në moshën 86 vjeçare u nda nga jeta i biri i nacionalistit Ndue Jakut nga Ranoci i Kosovës, Tunë Jakaj (1926-2012), njëherësh edhe vëllai i veprimtarit të palodhshëm të Ballit Kombëtar në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, z. Tom Jakajt.

Tunë Jakaj, rrjedh nga një familje e cila, në trevën e Lugut të Drinit dhe krahinën e Dukagjinit ka qenë e njohur për mikpritje, nder e bujari. Po ashtu kurdo që ka kërkuar zëri i kombit dhe i atdheut, bijtë të kësaj familjeje kanë qenë të gatshëm që ta rrokin edhe pushkën në duar dhe t’u përgjigjen armikut shekullor. Këtë argument e dëshmon edhe sakrifica dhe flijimi që kanë bërë bijtë e kësaj familje gjatë historisë. Në janarin e vitit 1945 çetnikët serbosllavë në Kullën e Popit në Istog, përkatësisht në vendin e quajtur Lluga e Xhamisë afër Lumit të Istogut dhe në Lugun e Bollovanit, për veprimtari nacionaliste dhe atdhetare, pushkatuan axhën e Tunë Jakajt, nacionalistin Pjetër Jakaj (1898-1945), bashkë me shumë atdhetarë të tjerë të kombit, në mesin e të cilëve ishin edhe Rrustë e Ukë Rugova (gjyshi dhe babai i Dr. Ibrahim Rugovës, Llesh Gjon Lleshajn, Col Bajraktarin nga Uça, Najram Gashi, Ramë Alinë, Sadri Hotin e shumë të tjerë. Pas vdekjes së Pjetër Jakajt, barra e familjes së Jakajve i kaloi babës se Tunës Ndue Jakut (1896-1948).

Për Ndoun filluan ditë të vështira, angazhimi për udhëheqjen e familjes se madhe dhe hakmarrja për vëllanë, Pjetrin, i cili ishte pushkatuar me urdhrin e çetnikut të njohur në këto anë të Lugut të Drinit, kriminelin Radosh Toshiqi. Pas kësaj ngjarje tragjike për këtë familje, Ndue Jaku kishte hapur dyert e kullës së tij për luftëtarët e lirisë dhe gjithnjë ishte i gatshëm për t’i furnizuar me armë, veshmbathje, ushqime e gjera të tjera të nevojshme. Aty u strehuan shumë luftëtarë të denjë të kohës, si komandanti i njohur Ndue Përlleshi, profesor Ymer Berisha e shumë të tjerë. Kështu që kontributi i kësaj familjeje ishte i jashtëzakonshëm.

Sipas disa dëshmive historike thuhet se me urdhrin e Ndue Jakajt çeta e Ndue Perlleshit në fshatin Kojavq vrau Radosh Toshiqin në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Pjetër Jakun me shume burra tjerë të njohur të Kosovës që u vranë në dimrin e vitit ‘45 Istog. Nga kjo vrasje filluan dite të rënda për Ndue Jakun dhe familjen e Jakajve të Ranocit. Mbi Ndue Jakajn çetnikët sllavo – komunistë kryen torturat me çnjerëzore, ku si pasojë e dhunës dhe represionit, më 6 shkurt 1948 në moshën 52 vjeçare vdiq nacionalisti Ndue Jakaj, duke lënë pas bashkëshorten dhe katër djem, Tunën, Gjergjin, Martinin dhe Tomën, po ashtu edhe katër vajzat, Janën, Marqen , Mrikën dhe Marinë. Pas vdekjes së babait, Ndout Tunës i mbeti që të kujdesej për familjes.

Tuna për të mbajtur familjen një kohë punoi Vojvodinë, Bosnje-Hercegovinë e Mal te Zi, ndërsa më vonë, gjegjësisht në fillimvitet e ’80-ta së bashku me familjen e tij migron në Amerikë, përkatësisht në Michigan. Filloi punën në një fabrikë e më vonë duke iu falënderuar numrit të madh të anëtarëve të familjes dhe krahut të punës, së bashku me djemtë e tij blenë restorante ku edhe sot merren me këtë biznes. Tunë Jakaj prapa vetes la bashkëshorten e tij Gjylen, tetë fëmijët, katër djemtë dhe katër vajzat, Ndoun, Gjergjin, Skënderin Nikollën, Lushen, Zojen, Vitoren, Luljetën si dhe më se pesëdhjetë nipa dhe mbesa.

Për sa kohë sa punoi dhe veproi në Amerikë, Tuna me gjithë shpirt u angazhua për të mirën e popullit të tij. Kontributi i tij për të mirën e popullit dhe të atdheut të tij ishte jashtëzakonisht i madh.

Tunë Jakaj ishte burrë i nderuar kombit, i një bujarie që vezullonte në odën e tij.

Janë të rrallë njerëzit sikur Tunë Jakaj, i cili sot prehet i qetë në Amerikën e largët.

Të gjithë ata që kanë njohur nga afër shprehen se në tubimet e shpeshta me te, që kishin karakter pune, për aq sa e ringjallin historinë; ringjallin të të gjitha të bëmat e errëta që ka bërë në të kaluarën dhe po bënte dhe bënte në ato vite pushteti okupues serb, bisedat ishin për të gjetur shtigjet për të arritur qëllimin që impononte koha, ideali. Ishte fjalë pak, por mendime të qarta. Mendimet e tij i kristalizonte, gjithherë përpiqej që bisedat të orientohen me punë konkrete dhe reale. Oda e tij ka qenë për njerëzit, që i njihte, për punë atdhedashurie, që e kërkonte momenti historik që ishte.

Në atë kohë njerëzit idealistë kishin shumë punë të ngutshme, të cilat vinin, të cilat i përjetuan ata që qenë pjesë e asaj kohe. E bënte punën të një vizionari, thjesht, me një maturi, me një përkushtim. Njihte shumë njerëz, shumë njerëz e njihnin. Ishte kënaqësi e veçantë të flasësh me te, e shpalosim me shumë dashuri, me veprime konkrete. Ishte i çiltër, ishte i matur, ishte i drejtë. Çdo detyrë e kryente me përgjegjësi. Na ka lënë mbresa të thella, si një figurë aq popullore. Shumë i afërt, shumë i përzemërt, gjithherë i gatshëm për të kryer detyra, ato nga më të rëndat në shpërndarjen e bindjeve që rezononte koha.

Figura e tij, edhe sot e kësaj dite, tek gjithë ata të cilët e kanë njohur, paraqitet si vegim drite, bashkë me veprat e tij. Tiparet e tij njerëzore, të kalitura shumë herët, qëndrimi i tij vertikal, ishin dëshmia më autentike se ky atdhetar i devotshëm po hynte në qenien e popullit të tij. Ai punonte pareshtur në zgjimin e vetëdijes kombëtare në masat e popullit. Pohonte se vetëm arsimimi i popullit, si portreti më autentik i një kombi, krijimi i identitetit, vetëdijesimi dhe ngritja e ndërgjegjes kombëtare në shkallë të duhur do të bëheshin garanci e sigurt dhe instrument i fortë në duart e popullit, që çështja e Kosovës të mbetej në plan të parë deri në fitoren e saj të plotë.

Në këtë kohë, Tunë Jakaj e shpalos mëtimin e tij prej një këmbëngulësi të pathyeshëm për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar. Ishte kjo kohë kur para forcave të organizuara atdhetare po shtrohej si imperativ i kohës, qëndresa, vitaliteti dhe shëndeti i popullit tonë; barazia, drejtësia njerëzore dhe flijimi si akti më sublim i fitores. Në këtë kohë, i gjithë aktiviteti i tij atdhetar u zhvillua përmes lëvizjeve që vepronin në atë kohë në Kosovë.

Veprimtaria e gjithanshme e tij në planin shoqëror dhe atë kombëtar përputhet plotësisht me kohën kur kombit tonë nga forcat e errëta serbe po i përgatitej një hatakombe e trishtë me esenca tragjike dhe fund e krye ajo përshkohet nga filli i kuq i aspiratave dhe të idealeve të mbarë popullit shqiptar. Prandaj, duke qenë personalitet më vital që iu përgjigj flakë për flakë kërkesave të popullit, që i ripohoi ato me një gjerësi dhe me një cilësi të shkallës së lartë, si askush tjetër përpara tij, ai me të drejtë konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të denjë dhe më tipik të lëvizjes shoqërore-historike të popullit tonë në këtë kohë.

Emri dhe vepra e këtij nacionalisti mbesin një fanar i pashuar i atdhetarizmit dhe therorizimit, përkushtimit dhe kontributit, i vetëdijes së lartë prej një intelektuali dhe veprimtari të palodhshëm që nuk kurseu asgjë asnjëherë për interesat madhore të popullit të tij. Puna, angazhimi dhe sakrifica e tij gjatë gjithë rrugës jetësore figurën e Tunë Jakajt e bëjnë të pavdekshëm.

Tunë Jakaj, gjithë jetën e tij jetoi dhe punoi me përkushtim, si njeri familjar, edhe atdhetar i devotshëm. Asgjë nuk kurseu për të dhënë ndihmesën e tij në të mirën e përgjithshme të familjes, të afërmve kombit dhe kauzës kombëtare në përgjithësi.

Tërë jeta e tij ishte një jetë brenda jetës së popullit, nga i cili nuk e ndan dot asnjë çast. Kalojnë vite dhe përsëri ne dhe brezat që do të vijnë do të vazhdojnë bisedën me këtë atdhetar të madh të kombit, jeta e të cilit u udhëhoq nga misioni që t’i shërbente kauzës sonë në përgjithësi.

Atdhetari Tunë Jakaj ishte një individualitet i padiskutueshëm i lëvizjeve tona kombëtare. Njeri me zemër të madhe e bujare; ai iu përkul me respekt çështjes së vendit tonë dhe tokës sonë. Jeta e tij është pjesë e pandarë e historisë sonë, luftës, përpjekjeve, aspiratave të popullit; është dëshmi e shpirtit të etur për liri, janë homazh që ky pishtar ua përcjelltë me respekt gjithë atyre që sakrifikuan për këtë tokë.

Ishte i vetëdijshëm për rrugën që kishte zgjedhur

Jeta dhe veprimtaria e tij për asnjë çast nuk janë shkëputur nga ideali për t’i shërbyer popullit të tij, ku edhe vetë jeta dhe vepra e tij sublimojnë këtë përkushtim.

Pra, duke e kuptuar thirrjen e kohës, Tunë Jakaj, iu përvish punës me seriozitetin më të madh duke lënë gjurmë të pashlyera. Ai ishte i vetëdijshëm se në rrugën që kishte zgjedhur nuk do ta kishte lehtë, se ajo rrugë kalohej përmes vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha. Këtë mësim themelor ai e kishte nxjerrë nga përvoja e popullit të tij dhe nga përvoja e popujve liridashës. Këtë konkludim të drejtë, burrë i nderuar, me jetën dhe veprën e tij, po e vinte edhe në bazën e orientimit të shëndoshë të popullit të tij të robëruar. Në ballë të këtij populli dhe të këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetim më i bukur dhe më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme, kishte besimin dhe shprehej ai. Ky betim i tij në altarin e atdheut nuk ishte retorikë, mirëpo ishte një ideal i shenjtë që u bë realitet në fushën e nderit.

Tunë Jakajt, kësaj figure të ndritur, për gjithë punën dhe sakrificën që ka bërë për familjen dhe popullin e tij i takon nderimi i përjetshëm, ndërsa ne kemi për obligim që vepra e tij të na shërbejë fanar i ndriçuar për të ardhmen.

Për atdhetarin e devotshëm, Tunë Jakaj, ka shumëçka të thuhet. Figurën e tij, shëmbëlltyrën e tij karakterizonte një burrëri e spikatur dhe e mbjellë. Ky virtyt rrallë gjendet mes njerëzve. Sikur vinte në frymën e një legjende të qëndrueshme të kohës e stinëve.

Ishte i vendosur me qëndrimet e veta dhe i vetëdijshëm për angazhimet e veta. Ishte pragmatik. Janë të rrallë njerëzit sikur Tunë Jakaj, i cili sot prehet i qetë në Amerikën e largët.

Që nga 10 qershori burri i nderuar i Lugut të Drinit, Tunë Jakaj, në Michigan të SHBA-ve u nda nga jeta për të mbetur i përjetësuar në kujtesën e gjithë miqve, dashamirëve dhe farefisit të gjerë. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë mijëra njerëz të afërm, shokë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij. Krenar në kryeshëndosh qëndronte vëllai i tij, Tomë Jakaj, po ashtu një nacionalist dhe veprimtar i devotshëm i Ballit Kombëtar në Amerikë. Edhe familjarët, edhe miqtë edhe gjithë të pranishmit me një ceremonial të organizuar fetare dhe kombëtar e përcollën për në banesën e fundit, njeriun e tyre të dashur, Tunë Jakajn, duke i premtuar se emrin dhe veprën e tij nuk do ta harrojnë kurrë.