Tumore dhe fruta-monstra në zonat ku varrosen plehrat

0
51

Nga Luca Marconi “Corriere del Mezzogiorno”, 12.01.2011


Nëse ky mund të quhet limon->

Kur lexon rreshtat e mëposhtëm, gjëja e parë që të vjen në mendje është: Kur ua kanë bërë këtë mynxyrë, tokës së tyre dhe njerëzve të tyre, thua vallë do të kenë mëshirë për ne shqiptarët?
Artikuj si ky më poshtë gjen me shumicë në median italiane. Artikulli i mëposhtëm është marrë nga “Corriere del Mezzogiorno” dhe flet për Terzignon në Vezuv të Napolit. Aty janë groposur prej vitesh mbetje “me të gjitha letrat në rregull”.
Por ja që tashmë pemët bëjnë fruta të çuditshme dhe njerëzit po preken në masë nga tumoret. Analizat e plehrave që janë groposur tregojnë se nuk paskan qenë ashtu siç kanë thënë “letrat” dhe vulat e qeveritarëve.
Shkrimi flet për agrumet e zonës dhe “personazhi” kryesor është një limon. Këtë limon që mund ta shihni në foto, u lutemi kolegëve tanë gazetarë, t’ia dërgojnë në zyrë edhe kryeministrit tonë shakaxhi që po lufton dhëmbë për dhëmbë me “marksistë leninistët dhe anarkistët” që kërkojnë të ndalet një tragjedi e re, me të njëjtin autor.

Luca Marconi
Nga Corriere del Mezzogiorno

Agrumet e tmerrshme të Terzigno-s, në laborator. Alarmi i mjekëve onkologë: rastet e tumoreve, aq të shumta sa tashmë ka nevojë për një regjistër autonom. Denoncime masive në Prokurori.

VEZUV – NAPOLI – Pemët vezuviane në Terzigno po dhurojnë fruta me deformime kaq të mëdha sa, as Francis Bacon nuk do të mundej më mirë. Alkimin e një toke të mbushur me helme, të cilat po ndryshojnë rregullat e natyrës deri në “ridizajnimin” në volum dhe në formë të produkteve, të cilat rriten të prishura ose me forma dhe shije të panjohura.

“Nëse ky është një limon… – thotë Rosario Esposito, avokate e Komitetit Kundër Hedhjes së Mbetjeve në Terzigno, e cila ka publikuar në internet fotografinë e një limoni të këputur nga pema dy hapa larg shtëpisë së mamasë së saj. Limoni ngjason me një mollë të sëmurë me fruth ose me një dardhë të prekur nga virusi.

Është ky limon që duke e parë të bën të mendosh që thjesht nuk mund të rritet ashtu siç duhet, por me forma të çuditshme me një ekuilibër të tmerrshëm, si dhitë e Acerra-s të deformuara nga dioksina, si ata vietnamezët e vegjël të bombarduar me armë me përmbajtje dioksine 40 vjet më parë, të bën të mendosh për Çernobilin, pra për deformime të provokuara nga radioaktiviteti që vjen nga ajo që është groposur nëntokë si “mbetje e gjelbër”.

Shkruan në blog, përfaqësuesi ligjor i komitetit të Terzigno-s, Esposito: “Duke parë abortin e agrumit, i cili nuk ka as formën dhe as aromën e limonit, të vjen spontanisht në mendje libri i Primo Levi-t. Është prova e padiskutueshme e natyrës që po rebelohet… Ajo nuk pranon kompromise, ajo nuk blihet as me vila dhe as me para… Ajo me shpirt po mundohet që t’i mbijetojë armikut të saj – Njeriut”.

Një konferencë urgjente u organizua mbrëmë për këtë problem në sallën e Këshillit të Komunës së Vezuvit. Ndërkohë që Giuseppe Comella, shefi i Shërbimit Onkologjik në krye të Institutit Kombëtar të Tumoreve në Napoli, ka deklaruar se mjekët po monitorojnë në mënyrë të pavarur patologjitë.

Rezultati? Tumore në rritje të pacientëve, sidomos të atyre rezidentë në afërsi të vendit të hedhjes së mbetjeve. Comella premtoi se po mbledhin dhe po i sistemojnë të dhënat në një regjistër të vetëm. Avokatja Vittoria Operato, miraton: “Me të dhënat, – shpjegon avokatja, – është e mundur që të nxjerrim së paku sasinë dhe të kualifikojmë se çfarë po ndodh me njerëzit që bashkëjetojnë në një ambient të helmuar dhe të rrezikshëm për jetën”

Më në fund, qytetarët e zonës po mbledhin firma për një denoncim të madh kundër institucioneve qeveritare që kujdesen për mjedisin dhe shëndetin. Bashkëngjitur do jenë analizat nëntokësore të bëra në afërsi të Sarit, protokolluar tashmë që korrikun e shkuar. “Puset” e hedhjes së mbeturinave që groposen aty janë ndaluar me urdhër të sindikatës vetëm dhjetë ditë më parë.

Megjithëse me të “gjitha letrat në rregull”, analizat tregojnë se aty ka përqendrime të jashtëzakonshme të metaleve të rënda si dioksina, PCB, kadmiumi, zinku.. Kampionët datojnë në periudhën shtator 2009 -maj 2010. Ngarkesat toksike të zbuluara në zonë janë disa.

Dje janë gjetur gazra helmues në grumbujt e trupave të frigoriferëve të thyer, e pak më tutje goma që “bashkëjetonin” në heshtje nën rrënjët e lajthive. Lajthitë janë specialitet i këtyre tokave. Një zonë e tërë për shkarkime dhe groposje abuzive të mbetjeve është gjetur në Borgo Mauro, 2 000 metra 2 hapësirë. U gërmua dhe doli ajo që pritej..

Mbetje toksike. Pronari, një burrë rreth 46-vjetëve, është denoncuar në gjykatë për “aktivitete të paautorizuara në administrimin e mbeturinave”.

Po limoni i shkretë? Në këtë kohë është në tryezën e një biologu universitar, i cili do të përpiqet për të kuptuar se si dreqin është shndërruar në një përbindësh. Kërkoj falje.. Limoni është viktima. Përbindëshat janë njerëzit që na kanë katandisur kështu dhe ata që na qeverisin, që përballë parave dhe vilave, nuk duan më as të kuptojnë e as të shohin.

***************************************
Plehrat: Situata është më problematike se në 2004

Në një intervistë për Shekullin e cila mund të lexoet e plotë në Shekulli Online, z.Lavdosh Ferruni thotë se situata e sotme me VKM-në e Berishës për lejimin e importit të plehrave, është më problematike se në vitin 2004.

“Nëse atëherë, bëhej fjalë për një import vetëm nga Italia, tashmë harta e mbetjeve është e hapur nga e gjithë bota. – thotë ai.

Z. Ferruni, k/ministri Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj atyre që po kërkojnë anullimin e firmës për importin e pelhrave, duke i cilësuar ata si të lidhur me mafian, anti-globalistë, marksistë-leninistë, etj.

Si e komentoni këtë reagim të fortë të tij, pasi e njëjta situatë ka qënë edhe kur u kundërshtua vendimi i KRRTRSH-së për ndërtimin e disa fabrikave të çimentos në vend?

Berisha pretendon që t’i ketë sa më të lira rrugët e vendimmarrjes. Unë e anashkaloj komplet këtë, jemi mësuar me akuza të kësaj natyre prej 20 vjetësh. Indiferenca në këtë rast është mjeti më i mirë.

Pse e thoni këtë?

Beteja jonë nuk fillon sot, as para një jave por që ka në vitin 2004, kur siamezi i Berishës, Fatos Nano tentoi të fusë kontigjente të mëdha plehrash nga Italia, me të njejtën ide me atë të sotmen, gjasme kapaciteti i përpunimit të mbetjeve në Shqipëri është i pamjaftueshëm dhe duhet kompletuar me mbetje nga importi.

Në vitin 2004 reagimi ishte i madh nga qytetarët pa dallim partiak. Ishte një ndër reagimet më domethënëse të shoqërisë civile, ku u protestua për një çështje që i përket mjedisit dhe jo për çështje politike.

I shihni të ngjashëm këto dy projekte?

Absolutisht po. Por, në këtë vendim shkohet edhe më tej se ajo e Nanos në vitin 2004. Është një situatë më e përkeqësuar, pasi sipas këtij vendimi përveç mbetjeve urbane, do të ketë edhe mbetje industriale.

Pra nëse mbetjet urbane përgjithësisht kalojnë në një proces dekompozimi, mbetjet industriale, janë shumë problematike pasi ndotja e tyre është me efekt të lartë dhe afatgjatë.

Nëse kemi një ndotje industriale, efekti i saj mund të shkojë me dhjetëra dhe qindra vjet. Sot i kemi të dyja mbetjet, industriale dhe urbane, prandaj themi që situata është më problematike se në vitin 2004. Nëse atëherë, bëhej fjalë për një import vetëm nga Italia, tashmë harta e mbetjeve është e hapur nga e gjithë bota.

Nisur nga këto shkaqe duhet kërkuar anulimi i vendimit?

Në mënyrë kategorike kërkohet anullimi i këtij vendimi. Lista mund të jetë e miratuar në konventat ndërkombëtare, por nëse kjo konvertohet në një realitet, ai nuk është i shkëputur me pjesë.

Ai parashikon importin ose përpunimin ose depozitimin, ne nuk i kemi kapacitetet për këto dy të fundit, kështu që ne kthehemi në një depozitë gjigante plehrash nga e gjithë bota që është shumë e rrezikshme. Me kalimin e kohës ato bëhen më të rrezikshme.

Qeveria mund të ketë një qasje që në fillim të lejojë importin pastaj të mendojë për legjislacionin e përpunimit dhe transportit, por kjo nuk funksionon kështu, prandaj ne kërkojmë anulimin e këtij vendimi.

Vendimi i referohet listës së mbetjeve të miratuara nga konventa e Bazelit, çfarë nënkupton në të vërtetë kjo konventë.

Cilësimi i këtyre produkteve si pjesë e “listës së gjelbër”, e bën të pranueshëm importin e tyre në Shqipëri?

Unë jam i bindur se etiketimi “listë e gjelbër” është i qëllimshëm për të kamufluar këtë vendim me pasoja të mëdha dhe të rrezikshme për mjedisin dhe shoqërinë në vendin tonë.

Listë e gjelbër nuk do të thotë që s’kemi të bëjmë me mbetje të dëmshme për shëndetin e njeriut por kemi të bëjmë me një listë e cila nuk i klasifikon si të rrezikshme. Këto janë të parrezikshme nëse përpunohen dhe riciklohen sipas standardeve të caktuara.

Nëse këto mbetje nuk trajtohen në mënyrën e duhur, ato mund të cilësohen si të rrezikshme. I mëshohet këtij termi të mirëpritur nga qytetarët që është e “gjelbra” për të kamufluar këtë iniciativë nga më të këqijat që është marrë në këto 20 vjet.

Një mbetje mund të jetë e parrezikshme nëse është në sasi të vogël dhe menaxhohet por nëse është në sasi të madhe ajo konvertohet në mbetje me rrezik. Kjo është e papranueshme për Shqipërinë me një sipërfaqe të vogël.

Si e shihni kërkesën e Ministrisë së Mjedisit ndaj bashkive dhe komunave për trajtimin në mënyrë të veçuar të plehrave?

Kjo kërkesë është përsëritur nga qeveria por edhe nga “armiqtë e mjedisit” dhe “mafiozët” që në Shqipëri duhet të kishte filluar me kohë diferencimi i mbetjeve dhe riciklimi i tyre. Ky është një lajm pozitiv.

Por kjo bie në kundërshtim me vendimin për lejimin e importit të mbetjeve. Në momentin kur do të diferencohen mbetjet, do të ketë një sasi të lendës së parë si letra, xhami, plastika më shumë se të mjaftueshme, kjo është zgjidhja.

Doni të thoni që në një farë mënyrë, mbledhja në mënyrë të diferencuar të mbeturinave bën automatikisht “nul” vendimin për lejimin e importit të mbetjeve?

Jo nuk e bën “nul”, kjo mbetet në kuadër demagogjie për sa kohë është funksional vendimi i importit të plehrave, për arsye se kompanitë ricikluese do të gjejnë me më leverdi importin e plehrave nga vendet e tjera pasi ato janë të interesuara ta zhvendosin këto mbetje në vendet e tjera.

Ata do ta ofrojnë me një çmim shumë më të lirë, për të mos thenë që mund të jenë të gatshëm që jo vetëm të marrin para nga biznesi shqiptar por të paguajnë për akomodimin e plehrave. Ricikluesit tanë, në prani të këtij vendimi do të jenë të prirur të marrin këto mbetje nga importi.

Do të tentojnë me dashje ose pa dashje të braktisin mbledhjen e diferencuar të plehrave në vendin tonë, proces i cili ka një kosto financiare. Në kushtët e krizës dhe një buxheti të reduktuar ata do të jenë të prirur ndaj importit.

Mos harrojmë që kapacitete tona nuk janë totalisht afta për të identifikuar këto mbetje të cilat cilësohen si të “gjelbërta” por që mund të futen edhe mbetje të rrezikshme që ne nuk jemi në gjendje t’i kapim.

Z. Ferruni, vëreni një lloj lidhje midis protestave në Napoli për problemin e plehrave dhe hapjen e debatit për importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në vendin tonë, një situatë e ngjashme ka ndodhur në vitin 2004, kur u nënshkrua marrëveshja Nano-Bechetti, e njëjta gjë po ndodh edhe tani?

Padyshim. Nuk kemi informacion nëse kjo lidhje është në nivel kryeministror apo marrëdhënie qeveritare, në rastin normal kjo është një lidhje që gjeneron nga politikat globale. Ndjehemi mirë duke qenë anti-globalistë në këtë pikë, pasi globalizimi i ndotjes e dëmton në mënyrë të pakthyeshme këtë vend me kapacitete të dobëta menaxhuese.

Ky dëm mund të mos jetë i dukshëm që në momentin e parë por me kalimin e kohës, mund të zbulohet që ai është shkaktuar për shkak të një VKM-jë që është miratuar në vitin 2010.

Kemi bërë një kërkesë që të diskutojmë edhe me Kryeministrin për këtë çështje. Në këtë rast, nëse kemi të bëjmë me “ambientalistë të rrezikshëm dhe mafiozë”, ai ka rastin të na arrestojë në zyrën e tij.

************************************************************

Zv/ministri i Mjedisit: Plehrat tona nuk bëjnë për riciklim

Z.Bino, nga ndryshon projektligji aktual me ligjin e 2005 sa i takon mbetjeve dhe riciklimit të tyre?

Vendimi i 2004 parashikon importimin e mbetjeve për riciklim dhe ripërdorim të mbetjeve dhe nuk kishte një listë të këtyre mbetjeve, ndërsa ligji aktual parashikon listën e gjelbërt.

Po në dogana si do funksionojë importi i mbetjeve?

I gjithë ky sistem do të kalojë nga sistemi i doganave, pra doganat do të jenë të informuara për gjithë sasinë dhe për llojet e lëndëve që do të hyjnë këto procese dogana do t’i realizojë si me importuesin edhe me dogana fqinje dhe doganat kanë gjithashtu sistemin e tyre të kontrollit me laboratoret kimike që kryejnë analizat e kontrollit.

Këtu do të hyjë në lojë edhe inspektorati i mjedisit nëpërmjet ekipeve të kontrollit. Do të ketë verifikim edhe të sasisë së lëndës që hyn me produktin e nxjerrë e cila do të kontrollohet nga Ministria e Mjedisit dhe organet tatimore.

Qeveria thotë se “shoqatat e ricikluesve” janë ankuar për “mungesën e lëndës së parë” në vendin tonë dhe në bazë të kësaj është marrë vendimi për import plehrash. Përse nuk sigurohet kjo “lëndë e parë” në vendin tonë?

Bashkitë tona nuk kanë një ndarje të mbetjeve që në burim që do të thotë se në lagjet tona nuk kemi 3 kazanë plehrash inorganike, organike dhe të rrezikshme. Ne kemi një kazan ku grumbullohet gjithçka dhe për ricikluesit kjo lloj lënde është e kontaminuar pra e papërdorshme.

Si do të procedohet konkretisht me importin e mbetjeve të riciklueshme?

Procedimi është duke filluar nga personi juridik paraqet një listë me dokumente, kërkesën për importin e mbetjeve, deklaratën personale, licensën e lejes mjedisore dhe këto dokumente paraqiten në Ministrinë e Mjedisit pastaj ky dikaster dërgon ekipet në terren për të verifikuar të gjitha këto dokumente. Pas verifikimit të tyre Ministria e Mjedisit i kthen përgjigjen subjektit nëse do dërgohet në Këshillin e Ministrave për miratim.

Ministria e Mjedisit ka reaguar dje lidhur me fushatën e shkrimeve në “Shekulli”, kundër importit të çdo lloj mbetje në Shqipëri. Ministria nuk thotë asnjë fjalë për projektin italian “SCORIA”, dhe qytetet shqiptare turistike të renditura aty që do kthehen në vende grumbullimi dhe përpunimi plehrash të Italisë dhe BE-së. Deklarata është qesharake në pjesën ku thotë që nuk ka kontratë të posaçme për Napolin, a thua se Napoli është republikë më vete.

Deklarata tenton gjithashtu një lojë fjalësh mbi lidhje pa kuptim mes Napolit, Somalisë dhe VKM-së së qeverisë shqiptare, duke iu larguar thelbit të asaj që kërkojnë sot jo vetëm lexuesit e “Shekulli”-t, por gjithë qytetarët shqiptarë: Nuk duhen importuar në Shqipëri, as “lista të gjelbra”, as lista të tjera që i hapin rrugë një procesi që ne nuk e menaxhojmë dot, në asnjë aspekt të tij.

Nuk duam import plehrash në vendin tonë. Duam projekt real për menaxhimin e plehrave të shumta që kanë mbushur vendin dhe jo projekt nga ato tymëset që hidhen për të amortizuar firmosjen e importit. Jo import plehrash, zotërinj të qeverisë!

——————

Më poshtë, deklarata e plotë e Ministrisë së Mjedisit, dërguar dje via e-mail në redaksinë e “Shekulli”-t:

DEKLARATË:

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nisur nga debatet e shumta, por jo rrallë herë të deformuara, lidhur me miratimin e Listës së Gjelbër dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për lejimin e importit të lëndëve të dyta për efekte riciklimi, dëshiron të sqarojë opinionin publik se:

Është tërësisht i pavërtetë, madje një trillim dashakeqës, fakti që plehrat e Napolit apo të Italisë do të sillen në Shqipëri, duke e kthyer vendin tonë në një Somali e dytë. Një gënjeshtër e tillë është fabrikuar nga grupe të caktuara, me interesa politike dhe ekonomike, të cilët kanë për qëllim të dezinformojnë publikun. Në të kundërt, janë të lutur të paraqesin një dokument apo një kontratë që e vërteton atë.

Për sa i përket Listës së Gjelbër dhe lejimit të importit të disa lëndëve të kategorizuara, për efekte riciklimi, theksojmë edhe një herë se riciklimi është një ndër industritë më të zhvilluara botërore, sidomos në BE.

Për herë të parë, Ministria e Mjedisit në Shqipëri, është duke vepruar me një legjislacion tërësisht të përafruar më vendet e BE-së. Në këtë kontekst edhe industria e riciklimit, do të ushtrojë veprimtarinë e saj, por edhe do të monitorohet njëkohësisht, nga një legjislacion tepër rigoroz, konform standardeve të BE-së.

Në lidhje me pretendimet e ngritura se Shqipëria, po pushtohet nga landfilldet, duam të sqarojmë se kjo nuk është një metodë, të cilën e ka shpikur Ministria e Mjedisit, por është një praktikë mbarëbotërore, për menaxhimin e mbetjeve.

Në këtë kuadër, Ministria e Mjedisit, ka hartuar një strategji për menaxhimin e mbetjeve, e cila është asistuar në çdo hap nga strukturat e Bashkimit Europian, si dhe është në përputhje të plotë me standardet e vendeve më të zhvilluara të BE-së, por njëkohësisht e konsultuar edhe me të gjitha grupet e interesit në vend dhe shoqërinë civile.

Ndërtimi i landfillideve është një strategji e domosdoshme, që mbeturinat të mos mbushin rrugët e qyteteve, shtretërit e lumenjve dhe rrugët nacionale, por që nuk mund të implentohet pa bashkëpunimin me pushtetin lokal, i cili deri tani, çështjen e mbeturinave e ka trajtuar jo si një objekt parësor të punës së tij, ndonëse për këtë mban përgjegjësi administrative.

************************************
Plehrat, le të dhjesë secili në nevojtoren e vet

Një letër për Kadarenë, por jo vetëm për të por për gjithë ata të cilëve u ka ende peshë fjala në Shqipëri.

Në shekullin e XXI -të, në botën postmoderne, tingëllon paradoksale, por plehrat që na kërcënojnë janë çmimi më i shtrenjtë që Shqipëria ka paguar ndonjëherë për lirinë në historinë e saj.

Tragjedia e pushtimit nga plehrat është më e madhe se ajo e 7 Prillit të 1939 -ës, pasi pas një lufte të përgjakshme u çliruam një ditë, ndërsa nga plehrat do të pushtohemi përjetësisht në rrugë paqësore e demokratike, firmosur me dorën tonë. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të reagojnë kundrejt kësaj mynxyre më të zezë së ajo e këmishëzinjve!

Mos u gënjeni nga fytyrat hipokrite që shtrëngojnë duart e zbardhin dhëmbët. Kemi pritur me lule 7 Prillin e zi mos bëni të njëjtën gjë për plehrat me ngjyra! Le të dhjesë secili në nevojtoren e vet; shqiptarët në të veten e italianët në të tyren. Mburren zotërinjtë evropianë për lirinë që na falen, fryhen qeveritarët tanë si kaposhë në pleh për vizat; jo nuk na kanë falur liri, përkundrazi, po na e shesin, bile më shtrenjtë se kurrë, me plehra! Zoti na ruajt nga kjo skllavëri!

Para se të qaja hallin me Savianon, “Shën Gjergjin” e Italisë, e pashë të udhës t’i shkruaj dy fjalë Kadaresë, “profetit” të Shqipërisë. Aty ku na ke lënë, në udhëkryq, jemi akoma o profeti ynë. Atëherë, ndryshe nga legjendat me Bajlozë, nuk patëm frikë nga deti, përkundrazi, të uritur e të zhveshur por me shpresë, prisnim në breg “mrekullitë” e demokracisë Perëndimore. Sot, kur në horizont, nga ai “Perëndimi i bukur, i shenjtë, qytetar dhe i pastër”, na shfaqen plehrat e Italisë dhe BE-së, kemi frikë.

Atëherë, nuk na the asgjë, ike i rrëmbyer nga ëndrra e lirisë: ne morëm detin me këmbë e ti avionin për në Paris. Po sot, që je i lirë dhe i nxënë, pse nuk na thua: ç’po ndodh në Evropë e në Shqipëri? Këto janë vërtetë rregullat e demokracisë apo plehrat e Italisë? Nuk të kërkoj të drejtën e shkelur e as besimin

e humbur në Evropë e demokraci, veç urtësi e pakëz dritë nga Torra Eifel të na kthesh.
Ju thoni se; ” … çdo popull, sidomos populli shqiptar, është shumë i ndjeshëm ndaj ndjenjës së drejtësisë, …( I. Kadare – shekulli 22. 12. 2010) Na thuaj profeti ynë; ç’na ndanë nga drejtësia, nga rregulli e nga ligjet e bashkëjetesës qytetare? Nuk dimë, nuk duam apo nuk na lënë?

Me të drejtë ju thoni se; “… Ne kemi bërë vërtetë luftë kundër asaj që quhet mëshirë kristiane, por kemi harruar që këto ndjenja janë ndjenja njerëzore që janë mbi fe…(I. Kadare – shekulli – 22. 12. 2010).

Mjerimi ka vetëm zhele dhe nuk do mëshirë por drejtësi. Po a mund të pretendojmë drejtësi qytetare, e aq më pak mëshirë kristiane nga një sistem i padrejtë, i pa fe, madje i korruptuar fizikisht, moralisht e politikisht? Alternativa e padrejtësisë nuk është predikimi i mëshirës e as mëshira, por denoncimi i shkakut, në mënyrë që, shkaktarëve të pamëshirë e të pafytyrë t’iu tundet kolltuku nën bythë e viktima “populli sovran”, të zgjohet e të njohë padrejtësinë.

“…Ka një kërkim ndjese, një pardon.” (I. Kadare – Shekulli 22. 12. 2010). Le të rrëfehemi e të kërkojmë ndjesë ne të parët. Le të reflektojmë! Por që të reflektosh do të thotë të jesh në paqe me veten dhe me çka të rrethon.

Ju thoni se; “… Të gjitha këto janë përjashtuar nga jeta jonë. I kemi përjashtuar dhe nuk i kultivojmë”. (I: Kadarè Shekulli, 22. 12. 2010).

A nuk jemi edhe ne ish kopshtarë të bahçes ku kultivuam “njeriun e ri” që sot, herë me kravatë rozë e here me blu, na fshikullon me kamxhikun e demokracisë? Që nënshtrohet me një flakaresh e shitet për dy pare?

Apo fajtorë janë gjithmonë e vetëm komunistët e vdekur? Po ne të gjallët, çfarë bënim atëherë e ç’po bëjmë sot? Atëherë mbollëm atë çka jemi duke ngrënë, e sot jemi duke mbjell atë çka të tjerët do të korrin nesër. Jemi të sigurt për farën e zgjedhur, o kopshtar i mirë? Zgjohuni o shqiptarë nga liturgjia e përjetshme!

Ju thoni me delikatesë; “… ligji i zgjedhjeve, mendoj që është një nga ligjet e rëndësishme që do të luajë rol. Unë nuk jam specialist dhe nuk jam marrë ndonjëherë me këtë gjë, por e them si parim si të thuash”.(I. Kadarè, Shekulli – 22.12.2010)

Nuk është e domosdoshmërisht të jesh “specialist” për të treguar ku të dhëmb. Mjafton të jesh i ndershëm me veten e për të mirën tënde. Le ta vëmë gishtin në plagë, tek fillesa e mbrapshtë, aty ku komprometohet demokracia, përzgjedhja e stafit që do të marrë përgjegjësinë e qeverisjes e të administrimit të jetës publike; Pse përfaqësuesit e popullit sovran, në vend që të zgjidhen direkt nga sovrani popull, vazhdojnë të zgjidhen nga krerët e partive, me marifete “dushku e shkoze”?

Sepse i shërben popullit e vendit e demokracisë apo interesave të krerëve të partive për të personalizuar partitë, politikën dhe institucionet? Një produkt i këtyre marifeteve, nuk ka se si të jetë qeveri legjitime, e si e tillë për të mbijetuar, një qeveri e tillë, është e detyruar të sundojë politikën e brendshme, çka do të thotë të shtypë opozitën, e ti nënshtrohet politikës së jashtme, qoftë kjo edhe e padrejtë: dhunon të drejtën e qytetarëve të vet, pranon përbuzjen e dhunimin e zotërinjtë Perëndimorë ndaj bashkëqytetarëve emigrant, hapin dyer e penxhere për çdo lloj plehrash e “investimesh”, edhe pse janë në dëm të njerëzve e të vendit, madje është gati të sakrifikojë edhe pjesë nga toka e deti i vendthit tonë të cunguar, mjaftë që të mbajnë pushtetin. Në emër të kujt?

20 vjet amulli post-komuniste. Një vit e gjysmë spektatorë të këtij teatri banal politik shqiptar; me një parlament pa opozitë, gjysmagjel, të paralizuar në agoni që mbijeton me serumet e ndërkombëtarëve, përralla me viza dhe me Evropë. Gjynah për shqiptarët e turp për qeveritarët! Liria ka gjithmonë një çmim, ne e kemi paguar shtrenjtë e kurrë nuk e kemi gëzuar. Sot matrapazët tanë qeveritarë kanë gjetur pazar me leverdi; për çdo shqiptar të “lirë” me vizë, plehra të klasit të parë MADE IN ITALY.

Në djall vaftë çmimi Nobel, na thuaj, profeti ynë ku është e padrejta ku është qytetaria? Nëse nuk na e thua dot, na mëso si ta njohim të drejtën. Zaten, bash për këtë, shkrimtari konsiderohet gjysmëperëndi, jo thjeshtë se di të shkruaj mbi letër, por sepse vizioni i tij shikon përtej letrës, sepse për misionin e tij është gati të bëhet fli.

Piktor, regjisor, shkrimtar. Jeton në Firence

————-

VIJIMI NANO-BERISHA

Ekspertët ligjorë kanë argumentuar se në këtë vendim shkohet edhe më tej se ajo e Nanos në vitin 2004. Është një situatë më e përkeqësuar, pasi, sipas këtij vendimi, përveç mbetjeve urbane, do të ketë edhe mbetje industriale. Pra, nëse mbetjet urbane përgjithësisht kalojnë në një proces dekompozimi, mbetjet industriale, janë shumë problematike, pasi ndotja e tyre është me efekt të lartë dhe afatgjatë.

Nëse kemi një ndotje industriale, efekti i saj mund të shkojë me dhjetëra dhe qindra vjet. Sot i kemi të dyja mbetjet, industriale dhe urbane, prandaj themi që situata është më problematike se në vitin 2004. Nëse atëherë bëhej fjalë për një import vetëm nga Italia, tashmë harta e mbetjeve është e hapur nga e gjithë bota.

Ç’PARASHIKON VENDIMI

Vendimi i k.ministrit parashikon import dhe përpunim plus depozitim. Ne nuk i kemi kapacitetet për këto dy të fundit, kështu që ne kthehemi në një depozitë gjigante plehrash nga e gjithë bota, situatë kjo shumë e rrezikshme për të ardhmen. Me kalimin e kohës mbetjet e lëna stok bëhen edhe më të rrezikshme.

Qeveria mund të ketë një qasje që në fillim të lejojë importin pastaj të mendojë për legjislacionin e përpunimit dhe transportit, por kjo nuk funksionon kështu, – thonë ambientalistët, të cilët kanë përsëritur këto ditë se etiketimi “listë e gjelbër” është i qëllimshëm për të kamufluar një vendim me pasoja të mëdha dhe të rrezikshme për mjedisin dhe shoqërinë në vendin tonë.

HILE ME TERMA PUBLIKË

Listë e gjelbër nuk do të thotë që s’kemi të bëjmë me mbetje të dëmshme për shëndetin e njeriut, por kemi të bëjmë me një listë, e cila nuk i klasifikon si të rrezikshme. Këto janë të parrezikshme, nëse përpunohen dhe riciklohen sipas standardeve të caktuara.

Nëse këto mbetje nuk trajtohen në mënyrën e duhur, ato mund të cilësohen si të rrezikshme. I mëshohet këtij termi të mirëpritur nga qytetarët që është e “gjelbra” për të kamufluar këtë iniciativë nga më të këqijat që është marrë në këto 20 vjet.

Një mbetje mund të jetë e parrezikshme, nëse është në sasi të vogël dhe menaxhohet, por, nëse është në sasi të madhe, ajo konvertohet në mbetje me rrezik. Kjo është e papranueshme për Shqipërinë me një sipërfaqe të vogël.

DOSJA “RE MIDA”

Dosja Re Mida është në duart e drejtësisë italiane dhe ka brenda vite të tëra hetimesh mbi trafikun e mbeturinave. Shqipëria rezulton aty si vend që është në projektet e trafikut të mbetjeve toksike që dëshiron mafia e Kampanjas, (rajon në Itali), grupim që dallohet sepse përdor rrugët e narko-trafikut për të gjetur territore të reja për varreza të plehrave të rrezikshme.

Ky projekt kriminal, ku përfshihet Shqipëria, ndodhet në dosje nën etiketën “toka e zjarreve”. Aty gjen të dhëna të shumta për trafikun e mbetjeve të rrezikshme dhe projektet e organizatorëve. Në dosjen e hetuar nga vetë zv.prokurori italian thuhet se është përgatitur për t’u organizuar trafik mbeturinash të rrezikshme edhe në Shqipëri dhe Kosta Rika.

JEMI VIKTIMA E RADHËS

Trafiku i mbetjeve të rrezikshme aktualisht ekziston drejt Lindjes, drejt Rumanisë (ku mafia kasaleze ka qindra e qindra hektarë terrene), si dhe në vendet afrikane si Mozambik, Somali dhe Nigeri. Në të gjitha këto vende klanet kanë pasur mbështetje dhe kontakte. Në ditët e cunamit shkatërrues të dhjetorit 2004, bosët mafiozë të Kampanjës u tronditën.

Për shkak të dallgës së krijuar nga tërmeti nënujor në plazhet e Somalisë, mes Obbia e Uarsheik, u gjetën me qindra ngarkesa me mbeturina të rrezikshme dhe radioaktive të groposura në vitet ’80 e ’90. Përqendrimi i vëmendjes mund të bllokonte trafiqet e reja, por rreziku u mënjanua shpejt. Fushatat e bamirësisë për të shpërngulurit hoqën vëmendjen nga bidonët me helmet e dalë nga nëntoka, që lundronin përkrah kufomave.

HOLDINGU “PLEHRAT SHPK”

Sipas hetuesve të trafikut të mbetjeve dhe grupeve të mafies që merren me të, trafiku i mbetjeve urbane dhe të rrezikshme është një univers në transformim të vazhdueshëm. Vit pas viti, rrugët dhe metodologjia e shpërndarjes së plehrave janë përshtatur, në varësi të kërkesave të tregut.

Në fillim të viteve ’90, një holding i vërtetë i përbërë nga sipërmarrës, klane kriminale, subjekte mbështetëse dhe politikanë të korruptuar, që u pagëzua nga Legambiente si “Plehrat Sh.p.k.”, kryente transportin e plehrave urbane dhe industriale nga qendra dhe veriu i Italisë drejt jugut.

Nga Lombardia, Piemonte, por edhe Toskana, drejt Kampania-s, kamionë TIR të ngarkuar me plehra e mbaronin rrugëtimin e tyre në vende të paautorizuara, si në shpella, terrene të hapura qëllimisht dhe që mbusheshin me plehra dhe që më pas mbuloheshin.

“URBANE” – “TË RREZIKSHME”

Hetimet e dosjeve italiane Re Mida dhe Mosca, bëjnë me dije se mbetjet paketohen shpesh i “mbetje urbane” por brenda tyre futen mbetje të rrezikshme për tu groposur më pas si “mbetje të rregullta”. Ndiqet rruga e falsifikimit të dokumenteve nga një qendër trajtimi plehrash tek një tjetër.

Përmes një rrjeti të analistëve, kimistëve, nëpunësish dhe transportuesish të plehrave, plehrat hynin me pullën e prodhuesit dhe një kod te përcaktuar CER (Katalogu Europian i Plehrave) në një qendër grumbullimi. Më pas me një pullë të re nga e njëjta qendër, plehrat, pa asnjë trajtim dhe në shumë raste edhe duke u përzier me plehra të tjera, çoheshin për përpunim pasi kishin ndërruar “identitet” dhe më pas groposen.

MEDIA ITALIANE NË 2004

Edhe vetë media italiane ishte krah protestuesve shqiptarë në 2004, duke kritikuar, madje edhe ambasadorin e Romës në Tiranë, për insinuatat e tij ndaj botuesit të gazetës “Shekulli”, Koço Kokëdhima, i cili ishte në krye të grupit organizator të protestave.

“Kur pyetëm senatorin Francesco Martone të Legambiente, ai akuzon se shkarkimi i plehrave në vendet më të varfra dëshmon paaftësinë tonë për t’i përpunuar plehrat tona, duke favorizuar njëkohësisht edhe ekomafian. “Ambasadori ynë në Tiranë duhej të shpjegonte cilat interesa e shtyjnë për të folur aq shumë rreth kësaj marrëveshje”, – shkruante gazeta “Corriere dela Sera” e qershorit 2004.