Tryeza e Presidentit, kompromisi i palëve dhe zgjedhjet e parakohshme

0
60

Spartak Ngjela

Spartak Ngjela

Ja çështjet që ngrihen përpara tryezës politike që ka thirrur Presidenti Topi: A mund të arrihet një kompromis nga palët në këtë tryezë të lartë? A ka tagër juridik Presidenti shqiptar të shpërndajë Parlamentin, nëse nga tryeza s’del dot një kompromis?

Tani që për këdo është e qartë se shoqëria shqiptare është në një krizë politike, institucionale dhe ekonomike njëherësh, dhe kur, si pasojë e kësaj krize dhe me sugjerim të Këshillit të Europës, duhet që palët, dy forcat e mëdha politike të vendit, të hyjnë në bisedime ose në një dialog nën drejtimin e Presidentit të Republikës; menjëherë e kupton se këtë gjendje krize e sundojnë tre aspekte: aspekti juridik, aspekti politik dhe aspekti i autoritetit ndërkombëtar. Që të treja këto aspekte, nëse do të analizohen të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sigurisht që të japin mundësinë për të nxjerrë një konkluzion logjik për atë që pritet në ndodhë.

Aspekti juridik i kësaj çështjeje e merr konturimin e vet nga fakti që në zgjidhjen e saj është angazhuar Presidenti i Republikës. Konstitucionalisht ai është garanti i Kushtetutës, dhe sigurisht që është pika më e lartë juridike e shtetit. Ai është garant i Kushtetutës, sepse ka mandat të gjerë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, dekreton Këshillin e Ministrave; emëron gjyqtarët e lartë të Gjyqësorit dhe Gjykatës Kushtetuese; drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë, emëron ambasadorët dhe rektorët e universiteteve dhe gjithashtu ka akses në të gjitha emërtimet e organeve kushtetuese; dhe ka një herë të drejtën e vetos kundrejt çdo ligji jokushtetues që del nga Parlamenti. Kjo sigurisht përbën vetë pozicionin e garantit të Kushtetutës, i cili, në çdo moment që shoqëria ndodhet në një krizë parlamentare apo juridike, vendos zgjidhjen e saj. Të jesh garant i Kushtetutës, është pozicioni juridik i zgjidhjes së çdo krize politike që bllokon zhvillimin shoqëror dhe kërcënon sistemin juridik dhe politik, domethënë demokracinë.

Duhet të kujtohemi ndërkaq se, në historinë e parlamentarizmit demokratik dhe të vetë demokracive republikane parlamentare, Presidenti duhet të jetë garanti i vetë Republikës; dhe ekuilibruesi i gjithë luftës pasionante politike që bëjnë palët në funksion të fitimit të pushtetit ekzekutiv.

Aspekti politik i kësaj çështjeje e krijon konturimin e vet te fakti që e gjithë shoqëria është e angazhuar në përplasjen e nxehtë politike që kanë krijuar të dyja forcat e mëdha politike në vend, për pasojë të së cilës nuk mund të ketë një funksionim real dhe normal të Parlamentit. Dhe kjo përplasje nuk është për pasion, por për një çështje thelbësore të vetë sistemit aktual politik: çështjen e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Sigurisht që ky moment politik pa dyshim ka sjellë krizën politike të vendit, dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Askush sot nuk beson në zgjedhjet politike në Shqipëri, dhe prandaj momenti parësor i krizës së sotme politike është pa dyshim hetimi i zgjedhjeve të 18 qershorit. Kjo është Thembra e Akilit, dhe këtu ndahen edhe forcat; njëra që kërkon të ruajë të fshehtë manipulimin e zgjedhjeve; dhe tjetra që kërkon ta bëjë të qartë dhe publik këtë manipulim. Por si mund të bëhen bisedime në këto qëndrime. Të dy qëndrimet janë: vjedhësi dhe i vjedhuri. Çfarë bisedimesh mund të bëhen midis tyre? Natyrshëm mund të mendojmë se ose i vjedhuri do të tërhiqet nga kërkimi i sendit të vjedhur, ose vjedhësi do t’i dorëzohet të vjedhurit. Histori përrallash dhe aspak politike, në një kohë që kjo nuk është një krizë romanësh, por një krizë politike, domethënë një krizë pasionesh e karakteresh. Në fakt, si e tillë, asnjë bisedim nuk mund të ketë; do të ketë vetëm shthurje, sepse të dyja palët humbasin veç e veç, nëse pranohet kërkesa e njërës palë. Atëherë kjo është një krizë politike që nuk mund të zgjidhet në tryezë bisedimesh, sepse praktikisht nuk ka asnjë rrugë të mesme. Domethënë kompromisi, duke parë qëndrimet e deritanishme të palëve, është i pamundur, sepse kompromis do të thotë marrëveshje, dhe në një marrëveshje duhet të fitojnë të dyja palët. Është e pamundur të gjendet kjo rrugë e mesme, sepse qëndrimet janë ekstreme. Ashtu sikundër që e analizuam më lart. Domethënë, nëse qeveria pranon të hapë kutitë, ajo padyshim është e humbur, sepse manipulimi i zgjedhjeve është evident. Por kjo pastaj nuk është një humbje dosido, është një humbje drastike, që të nxjerr jo vetëm nga politika, por edhe nga rrjedha normale e morale e jetës në Shqipëri. Po kështu mund të thuhet edhe për palën tjetër, opozitën: nëse ajo tërhiqet nga pozicioni i hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave; ajo pa dyshim që është e humbur, sepse jo vetëm që nuk ka më shans të shpresojë se me këtë lidership mund të fitojë zgjedhjet e radhës, por as që mund të mendohet se do të ketë ndonjëherë zgjedhje të lira në Shqipëri, njëlloj sikundër edhe sot.

Kjo është në fakt analiza logjike që duhet t’i bëhet tryezës së pritshme presidenciale të bisedimeve. Por gjithsesi, analiza logjike vijon sepse në tryezë nuk janë vetëm palët, por edhe Presidenti i Republikës, madje këtë tryezë e ka thirrur ai, pasi e ka kërkuar më parë Këshilli i Europës. Pikërisht këtu tryeza merr trajtën e një afere serioze, sepse drejtuesit e tryezës, Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Europës, kanë në dorë çelësin juridik të zgjidhjes së krizës, edhe nëse palët nuk gjejnë një solucion. Dhe ky është çelësi i zgjedhjeve të parakohshme.

Dikur, dymijë e treqind vjet më parë, në Gord, një aventurier i madh, luftëtar dhe strateg i ri në moshë, që shkoi për të pushtuar Babiloninë dhe Hindinë, nuk tentoi fare që ta zgjidhte Nyjën Gordiane: ai nxori shpatën dhe e preu atë. Ja, kjo është zgjidhja: prerja e Nyjës Gordiane. Po kush do ta presë këtë nyjë gordiane që tani është ulur këmbëkryq e po pret në Tiranë? Dhe është një nyje e vjetër, pothuaj po aq e vjetër sa ajo e Gordit edhe kjo shqiptarja; që ka ardhur koha të pritet e të shpëtojnë edhe shqiptarët nga një marrëzi e përsëritur që nuk po i lejon të ecin përpara. A mund ta presë nyjën e Tiranës sot Presidenti shqiptar?

Aspekti i autoritetit ndërkombëtar është ndoshta aspekti më i rëndësishëm i zgjidhjes së krizës aktuale shqiptare, për të mos thënë i vetmi. Aspekti ndërkombëtar, në epiqendër të vet ka vendosur këtë herë Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës. Ajo në fakt, me anë të një rezolute, ka njohur krizën politike në Shqipëri; ka kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit; dhe i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të thërrasë palët në një tryezë bisedimesh. Tryeza e bisedimeve drejtohet nga Presidenti Topi, por edhe ky ka një mandat ndërkombëtar, ku i thuhet të zgjidhë një krizë dhe të pranojë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kuptohet se, në këtë pozicion, Presidenti Topi ka të drejta të pakufizuara për të mosceduar platformën e rezolutës së Asamblesë Europiane. Jemi përpara një trysnie institucionale të një institucioni ndërkombëtar nga më të rëndësishmit në botën perëndimorë ku jemi anëtar. Këshilli i Europës ka në objektin e veprimtarisë së vet demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Kurse Kushtetuta shqiptare e ka pranuar me një normë të veçantë që vendimet e institucioneve ndërkombëtare ku jemi anëtarësuar dhe konventat ndërkombëtare që kemi firmosur, prevalojnë mbi Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar. Si pasojë e kësaj, nëse tryeza e bisedimeve nuk jep rezultat dhe kriza vijon, një kërkesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e detyron Presidentin Topi të shpërndajë Parlamentin dhe të caktojë një ditë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Po ta shohësh nën një prizëm juridik dhe kushtetues njëherësh, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka dhënë të drejtë Presidentit ta zgjidhë krizën, duan apo nuk duan palët. Kështu që, përballë Këshillit të Europës, ku Shqipëria është anëtare, përballë Presidentit të Republikës, ku palët janë të shtrënguara të pranojnë pushtetin juridik të garantit të Kushtetutës; intrasigjenca e Kryeministrit Sali për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit me hapjen dhe këqyrjen e kutive të votimit është një qëndrim i pavlerë, sepse, nëse nuk do të pranojë hetimin e zgjedhjeve, Presidentit të republikës, siç e arsyetuam më lart, i lind detyra që ta zgjidhë krizën me anë të shpërndarjes së Parlamentit dhe caktimit të një date kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme. Kjo sepse, nga të dyja qëndrimet, qëndrimi i opozitës është më luajali, ngaqë ajo kërkon transparencë për zgjedhje. Cili është ai institucion ndërkombëtar që mund të mos ta pranojë këtë kërkesë? Asnjë, sidomos Këshilli i Europës, i cili ka dalë në pahun e historisë politike të Europës dhe gjithë Perëndimit, si një instrument qendror i ruajtjes së sistemit demokratik; sistem ky që mbahet dhe lind vetëm nëpërmjet votimit të lirë e të drejtë të shtetasve. Atëherë, çështja shihet se demokratikisht është e zgjidhur: ose një hetim i thellë i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe këqyrja e përgjegjshme e kutive të votimit, ose vendimi për zgjedhje të reja. Të gjitha krizat politike në një shoqëri demokratike janë zgjidhur e vijojnë të zgjidhen me anë të zgjedhjeve të parakohshme. Por a mund të pranojnë palët që hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapja e kutive për rinumërimin e fletëve të votimit të bëhet nën mbikëqyrjen e Këshillit të Europës, përkatësisht Asamblesë Parlamentare të tij? Patjetër që mund të vendoset edhe kështu, sepse gjithçka është brenda kontekstit juridik të vetë këshillit dhe një anëtari të vet.

Përfundimisht, për të gjithë trajtimin analitik që i bëmë kësaj çështjeje, mund të theksojmë se, Presidentit Topi i ka ardhur mundësia historike që të tregohet burrë shteti, që me personalitetin e tij di të mbrojë interesat jetike të shoqërisë së vet, dhe Këshillit të Europës i është dhënë mundësia që të ndërhyjë për të konsoliduar përfundimisht demokracinë në Shqipëri nëpërmjet garantimit institucional që duhet t’i bëjë votës së lirë si proces.