Nga Dorina Bilbili, 05 Prill 2013
Tiranë- Psikologët dhe sociologët po i bien prej kohësh këmbanave të alarmit për rritjen e ndjeshme të numrit të çifteve që kërkojnë prishjen ligjore të martesëse. Gazeta investiguese dhe denoncuese IDEA duke parë në evidencat e Gjykatës Civile në Tiranë zbulon se vetëm në Tiranë për katër muaj janë mbi 1.950 kërkesa të regjistruara për divorc. Kjo shifër tregon një krizë të thyellë të shoqërisë, pasi brena të njëjtës periudhë regjistrohen pothuajse më pak martesa sesa divorce, ku në Tiranë shënohen mesatarisht 400 lidhje martesë në muaj.
Ky është një tregues i tronditjes së qelizës bazë të shoqërisë si dhe një plagë që shkakton probleme sociale të mëdha në të ardhmen, për shkak se fëmijët e prindërve të divorcuar janë bartës të problemeve të mdha dhe janë të prirur të furnizojnë ushtrinë e të rinjve problematikë, pasi shumica e çifteve divorcohen kur kanë fëmijë të mitur. Për më tepër që gruaja, e parë prej dekadash si personi që mban të bashkuar familjen, ka nisur rebelimin në kërkim të të drejtave të barabarta dhe ndalimin e dhunës ndaj saj, duke u bërë ajo më dominuesja në evidencat e gjykatës civile që inicion procedurat për ‘zgjedhje martese’.
Në përpjeke për të mësuar se cilat janë arsyet e çfarë i shtyn çiftet në Shqipëri për të kërkuar ndarjen nga bashkëshorti, Gazeta IDEA po sjell në vëmëndje të lexuesit të saj disa nga rastet më pikante, ku spikat si arsye për të shkuar në divorc ‘mospërputhja e karaktereve’, ‘ndërhyrja e palëve të treta’, ‘tradhëtia’, ‘mungesa e afeksionit’…dhe ‘dhuna në familje’.
Paçka se zgjidhjet e martesës zgjasin mbi 1000 ditë, shumica dërrmuese nuk i hyjnë problemit të fajësisë, duke qenë se në argumentët ligjore evidentojnë se marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur e nuk mund të gjejnë rregullim dhe nëse çifti ka fëmijë të mitur, ai zakonisht qëndron me të ëmën teksa i ati detyrohet të paguajë një shumë mujore për mbajtjen e tij që varion mesatarisht nga 8.000 deri në 15.000 Lekë.
Rasti 1. Çiftit O.K dhe S.K, prindërit e një fëmijë të mitur prej rreth një viti midis tyre kanë lindur mosmarrëveshje, të cilat kanë si shkak mospërputhjen e karaktereve. Fillimisht marrëdhëniet kanë qenë të mira, por me kalimin e kohës gruaja ka shprehur pasigurinë dhe papërgjegjshmërinë e tij në lidhje me këtë martesë. Shkaku i vërtetë i thyerjes së marrëdhënies bashkëshortore ka qenë tradhëtia bashkëshortore e tij 2 vjet më parë. Nisur nga këto rrethana e gruaja ka kërkuar zgjidhjen e martesës në gjykatë, por duke i dhënë prioritet familjes është tërhequr nga kërkesë padia për t`i dhënë edhe njëherë shansin familjes që të funksiononte.
Rasti 2. Kurse për çiftin B.S dhe G.S gjykata krijoi bindjen se vullneti i çiftit për zgjidhjen e martesës ishte real dhe i lirë dhe se nuk kishte asnjë mundesi pajtimi midis bashkëshortëve, pasi marrëdhëniet e tyre ishin tronditur deri në atë masë sa e bënte të pamundur jetesën e tyre të përbashkët. Prindërit e një fëmije adoleshent në fillimet e tyre i kanë pasur marrëdhëniet e mira, por më pas filluan mosmarrëveshjet e vazhdueshme sa jetesa e përbashkët është bërë e pamundur. “Që prej 1 viti sëbashku me djalin jetojmë të veçuar, nuk bashkëjetojmë dhe martesa e ka humbur qëllimin e saj”,-tha gruaja në gjykatë.
Rasti 3. A.H dhe S.E shtetase e huaj, të martuar në vitin 2012. Martesa midis çiftit është lidhur mbi bazën e njohjes reciproke. Nga kjo martesë bashkëshortët nuk kanë fëmijë. Gjatë hetimit gjyqësor rezultoi fillimisht se marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira dhe korrekte, të ndertuara mbi bazën e dashurisë dhe respektit reciprok. Me kalimin e kohës midis çiftit kanë lindur mosmarrëveshjet, të cilat e kanë tronditur thellë martesën, si rrjedhojë e mospërputhjes së karaktereve dhe koncepteve të ndryshme që ata kanë për jetën, duke ndikuar edhe fakti që i përkasin dy kulturave të ndryshme. Janë bërë disa herë përpjekje për t’a zgjidhur çështjen jashtëgjyqësisht, por burri nuk ka mundur të gjejë mirëkuptimin me gruan. Aktualisht çifti nuk bashkëjetojnë me njeri-tjetrin. Në këto kushte martesa ka mbetur thjesht formale. Gjithashtu edhe gjykata konsumoi përpjekjet e saj për t’a zgjidhur çeshtjen me pajtim.
Rasti 4. Bashkëshortët A.L dhe Y.l të martuar prej 4 vitesh, por nuk kanë fëmije. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se kjo martesë është lidhur me shkuesi. Bashkëshortët janë njohur me ndërmjetësinë e personave të tretë. Pasi kanë qendruar një periudhë të shkurtër kohe në njohje me njëri-tjetrin, më pas bashkëshortet kanë lidhur edhe martesën ligjore midis tyre.
Gruaja parashtroi se me lidhjen e martesës ligjore burri është larguar në Greqi, ku jetonte e punonte prej disa vitesh si emigrant ekonomik, ndërsa e paditura ka qëndruar ne Shqipëri në pritje të përfundimit te procedurave të bashkimit familjar. Gjatë dy vitëve të para të martesës burri ka ardhur në Shqipëri 2-3 herë në vit. Gjatë kësaj bashkëjetesë më intervale të shkurtra ata kanë konstatuar së marrëdhëniet bashkëshortore nuk kanë funksionuar mirë dhe në to kanë qenë prezente grindje dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme, të cilat vinin për shkak të mospërputhjes së karaktereve.
Rasti 5. Të martuar prej vitit 2008, E.D dhe M.D kanë një fëmijë të mitur. Çifti është njohur dhe kanë lidhur martesë mes tyre me shkuesi. Gjatë martesës ka qenë burri ai që punonte dhe siguronte të ardhura për familjen ndërkohë që gruaja ishte e papunë dhe kujdesej për shtëpinë dhe fëmijën. Në fillim marrëdhëniet midis tyre kanë qenë të mira, të bazuara në ndjenjën e mirëkuptimit, dashurisë, besimit dhe respektit reciprok, më pas gjërat mes tyre kanë ndryshuar. Mes palëve ka patur konflikte, debate të forta dhe mosmarrëveshje. Këto mosmarrëveshje janë shkaktuar si pasojë e ndryshimit të të konceptuarit të martesës dhe familjes nga bashkëshortët.
Marrëdhëniet mes tyre janë prishur totalisht për shkak se paditësi ka konstatuar së fundmi disa mesazhe në telefonin e gruas, të këmbyera mes saj dhe një personi tjetër, të cilat e kanë bërë atë të dyshojë për tradhëti bashkëshortore.
Nga burri u pohua: “…Fillimisht marrëdhëniet tona kanë qenë të mira, më vonë lindën konfliktet dhe kemi patur debate të forta e mosmarrëveshje për shkak të mospërputhjes së karaktereve. Gruaja nuk përmbushte detyrimet bashkëshortore e familjare. Arsyeja tjetër që është edhe kryesorja është tradhëtia bashkëshortore nga ana e të paditurës në dhjetor të vitit 2012. Në këto kushte kur martesa ka humbur kuptimin e saj dhe nuk ka mundësi pajtimi kërkoj zgjidhjen e martesës me gruan…”.
Por gruaja pohoi para gjykatës: “…Burri ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj meje, madje kur unë isha në muajin e tetë të shtatëzanisë ai ka ushtruar dhunë ndaj meje. Ka qenë një periudhë që ne flinim të ndarë. Burri gjeti disa mesazhe të mijat në celular por unë nuk e kam tradhëtuar. Ne nuk kemi dalë ndonjëherë bashkë si familje, madje për çdo gjë që bëja duhet të kërkoja leje….”.
Ajo gjithashtu pohoi se: “…Jemi njohur me njëri-tjetrin në vitin 2007 dhe martesën e faktit e kemi bërë pas gjashtë muajsh, në vitin 2008, pra pa njohje të thellë me njëri tjetrin. Duke qenë martesë me ndërmjetësi dhe pa njohje të mëparëshme, shumë shpejt midis nesh kanë filluar grindjet dhe mosmarrëveshjet, këto që në fejesë. Këto grindje dhe mosmarrëveshje vinin për gjëra fare të kota, deri edhe për veshjen time, ku në çdo gjë ndikonin edhe prindërit e tij. Pra, që në fillim e deri në ditën që ne jemi ndarë faktikisht ne kemi patur grindje dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme, duke u keqtrajtuar unë si fizikisht dhe psikologjikisht nga paditësi.
Isha e privuar nga çdo gjë dhe për shkak të këtyre arsyeve unë jam larguar tre herë nga ai për në familjen prindërore, por jam rikthyer përsëri vetëm për hir të vajzës. Burri në kërkesëpadinë e tij, megjithëse pranon grindjet dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme, si shkak të prishjes përfundimtare të familjes tonë, vë sikur unë e kam tradhëtuar burrin. Për këtë shkak në dhjetor 2012 jemi ndarë përfundimisht. Ky pretendim i paditësi nuk është i vërtetë, përkundrazi, ishte burrii ai që nuk më përfillte si bashkëshorte….Burri ishte shumë i dhunshëm dhe nuk arrija të bëja asnjë lëvizje në shtëpi pa lejen e tij. Për t’u theksuar është se në familjen tonë ndikonin për keq edhe prindërit e tij. Në këto kushte martesa jonë ka humbur qëllimin e mirë për të cilin është krijuar dhe unë kërkoj zgjidhjen e saj pa u përcaktuar bashkëshorti fajtor”.
Por në fund burri nuk kërkoi gjetjen e shkakut të ndarjes.