Nga Bledi Mane – Public Enemy, 19 Janar 2012
www.facebook.com/bledi.mane
Nuk ngeli gazetë apo televizion blu,rozë, çiklamin pa shkruar e transmetuar dje lajmin e dytë më të rëndësishëm të këtij fillimjanari.
Lajmi i parë: “Ekspertiza e provave dhe hetimi mbi masakrën gardiste të 21 janarit, mbërritur pa shumë vonesë në kutinë postare të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Ekspertizë&hetim profesionistësh nga FBI përtej oqeanit”.
Lajmi i dytë: “Tre ambasadorët më të rëndësishëm të akredituar në vendin tonë, ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu, i BE-së Ettore Sequi dhe i OSBE-së Eugen Wollfarth, pas një takimi të zhvilluar pa praninë e mediave, kanë publikuar edhe një komunikatë në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Ambasadorët theksuan nevojën e një hetimi të plotë, gjithëpërfshirës dhe të pavarur, për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 janarit. Sipas ambasadorëve, 21 janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë, me demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u lënduan.
Sërish, duam të shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme”- theksohet në deklaratën e ambasadorëve. Trojka e ambasadorëve thekson se sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE dhe kjo është gjithashtu pjesë e aspiratave të popullit shqiptar.
“21 janari 2012 duhet të jetë më tepër se një ditë përkujtimore. Duhet të jetë gjithashtu një rast për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes dhe për forcat politike që të forcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin mbi integrimin në BE dhe procesin e reformave”, thuhet në deklaratë.
Për këto arsye, theksojnë ambasadorët, “ne nxisim udhëheqësit politikë të Shqipërisë t’i japin përparësi interesave të vendit dhe atyre të qytetarëve të tij para çështjeve partiake dhe të përqendrohen që të punojnë së bashku mbi hapat konkrete që në mënyrë vendimtare ta çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e reformave në vitin 2012″.
Ambasadorët shprehen mbështetje dhe besim të plotë për Prokurorinë shqiptare për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.
“Ne besojmë që zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë. Sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE.”- thuhet në deklaratë.
Deri këtu shumë normal. Çështja e nxehtë e përfolur e 21 janarit, pavarësisht presioneve politike nga të dyja kahet, pavarësisht pengesave arbitrare kanunore sa nga garda e gjeneral Nrea Prendit e sa nga kryeministria e monarkut Berishë, tashmë me apo pa hir do të shinëzohet në traversat e duhura. Hetimet e nisura prej kohësh plotësohen me ekspertizat amerikane, thirren dëshmitarët, kopsiten faktet edhe me prova filmike, mbyllet dosja dhe sipas Kodit të Procedurës Penale të kësaj Republike çështja shkon për gjykim në shkallë të parë.
Për të evituar zhurmën dhe presionin mediatiko-politik, gjykatësit e nivelit bazë mbyllin kapitullin e parë duke firmosur vendimet e dënimit të burgosjes së vrasësve gardistë.
Dua të di nëse më garanton njeri mua, ty i dashur lexues taksapagues, familjarët e viktimave, opinionin publik se ata kodoshët e Apelit dhe Kasacionit nuk do t’i lirojnë vrasësit në gjykimet e shkallëve 2 e 3?
Ishin të njëjtat fytyra dhe mendje të shëmtuara që Lul Bashën s’e dënuan për procedurë për vjedhjen e 230 milionë eurove të rrugës nordike-patriotike!
Ishin të njëjtat fytyra dhe mendje të korruptuara që Lul Bashës i dhanë fitoren me votat e vjedhura të 8 majit!
Të njëjtët surretër që vdekjet e Gërdecit ia anashkaluan për procedurë e imunitet Fatmirit të ndotur të mjedisit apo të birit të kryeministrit!
Të njëjtat sashenka e sashenkër që ekspertiza amerikano-angleze e videos së Ilir Metës nuk u hyri në punë dhe pasi tallën kod civil e penal, Kushtetutë e shkollë jurisprudence lokale,opinion publik e sedër humane, ligje e nene ndëshkueshmërie… pra të njëjtat fytyra që dëmtojnë trefish buxhetin e shtetit, të njëjtët gjykatës dhjaksa prej krimit e politikës që zmbrapsin progresin e vendit me fitoret 5-0 në favor të Ilir Metës sikur luan futboll Çepani me Viçidolin duke qenë ende në qarkullim jo vetëm më ndjellin neveri, por nuk më mbushin mendje se edhe gjyqi publik i 21 janarit nuk do të bjerë në dorë të tyre.
Del trojka mban fjalime, qëndron krah Ina Ramës, por harrojnë se organi i prokurorisë është thjesht organ akuze dhe pretencat e tij nuk pinë ujë nda ingranazhet e ndryshkura të gjykatave.
Ndaj të dashur miq amerikanë, gjermanë e italianë të trojkës herën tjetër që të dukeni më të besueshëm e më të kapërdisshëm në deklaratat tuaja shkoni e vizitoni titullarët e gjykatave apo KLD-në sepse po ua them hapur e qartë ky vend nuk ka nevojë për prokurori të fortë.
Në këtë vend organi i akuzës është inekzistent. Nuk ka nevojë Shqipëria për hetuesë a ekspertë sepse këtu vidhet e vritet 24 orë në ditë para syve, veshëve dhe kamerave. Ne i shikojmë, ndjejmë dhe përjetojmë poshtërsitë e regjimit dhe oligarkëve të tij dhe puna e prokurorisë thjesht del jashtë loje në këtë mes. Ne duam ndëshkues të rreptë të pakompromis, duam gjykata që i japin hakun edhe Baftjar Qorrit, xhepistit që vjedh pensionistët e urbanëve të Unazës edhe Ilirit të metë të Lësëisë partia e të cilit pa turp e pa cipë vidhte edhe gramët e cunguar të bukës së shqiptarëve.
2./ Shënim i rëndësishëm
Sot po u tregoj kurbën e kërcënimeve ndaj meje kur shkruaj te TemA.
– vend të parë kërcënimet e paprecedenta për shkrimit “Aishja jonë/Argita Berisha”, shtator 2011
– vend të dytë kërcënimet bajate për shkrimit “Shpresë te Shpresa Beçaj për pak shpresë drejtësie”, janar 2012
– vend të tretë kërcënimet e freskëta për shkrimit “Monika mos u hidh nga ballkoni”, janar 2012







