Nga: Kiço BLUSHI
Nuk ka ditë të mos zëmë ndonjë vend të parë në rajon, në Evropë, madje edhe në botë; kur na mohohet “vendi i parë”. Ose e kanë fajin statistikat, ose opozita e sheh realitetin me syze të errëta, ose na kanë bërë hile:Tek ne, fatkeqësisht, vitet e fundit është shuar kufiri mes kritikës, vetëkritikës dhe vetëmburrjes. Në të kaluarën, këto raporte gjykimi e vlerësimi të vetes, të punës, të njeritjetrit, të traditës, të vlerave e antivlerave, të dobisë e dëmit kanë pas qënë të mangëta, të gjymtuara.
Nëse në diktaturë ka patur një metër që i imponohej me hir e pahir individit dhe shoqërisë, që maste dhe ndante vlerat nga antivlerat, të mirën nga e keqja, shapin nga sheqeri, të dobishmen nga e dëmshmja (sipas pëlqimit të Njëshit e ideo-estetikës marksiste-leniniste), sot metër zotërues është moda, imitimi, vaniteti, klishetë, konsumizmi, përfitimi i çastit, shoqëruar me …me vetëmburrje në publik. Kritikë quhet vetëlavdërimi, vlerë e padiskutueshme paraja, fuqi e mbinatyrshme pushteti, kuptim merr vetëm hiçnaja, përparësi ka reklama, sundues është vulgariteti dhe arroganca e më të fortit…
Sa më fodull të shtiresh, aq më i mençur e autoritar ngjan! Mjafton të shohësh e të dëgjosh krerët tanë, për të kuptuar se si vetëkarfosja dhe fodullëku shkojnë deri në kufijtë e paturpësisë. Këta kanë krijuar këtë mendësi gjithëpërfshirëse: Mos prit të të lavdërojnë, mburr veten sepse kështu të rritet pesha në publik, – kjo është mënyra “zyrtare” dhe zotëruese e sjelljes. (“Unë do të rri edhe 30 vjet Kryeministër!”…”Unë përsëri President? Jo,jo”…
”Prapa më vjen historia!”… “Qeveria ime rriti pensionet e pagat në një kohë kur gjithë bota ka rënë në krizë”… “Ne jemi i vetmi vend në BE që mbi 60% të zyrtarëve i ka të rin”…”Vetëm qeveria ime rriti pensionet”…”Ne realizuam rritjen ekonomike më të lartë në botë”… etj etj…). Në këtë klimë nuk ka asnjë vlerë kritika që bën shtypi as për elitën artistike, as për atë politike.
Sot nuk ka kritikë dhe as vetëkritikë, as arbitra, as norma të etikës, mjete këto të domosdoshme që mundësojnë qytetarin dhe shoqërinë të korrigjohen, të shërohen, të diagnostikohen, të ecin përpara, të bëhen më të suksesshëm e më të mirë…Nuk kemi asnjë organ kritik për shkencën dhe artin. Ai që ka guxim të kritikojë një dukuri negative të një personi zyrtar apo të qeverisë, do të shpallet armik i betuar, sado të drejtë të ketë. Aq më keq po të kërkosh të drejtën në ndonjë zyrë!
Fodullëku i injorantit që ka zaptuar një zyrë me allishverish, me nepotizëm, me klientelizëm, me partitizëm, me krahinarizëm, është gjëja më e neveritshme në këtë vend! Zor se mund të gjesh një zyrtar që del në mëngjez nga shtëpia dhe nuk vret mendjen se sa do të fitojë nga rryshfeti, nga tenderat, nga allishverishi e aspak që të shërbejë me përkushtim e ndershmëri…Polici i kufirit, ai i doganës, zyrtari i komunës, kostumin e ka zhul, dalëboje, barkun të fryrë, duhmën i vjen era raki, por ama sytë e tij vështrojnë në dorë e në kuletë të klientit me një fodullëk e arrogancë që të kall frikë dhe neveri…
Konica apo Fishta, po të ishin gjallë, sot me siguri do të ishin më “armiq” nga ç’u shpallën nga diktatura, sepse do të shanin me rrënjë e me degë jo vetëm administratën, por edhe shoqërinë e cila, pas gati njëqind vjet me shtet, nuk ka mundur të krijojë një administratë normale që di të shërbejë. Nuk ka gjë më të shvlerësuar se Fjala e sidomos kritika publike. ‘Bjerini legenit’, kjo është ndoshta fjalia më e saktë që i shkon për shtat administratës së sotme. Nëpunësia militante është bërë e pagjykueshme dhe e plotfuqishme, sepse ajo ka mundur të shvlerësojë totalisht Fjalën kritike bashkë me opinionin publik.
* * *
Demokraci pa vetëkontroll, pa kritikë dhe vetëkritikë nuk mund të ketë. Ndaj ka opozitë, ndaj media quhet pushtet, ndaj nuk zëvendësohet me asgjë liria e fjalës, ndaj nuk ka e nuk mund të ketë autoritete të pagabueshëm e të pagjykueshëm, ndaj bëhen gara të hapura ku kampion shpallet e pranohet si i tillë vetëm më i miri. Ndërsa tek ne opozitarizmi i opozitës dhe oponenca e shoqërisë civile sendërtohen më shumë me sharje dhe sherre të ndërsjella, se sa me kritikë dhe vetëkritikë, me kontroll dhe vetëkontroll…
Ashtu si pushteti e quan armik opozitën, ashtu edhe në nivelet më të ulëta qytetari i sotëm, udhëheqës, artist apo sportist, nuk e pranon dot kritikën, sepse i quan ato poshtërim, denigrim, mungesë respekti, fyerje, njëlloj si në kohën kur ishim parashoqëri. Kjo, sepse vetëmburrja dhe fodullëku janë gjuha jonë “zyrtare”. Sa më shumë vetëmburresh, aq më shumë bind të tjerët se ti përnjimend ke vlera! Modestia quhet mëkat, budallallëk! Nuk ka rëndësi sa gjuhë të huaja di, sa fakultete ke mbaruar, rëndësi ka çfarë shkruan në CV, sa “mastera” ke bërë jashtë shtetit, sa diploma ke blerë…!
Tani jo vetëm në sport nuk ka më gara e thyerje rekordesh kombëtare (se ndërkombëtare jo se jo!), po në asnjë lloj veprimtarie shoqërore, njëlloj si në politikë, nuk ka më gara, nuk ka konkurrencë, nuk ka merita, nuk ka arbitër të gjithëpranuar: kësisoj i fundit mund të dalë i pari dhe anasjelltas. Titujt, dekoratat, memorialet, bustet, monumentet e të shquarve janë përdhosur nga të gjallët e sotëm të dehur nga fodullëku i injorantit zyrtar! Ai që vetëshpallet kampion dhe e fiton garën, nuk e lëshon më titullin, nuk e lë bashin e vendit ( kryetarllëkun) sa të jetë gjallë!
Prandaj ne kemi “arritje dhe suksese” të papara e të padëgjuara jo vetëm në politikë e në ekonomi, në arsim e në ndërtim, po edhe në art, kulturë, shkencë, letërsi, muzikë, balet, film e sidomos në sport e spektakle. Sot malli që kushton më shumë e vlen më pak është lavdia! Artistë dhe sportistë të mëdhenj që kanë “çuditur” botën vijnë herë pas here këtu për të na dëshmuar me intervista televizive se sa të suksesshëm kanë pas qënë dhe janë ende nëpër botë. Mjaf të vish nga jashtë, mjaft të vdesësh që të pohojnë se sa vlera ke pasur së gjalli.
Mjaf të të ketë me sy të mirë një udhëheqës që të bëhesh i famshëm, i shquar! Mjafton të kesh një televizor që të shohësh e dëgjosh se si e lavdërojnë veten krerët, artistët, ish sportistët që edhe pa vepra, edhe pa rekorde, edhe pa konkurrim, por me mediokritet dhe banalitet vetëshpallen të shquar! Ja pse sot kemi më shumë njerëz të shquar se të zakontë, të lavdishëm se anonimë, njerëz publikë se katundarë, kryeqytetarë se provincialë, mjeshtra të mëdhenj se zanatçinj…
Në diktaturë ndërtuam urën më të lartë të Ballkanit, atë të Bushtricës; në demokraci tunelin më të gjatë, atë të Kalimashit! Në diktaturë morëm në Meksikë çmimin e parë për ushqimin, sot jemi në vend të parë për rritjen ekonomike! Në kohën kur bota ka rënë në krizë e depresion, vetëm tek ne rriten pensionet dhe pagat! Lum si ne, vazhdojmë të vdesim për dukjen, për të qënë të parët, për më shumë famë, për një kostum, për pak lavdi, paçka se kemi mbetur të fundit për vizat, për integrimin dhe për nivelin e varfërisë! Lavdia e pamerituar është bijë e vetëmburrjes, hasmi i garës, i konkurrencës, i asaj lloj kritike jetike që e çon shoqërinë drejt përsosmërisë. Por nëse ka një gjë që na ka lënë prapa të tjerëve, është padyshim kjo vetëfryrje, ky fodullëk katundarëror që na lë përherë në bisht e na bën më qesharakët, edhe kur situatat e shanset na i ofron historia!
Kështu, për numur popullsie me siguri zëmë vendin e parë për arstistë, kërcimtarë, këngëtarë, shkrimtarë, kujtimshkrues, piktorë, aktorë dhe regjisorë mëse të shquar, edhe pse në Akademinë e Artit në Tiranë, ku deri dje mezi hyje, tani të pranojnë pa konkurrim!…Përditë vetëshpallen shkrimtarë të talentuar,librat e tyre promovohen si një arritje e mrekullueshme, e paparë. Njëri syresh pasi mori një çmim kombëtar justifikoi faktin që nuk e lexonte kush me argumentin se “edhe në botë letërsia i përket elitës, se është veprimtari elitare…”
Ndaj, si e tillë, sipas tij, veprat që lexohen e shiten më pak paskan më shumë vlera! Nuk ka si të ketë njësi matëse për vlerat dhe aq më pak për kontributet, sepse edhe këtë peshore të vlerave, të kritikës profesioniste dhe të vetëkritikës nuk e ka lexuesi, as tregu, por e mban në duar politika si një kapital, apo, më saktë, si një çelës kopil që shërben për të dhënë favore e për të hapërdarë ndere sipas interesit vetiak, partiak e aspak atij kombëtar! As mund të gjesh në botë udhëheqës të tillë që vetëmburren kaq paturpësisht dhe që e thonë edhe publikisht se para tyre historia ka qënë e vdekur!
* * *
Në Shqipëri bëhen filma artistikë, po nuk i sheh njeri, jo vetëm se nuk ka salla kinemaje. Por ama, për këto filma na thuhet me vëtëmburrje se për pak sa nuk u nominuan për Oskar, për Palmën e Artë në Kanë apo në Venecie…! Publiku ushqehet me vlera virtuale që nuk janë vlera, që nuk i njeh e nuk kalojnë në filtrin e tij, e megjithatë cilësohen kryevepra “meqë vijnë nga jashtë”, nga Perëndimi, gjasme nga metropolet e kulturës…Ne jemi një shoqëri pa kritikë dhe vetëkritikë, e bash për këtë arsye nuk ka se si të kemi kampionë, kryevepra, idhuj, shenjtorë, idealistë, tituj, vepra, momumente, udhërrëfyes, modele, të përkushtuar, të pasionuar, të sakrifikuar, dmth njerëz të ndershëm e të virtytshëm!
Keqardhje ndjen veçanërisht këto ditë kur po zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit, ku shqiptarët bëjnë tifo për skuadrat e lojtarët e huaj, por asnjëherë për të vetët! Por po të ndjekësh emisionet dhe komentet para e pas ndeshjeve të Kampionatit zbulon sa shumë specialistë të lavdishëm për futbollin paskemi ne! Të gjithë flasin me kompetencë se si do të duhet të ndërtohej loja, madje edhe se si mund të fitohet!..Shesim mend që nuk na i blen njeri, edhe pse në futboll jemi për faqe të zezë!
I japim mend botës, paçka se stadiumet janë transformuar në arena rrahjesh masive të arbitrave e lojtarëve. Asnjë popull që sheh me mospërfillje kur rrihen arbitrat e lojtarët nëpër stadiume, asnjë shoqëri që lejon të shitblihen gjykatësit, nuk bën dot përpara! Aq e vërtetë është kjo klimë sa një komentator futbolli, kur nuk iu dha goli anglezëve, nuk duroi dhe shpërtheu me zë të lartë: Pu, pu, ç’do të pësonte ky arbitër po të ishte në Shqipëri! Por askush nuk reagoi kur në komisionin kuvendor një kandidat për në Gjykatën e Lartë u muarr në pyetje tamam si një i pandehur nga hetuesit e diktaturës! Nëse nëpër stadiume rrihen, blihen apo shiten rregullisht arbitrat dhe ndeshjet, nuk është e nevojshme të bëhen sondazhe për të kuptuar cilësinë e qeverisjes, nivelin e mirëqënies, funksionimin e Ligjit, të gjykatave e të komisariateve në një shoqëri!
E megjithatë të gjithë dalin në Pazar e broçkullijnë për suksese, për lavdira të paqëna, për merita pa merita jo vetëm në një fushë, por në çdo aspekt të jetës!…Aq e zhvilluar është shtysa e fodullëkut të katundarit të emëruar në kryeqytet e të veshur me lavdi dhe pushtet, aq e papërballueshme është kjo dëshirë për t’u shfaqur si i gjithëdijshëm, sa edhe Presidenti i Republikës nuk duroi e doli të udhëzonte Sarkozinë se si duhej të ishte sjellë ai me kombëtaren e Francës, në mënyrë që kjo të mos kish pësuar atë fiasko që pësoi!…
Pas tij doli edhe Kryeministri që të na spjegonte me kompetencë se si po luante një futboll të shkëlqyer Argjentina që, sipas tij, i ngjante Holandës së djeshme!
Triumfi i fodullëkut oriental që nuk bën dot as edhe një punë të mbarë e të dobishme, me siguri na ka vënë në vendin të parë në botë për kazino, për lojëra fati, për pika llotosh e bastesh për numur popullisie. Në vend të bibliotekave, kinemave, shkollave, spitaleve, shesheve sportive, tani kemi pikat e basteve.
Nëse ka një “institucion”, një ndërmarrje, një sipërmarrje të ngritur me huamarrje, humormarrje, pengmarrje, faliment, katastrofë, ëndërr e zhgjëndërr për pasurim të shpejtë e të kollajtë, për humbje pa kthim, për ankth, për shpresë e përsëri për ankth është pikërisht kjo makineri fantazmë e basteve të futbollit, sa kombëtare aq edhe globale, sa vetiake aq edhe familjare. Bastet dhe kumari janë e vetmja “fabrikë” që punon me ngarkesë të plotë, njëzet e katër orë për njëzet e katër. Sa më i varfër, aq më i varur e i destinuar je të bëhesh e të mbetesh rob i basteve.
Mesa duket, ca nga varfëria e tejzagjatur, ca nga mungesa e shpresës, ashtu si kumarxhiut nuk i funksionon kritika dhe vetëkritika, edhe ne, si popull, pasi na është shpëlarë truri e shpirti për vite me propagandë intensive, na është shuar aftësia e vetëkontrollit, e gjykimit, e perspektivës. Sepse na komandon vetëkarfosja e atij provincialit që zbret për herë të parë në kryeqytet dhe, meqë vishet polic, pandeh se ka vënë gjithë botën nën këmbë; kujtojmë se vetëkapardisja është superjoritet, avantazh, ndaj do të na ndihë të fitojmë nesër, edhe pse kemi humbur jo vetëm dje, por edhe sot. Ne dehemi kollaj me vetveten, me fjalë në erë, duke shpresuar se kësisoj do ta hedhim lumen, falë lutjes së traditës e të pafuqisë sonë, e cila orientalisht (jo shqip!) shprehet aq fatalisht me një: INSHALLAH!…
Kjo fjalë e triumfalizon fodullëkun tonë tradicional, duke na vrarë gjykimin kritik dhe vetëkritik, duke na lënë përherë, mjerisht, në vendin e fundit!