Triumfalizëm i panevojshëm

0
60

Andi Bushati

Andi Bushati, 22.05.2010

Dalja aspak e lavdishme e grevistëve të urisë, pas 19 ditësh vuajtjeje dhe privimi nga jeta e përditshme, i ka bërë shumë nga idhtarët e Berishës ta pasqyrojnë me tone triumfaliste këtë ngjarje aspak të denjë. Prej dy ditësh është vënë në lëvizje një lumë shkruesish e politikëbërësish, që po e shprehin gati me ngazëllim, gjunjëzimin pothuajse të turpshëm të kundërshtarit të tyre politik.

Këtij grupimi të parë, i është shtuar edhe një i dytë, që toneve të triumfalizmit, i ka shtuar ato të ironisë dhe sarkazmës. Dikush e paraqet Edi Ramën si një fëmijë të parritur, që e gënjejnë me një karamele të rreme. Dikush tjetër tallet me njeriun që bërtiste se “Do të kalojnë vetëm mbi trupat tanë” dhe doli nga greva me bisht ndër shalë. Dikush tjetër ironizon me njeriun që ultimatumet e njëpasnjëshme i ndërroi me një gotë verë dhe një pjatë patè. Në fakt, duhet thënë, se gjithë ky triumfalizëm e gjithë kjo sarkazëm, është e pavend dhe e pavlerë. Të gjithë ata që ndihen fitimtarë, nuk ka vend të gëzohen. Të gjithë ata që ndihen të fuqishëm, nuk ka vend të trimërohen.

Sepse për fatin e tyre të keq, nuk kanë fituar as ndaj një kundërshtari të fortë, as ndaj një kauze të drejtë dhe të moralshme.

Gëzimin dhe përmasat e fitores së tyre, duhet t’i reduktojë ndjeshëm, pesha e atij që kanë mundur. Eshtë e lehtë të bësh një bilanc të shkurtër se kë kanë mundur. Kanë mundur njeriun që, që kur është në krye të PS, me përjashtim të asaj për Bashkinë e Tiranës, i ka humbur të gjitha betejat politike. Kanë mundur njeriun që pasi eliminoi gjithë kandidatët e familjes së vet politike, e humbi betejën për të mos lejuar një të djathtë të ngrihej në fronin e Presidentit të Republikës. Kanë mundur atë që e shndërroi në humbje edhe tragjedinë e Gërdecit, sepse me anë të saj kërkoi të eliminonte konkurentët brenda së majtës. Kanë mundur njeriun që i dha Berishës të gjitha ato ndryshime kushtetuese, që sot e kanë rrënjosur në karrigen e tij kryeministrore.

Kanë mundur njeriun që humbi krejt fushatën parazgjedhore, jo vetëm sepse nuk u përball drejtpërdrejt në të, por u kthye edhe në atu-në e kundërshtarit, duke bërë që opozita shqiptare të ishte e vetmja opozitë që akuzohej për korrupsion. Kanë mundur njeriun, që hodhi kolegët e tij në fushatën zgjedhore dhe vet qëndroi në zyrën e Bashkisë. Kanë mundur njeriun që tha, po humba largohem, dhe që pasi humbi nxori teorinë, “po ika, s’kanë më të mirë”. Kanë mundur njeriun, që pasi humbi të pahumbshmen, doli e tha se është më i fortë se kurrë.

Kanë mundur njeriun që tha se pas fundqershorit, gjithçka do të jetë ndryshe, por këtë ndryshim e kuptonte si sakrificë të të tjerëve dhe jo të tijën.

Kanë mundur njeriun që vendosi t’i lërë gjithë deputetët e tij gjashtë muaj pa rrogë, ndërsa vetë firmoste çdo fundmuaji në borderonë e bashkisë. Kanë mundur njeriun që bërtiste se opozita duhet bërë në rrugë, megjithëse vetë, ka 12 vjet që nuk i ndahet zyrës.Kanë mundur njeriun që u kërkoi 200 të tijve të fillonin një sakrificë urie dhe që vetë as nuk e provoi shijen e saj, megjithëse i përbetohej shumëkujt, se këtë radhë, ishte i vendosur të vdiste live, para kamerave, vetëm për të shpëtuar Shqipërinë nga Berisha.

Ky është kundërshtari që kanë mundur sistematikisht, ndaj nuk ka vend për ndonjë gëzim të madh. As për sarkazëm, as për triumfalizëm.
Por, ndërsa e djathta në pushtet nuk ka arsye reale t’i japë përmasa tej të zakonshmes asaj që ka ndodhur, opozita e majtë ka të gjitha të drejtat të shqetësohet, të frikësohet, madje të ngrejë shumë pikëpyetje?

Pikëpyetje për të tashmen dhe të ardhmen e saj, me një lider dhe me një filozofi politike, e cila po i çon nga disfata në disfatë. Nga zhgënjimi në zhgënjim. E këto pyetje nuk janë pronë e vetëm atyre 20 deputetëve që qenë në grevë. As vetëm e atyre 180 mbështetësve që i shkuan me durim dhe sakrificë deri në fund, asaj që u kërkoi forca e tyre politike. Këto shqetësime dhe këto pikëpyetje janë sot për të gjithë opozitën e majtë, madje për më shumë se kaq. Për të gjithë ata që mendojnë se i duhet thënë STOP pushtetit, gjithnjë e më abuziv, gjithnjë e më korruptiv, gjithnjë e më shumë ndrydhës të lirive, që po ushtron Kryeministri Berisha.

Ndaj këtu duhet të konsistojë pyetja dhe dilema e madhe e së majtës dhe krejt opozitës shqiptare: në shqetësimin se si mund të arrihet një gjë e tillë.
Deri tani, e ndikuar nga lideri i saj, dhe nga njerëzit pranë tij, të cilët kanë kërkuar me çdo çmim, justifikimin e këtij kalvari disfatash të njëpasnjëshme, opozita e ka zhvilluar aksionin e saj politik duke pasur si premisë, si gur themeli, si armë lufte, vetëm një opsion: “Ky është një pushtet i paligjshëm, sepse buron nga vota të vjedhura”.

Pra, në thelb të këtij aksioni, ndonëse në pjesën më të madhe pa prova e fakte konkrete, ka qenë të tregojë se ky pushtet është ilegjitim. Por duke bërë këtë, duke e futur në këtë shtrat, vetëm për arsye personale, gjithë energjinë dhe forcën e popullit opozitar, ka anashkaluar, ka lënë jashtë vëmendjes, ka bërë të pandjeshme të gjitha rreziqet reale që i kërcënohen shoqërisë shqiptare e për të cilat opozita, si kudo, duhet të jetë garantja kryesore.

Sepse në fakt, problemi real sot në Shqipëri, nuk është ekzistenca ose jo e një pushteti legjitim, por shqetësimi se ky pushtet po e shpërdoron me të gjitha format dhe në mënyrën më agresive, legjitimitetin e vet. Problemi sot në Shqipëri nuk është se po qeveris Berisha, i mbështetur nga votat e Metës. Jo dhe jo. Në të gjitha kombinimet e para qershorit 2009, dihej që një bashkim i tillë, nëse ndodhte, krijonte një maxhorancë qeverisëse.

Por, problemi sot është se Kryeministri Berisha dhe njerëzit e tij po e përdorin legjitimitetin e këtij pushteti, për të shuar të gjitha pushtetet e tjera në Shqipëri.
Që pas zgjedhjeve të fundit, kanë ndodhur në këtë vend gjëra shumë më të rënda se çështja e diskutueshme e kutive.

Pushteti gjyqësor është më shumë se kurrë, në vitet e fundit, nën trysninë e ekzekutivit, madje deri në atë pikë sa aktorët e Gërdecit i shpëtojnë gjykimit me procedura ligjore. Prokuroria është zbythur krejtësisht prej sulmeve politike, aq sa dhe kreu i saj, që dikur betohej se sfida e vet ishte përfundimi i çështjeve të rëndësishme, tani po kërkon të krijojë imazhin e një veline, duke pozuar gjithnjë e më shumë për shtypin rozë.

Presidenti i Republikës, pas ndonjë tentative për rezistencë para zgjedhjeve, tani i është rifutur një gare të ethshme për t’u rikonvertuar në demokrat, megjithëse për besnikërinë e tij tashmë i kërkohen prova dhe më të mëdha. Gjendja ekonomike është gjithnjë e më e rëndë dhe Qeveria ka falimentuar në dy drejtime kryesore, qoftë për të paguar ato ndërmarrje që u ka dhënë punë, qoftë për t’u siguruar konkurencë të ndershme, për ato kompani që presin punë. E së fundi, gjendja e pushtetit të katërt, ajo e mediave, është si kurrrë më parë.

Jo vetëm për pikët që kemi humbur në renditjen e klasifikimeve ndërkombëtare, por sepse, si pasojë e gjobave dhe dhunës financiare të Qeverisë, dy gazeta të përditshme janë mbyllur dhe zëra të tjerë autoritarë, kritikë të Qeverisë, po tentohet të zhduken nga peisazhi mediatik. Kjo duhej të ishte në fakt panorama e shqetësimeve reale të kësaj opozite. Ky konglomerat problemesh e shqetësimesh duhet të ishin thelbi i kauzës së saj. Ajo e një pushteti gjithnjë e më arbitrar, e sfidues, që po dhunon përditë e më shumë legjitimitetin që mori në qershorin e shkuar.

Por të gjitha këto probleme po minimizohen sot, nga debati i stisur për kutitë, i cila ka uzurpuar gjithë faqet e gazetave, gjithë përballjen politike, gjithë energjitë e aktorëve kryesorë. Ai e ka angazhuar sot opozitën me mish e me shpirt, në një kauz të shpikur, duke bërë, për fatin e saj të keq, që kjo t’i mbivendoset kauzave të drejta, të vërteta dhe reale që duhet të kishte. Sepse ndërkohë që Rama dhe të tijtë kanë shpenzuar një vit me betejën e pamundur për kutitë, Berisha ka marrë, pa zhurmë, pothuajse të gjitha pushtetet, në këtë vend.

E ky uzurpim është më i prekshëm, më i rëndë dhe më me pasoja se akuza e pafaktuar që i bëhet për votën. Dhe ky uzurpim është më afatgjatë e më i rëndë se gjithë të tjerat. Fakti se po e nënvleftëson atë, është humbja më e madhe që po pëson sot kjo opozitë. Fakti se po e lë atë në plan të dytë është dëmi më i madh që ajo po i shkakton idhtarëve të saj, madje krejt shoqërisë. E kjo humbje dhe ky dëm, janë shumë më të mëdha se ato që përmenda më lart. Për ato çdo opozitar duhet të trishtohet. Për ato edhe antiopozitarët më triumfalë, nuk mund të kenë mundësi të gëzohen.