Valbona Sulçe
Pis
Po bëhem pis. Shoh stërkala balte të dala nga gojë të palara që fluturojnë mbi kryet tona. Në këmbët tona. Nëpër pemë valëviten bashkë me qeset e plehrave, edhe fjalët-plehra që bëjnë rikoshetë nga ekranet. S’ka pluhur larës për këtë pisllëk që na ka mbytur. Të gjithë thonë diçka për të gjithë. Ja, dëgjoni: Kryeministri i vendit është “kusar”, zv/kryeministri “hajdut”, ministrat “kusarë”. Lideri i opozitës është “monstër”, deputetët e opozitës “të lidhur me krimin e organizuar”. Prokuroria është “e kapur”, kryeprokurorja “fle mbi dosjet e krimit”. Media është ”mercenare”. A ka ndonjë njeri që nuk ka një akuzë për tjetrin në këtë vend?
Krimi i organizuar në Parlament
E pohoi vetë Kryeministri Berisha, i cili në një moment KPD-je në seancën e para disa ditëve -(interesant, për punimet e parlamentit përdoret fjala “seancë”, tamam si në një klinikë rehabilitimi ku të sëmurët shkojnë për seanca terapie), iu drejtua të paktën një deputeti me emër dhe mbiemër si i lidhur me trafikun e drogës. Taulant Balla i PS-së u akuzua, as më shumë as më pak, si i përfshirë në ‘klanin e Gjurës’ (ç’është ky?), i cili u marrka me drogë. Kryeministri i vendit pas kësaj duhet të ketë mirësinë t’u thotë shqiptarëve pse nuk e ka kallëzuar në Prokurori këtë fakt, në të kundërt duhet t’i japë llogari BE-së pse e ka gënjyer që ka bërë luftën më të pamëshirshme kundër krimit të organizuar, siç edhe e propagandon me forcë një reklamë qeveritare.
Nëse përfaqësues të krimit të organizuar ulen në Parlament, kjo është një akuzë shumë e rëndë për qeverinë, e cila e di dhe nuk i plas brenda ata. Të gjitha përrallat me Mujin dhe Halilin e krimit të organizuar, shkërmoqen në çast nëse një person trafikant droge ulet në Parlament. Kryeministri dhe gjithë të tjerët që sillen si ai, duhet të japin shembullin të parët nëse e kanë seriozisht luftën me krimin e organizuar. Në të kundërt, një qeveri që pranon të ulet në një sallë me një anëtar të krimit të organizuar, është po aq fajtore para qytetarëve sa krimi i organizuar.
Prokuroria “Wanted”
Vini re, vini re! Ka humbur Prokuroria shqiptare! Prokuroria shqiptare është një institucion kushtetues, rreth të 100-ave, vjen pak si e rrudhur, herë pas here e zënë dridhjet, po jo nga frika, po për shkak të moshës, përdor makina relativisht të mira, po jo më të mira se krimi i organizuar. Vuan nga një lemzë kronike, sidomos këto ditët e fundit i është shtuar së tepërmi, kur që nga Presidenti deri tek shitësi i bulmetit ia përmendin emrin nga 30 herë në ditë, po jo vetëm.
Edhe ata që teorikisht duhet t’i frigoheshin, ia përmendin emrin me aq dashuri, sa po lindin dyshime se kur ka qenë e re kjo Prokuroria mund të ketë qenë shumë e bukur sa të gjithë e lakmonin. Një pistë tjetër është se kjo mund të ketë qenë arsyeja e zhdukjes së Prokurorisë në drejtim të paditur. Rikthimi i saj bëhet edhe më i vështirë, duke pasur parasysh heqjen e vizave për shqiptarët dhe dëshirës së shprehur të Prokurorisë për të punuar jashtë vendit, ”në një vend pak më normal”, siç është shprehur ajo.
Lutemi, kush ka dijeni për vendndodhjen e saj, le ta sjellë te rruga “Qemal Stafa”, majtas jo djathtas.
P.S. Sapo na njoftuan që e kanë parë Prokurorinë të bëjë ca analiza, po nuk thanë në çfarë spitali. Lutemi, më të saktë në të dhënat që jepni.