Ditët, javët, muajt, vitet dhe shekujt kalojnë. Ne lindim, rritemi, marrim frymë, nganjëherë edhe buzëqeshim. Më pas vdesim ose nga Zoti ose nga dora e xhelatëve komunistë.
Në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, në vitin 1941, më 23 mars do të lindte poeti e mësuesi Genc Leka nga prindërit Bardho (Feim) dhe Nergjize Leka. Ndërsa më 18 mars 1948 në një familje tjetër patriote do të lindte Vilson Blloshmi nga prindërit Sami dhe Nadire Blloshmi. Sot Genc Leka do të ishte 73 vjeç ndërsa kushëriri i tij, shoku i tij, zemra e tij, oksigjeni i tij, Vilsoni do të ishte plot 64 vjeç. Po ku janë këta dy djem? Ҫ’u bënë? Kanë vdekur? Pse?
Jo, ata i vranë me një akuzë të stisur më 17 korrik 1977 në një përrua të thellë, të thatë e të fshehtë të quajtur me një emër po aq të çuditshëm “Përroi i Firarit”. Por kur kishte ndodhur ndjekja apo survejimi i Gencit dhe i Vilsonit nga sigurimi famëkeq i bandës komuniste?!
Në vitin 1950 Bardho Leka, ky luftëtar i paepur kundër pushtuesit, e kuptoi se komunistët po ia mblidhnin lakun pas qafe, arratiset dhe vendoset në Prizren të Shqipërisë (por të grabitur nga fuqitë e asokohe në 1913-tën). Genci u rrit herë me bukë e herë pa bukë dhe vazhdimisht zbathur bashkë me dy motrat e tij, Gjiskën e degdisën në shkretëtirën e Tepelenës. Me shumë sakrifica Genci mbaroi Pedagogjiken në Elbasan i jashtëm, duke e strehuar një mik i vjetër i familjes.
Në vitin 1959 Gencit i hapën kartelën dhe e ndiqnin këmba – këmbës. Unë e kam “shtrydhur” arkivin e Sigurimit, e kam gjetur dhe e kam botuar në një libër “Dosjen operative” të Gencit, e cila ka brenda të gjitha plehrat e sigurimit bashkë me minjtë e gjerizeve. Janë me emra dhe të zbardhur si bashkëpunëtorë. Kjo dosje ka vazhduar deri më datën 31 gusht 1976 kur Genc Lekës i hodhën prangat për të mos ia hequr më kurrë.
Ndërsa familja jonë ka tjetër tragjedi, por po e rishpjegoj. Në vitin 1946 filloi grabitja e pasurisë së tundshme e të patundshme nga grabitqarët komunistë, të cilët gjatë luftës civile ‘43-‘44 vranë sa deshën nga fisi atdhetar i Blloshmëve. Në vitin 1950, një nga dajët tanë, Sabri Debrova arratiset bashkë me Bardho Lekën. Në qershorin e vitit 1952 në familjen tonë ia mbërrin Sigurimi famëkeq. Arrestojnë xhaxhanë tonë, Hasan Blloshmin me akuzën “takim me diversantët” (me dajën e tij Bardho Leka) dhe e dënojnë me 22 vjet heqje lirie dhe sekuestrim të pasurisë.
Në këtë kohë ishim cilësuar si ‘kulakë”. Në vitin 1963 mbërrin prapë Sigurimi. Këtë radhë kishin arrestuar babanë në Qukës. Bënë kontroll e rrëmujë nëpër shtëpi. Ata na kërcënonin duke na thënë se ne të gjithë e kishim vendin në burg sapo të rriteshim, ndërsa ne duke qarë e të uritur dridheshim nga frika në cepin e dhomës, ku na kishte ngjeshur Sigurimi. Vilsoni ishte në shkollë në Elbasan, edhe kyi i strehuar tek një mik i familjes, vazhdonte si i jashtëm, si Genci. Vili e kishte marrë vesh se na kishin arrestuar babanë, vjen në shtëpi i përlotur dhe thotë: “Unë do e lë shkollën xhaxha Bukurosh, sepse nuk kemi mundësi, u bënë dy në burg”. Xhaxhai e “kërcënoi” Vilsonin: “Ti vazhdo shkollën, ke për detyrë të na zbardhësh faqen e familjes, vetëm mëso! Dëgjove? Të tjerat i dimë ne”.
Gjatë kërkimit nëpër arkiv, gjeta dhe “Dosjen operative” të Vilsonit, tek e cila ndjekja kishte filluar qysh në vitin 1963, kur vazhdonte shkollën në Elbasan deri më datën 5 gusht, kur i hodhën prangat tek ura e Librazhdit. I hedhin hekurat, e mbulojnë me një batanije ku herë pas here e zbulonin, i vendosin një palë syze dielli e mbas disa orësh e plasin në birucën Nr. 20 tek “Mine Peza”, në Tiranë. Mbas shumë kohe tortururash nga disa hetues (emrat janë në librin “Terrori Komunist”), por dhe personalisht nga xhelati Kadri Hazbiu e kthejnë në birucat e Librazhdit, me një krah të gjymtuar.
Torturë pas torture, më 17 shkurt 1977 na dhanë akt-akuzën të formuluar siç deshën ata bashkë me Dhimitër Beshiri, i cili vinte nga Tirana pothuajse përditë. Prisnim siç pret mali nën dëborë të na nxjerrin në gjyq dhe një ditë na thërresin një e nga një, na morën akt-akuzat dhe Vilsonit i shtuan veç nenit 73/I dhe nenin e “Sabotimit” parashikuar nga neni 72-12 të Kodit Penal. Çdo gjë ishte bërë gati, salla, parullat, populli ishte “sqaruar” dhe sipas planit të Sekretarit të Parë, Sotir Koçollari dhe kryetarit të Degës, Merdar Hasa, prokurorit Qani Lavdari, gjykatësit Subi Sulçe, një muaj e gjysëm më parë ishte marrë vendimi se si do të dënoheshin.
Unë po citoj fjalë për fjalë siç është shkruar në f. 9, gërma ”g” dhe “gj” nga Subi Sulçe:
G : – Mbi jehonën që ka bërë ky gjyq në gjithë rrethin e Librazhdit dhe pjekuria politike dhe ideologjike që manifestuan pjesëmarrësit në gjyq.
Gj : – Mbi diskutimet e pjesëmarrësve në gjyq për dënimin kapital të dy të pandehurve; Vilson Blloshmi e Genc Leka. Plani i masave për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të pandehurve, datë 28.4.1977. Po të njëjtën datë ka dhe protokolli i Sekretarit të Parë Sotir Koçollari. Koçollari thotë ata kanë në mendjen e tyre plane imagjinare, Vilsoni është më i zgjuar dhe nuk e pranon krimin, se e di që e pret plumbi.
Ne kemi dalë në gjyq më datë 6 qershor deri më 12 qershor 1977, gjyqi ishte formal se vendimi ishte marrë në Komitetin e Partisë. Ishte vendosur që Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nuk duhet të jetonin më. Edhe Gjykata e Lartë me kriminelin Aranit Çela, ishin dakort që të pushkatoheshin. Po ashtu dhe trutharët e Presidiumit të Kuvendit Popullor nuk e ndryshuan vendimin, e lanë në fuqi.
Edhe pas tridhjetepesë ditësh, të lidhur kokë e këmbë në qeli, nën vapën përvëluese të korrikut, një tjetër xhelat urdhëron dhe firmos se me datë 17 korrik, në orën 00.00 duhet të ekzekutohen Genc Leka dhe Vilson Blloshmi në vendin e caktuar.
Ja marsi i vitit 2014! Janë plot tridhjeteshtatë vjet që Genc Leka me Vilson Blloshmi nuk janë më. Duhet thënë se gjithë kriminelët e sigurimit dhe terroristët komunistë, gëzojnë shëndet të plotë dhe përkrahje politike dhe ekonomike. Të gjithë atyre që e realizuan këtë skenar askush nuk u kërkon llogari. Gjithashtu të gjitha krimet që janë kryer në Shqipëri, janë pa autor se nuk i detyron askush të japin llogari.
Genci dhe Vilson, jua kam thënë dhe herë të tjera se të gjithë hartuesit e kësaj tragjedie janë shëndoshë e mirë sepse i ka përkrahur dhe pasuruar partia debatikase e udhëhequr nga një sekretar partie, i zgjedhuri dhe i besuari i Sekretarit të Parë, Ramiz Alia, të cilin edhe kur ndali frymëmarrjen partia debatikase, e ka përcjellë në shtratin e topit, në banesën e fundit. Tani po përfundoj o Genci e Coni, është vonë, do ju kujtoj gjithmonë dhe kurrë s’kam për t’ju harruar.
Bedri Blloshmi, 18 Mars 2014, ora 01:00
Ata jane dhe do jenë gjithmonë, ne te gjitha marset, por për ata qe vranë marsin dhe jo Vilsonin e Gencin, do ketë gjithmonë nje mars Te NDEZUR:
Blerimi
RETORIKA LËNDON
[Kam marrë një letër nga z. Nazmi Seitaj, i cili i ka njohur mirë dy poetët, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin; madje ka shkruar edhe një libër për kalvarin e tyre, me titullin Ngadhnjimi i shpirtit. Letrën po e përcjell në vijim (me lejen e autorit, të cilin e falënderoj përzemërsisht), së bashku me materialin që i bashkëngjitet. 2Xh]
Lexova shkrimin Retorika lëndon dhe ndjehem i prekur nga ndjesitë e shkrimit tuaj të sinqertë e të kthjellët, por ndjehem edhe i tronditur nga ajo e vërtetë që ju përmendni: Nëse poetët martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi do t’i rezistojnë apo jo kohës. Meqënëse këta dy poetë kanë qënë miqtë e mi më të dashur ndjehem i përkushtuar t’ju shkruaj me një respekt të thellë për shqetësimin që shprehni. Për këta poetë me fat tragjik është folur shumë por ndonjëherë ngre krye falsiteti dhe hipokrizia. Ndonjë nga politikanët mundohet të fitojë prej tyre kredo politike, ndërsa ndonjë shkrimtar i thekur i monizmit shkruan për ata që të afirmohet si demokrat kur as i regëtinte sado pak zemra ndërsa vriteshin poetët e rinj e të pafajshëm. Ka prej tyre që kanë ngritur kartonat për t’i dënuar dhe sot u thurin lavde. Kësisoj të vjen ndërmend Noli ynë kur shkruan për Franc Shubertin se: na e vranë të gjallë, na e monopolizuan dhe të vdekur.
E vërteta e hidhur e memorialit të tyre në qytetin e Librazhdit, i cili nga dita në ditë rrënohet dhe asgjësohet, rrëfen më së miri edhe harresën ndaj tyre dhe kjo ka të bëjë me kujdesin e shtetit ndaj martirëve por edhe me kulturën njerëzore të një vendi. Por ajo që është edhe më shumë për të ardhur keq, sipas perceptimit tim, forma dhe ideja e memorialit nuk është e realizuar.
A do të harrohen poetët? Edhe pse ata u ndanë nga jeta të rinj dhe jetuan në kushtet e një skllavërie e tiranie nga më të egrat e më barbaret krijuan shumë por ua asgjësuan dhe i vetasgjësuan ato në kushtet e terrorit gjatë kohës së kontrollit nga hetuesia, para se t’i arrestonin. E megjithëkëtë disa nga krijimet e tyre mbetën. Nga ato rrënoja që mbetën ne mundemi të shohim madhështinë e tyre. Jeta e tyre dhe arti i tyre për ato vlera që kanë mendoj se do të mbeten në kujtesën e njerëzve me ndjesi të veçanta. Ata nuk e meritojnë harresën.
MBI TË VËRTETËN E PUSHKATIMIT TË POETËVE GENC LEKA DHE VILSON BLLOSHMI
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, djem të lindur në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, i pari në mars të vitit 1941 dhe tjetri në mars të vitit 1948 ishin kushërinj të parë. Të dy mundën të kryenin vetëm arsimin e mesëm (shkollën pedagogjike Elbasan). Për më tepër, nuk iu dha mundësia, mbasi ata ishin cilësuar nga partia në pushtet si elementë me “biografi të keqe”.
E vërteta është se në Bërzeshtë, si fisi i Lekajve ashtu edhe ai i Blloshmëve, kishin qënë veprimtarë të lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Por mbas çlirimit i ati i Genc Lekës, Bardho Leka, financier me arsim të mesëm pedagogjik, u arratis në Jugosllavi në vitin 1951, ndërsa ishte në marrëdhënie pune si shef finance në ndërmarrjen tregtare shtetërore të qytetit të Librazhdit. Arsyeja e arratisjes ishte se Bardho Leka, përpara se të vinte sistemi komunist, për arsye të disa grindjeve e ofezave, që i patën bërë nja dy kapadainj, i vrau ata me armën e tij dhe nga meraku i ndonjë dënimi të mundshëm ai zgjodhi alternativën e arratisjes.
Fill mbas kësaj ndaj gruas së tij Nergjize Leka dhe tre fëmijëve, Gencit dhe dy motrave të tij, filloi një persekutim i egër. Nergjizja, nëna e Gencit, vinte nga një familje nacionaliste nga Mokra e Pogradecit dhe njërin prej vëllezërve e kishte të arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nergjizen e internuan në kampet e Tepelenës e Lushnjes, ndërsa fëmijët i shpërndanë tek të afërmit e tyre, që t’i mbanin për mëshirë.
Babai i Gencit, Bardhua, edhe pse u arratis, pati ardhur në fshatin e tij të Bërzeshtës me qëllim që të merrte në arrati gruan dhe fëmijët, por nuk mundi ta realizonte këtë për arsye të rezistencës që pati hasur nga e shoqja, e cila kishte merakun se mund t’i kapnin dhe kjo do t’u shkaktonte atyre pasoja më të rënda. Bardho Leka, duke dashur t’u bënte sfidë forcave të ndjekjes, u linte letra në vende të dukshme ku u shkruante se e kishte shkelur kufirin por ata nuk ishin të zotë që ta zinin. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhte, ata e ndiqnin, e rrethonin por nuk mundën ta vinin në çark. Për këtë arsye pushtetarët patën deklaruar se këpucët që po grisnin duke ndjekur Bardhon do t’i paguante i biri, Genc Leka…
Një nga strehuesit dhe mbrojtësit e Bardho Lekës, kur ai vinte e shkelte kufirin ishte Hasan Blloshmi, xhaxhai i Vilson Blloshmit, i cili e kishte Bardhon dajën e tij. Hasan Blloshmi, edhe pse kishte qenë partizan gjatë luftës dhe ndjekës i bandave antikomuniste mbas çlirimit, për shkakun se kishte mbajtur të strehuar Bardho Lekën, u dënua me njëzet vjet burg politik nga regjimi i E. Hoxhës. Vite më vonë u dënua me burg politik edhe babai i Vilsonit për agjitacion e propagandë. Kësisoj fisit të Blloshmëve iu vu damka e kulakut dhe armikut të klasës dhe iu mohua triska e të qenit Anëtar të Frontit Demokratik. Si rrjedhim tashmë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u renditën në kampin e armiqëve të klasës dhe do të luftoheshin sistematikisht nga pushteti në fuqi.
Genc Lekës iu rëndua edhe më biografia e tij, e kur u martua me Zhulieta Robon, një arsimtare dhe kolege e tij, e cila ishte e bija e Koli Robos, ish prefektit të Korçës gjatë regjimit të Mbretit Zogu i Parë. Koli Robo ishte burgosur fill mbas çlirimit dhe vdiq nga torturat në burgun politik të E. Hoxhës.
Genc Leka punoi arsimtar nëpër fshatrat e thella të Librazhdit nga viti 1960 deri në muajin mars të vitit 1966, ndërsa Vilson Blloshmi edhe pse kishte mbaruar arsimin pedagogjik, nuk punoi as dhe një ditë në mësuesi. Ai provoi vetëm punët më të rënda në kooperativën bujqësore dhe atë të minatorit në galeritë e thella të minierave të Prrenjasit. Ndërsa Genci, si e hoqën nga arsimi punoi në ndërmarrjen bujqësore shtetërore të Librazhdit. Të dy këta poetë i dërguan të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak në brigada të rëndomta pune, ku punonin punë të rënda krahu, pa të drejtën për të mbajtur armë luftarake.
Gjatë këtyre viteve të rënda të persekutimit të tyre ata me një stoicizëm të pashembullt lexonin, studionin dhe krijonin në mënyrë intensive gjatë orëve të natës, duke dëmtuar dukshëm shëndetin e tyre.
Përralla se ata bënin sabotime ekonomike në kooperativë, duke hedhur grurin e sapo shirë në lumin e Shkumbinit e profka të tjera si këto, nuk janë veçse një skenar banal e trashanik për t’i dënuar e asgjësuar ata fizikisht. Vetë gjykatësja të cilës ju ngarkua gjykimi i këtij “krimi” nuk pranoi t’i gjykonte ata djem dhe bëri dorëheqjen nga ai proces i sajuar.
Pas kësaj, gjykimi ju ngarkua një gjykatësi tjetër i cili pranoi të ecte në gjurmët e skenarit të realizuar nga një grup pune i Komitetit të Partisë në rrethin e Librazhdit.
Shkëndijë e parë për arrestimin e poetëve u bë martesa e Vilson Blloshmit me një vajzë nga Tirana. Të braktiste kryeqytetin një vajzë e të shkonte për t’u martuar në një fshat të largët malor me një punëtor krahu të deklasuar ishte e padëgjuar.
Pushtetarët e Librazhdit nuk i mbante vendi. Kjo martesë e Vilsonit, talenti i poetëve në fushën e artit dhe studimeve shkencore të tyre i bënte pushtetarët xhelozë dhe ata ishin të gatshëm për t’u shtypur kokat. Partisë në pushtet i duhej ta mbante popullin të nënshtruar e të sundonte ngado në atë epokë kur vendi përjetonte një krizë të thellë ekonomike e politike. Nuk duhet harruar se atëherë vendi ishte në vazhdën e luftës kriminale e absurde që bënte Partia ndaj grupit të ashtuquajtur puçist në ushtri të kryesuar nga ministri i mbrojtjes Beqir Balluku e të tjerë.
Jemi në atë kohë kur pati viktima ngado; në kuadrot e ekonomisë, politikës e në fushën e artit. Uragani i së keqes ishte një zjarr që do të digjte me përmasa të mëdha. Po përgatitej prishja e marrëdhënieve me R. P. të Kinës e pas kësaj do të eliminohej kryeministri i vendit. Lufta e klasave po merrte përmasa të papara. Populli duhej të përgatitej për të gjitha këto, duke u bashkuar rreth Partisë me një unitet të çeliktë. Vendi ynë i vogël socialist duhej t’i bënte sfidë kampit kapitalist e njëkohësisht kampit revizionist.
Vetëm duke e parë në këtë këndvështrim do të kuptohet me qartësi eliminimi i grupit armiqësor të Bërzeshtës dhe pushkatimi i poetëve Leka e Blloshmi. Ndërsa duke e parë si një ngjarje të veçantë e të shkëputur do të na duket si diçka gati absurde dhe e pakuptimtë. Ashtu si ata me poste e me pushtet, Partisë i duheshin edhe viktima të tjera qofshin ata pa pushtet por thjesht të deklasuar, ashtu siç ishin Genc Leka e Vilson Blloshmi, mjafton që t’i vihej fre popullit e të mbahej i nënshtruar. I ashtuquajturi “revolucion socialist” ishte i pamëshirshëm.
Disa herë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë i pat kërkuar rrethit të Librazhdit që G. Lekës, i cili po linte një krijimtari të madhe e me vlera, t’i krijoheshin kushte për punët studimore në gjuhësi, por kjo refuzohej me egërsi nga kuadrot e larta të rrethit. Genci kërkohej edhe nga Radio Televizioni si folës në ekranin e vogël, mbasi kishte konkurruar dhe komisioni ishte mahnitur nga zëri i tij i jashtëzakonshëm, por përsëri nga rrethi i Librazhdit vinte i njëjti refuzim.
Para se të arrestoheshin poetët, në mars të vitit 1976 u arrestua dhe iu kalua për pyetje hetuesisë vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi reth 24 vjeç në atë kohë. E vërteta është se Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u arrestuan katër muaj mbas arrestimit të Bedri Blloshmit, i cili ishte pyetur e shoshitur mirë në hetuesinë e Librazhdit. Gjyqi në fillim vendosi të pushkatohej Bedri Blloshmi e jo Vilsoni, por ndodhi e kundërta. Bedriut ju fal jeta, duke e shkëmbyer me atë të Vilsonit.
Ajo që është shkruar e shkruhet shpesh se G. Leka e V. Blloshmi u pushkatuan thjesht për poezitë që shkruanin nuk është veçse një pjesëz e së vërtetës. Por le të shpresojmë për më të mirën.
Përshëndetje të sinqerta, Nazmi Seitaj. Elbasan
Comments are closed.