Nga ADRIAN THANO, 12 Mars 2013
Mustafa Nano, Mero Baze e Ilva Tare / Kur e kanë takuar për herë të fundit Berishën 3 gazetarë të njohur kritikë të tij: çfarë do t’i thoshin dhe a do t’ia jepnin dorën nëse do ta kishin përballë… Pse Mustafa Nano thotë që do t’i kërkonte Berishës të zbërthente këmishën nëse do ta kishte në studio dhe çfarë pyetjesh do t’i bënte. Çfarë ndodh mes Berishës e Mero Bazes kur përballen në pritje diplomatësh dhe pse Baze thotë që “nëse përdor termat e vendlindjes së tij unë dhe Berisha jemi në gjak”.
Nga Adrian Thano
Personalisht Berishën nuk e kam takuar kurrë. Dhe sinqerisht e them, nuk kam as dëshirën më të vogël të jem përballë tij. Që pas 21 janarit, as si gazetar nuk kam më ndonjë pyetje për t’i bërë. As në telefon nuk kam folur kurrë me të. Disa vite më parë, kur punoja në Shekulli kishim në duar një dosje tenderi në AlbTelekom. Rreth 7-8 milionë dollarë blerje, në mos gaboj, me fonde taksapaguesish, ndërkohë që Albtelekomi ishte thuajse i shitur. Blerësi dhe vlera ishte lajmëruar publikisht.
I shkruajta ministrit të atëhershëm një SMS për ti kërkuar përgjigjen pse duhej investuar në një ndërmarrje tashmë të shitur, ku shkonin këto para; nuk më ktheu përgjigje. I shkruajta po atë natë Berishës një SMS me të njëjtën përmbajtje, shoqëruar me një fjali “nuk majmet kau ditën që therret” a diçka e tillë. Atë natë nuk më erdhi përgjigje, por të nesërmen në mëngjes (shkrimi ishte botuar tashmë) më zgjoi zilja e celularit dhe në ekran pashë emrin e Berishës; nuk e ngrita telefonin duke “djegur” kështu edhe rastin e parë dhe të fundit për të folur në telefon me të.
Këto ditë Berisha iu përgjigj një editoriali të botuesit të MAPO-s që njihet për qëndrimet pro tij, Henri Çilit. Ky i fundit i shkruante që nuk po kishte më angazhimin e mëparshëm televiziv, dhe Berisha i përgjigjej që kishte angazhime të tjera. Por ishte “teresisht i hapur” per cdo gazetar, mbetet “dashnor i fjales se lire, i medias”, etj. (ndonjë nga gazetat proqeveritare në numrin e nesërm, kishte zgjedhur për titull pikërisht këtë fjalinë me “dashnor”).
Më poshtë, po botoj disa pyetje-përgjigje me tri kolegë, Mustafa Nanon, Mero Bazen e Ilva Taren, të cilët i falënderoj që gjetën kohën për “idetë” e mia. Ndjekësit e tyre nuk janë të paktë në publik, por dashnori ka zgjedhur të mos komunikojë me ta. Dhe jo pse ka angazhime. Mendimi im? Ka frikë të përballet me ta. Pse? Sepse këta të tre dhe ndonjë tjetër nuk do t’i lejonin mundësinë të gënjente , siç ia lejojnë ata që zgjedh dashnori për “përballjet me gazetarë”. Ky njeri gënjen kaq shumë sa duket sikur i eshte bere zakon. Kur e degjoj, mendoj shpesh qe nuk mund të jete thjesht gënjeshtar. Ka nje lloj pasioni per genjeshtren. Ndryshe nuk do arrinte të gënjente kaq hapur e kaq dendur.
Mustafa Nano: Do t’i kërkoja të zbërthente këmishën nëse do ta kisha në studio
Muçi, e ke takuar ndonjeherë Berishen?
Po, disa herë. Njëzet e kusur vjet më parë, amá, kur s’kam qenë gazetar. Ndërsa këto vite, takimet kanë qenë 2-3, e fare të shkurtëra. Thjesht një “njajtjeta”. Dhe një shtrëngim dore.
A e ke intervistuar ndonjeherë?
Vetëm njëherë. Për televizionin A1. Por nuk ishte intervistë. Më shumë ishte një lojë televizive, ku unë bëja një pyetje, ai jepte një përgjigje, dhe shkonim më tutje. Ishte një “intervistë” komode për të.
Berisha thotë “jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo gazetari”. Ti ke kërkuar ta intervistosh më pas?
Po, kam kërkuar për ta patur në Déjà vu. Dhe tani në Jamais Vu. Por përgjigja ka qenë: jo, faleminderit.
Dmth ke folur me të në telefon?
Jo, kam folur me njerëzit rrotull tij.
Pse dëshiron ta intervistosh?
Dua t’i bëj ca pyetje që nuk e di pse nuk ia bëjnë kolegët e mi që e kanë intervistuar.
Cila do ishte pyetja e parë që do t’i bëje po ta intervistoje?
S’do t’i bëja pyetje në fillim. Do t’i bëja një kërkesë. Do t’i kërkoja të zbërthente këmishën, në mënyrë që t’na bindte se nuk mban jelek antiplumb; ose t’na shpjegonte pse e mban. Pastaj do t’ia bëja pyetjen e parë: Si është puna që ke ardhur me 101 bodyguard-ë në studion time? (është e sigurtë që me aq bodyguard-ë ka për të ardhur) Po këto janë fantazira, sigurisht. As që ka për t’më ardhur ndonjëherë.
Pse e mendon këtë?
Sepse ai e di arsyen pse unë kërkoj ta intervistoj.
Cila është arsyeja?
Jua thashë. Për t’i bërë ca pyetje që s’ia ka bërë kush.
Iu përgjigjesh “ftesave per gazetarë” që bën Berisha, zakonisht kokteje apo festa të tilla?
Jo, jo. Unë Berishën nuk kam qejf ta takoj. Dua thjesht ta intervistoj. Pastaj, unë nuk është se shkoj nëpër kokteje. Aq më pak mund të shkoj nëpër koktejet e Berishës.
Kur eshte hera e fundit qe e ke patur perballë qofte edhe per t’i dhenë doren?
Duhet të ketë nja 7-8 vjet. Më saktë, në studion e Fevziut, pak ditë pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2005.
Po te mos ishe gazetar, por qytetar i thjeshtë, dhe te ishe përballe Berishes do t’ia jepje doren?
Këtë nuk e di.
**********************
Mero Baze: Ndeshemi në pritje diplomatësh, ndërron vend. Jemi në gjak!
Mero, e ke intervistuar ndonjeherë Berishën?
Po, por jo për dicka shumë vendimtare në jetën e tij politike. Një intervistë të gjatë me rreth 50 pyetje e kam bërë për llogari të një gazetari të Zërit të Amerikës por më pas Berisha nuk autorizoi botimin saj pasi ishte shumë e egër kundër SHBA-së.
Çfarë viti ka qenë?
Ka qenë viti 1998. Kolegu im donte të shkrunate një libër rreth ngjarjeve të vitit 1997 dhe kërkonte që Berisha t’u përgjigjej shumë çështjeve prej të cilave ai do citonte në libër.
Berisha thotë “jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo gazetari”. Ti ke kerkuar ta intervistosh më pas?
Po. Por gazeta Tema është e ndaluar edhe të akreditohet në Kryeminsitri. Më vjen për të qeshur kur lexoj që thotë: “jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo gazetari. As shoferin e gazetës nuk lënë të hyj në konferencat e tij.
Cila do ishte pyetja e parë që do t’i bëje po ta intervistoje?
Tani jam në një moshë dhe stazh pune sa nuk kam asnjë pyetje për Berishën. Kam vetëm një përgjigje për të. Duhet të ikë!
Iu përgjigjesh “ftesave per gazetarë” që bën Berisha, dmth shkon në kokteje apo festa të tilla?
Prej vitit 2007 Berisha nuk më ka bërë asnjë ftesë as edhe formale për konferencë shtypi apo pritje.
Kur eshte hera e fundit qe e ke patur perball qofte edhe per ti dhënë doren?
Ndeshemi shpesh nëpër pritje të diplomatëve kryesisht.
E çfarë ndodh?
Ai ndërron vend kur më shikon.
Po te mos ishe gazetar por qytetar i thjeshtë dhe të gjendeshe perballe Berishes do ia jepje doren?
E kam të vështirë të vihem në këtë rol dhe aq më tepër ta mendoj se çfarë mund të bëj. Di që po më doli përpara tani mund të jetë diçka e pakëndshme për të dy. Ka shkuar shumë larg në persekutimin polik që ka bërë ndaj meje, të afërmve të mij dhe gazetës. Thjesht nëse përdor temrat e vendlindjes së tij “jemi në gjak”.
**********************
Ilva Tare: Kam kërkuar më kot dy vjet rresht që ta intervistoj
Ilva, sa herë e ke takuar apo intervistuar Berishën?
Disa herë që prej moshës 18 vjecare kur punoja në Televizionin Publik Shqiptar dhe sidomos gjatë fushatës së zgjedhjeve të 29 Qershorit 1997. E kam intervistuar dhe z.Berisha ka qenë gjithmonë miqësor përpara kamerës
Berisha thotë “jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo gazetari”. Ti ke kërkuar kohët e fundit ta intervistosh?
Kam kërkuar ta takoj këto dy vitet e fundit, por me sa duket angazhimet e shumta si Kryeministër nuk ja kanë mundësuar ende kohën për të shkëmbyer një bisedë me mua
Iu përgjigjesh ftesave për gazetarët, tip kokteje e përvjetore që bën Berisha, dmth a shkon në to?
Sa herë mundem shkoj edhe pse në përgjithësi janë takime formale dhe Kryeministri është shpesh i rrethuar nga po të njëjtët gazetarë që e kanë derën të hapur edhe në zyrën e tij
Kur është hera e fundit qe e ke patur perballë qoftë edhe per t’i dhënë dorën?
Në ceremoninë e perurimit të Konsullit të Nderit të Meksikës në Shqipëri, z.Ylli Ndroqi 10 ditë më parë
Cila do të ishte pyetja e parë që do t’i bëje po ta intervistoje?
Do ta mendoj pasi të kem konfirmuar intervistën me z.Berisha. Ndoshta do nisja me arsyen e mungesës së gjatë në studion time.
Po të mos ishe gazetare, por qytetar i thjeshte dhe të gjendeshe përballë Berishës do t’ja jepje dorën?
Nuk mund ta them. Nuk e kam takuar anjëherë Berishën si qytetare, por si gazetare
**********************
Berisha: Unë jam një dashnor i mediave…
Pjesë nga letra e hapur e Sali Berishës për Henri Çilin, pasi ky shkroi se Berisha po heziton të dalë në ekrane:
“…Por është e vërtetë se unë kam ndryshuar formën e komunikimit me mediat. Nga biseda në studio unë kam kaluar në takime mujore tërësisht të hapura, jo për një apo tre gazetarë, por me shumë gazetarë, pa dallim, të të gjitha mediave të shkruara dhe elektronike që ndjekin veprimtaritë e qeverisë, në të cilat ata janë të lutur të pyesin për çdo gjë që duan… Unë kam vlerësim të veçantë, mirënjohje dhe respekt të palëkundur për emrat e drejtueseve të emisioneve që ju citoni në shkrimin tuaj, dhe në tërësi kam qenë i hapur dhe mbetem gjithnjë i hapur ndaj tyre……Unë jam një dashnor i fjalës së lirë, për rrjedhojë dhe i mediave të shkruara dhe atyre elektronike, por natyrisht obligimet e mia nuk më lejojnë asnjëherë të jem disponibël…” etj
BOTUAR SOT NE DITA