Tri iluzionet për Kosovën

0
36

Nga Augustin Palokaj, Koha Ditore

Ka filluar një fazë e re e raporteve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, një fazë, e cila mund të quhet si hyrje në një status quo të ri. Siç shihet në raportet e fundit të progresit, që për vendet e rajonit i ka nxjerrë javën që shkoi Komisioni Evropian, por edhe nga “komunikimi” për Kosovën, BE ka propozuar rrugë të reja eksperimentale për “angazhimin” e Kosovës me Bashkimin Evropian. Pos që Kosovën e nxjerrin bindshëm si vendin më problematik, ku politika përzihet në media, gjykatë dhe pengon edhe hetimet për krim të organizuar, këto raporte politikisht e godasin rëndë Kosovën. Për shembull, në raportin për Serbinë si fakt thuhet se “qeveria e Beogradit i mban organet paralele në Kosovë” dhe askund nuk kërkohet nga Serbia që të mos e bëjë këtë.

Nuk mund të kërkohet, sepse për 5 shtete të BE “Kosova është provincë e Serbisë”. Pse 22 vende të BE mendojnë ndryshe, kjo s’ka rëndësi, sepse në BE gjithmonë fiton pakica, nganjëherë edhe për shkak të heshtjes së shumicës. Në raportet për Kosovën konstatohet se “dallimet rreth pjesëmarrjes së saj në nismat rajonale po paraqesin pengesa për këto nisma”. As këtu nuk thuhet se është Serbia ajo që po pengon dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilën Serbia e detyron që ta pengojë Kosovën po ashtu. Askund nuk përmendet ndonjë pasojë për ata që pengojnë Kosovën. Dhe, që është edhe më skandaloze, kërkohet nga Kosova që të jetë më konstruktive sa i përket përfaqësimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare nga ana e UNMIK. Pra, kërkohet nga Kosova që edhe vetë ta mohojë pavarësinë e saj.

Kemi një situatë, ku Kosova, BE dhe Serbia kanë iluzionet e veta të kuptimit të kësaj situate. Në realitetin e komplikuar të Kosovës kemi në fakt forcimin e këtyre tri iluzioneve. Iluzionin e vetë Kosovës se BE po na i hap dyert dhe na trajton si të gjitha shtetet e tjera të rajonit, iluzionin e BE se nuk ka nevojë ta trajtojë Kosovën si shtet, sepse edhe pa këtë mund t’i arrijë të gjitha qëllimet e saj në Kosovë dhe iluzionin e Serbisë se përmes bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale dhe integrimet evropiane do ta detyrojë Kosovën të ulët përsëri të negociojë me Beogradin. Është e tmerrshme se sa të tria palët besojnë në qëndrimin e tyre.

Iluzioni i Kosovës

Në Kosovë është keqkuptuar propozimi i fundit i Komisionit Evropian, i paraqitur në atë që është dashur të ishte “studim fizibiliteti” e në fund u shndërrua vetëm në “komunikim” për Kosovën. Vërtet ai dokument përmendi disa “mundësi eventuale” siç janë “negocimi i Marrëveshjes tregtare” dhe “dialogun që mund të çojë eventualisht në liberalizimin e vizave”. Por në asnjë vend ai dokument nuk flet për “integrimin e Kosovës” në BE. Flet vetëm për “angazhimin”, sepse kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës në BE janë shumë agresivë dhe ndërhyjnë, sa herë që përmendet ndonjë fjalë që mund të lërë përshtypjen se Kosova trajtohet si të gjitha vendet e tjera të rajonit. Sa i përket “Marrëveshjes tregtare” në të njëjtin, ta quajmë dokument, thuhet se Kosova nuk i përmbush kushtet për negocimin e saj.

Sa i përket “Liberalizimit të vizave” këtu bëhet mashtrimi më i madh dhe më i turpshëm për kosovarët dhe në këtë mashtrim po marrin pjesë edhe autoritetet e Kosovës. Në kohën kur shteteve të tjera BE po ua heq vizat, duke i lënë kosovarët si evropianë të rendit të tretë, Kosovës i ofrohet një dialog, i cili për fillim do të ketë si pasojë kthimin e dhjetëra-mijëra kosovarëve nga vendet e Evropës, disa qindra apo mijëra të burgosur kosovarë që janë dënuar në vendet e BE dhe duhet të lirojnë kapacitetet e burgjeve evropiane për të ardhur për ta vuajtur dënimin në vendlindje. E përfshirja e Kosovës në liberalizimin e vizave përmendet vetëm si “diçka që mund të ndodhë eventualisht!!!”

Ja se si mund të kuptohet ku është Kosova në raport me BE. Procesi për vendet e tjera është kështu: Së pari bëhet “studimi i fizibilitetit”, përmes të cilit Komisioni Evropian jep përgjigjen, nëse një vend është i gatshëm për të negociuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE. Pas kësaj nisin negociatat, nënshkruhen marrëveshjet, ato ratifikohen dhe hyjnë në fuqi. Këtë e kanë bërë deri tash të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit e Kosova, jo vetëm që nuk e ka bërë, por nuk i afrohet fare. Pas kësaj është procesi i anëtarësimit. Një vend aplikon formalisht, Këshilli i BE mandaton Komisionin për ta përgatitur opinionin, komisioni jep vlerësimin, nisen negociatat, përmbyllen, nënshkruhet Marrëveshja e anëtarësimit, ratifikohet dhe pastaj vendi bëhet anëtarë i BE.

Të gjitha shtetet e rajonit janë, ose duke pritur përfundimin e negociatave të anëtarësimit (Kroacia), ose duke pritur datën e dosjes së këtyre negociatave (Maqedonia), ose në procedurë të përpilimit të mendimit të Komisionit (Mali i Zi), ose në fazën e diskutimit në Këshillin e BE për aplikacionin formal për anëtarësim (Shqipëria), ose në pritje të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes SAA dhe dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim (Bosnjë-Herce¬govina dhe Serbia). Krahasoni këto me atë që i ofrohet Kosovës dhe do ta shihni se Kosovës i ofrohet mjegull syve nga BE e këtë mjegull politikanët kosovarë e shndërrojnë në hi dhe popullit të vuajtur, me ndjenjë të të izoluarit, u hedhin hi syve. Kosovës nuk i ofrohet asgjë formalisht, sepse Kosova për BE nuk ekziston formalisht. Është ende si një pllakë e regjistrimit të veturave si Kosovo/UNSC 1244. Dokumentet e fundit të BE rrisin druajtjen se BE po e kupton si akt të kryer faktin se nuk ka nevojë ta njohë Kosovën si shtet, duke përfillur kështu vullnetin e pakicës në BE, e cila, siç shihet në raportet e fundit, ka qenë shumë më aktive sesa 22 vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Iluzioni i BE

Bashkimi Evropian ndërkaq ka krijuar dhe forcuar iluzionin se mund të bëjë çfarë të dojë në Kosovë dhe me Kosovën dhe nuk ka nevojë fare ta trajtojë Kosovën si shtet. Këtë e bazojnë në vetë bindjen se EULEX është në Kosovë dhe po punon sipas planit, se Përfaqësuesi i lartë i BE në Kosovë dhe zyra e tij po punojnë pa problem dhe se kosovarët edhe ashtu e dinë se kanë “një të ardhme evropiane në kuadër të së ardhmes evropiane të rajonit”. Aq më tepër në dokumentet e BE flitet për “afrimin e Kosovës me Evropën” në disa pjesë, sikur Kosova të mos ishte në Evropë, por duhet të afrohet. Rasti i parë i Marrëveshjes së EULEX me Beogradin tregoi se nuk do ta ketë lehtë BE. BE në terren në Kosovë rrezikon edhe më shumë tani, kur po e pranon ndarjen si akt të kryer dhe njëlloj po e konsideron edhe praninë e qeverisë së shtetit fqinj, Serbisë, e cila ushtron pushtet në një pjesë të Kosovës.

BE po has në shumë probleme dhe komplikime në terren në Kosovë si pasojë e komplikimeve politike në Bruksel. Dhe BE, pa marrë parasysh lojën e fjalëve, me të cilat po orvatet t’u krijojë kosovarëve një iluzion për “dyert e hapura ndaj Evropës”, e di se nuk mund ta integrojë Kosovën pa e njohur atë si shtet. Sipas traktateve në fuqi, e kështu do të jetë edhe me Traktatin e Lisbonës, vetëm shtetet e njohura nga të gjitha shtetet anëtare të BE do të mund të kenë perspektivë anëtarësimi me BE dhe mundësi të raporteve kontraktuale. E Kosova nuk është ende e tillë. Iluzion i BE mund të quhet edhe iluzioni se mund t’ua shesin kosovarëve iluzionet e tyre. As politikanët, të cilët kanë rastisur të jenë të zënë me fushatën zgjedhore, dhe u konvenon të krijojnë përshtypjen se “jemi në prag të heqjes së vizave dhe anëtarësimit të shpejtë në BE” nuk besojnë në këtë gjë. E populli do ta kuptojë dalëngadalë se BE, së paku për disa vite, do ta ketë prioritet pengimin e largimit të kosovarëve nga Kosova për në BE e jo ndihmën për kosovarët që të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE që po e uzurpon për vete edhe termin “Evropë”.

Iluzioni i Serbisë

Në gjithë këtë situatë Serbia ka krijuar një iluzion po aq të rrezikshëm. Ai është i bazuar në faktin se Serbia vërtet, pa pasoja për vete, ka arritur të pamundësojë pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale. Ka arritur ta ketë pas vetes edhe Bosnjë-Hercegovinën (të cilën Serbia e shantazhon përmes entitetit Republika Srpska) në izolimin rajonal të Kosovës. Përmes ndihmës nga Spanja e Qiproja, nganjëherë edhe nga Rumania, ka rritur të parandalojë edhe afrimin e Kosovës me BE dhe përfshirjen e Kosovës në projektet dhe proceset që i bën BE për rajonin, siç është heqja e vizave dhe Procesi i Stabilizim-Asociimit. Në këtë mënyrë Serbia ka arritur të rrisë edhe numrin e shqiptarëve të Kosovës që duan pasaporta të Serbisë, po të kishin mundësi të udhëtonin me to në vendet e BE pa viza.

Kështu, Beogradi, siç shprehet edhe Oliver Ivanoviç (nëpunës në Ministrinë e Serbisë për Kosovën dhe Metohinë), ka filluar të besojë se, si pasojë e bllokadës, në të cilën gjendet Kosova, ajo do të detyrohet të ulet në tryezë dhe përsëri të bisedojë me Beogradin për status. Ivanoviç nganjëherë duket sikur flet në emër të BE. Aq shumë ka filluar të besojë se “Kosova është pjesë e Serbisë”, saqë tash thotë se edhe Maqedonia “herdo kurë do të duhet të ulet të bisedojë me Serbinë” për kufirin me Kosovën. E këto po ashtu janë iluzione që, ndonëse po i bëjnë dhe do t’i bëjnë dëm edhe Kosovës, edhe BE, nuk do t’i ndihmojnë as Serbisë. Serbia nuk ka lëvizur sa duhet në integrimet evropiane, saqë të hasë në kushtëzime rreth Kosovës. Por, sa më shumë të afrohet, aq më shpejt do ta ndjejë këtë presion.

Mes 22 shteteve që e kanë njohur Kosovën, do të gjenden disa që do ta pengojnë Serbinë, nëse Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën. Fundi i fundit, vetë Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka edhe kushtëzimin e “bashkëfqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal”. E për shtetet që e kanë njohur Kosovën, Kosova nuk është pjesë e Serbisë, por janë dy shtete fqinje. Kështu do të kemi një situatë, ku shtetet e BE më nuk do të pajtohen as rreth Kosovës e as rreth Serbisë. Sa i përket numrit të shteteve në botë që e kanë njohur Kosovën, ai numër është i vogël, por nuk do të zvogëlohet. Mund vetëm të rritet. Kjo mund të ndodhë ngadalë, por do të ndodhë gjithsesi. Prandaj, edhe Serbia do të duhet ta njohë realitetin herdo kurë. Iluzionet nuk i kanë sjellë as Serbisë ndonjë të mirë, por u kanë sjellë fqinjëve të saj shumë të këqija.