Arben Çokaj, 22 maj 2015
Botuar në gazetën TemA, 26.05.2015
Për Bashkinë Shkodër, konkurrojnë zonjat Keti Bazhdari (PS) dhe Voltana Ademi (PD)
Zgjedhjet lokale po i ndezin motorët e fushatës, ndonëse prezantimi i kandidatëve dhe njohja e tyre me zgjedhësit e 61 bashkive të reja në Shqipëri, ka kohë që ka filluar. Si asnjëherë më parë, në këtë fushatë të zgjedhjeve lokale konkurrojnë më shumë gra e vajza se herët e tjera, qoftë për kryetare bashkie, e sidomos për në këshillat bashkiakë. Në Shkodrën e kulturës, por disi më konservatore se kryeqyteti, çuditërisht konkurrojnë 2 zonja për kryetare bashkie. Keti Bazhdari nga Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe Voltana Ademi nga koalicioni Punë e Dinjitet (PD). Ky është emancipim politik!
Pamje nga dekorimi i qytetit Shkodër me flamuj nga PD e PS
Por, ajo që bie në sy, që në fillimet e para-fushatës, është edhe një frikë e brendshme e dy kandidateve për humbjen e mundshme, e shprehur kjo edhe me një histeri të dukshme në dekorimin e qytetit, me flamuj të shumtë të të dy krahëve politikë, tepër e panevojshme dhe irrituese për vetë zgjedhësit në Shkodër, pasi njerëzit kanë hallet e tyre të përditshme, papunësinë e varfërinë, që u troket përditë në derë, dhe nuk është se e kanë mendjen fort tek entuziazmi, disi i shfrenuar i kësaj fushate zgjedhore.
Në Shkodrën e humorit, kjo tip fushate pa vizion, po ironizohet nga qytetarët, duke aluduar për çmimet e tregtarëve të flamujve partiakë. Një gazetar lokal shkruan në rrjetin social edhe për çmimet e vëna, për vendosjen e flamujve – 300 Euro, për t’i ruajtur ata – 500 Euro dhe për të shkulur flamujt e kundërshtarit politik – 1000 Euro çmimi! Kjo tregon për ankthin e shprehur nga të dyja kandidatet dhe ekipet e tyre.
Me datën 20, në mbrëmje, në Këmbësoren e qytetit, Keti Bazhdari si kandidate e PS-së, prezantoi edhe programin e saj në qendër të Shkodrës, ku ajo foli edhe për projektet e saj, nëse vjen në krye të Bashkisë Shkodër. “Projekte disi galaktike” – u shpreh një qytetar, mbështetës tradicional i PS-së, i mbetur pa punë deri tani. “Po mirë, nëse bëhen 70% e këtyre, ne nuk e hamë më thatë!” – vazhdoi ai. Ndërsa Keti e stafi i saj foli për projekte në të gjitha fushat, ndër tjera edhe për një superstradë me Velipojën, tepër e domosdoshme, sidomos tani kur Shkodra e Velipoja janë e njëjta Bashki, dhe për një rrugë me Dukagjinin, e një pistë të skive atje, gjë që edhe mund të bëhet, në bashkëpunim me biznesin privat. Ndërsa Voltana mbajti një takim në teatrin “Migjeni” me datën 21, duke treguar kështu tërheqje.
Voltana mbahet si favorite në Shkodër, në krahasim me Ketin, pasi në 25 vjet, Bashkia Shkodër është fituar vetëm nga PD. Por ka mundësi që kjo traditë të përmbyset, nëse Keti tregohet e besueshme me projektet e saj, dhe e lidh Shkodrën me Tiranën edhe me një hyrje tjetër për në qytet; nuk lejon që vota e saj të preket nga hajnat e votës, siç ka ndodhur më së shumti nga PD; dhe përdor më shumë pará në fushatë. Se dashje pa-dashje, fushatat tona ngjajnë me ato amerikane. Kur e pyeta një intelektual shqiptar në SHBA, se kush do i fitonte zgjedhjet e fundit presidenciale atje, Obama apo Romni? Ai pa hezitim tha, Obama. Pse? Sepse ai ka mbledhur më shumë fonde për fushatën… Edhe Keti duket se po luan më shumë para në fushatë, ndërsa për flamujt dekorativë, dega e PD-së Shkodër po ankohet, se po ia zënë sheshet… Flamujt partiakë, jo projektet, duket deri tani se janë “lufta e gjelave” në Shkodër.
Si Vangjush Dako në Durrës, edhe Keti mundet të përdorë taktika elektorale të ligjshme, për të maksimizuar votat në favor të saj. Prej rreth 44 000 dosjeve, që ka regjistruar zyra e Aluiznit në Shkodër, sikur 10 mijë legalizime falas të jepeshin këto ditë për banorët e Bashkisë Shkodër, apo të Malësisë së Madhe, kjo do të përkthehej në minimalisht 15 mijë vota për Ketin me 21 qershor, gjë që do e nxirrte atë fituese, padyshim. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare me reformat e saj, do të tregonte edhe fytyrën e saj njerëzore, se nuk është aty vetëm për të marrë pagesat e prapambetura të energjisë elektrike, por edhe për të dhënë. Në këtë rast, realizon edhe një nga premtimet për legalizime falas, që përkthehen edhe në vota për të zgjedhurit lokalë, e jo vetëm indinjatë për penalizimet e OSHEE-së.
Po ashtu, Keti, duhet të dijë se çfarë ‘specialistësh’ ofron për punët e Bashkisë, pasi prezantimin e projektit për Bashkinë dixhitale në Shkodër, e paraqiti Agron Brijaj, ish-kryetar i degës së doganës Shkodër. Agroni as nuk di të sqarojë, e as ta bëjë këtë projekt dixhitalizimi, pasi ai nuk ka ditur as të jetë transparent, e të sillet në respekt me ligjin në detyrën, për të cilën është paguar si kryetar dogane.
Për Bashkinë Malësi e Madhe, konkurrojnë z. Tonin Marinaj (PS) dhe z. Anton Kokaj (PD)
Ndryshe është puna në Bashkinë Malësia e Madhe. Nën frymën e entuziazmin patetik a’la PD, Anton Kokaj e ka filluar fushatën me kohë, duke bërë takime me zgjedhës dhe duke i nxjerrë si speciale në TV-të lokale. Duke harruar se ai shoqërohej e mbështetej nga njerëz të kompromentuar, të njohur në Malësi për aktet e tyre abuzive si zyrtarë lokalë të PD-së, Anton Kokaj me njerëzit rreth tij synuan të pasqyronin përbërjen e tyre të dyshimtë mbi mbështetësin e kandidatit tjetër, Tonin Marinaj, i cili për nga natyra është një tip i qetë, serioz e me cilësi njerëzore më të lavdërueshme dhe favorit për ta fituar Bashkinë Malësi e Madhe. Kjo duket edhe nga sfumimi, që Tonini i bëri fushatës patetike të Antonit.
Nisur nga një prirje e natyrshme për të kuptuar malësorët në hallet e tyre, qoftë edhe në indinjatën e tyre për reformat e qeverisë, për pagesën e energjisë elektrike dhe pakënaqësitë, që ata kanë për mos-shitjen e produkteve bujqësore këtë vit, Tonini synon një fushatë modeste, me buxhet të vogël, pa treguar entuziazëm të panevojshëm, apo të bëjë premtime të parealizueshme për elektoratin e Bashkisë Malësi e Madhe. Antoni kështu e ndali turrin, por jo ëndrrën e tij për ta fituar bashkinë.
Në ndryshim nga Shkodra, ku konkurrojnë dy zonja, në Malësinë e Madhe konkurrojnë dy zotërinj. Dhe ndërsa në Shkodër, rrugët u mbytën nga flamujt partiakë, në Malësinë e Madhe, kandidatët i kanë kursyer paratë në këtë drejtim. Kështu duhet! Pse të harxhohen kaq shumë para në fushatë? Kandidatët kanë vijuar me një fushatë klasike, takime me njerëz e me mbështetës të tyre, për të siguruar një votim maksimal. Tani fushata ka taktikat e veta elektorale dhe performanca e dy kandidatëve malësorë, do të vijë me siguri duke u intensifikuar në ditët në vijim, ku do të bëhet edhe dallimi në mes tyre.
Ndërsa Anton Kokaj duhet të fillojë të artikulojë premtimet e tij në fushatë, pasi deri tani, për të kanë folur vetëm disa mbështetës të tij dhe deputeti i PD-së Bzheta, Tonin Marinaj do të duhet të performojë më qartë pjesë të Platformës së tij për zhvillimin e Malësisë së Madhe, sidomos tani kur bashkia mund të bëhet edhe Zonë e Lirë Ekonomike, pas një premtimi nga Kryeministri Rama. Tonin Marinaj, përveç cilësive personale dhe respektit më të madh, që shumë malësorë gëzojnë për të, për traditën familjare dhe ndihmën e kontributin e tij ndaj tyre, ka në mbështetje të tij edhe deputetin e PS-së, Paulin Sterkaj, një njeri mjaft serioz dhe rezultativ, qoftë me zgjedhjen e tij për herë të tretë si deputet, por edhe me investimet, që ai ka sjellë në Malësinë e Madhe, si mbështetje nga qeveria shqiptare.