Skënder Minxhozi
Në janar 2007, në mesin e një krize të thellë politike si kjo e sotmja, ndodhi diçka që s’dihet pse, të vjen ndërmend edhe sot, kur sheh skemën e shëmtuar që po luhet me zgjedhjet. President në atë kohë ishte Alfred Moisiu, ndërsa Kryeministër zoti Berisha. Për ata që e kanë harruar atë periudhë kohore të mbarsur me tension dhe retorikë luftarake, Berisha thirri në Pallatin e Brigadave për një takim publik ish-armikun e tij historik, Fatos Nano. Qëllimi zyrtar: të diskutohej për krizën! Diçka e habitshme, në momentin kur tryeza e partive ishte mbledhur prej orësh në zyrën e Presidentit Moisiu, aty ku edhe u arrit në fakt kompromisi që i çoi palët në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007.
Kjo copë historie vjen e rishfaqet edhe një herë sot, në kushte dhe rrethana të tjera, por me një kod të njëjtë diversioni ndaj kreut aktual të shtetit. Dalja publike e Fatos Nanos në media tri ditë më parë ka pasur një mesazh të qartë paralajmërues ndaj Presidentit Topi, tani që ai po përgatitet të iniciojë një tryezë për zgjidhjen e krizës politike. Ashtu si në janar të 2007-s, edhe sot Nano rishfaqet në debatin politik, për të paralajmëruar me praninë e tij Presidentin dhe për të sugjestionuar me mesazhet e tij turbulluese opozitën. Tani që mandati i Bamir Topit ka konsumuar gjysmën e rrugës së tij, kalkulimet, thashethemet, lajme të qena dhe të paqena dhe gjithfarë komplotesh të vogla e të mëdha as lidhen me të, nuk mund të mos e tërheqin vëmendjen e kreut të shtetit. Ajo që shohim këto orë është pjesë e kësaj zhurmnaje që kërkon t’i çojë “haber” kryetarit të shtetit, se nuk është ai personi që do të vendosë në lidhje me krizën aktuale.
Duket në fakt si libri i Xherom Xheromit, “Tre veta në një varkë”: Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatos Nano. Të tre së bashku një aleancë për shumë vite të mohuar, me gjithë provat e herëpashershme që shfaqeshin aty-këtu dhe më në fund, pas rokadës së vitit 2005 e zgjedhjeve të fundit të 28 qershorit, të deklaruar publikisht. Tre veta, jo rastësisht armiqtë më të betuar politikë të 20 vjetëve të fundit, ndodhen sot në varkën me “pronar” Sali Berishën, por që ka mbledhur prej kohësh edhe ata të majtë që nuk e kanë më problem të thonë se nuk do ta votojnë më partinë e tyre.
Axhenda e sotme politike, e cila buron nga interesat e partive kryesore shqiptare, ka modeluar aleanca të dukshme dhe të padukshme, ndër të cilat ajo Berisha-Nano-Meta është më e pamoralshmja. Ky koncert figurash që përqeshin cilindo që u kujton se çfarë ishin dhe çfarë thoshin dikur për njëri-tjetrin, është sot triumfi i një linje politike që i përthyen qëndrimet, fjalët dhe veprat sipas pragmatizmit më ekstrem të mundshëm, brenda të cilit secili është edhe hero edhe maskara, edhe armik për t’u asgjësuar me çdo kusht, edhe aleat për t’u mbajtur pranë me të gjitha mjetet.
Procesi politik i zgjidhjes së krizës gjen sot tek kjo aleancë fluide, kundërshtarin më të fortë, për arsyen e thjeshtë sepse askujt në atë vitrinë nuk i duhet zgjidhja e krizës, por i duhet përfitimi politik prej saj. A mund të besohet për shembull se Ilir Meta ndjehet mirë në momentin kur Berisha dhe Rama do të diskutojnë dhe eventualisht do të zgjidhin kolapsin institucional që zgjat prej qershorit?! A mund të besohet që Nano të pëlqejë një kompromis politik që do ta nxirrte, me rezultatet e tij të mundshme, në marzhet e vendimmarrjeve të ardhshme, përfshi atë të Presidentit? A mund të besohet se Kryeministri do të pranonte një zgjidhje që do të dalë sadopak jashtë kornizës që ai ka parashikuar prej kohësh, e cila kërkon kthimin pa asnjë kusht të opozitës në Parlament dhe moshetimin e zgjedhjeve?
Përgjigjet e pyetjeve të mësipërme na çojnë në thelbin e komplotit të vogël që po luhet këto orë, me qëllim dëmtimin, ende pa nisur, të nismës së ardhshme të Bamir Topit, të kërkuar nga ndërkombëtarët. Kreu i shtetit ka rastin ta peshojë me qetësi këtë gossip politik që e rrethon, pa rënë në kurthin e vjetër ku nuk ra paraardhësi i tij. Kjo lojë duket shumë më e gjerë sesa ajo që shihet në faqet e shtypit dhe ekranet televizive. Edhe faktorët që e kontrollojnë atë, dalin shumë përtej “radhëve të qumështit”, ku vazhdojnë të presin prej vitesh të njëjtët persona.