Tre të vrarë dhe tre pushtete të vdekur

0
34


Nga Mero Baze

Pas vrasjes së tre qytetarëve, Sali Berisha kishte vetëm një mënyrë të tejkalonte ekstremizmin e krizës politike, të bënte aleancë me gjithë pushtetet në vend dhe pas kësaj të arrinte të bindte opozitën së bashkë me këto pushtete të uleshin në bisedime për t’i dhënë fund ndarjes së thellë politike në vend dhe respektit për qytetarët e vrarë. Megjithëse do të ishte pak e vështirë, por fëmijet e Ziverit, Faikut apo Hekuranit do të ndjeheshin më të qetë për ikjen e prindërve të tyre kur të shikonin në ekran Sali Berishën apo Lulëzim Bashën. Do të ndjeheshin më të respektuar dhe më të vlerësuar për jetën e humbur të prindërve të tyre. Dhe natyrisht mund të shmangnin atë që duhej shmangur doemos në këtë vend, urrrejtjen që lind nga krimi politik.

Sali Berisha nuk e bëri këtë. Duke e llogaritur vrasjen e tre qytetarëve si një skenar të zakonshëm, ai tentoi ta thjeshtonte skenarin duke akuzuar për vrasjet opozitën dhe kur nuk arriti ta bëjë këtë, në vend që të kërkonte aleatë për të ulur gjakrat, u shpalli luftë gjithë institucioneve të shtetit shqiptar, pushtetit të Presidentit, pushtetit gjyqësor dhe medies shqiptare. Edhe pse këto tri pushtete respektojnë pavarësinë e njëri- tjetrit, sot të tre këto pushtete Sali Berisha i ka bashkuar në mënyrë të dhunshme dhe artificiale kundër tij. Një ditë më parë Sali Berisha, dhe dje pasdite urdhëruesi administrativ i vrasjeve, Lulëzim Basha, dëshmuan para Komisionit poltik të Puçit, se janë në luftë me të tre pushtetet e tjera në Shqipëri.

Tani të gjitha thirrjet banale për zgjidhjen e krizës shqiptare duhet të marrin doemos parasysh këtë realitet. Ka shumë njerëz që kritikojnë presidentin pse është i butë dhe nuk i “kthen pushkë” Berishës?! Do të ishte absurde ta bënte këtë. Edhe kaq i heshtur sa ç’është Presidenti, Berisha po e konsideron atë puçist. Ka shumë zëra që thonë pse nuk vepron Ina Rama! Po kundër kujt të veprojë kryeprokurorja, kur perversiteti i kryeministrit arrin deri tek ndërrimi i rojeve personale të sa, për të përgjuar dhe jetën e saj private?

Ka shumë zëra që thonë përse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët? Po ç’u ka ngelur tjetër të bëjnë ata veçse të dërgojnë forcat ndërkombëtare në Shqipëri dhe ta izolojnë këtë njeri. Ka shumë zëra që thonë pse nuk reagon më egër media. Po ç’t’i bëjë më media këtij njeriu veç të transmetojë ato marrëzi që ai vetë thotë pa pasur frikë më as nga vetja e tij. Pra, jemi në një situatë kur gjithë pushtetet e tjera mbi të cilat mbështetet funksionimi i një republike normale janë paralizuar, pasi ai u ka shpallur luftë për tu hequr të drejtën e funksionimit kundrejt tij.

Për të mbuluar përgjegjësinë që ai ka për tre vrasjet në bulevard, së bashku me ekzekutuesin administrativ të vrasjeve Lulëzim Basha, ai ka vdekur tre pushtete e tjera në vend dhe e ka futur krizën shqiptare në një spirale pa kthim.

Të gjitha thirrjet që vijnë nga Perëndimi për një ulje gjakrash dhe bisedime mes Ramës dhe Berishës janë të kota. Në një Republikë normale demokratike, do të ishte super grusht shteti nëse sot Berisha dhe Rama merreshin vesh dhe pushtetet e tjera në vend mbeteshin të fyera dhe të etiketuara si puçiste. Kriza ka hyrë në një spirale pa kthim, pasi as Presidenti Bamir Topi, as kryeprokurorja Ina Rama, as unë dhe kolegët e mi gazetarë të “supervlerësuar” si “puçistë” nuk kemi asnjë mekanizëm ligjor të vëmë nderin në vend përballë këtij horrori akuzash veçse t’i drejtohemi shoqërisë shqiptare për të votëbesuar ose tri pushtetet e asgjësuara nga Sali Berisha, ose Sali Berishën.

Çdo përpjekje për ta thjeshtëzuar krizën shqiptare si rivalitet Berisha- Rama është një gabim i rëndë dhe një lojë e ndyrë e Sali Berishës. Kriza shqiptare është krizë mes Republikës së Sali Berishës dhe Republikës së Shqipërisë dhe këtë krizë e zgjidh vetëm shoqëria shqiptare me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe nëse nesër pajtohet Rama dhe Berisha dhe ndajnë pushtetin, ky vend nuk mund të ringrihet nëse nuk ndëshkohet fyerja dhe poshtërimi që ju bë presidentit të Republikës, kryeprokurores, kryetarit të SHISH, medies dhe faktorit ndërkombëtar.

Nëse ne duhet të jetojmë në një republikë normale, ne duhet të votëbesojmë ose Republikën e Shqipërisë, ose Republikën e Sali Berishës. Nëse fiton opsioni i Republikës normale të Shqipërisë, jemi vend me fat. Nëse shqiptarët votojnë Sali Berishën dhe çmendurinë e tij, atëherë të gjitha këto institucione bien dhe shikojnë fatin e tyre ndaras nga fati i shoqërisë shqiptare. Berisha e ka çuar aq larg luftën dhe ndarjen sa çdo formulë bisedimesh përveç zgjedhjeve të parakohshme nuk ofron asnjë zgjidhje për situatën.

Më mirë se kushdo tjetër këtë duket se e kishte kuptuar një nga emrat më të dashur për shqiptarët në Bashkimin Evropian, Tanja Fajon, e cila kishte gjetur dje gjuhën e duhur diplomatike për ta përmendur si opsion. Por nëse ajo është diplomate dhe kërkon të ruajë staturën e saj, ne të akuzuarit për Puç kundër Republikës së Sali Berishës, nuk kemi asnjë opsion tjetër për ta nxjerr vendin nga kriza, përveçse tu drejtohemi shqiptarëve për të zgjedhur një nga dy republikat, atë të Shqipërisë apo atë të Sali Berishës. Vetëm koshienca se ai njeri do të hetojë për tre qytetarë të vrarë me vullnet të plotë prej tij, bëri që ai t’i vinte zjarrin gjithë pushteteve të tjera në këtë vend.

Mos mendoni se makthi i vrasjes të çliron aq lehtë, sa ai të ndjehet i qetë në pjesën e jetës që i ka mbetur. Ai do ta vuajë derisa të mbyllë sytë, faktin që ka lënë fëmijët e Ziverit, Hekuranit dhe Faikut jetim për pushtetin e tij. Dhe Shqipëria nuk ka pse vuan makthin e tij. Ajo duhet të zgjedhë.