Spartak Ngjela
Nëse e sheh me një sy thellësisht kritik gjendjen aktuale që po kalon shoqëria shqiptare, konstaton se qeveria “Berisha” ka hyrë në një rrugë që i kërkohet zgjidhje për tre raporte që ajo ka me tri kriza të veçanta, në të cilat përballet sot shoqëria shqiptare. Raporti i parë i kësaj qeverie është me krizën ekonomike, e cila kërkon zgjidhje. Raporti i dytë ka të bëjë me krizën institucionale dhe politike dhe, raporti i tretë është përkundrejt një krize në marrëdhëniet ndërkombëtare që kjo qeveri e ka shkaktuar vetë. Të tria këto aspekte nuk janë të shkëputura, por të lidhura me njëra-tjetrën, sepse kanë lindur si pasojë e njëra-tjetrës dhe kanë krijuar një spirale të përbashkët që, të gjitha tok, thellojnë pa u ndalur rënien ekonomike dhe morale të shoqërisë.
Kriza ekonomike
Sot, e gjithë shoqëria shqiptare e ndien se ka hyrë në një spirale ekonomike të vështirë, e cila, nën një vështrim profesional, nuk është krizë, por rëndim i gjendjes ekonomike që, dalëngadalë po e kalon shoqërinë nga varfëria në mjerim. Kriza ekonomike është tipar i vendeve të zhvilluara; një vend i varfër është në krizë të vazhdueshme, se varfëria krizë permanente është; por kur kjo varfëri thellohet për të shkuar në mjerim, gjendja quhet e rëndë. Gjithçka në Shqipëri sot është në dekadencë: ka rënë punësimi; ka rënë fuqia blerëse; ka rënë eksporti; ka rënë sasia e remitancave që vijnë nga emigracioni; kanë ngrirë bankat aktivitetin e tyre dhe punojnë sa për të mbajtur veten gjallë; është rritur tej mase borxhi shtetëror; kanë rënë eksportet dhe çmimet po ngrihen si trend. E gjithë kjo tregon se jemi përpara një rënieje të pashmangshme, se të gjitha aspektet ekonomike që përmendëm janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ndikojnë për t’u konverguar në një pikë: te mjerimi. Por ngase ka ardhur e gjithë kjo gjendje?
Sot është e njohur nga historia e shteteve të prapambetura se kur në një vend që ka nevojë për reforma vjen në pushtet një qeveri e paaftë, abuzuese dhe me deviacione të një Kryeministri të gjithëpushtetshëm, gjendja pa dyshim që shkon drejt shkatërrimit. Shqiptarëve u ra për hise që të drejtohen nga një i sëmurë që, me forcë, me të gjitha mjetet drejton vetë dhe nuk e pyet ekspertizën. Që në fillimet e tij, që në shtator të vitit 2005, Sali Berisha, një mjek i rëndomtë që kurrë nuk e ka ditur dhe asnjëherë nuk do ta dijë se ç’është tregu dhe ç’është një shtet modern; erdhi në pushtet me mendimin se, po të kishte një pushtet absolut, gjithçka do të dirigjohej vetë.
Ai nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur në ekonominë shqiptare për tetë vjet, nuk e njihte fare kapitalin shqiptar dhe nuk kishte si ta dinte që ekonomia shqiptare kishte vetëm një rrugë zhvillimi: kalimi i kapitalit tregtar të akumuluar deri më 2005-n, nga kapital tregtar në kapital industrial, në mënyrë që në Shqipëri të riniste sërish prodhimi industrial. Shqipëria, nga një vend konsumi, duhej kthyer në një vend prodhimi; se në të kundërt, patjetër që do të degradonim në mjerim. Kjo padije e Sali Berishës dhe dëshira patologjike që e shtynte për një pushtet absolut dhe agresiv, e bëri që asnjëherë të mos kishte përpara një reformë ekonomike, dhe, me një qeveri kalamajsh dhe hajdutësh që i bënin qejfin se donin të vilnin para, i ra kapitalit të dobët shqiptar me gjoba, me ligje arbitrare dhe e trembi.
Menjëherë pas kësaj, për të vendosur një absolutizëm personal, nisi të harxhojë energji për të pushtuar të gjitha institucionet politike të vendit. Me këtë qëllim paralizoi edhe shtetin, por, në të njëjtën kohë, me mllefet e tij mesjetare dhe principet aziatike që ka për sundimin politik, e mbushi administratën shqiptare me njerëz injorantë të zonave të tija. Tani pikat qendrore të administratës drejtohen nga ata, gjithë po me mendimin se këta injorantë do t’i duheshin për absolutizmin e tij që e ka menduar dhe e mendon si një shtypje që duhet t’i bëjë Jugut të Shqipërisë dhe 2/3 të Tiranës. Me këtë rrugë, me anë të gjobave dhe të mbledhjeve arbitrare të taksave, akumuloi dhe krijoi një buxhet më të madh nga ata që kishte trashëguar dhe si një injorant aprofesional, mendoi se lopa po milej (ndonëse i kishte gjysmuar ushqimin), ai po kishte para dhe tani i duhej vetëm pushtet, se të tjerat i dinte t’i bënte vetë.
Nisi të abuzojë me buxhetin dhe e investoi paranë e mbledhur në vende që nuk kishin interes ekonomik, dhe sidomos nuk e kuptonte dot dhe nuk mund ta kuptoje, se në një treg kapitalist, paraja vërtet tërhiqet nëpërmjet taksave nga tregu, por domosdoshmërisht, pjesa më e madhe e saj, nëpërmjet buxhetit të shtetit, duhet të kthehet sërish në treg me forma të ndryshme, sepse në të kundërt bie forca blerëse e shoqërisë, bie punësimi dhe nuk krijohen kursime për bankat, të cilat i kanë të domosdoshme depozitat e reja. Prandaj ecte gjithë eufori ky mjek i mjerë dhe, në një krah vidhte dhe abuzonte më të gjithë klanin e tij fisnor dhe jo vetëm dhe në krahun tjetër donte të konsolidonte përfundimisht pushtetin absolut. Por nuk mundi të arrinte absolutizëm, sepse nuk e lanë dy presidentë që erdhën njëri pas tjetrit: Moisiu dhe Topi.
Dhe hyri në konflikt me të dy, nuk i foli as Moisiut dhe nuk i flet as Topit, se e di shtetin një konglomerat lakejsh që duhen shtypur nga një njeri, a thua se është në një familje patriarkale nga ato ku është rritur vetë dhe nuk e di, ose nuk do ta dijë që, këta presidentë, nuk janë pa forcë, sepse vetë Shqipëria nuk është më një vend jashtë interesave të Botës Perëndimore dhe Atlantike ku bën pjesë. Por nuk po mjaftonte kjo që po e rrëzonte ekonominë, kishte ngrirë institucionet dhe po e rriste nivelin e varfërisë në Shqipëri, se befas erdhi edhe kriza botërore, sidomos në Itali e Greqi, dhe, për pasojë, meqë në këto vende janë thuajse 2/3 e emigracionit shqiptar, filluan të bien edhe prurjet nga remitancat e emigracionit, gjë që, pa dyshim, po krijon presionin e vet në ndihmë të rënies ekonomike.
Një vend që nuk prodhon dot asgjë dhe prandaj ka një eksport simbolik, por që ka eksportuar masivisht punë në vendet e zhvilluara, kuptohet se e ka krijuar ekuilibrin e vet ekonomik dhe monetar nëpërmjet prurjeve që sjell puna si pagë në shoqëri. Por, atëherë kur puna ra në krizë në vendet që thamë, e sidomos në Greqi, mungesa e kësaj përqindjeje paraje e rëndoi edhe më gjendjen. Shqipëria, në periudhën komuniste, kishte rënë në krizë të pashembullt ekonomike varfëruese deri në ekstrem, sepse nga injoranca e lidershipit drejtues, Shqipëria e kishte humbur shansin që të fitonte normalisht nga ndarja ndërkombëtare e punës; por nëse në vitet nëntëdhjetë dhe në këtë dhjetëvjeçar të fundit, ajo ka përfituar nga kjo ndarje, ajo është drejtuar nga xhahilë, të cilët kurrë nuk kanë menduar për të krijuar prodhimin shqiptar nëpërmjet investimit që duhej të vinte nga akumulimi tregtar i kursimeve të punës së eksportuar.
Një e tillë është edhe qeveria aktuale, e cila tani, jo vetëm që nuk ka potencial intelektual e profesional për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, por as edhe vullnet, me përjashtim të një vullneti të mykur të një njeriu ekscentrik që po kërkon me çdo kusht pushtet absolut, edhe pse nuk e di fare se çfarë do të bëjë me atë pushtet.
Dhe kriza do të vijojë të thellohet, sepse qeveria, duke mos pasur para; me agresivitetin e një injoranti si Kryeministri Sali, mendon që ta zgjidhë krizën e mungesave monetare të qeverisë me gjoba ndaj kapitalit. Gjobat do ta ndrydhin edhe më tej kapitalin, do të shkurtojnë punësimin dhe do të ndalojnë investimin; kjo do të sjellë mungesë më të madhe të parasë në treg, por edhe rritjen e çmimeve; sepse ka tepër gjasë që të vijojë zhvleftësimi i lekut; por edhe të bjerë edhe më tej sasia e mallrave të eksportuara. Të gjitha këto, bashkë me pakësimin e remitancave, logjikisht që do ta thellojnë edhe më tej krizën, sepse kjo qeveri profane, në vend që të kalojë krizën, duke shëndoshur kapitalin vendas, kërkon ta kalojë atë duke e dobësuar këtë kapital, sepse mendon se, më e rëndësishme është kriza e qeverisë për para dhe buxhet, sesa kriza e tregut për mungesë të kësaj paraje. Ky rreth vicioz, pas tre muajsh ka për të sjellë një pështjellim të madh ekonomik dhe rritjen e nivelit të mjerimit në Shqipëri.
Kriza institucionale dhe politike
Edhe kjo krizë është prezente dhe me tepër peshë në degradimin e gjendjes. Por ngase është krijuar? Fillimisht ajo ka nisur nga agresiviteti i Kryeministrit Sali, i cili, sikurse e theksuam, qysh se erdhi në pushtet, tentoi të rrafshonte pavarësinë e institucioneve. Por konfliktet e tij me presidentët dhe pushtetin gjyqësor, nuk e çuan dot vendin në një krizë të plotë institucionale. Zgjedhjet e vitit të kaluar, të cilat u manipuluan nga qeveria aktuale me kartat e identitetit dhe blerjen e numëruesve të fletëve të votimit; bojkoti parlamentar i socialistëve me 64 deputetë jashtë Parlamentit dhe bllokimi i reformave si pasojë e votës së cilësuar në Parlament e çuan vendin në një krizë institucionale dhe politike njëherësh. Kjo sepse, duke mos funksionuar normalisht Parlamenti, kanë ngrirë edhe institucionet e tjera, dhe bashkë me to, edhe funksionimi normal i reformave integruese. Këtu lind një pyetje? Po qeveria çfarë po bën? Asgjë, sepse drejtohet nga patologjia e pushtetit dhe jo nga pikësynimi i përmirësimit të gjendjes shoqërore. Kur një Kryeministër nuk kupton se pushteti i tij ngrin të gjithë jetën institucionale dhe politike të vendit, ky nuk është burrë shteti, por një i marrë që në delir i sheh të gjithë armiq personalë që nuk e lënë të sundojë. Si ka mundësi sot në mijëvjeçarin e ri, mu në mes të Europës, të mos kuptohet që, në çdo vend të botës demokratike, opozita, po të bllokojë institucionalisht nëpërmjet Parlamentit, je i detyruar të shkosh në zgjedhje të reja? Sepse, së pari, ne ende nuk jemi një vend demokratik dhe, së dyti, sepse një Kryeministër i plotfuqishëm, që është i futur i tëri në marrëzinë e tij të sundimit me çdo kusht, nuk ka pasur rast në histori që të ketë menduar për shoqërinë dhe popullin e vet. Kështu jemi edhe ne: në një krizë institucionale dhe politike, e cila i ka rënë në dorë një Kryeministri të papërgjegjshëm që ta zgjidhë, sepse i kërkohet ta zgjidhë me largimin e tij, nëpërmjet zgjedhjeve të reja. Është i paligjshëm, prandaj nuk po gjen dot zgjidhje, se po të ishte i ligjshëm, gjithçka do të ishte zgjidhur si në Perëndim: me zgjedhje të reja.
Kriza e politikës shqiptare në rrafsh ndërkombëtar
Ky aspekt i tretë i krizës shqiptare nuk është pa peshë, por është shumë i rëndësishëm. Por ngase është krijuar dhe ku konsiston kjo krizë? Kjo krizë marrëdhëniesh ka ardhur si pasojë e konfliktit që ka krijuar Kryeministri Sali me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian. Kjo spikati tepër qartë në këto muajt e fundit, kur ai me ngulm kërkon të ndryshojë ligjin për SHISH-in.
Është e kuptueshme se, ai shkak apo ajo arsye që ka futur në krizë Kryeministrin aktual shqiptar me dy presidentët, me Moisiun në fillim dhe me Topin më pas, e ka konfliktuar atë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe gjithë Perëndimin. Është një dëshirë për absolutizëm, që sigurisht se do të prekte edhe interesat amerikane dhe ato atlantike në Shqipëri. Një Kryeministër, vendi i të cilit sot, në mijëvjeçarin e ri, ka hyrë në NATO; që kërkon të hyjë në BE; një Kryeministër i një vendi të anëtarësuar në Këshillin e Europës dhe në OSBE; i cili nuk kupton që këto janë institucione ndërkombëtarë që kanë si objekt të tyre mbrojtjen e demokracisë në vendet anëtare, sigurisht që, jo vetëm që është i sëmurë, por sigurisht që ka edhe një paramendim: për hir të pushtetit të tij të rrezikuar demokratikisht, të kalojë Shqipërinë në një regjistër tjetër të politikës. Ashtu sikundër që bënte Enver Hoxha, që, sa herë i rrezikohej pushteti i tij, prishte marrëveshjet dhe anëtarësimet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe s’pranonte asnjë organizëm ndërkombëtar.
Në këtë gjendje jemi edhe sot: për faktin që askush nuk mund ta pranojë absolutizmin e Kryeministrit shqiptar, i cili mbi të gjitha është edhe i dyshimtë; ky Kryeministër, mendon se me lolot e tij që i ka si deputetë apo ministra, të ndryshojë rrjedhën historike të Shqipërisë, nga Perëndimi në Lindje. Se tjetër arsye nuk ka, që me ngulm dhe agresivitet, prej dy muajsh kërkon të ndryshojë ligjin për Shërbimin Informativ Inteligjent (SHISH) në Shqipëri. Ai e di mirë që Shqipëria është një vend i kërcënuar nga terrorizmi aktual, atëherë, përse kërkon të paralizojë aktivitetin e CIA-s në Shqipëri, me një ligj të ri për Shërbimin Informativ, ose SHISH-in? Sigurisht sepse ka paramendime të rrezikshme, por edhe naive, edhe të sëmura. Ja kjo është gjendja, kur gjithkush e di se, një pushtet absolut kurrë nuk është i sigurt nëse nuk ka një shërbim sekret abuziv, kriminal dhe prandaj të tmerrshëm kundrejt shoqërisë. Në ligjin e ri për SHISH-in, Kryeministri Sali befas shpalosi qëllimin e tij.
Por, nuk ka mundësi ta arrijë, përveçse ka krijuar një krizë të politikës shqiptare me Perëndimin, por, një krizë kjo, që sigurisht që do t’i detyrojë të gjitha institucionet ndërkombëtare që t’i japin dritë institucionale transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Kryeministri Sali kishte një plagë, zgjedhjet e manipuluara, e cila do hapej me çdo çmim; pati edhe një bojkot të Parlamentit dhe bllokimit të reformave; por krijoi edhe një krizë me SHBA dhe të gjithë Botën Perëndimore që është në luftë me terrorizmin; prandaj data 18 mars 2010 është fundi i tij, se nuk mund të mendojmë se është fundi perëndimor i Shqipërisë. E ka vendosur Zoti vetë: Shqipëria do të jetë gjithmonë europiane dhe perëndimore.
Ja, kjo është gjendja sot në Shqipëri: një krizë ekonomike që po e çon vendin nga varfëria në mjerim që është krijuar nga qeveria “Berisha”; një krizë institucionale dhe politike që është krijuar po nga qeveria “Berisha”, sepse Kryeministri kërkoi të ishte absolut, duke manipuluar zgjedhjet dhe duke refuzuar me agresivitet transparencën parlamentare të tyre; dhe një krizë e tretë në marrëdhëniet e Shqipërisë me frymën atlantike e krijuar po nga Berisha dhe qeveria e vet, sepse kjo e pengon në absolutizmin e tij. Si mund të zgjidhen të gjitha këto? Sigurisht me largimin e burimit të tyre: Kryeministrit Sali.