Nasho Bakalli, 30.12.2013
Shteti shqiptar deri dje lëvizte herë shpejt dhe herë ngadalë, paprerë, drejt një morie vlerash politike, ekonomike, sociale, kulturore që ngjasonin me barbarizmin. Rrjedhat e barbarizmit nuk çatisën papritur e pakujtuar. Në Siujdhesën e Ballkanit “barbarizmi” dhe bartësit e saj “barbarët”, erdhën në kohë të ndryshme dhe dallgë-dallgë, nga jashtë.
Në shoqërinë bashkëkohore shqiptare “barbaria” erdhi nga brenda, erdhi nga zyrat, erdhi nga pjalmi i kulturës, i arsimit, i rinisë; erdhi nga ajka e punëtorisë, pensionistëve, kooperativistëve, pra me një fjalë doli nga barku i nginjur i diktaturës së proletariatit. Në fillim, pavarësisht Katovicës, qëllimi ishte për të vendosur një rend të ri, dhe ai u arrit, por, pastaj, fatkeqësisht, “barbarët” shkatërruan strukturën shpirtërore të vetes dhe familjes, dhe makinerinë e stërmadhe prodhuese të shoqërisë, duke e konvertuar jetesën e qëndrueshme të individit në jetesë të pasigurtë, e cila u përkeqësua edhe më shumë këto tetë vitet e fundit kur Shqipëria i përngjante botës hobesiane “Të gjithë kundër të gjithëve”.
Çelësi i kësaj “barbarie” shqiptare bashkëkohore fshihej në strukturat e thella të pushtetit absolutist që u ngul, hap pas hapi, mbi shtyllat kryesore ( parlament, qeveri, drejtësi, masmedia) që mbajnë bazën dhe përbëjnë kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Çfarë përmbanin këto struktura? Ato përfshinin:
1.Epërsinë e një elite politike – dallaveraxhie, e cila plaçkiti miliona dollarë nga kursimet, investitorët, hipotekat, konsumatorët dhe shteti duke zhvendosur burime pafund nga ekonomia kombëtare te duart e një elite parazitare, të qepur pas state and paper economy.
2. Epërsinë e një elitë politikisht të militarizuar që joshte dhe mbikëqyrte paqëndrueshmërinë, konfliktet, krimin, dhunën vrastare, përkohshmërinë e zbatimit të garancive kushtetuese me hyjnizimin e pushtetit të njëshit.
3. Epërsinë e një elite, e cila pa merak i shtriu kthetrat e korrupsionit në të gjitha fasadat dhe skutat e shtetit, dhe të veprimtarisë së biznesit.
4. Epërsinë e një elite shtetërore, shpenzimet e dalldisura të së cilës ranë direkt dhe vetëm mbi supet e punëtorëve, pensionistëve, të vetëpunësuarve, e shtresave në nevojë.
5. Epërsinë e një elite, e cila kurajoi dhunshëm humbjen e vetëdijes së klasës kapitaliste deri në atë shkallë saqë kapitali pranoi të shpronësojë veten e tij!
6. Epërsinë e një elite, e cila si asnjëherë në historinë e Shqipërisë dhe të Europës realizoi tjetërsimin pakufi, në kohën më të shkurtër, të pasurisë publike te privati! Si përfundim: “barbarizmi” ishte një realitet me fuqi detyruese dhe përcaktuese, ishte produkt i kulluar i epërsisë së pushtetit të një elite politiko-financiare me origjinë shoqërore thellësisht proletare dhe me prirje të dhunshme.
“Barbarët” janë këtu, mes nesh, por të pariciklueshëm brenda kufijve të shoqërisë sonë e për pasojë edhe të Europës. Ashtu si në kohët e vjetra, 1 % e popullatës shqiptare zotëron pjesën më të madhe dhe në rritje të pasurive të vendit. Nga ana tjetër, pamja majtas tregon “23 qershor 2013” simbol i përgjigjes masive kundër barbarizmit në rritje.
Ende jo pak njerëz ndajnë mes tyre pyetjen: deri kur e majta do të vazhdojë të paguajë me djersën dhe gjakun e saj veprimet e papërgjegjshme që përmbushi etshëm krahu i djathtë i trupit shqiptar? Të fitosh sa herë që luan – na ishte një lojë e vjetër shqiptare.