Besnik Bare, 19.08.2011
Në profilin dramatik shqiptar të këtyre 20 vjetëve, ku kemi përjetuar ngjarje deri rrëqethëse me marrje jetësh, “spektaklet” e deformimit të zgjedhjeve kanë përbërë një faqe më vete. Me të drejtë zgjedhjet e 8 majit në Tiranë janë sintezë e asaj që ka ndodhur në tërësi në zgjedhje. 8 maji për Tiranën është i veçantë, pasi janë zgjedhjet më të ndjekura, falë dhënies së tyre drejtpërdrejt në media. I tërë opinioni shqiptar brenda dhe jashtë shtetit, përfshirë dhe trupin diplomatik u kthyen në spektatorë të asaj shfaqjeje të shëmtuar, ku shteti i Berishës me arrogancë nëpërmjet gojës së Ristanit e Sashenkës iu imponua vullnetit të popullit dhe ligjeve të miratuara në Parlament.
Berisha ka të drejtë kur rithekson vlerësimin si zgjedhjet më transparente. Në fakt, ato që ne arritëm të shohim janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që realisht ka ndodhur në Tiranë, apo në përgjithësi në zgjedhjet në Shqipëri. Në raportin e OSBE/ODIHR-it, i cili padyshim duhet përshëndetur, është e pamundur të përmenden fakte të shumta konkrete manipuluese. Bie fjala, aty s’ka qenë e mundur të pasqyroheshin emrat e personave të kapur me karta false në Qytetin Studenti, ku kameramanin e “Top Channel”, pasi e rrahën i thyen kamerën, nuk ka qenë e mundur të pasqyroheshin mbi 5000 emrat e dubluar në Tiranë, nuk janë pasqyruar mijëra emigrantë që edhe pse nuk erdhën, rezultojnë votues, nuk janë pasqyruar votues që kanë votuar më shumë se dy herë.
Bie fjala, si është e mundur që banorë të Komunës së Selishtës, fshati Lukan, Qarku Dibër, pasi kanë votuar atje të vijnë pasdite e të votojnë në Laprakë (banorët me mbiemra Bruçi e Dervishi)? Si është e mundur që banorë të Kamzës, Mulletit etj., vijnë dhe votojnë në Tiranë në njësinë nr. 10, pa qenë banues aty (votues me mbiemrin Kaçana)? Si është e mundur që në qendrat e votimit të njësisë nr. 7 në Tiranë të futen simpatizantë të PD dhe të masakrojnë komisionerët e PS, kur policia është e pranishme 10 metra larg?. Pa folur këtu për presionet kriminale të kontingjenteve kriminale, që kanë bashkëpunuar me policinë, e që u bëhej drejtpërdrejt presion kandidatit të njësisë 7. Vargu i fakteve do ishte i pafund dhe raporti i OSBE/ODHIR-it do ishte shumë voluminoz, mijëra faqe.
Megjithatë, mjaftojnë 5 deri 6 faqe nga 35 faqe të tij, për të treguar se në Tiranë nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe se fytyra e qeshur e Bashës sot është ulur në karrige, vetëm falë vjedhjes dhe deformimit të zgjedhjeve. Ato çfarë përshkruajnë në komentet e tyre analizuesit e raportit janë substanciale për një vlerësim juridik. Nëse një jurist në punën e tij është inkoherent, bile kontradiktor, nuk mbështetet në ligj, nuk sheh praktikat e aplikuara dhe të respektuara më parë, përdor gjuhë evazive dhe me dy kuptime, i shqyrton faktet vetëm në mënyrë parciale, atëherë ai vetëm jurist nuk mund të quhet dhe procesi në tërësi nuk është juridik. Pikërisht këta elementë kanë dalë në analizën që bëjnë ekspertët ndërkombëtarë për KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor.
Megjithatë Berisha këmbëngul në theksimin se procesi ishte më transparent, a thua se transparenca tregon se zgjedhjet janë të ndershme. Transparenca thjesht nxjerr në pah realitetin. Në fakt ai ka një meritë në krahasim me zgjedhjet e 1996-s, ato nuk ishin kaq transparente, vjedhja e votave dhe manipulimi nuk u shfaqën në kanalet televizive pasi atëherë kishte vetëm një kanal, Berisha nuk lejonte të tjerë. Më 8 maj vjedhja u transmetua “live”, për këtë guxim apo marrëzi Berisha sot mburret. Në fakt, nëse Ristani do merrte komandën “mos lejo kamera”, manipulimi do ishte i kamufluar apo jo i ndjekur nga miliona njerëz. Si rrallëherë unë nuk e kundërshtoj Berishën kur thotë se ishin zgjedhjet më transparente në 20 vjet.
Madje ishin më transparente se vjedhjet e bankave, ku kamerat e fshehta përpiqen të zbulojnë fytyrat e hajdutëve. Ishin shumë më transparente se vjedhjet e xhepave të udhëtarëve në autobus, ku nuk ka as kamera të fshehta. Përkundrazi, ndërsa vjedhësit e bankave përpiqen të maskohen, Ristani e kompani ndihen të sigurt në hajdutërinë e tyre. Ata dalin të qetë përballë kamerave, pasi nuk i ndjek as policia e as gjykatat, ata i mbron vetë dora e tij, Kryeministri. Ndaj ka të drejtë të krenohet Kryeministri se ai arrin të vjedhë vullnetin e shqiptarëve, duke ua treguar atyre këtë gjë. Kjo është risia e këtyre zgjedhjeve, vetë populli dhe trupi diplomatik ishin dëshmitarë të manipulimit dhe vjedhjeve të votave.
Rëndom dëgjon të thuhet se Berisha i mbron të gjithë ata që i shërbejnë, sikurse ishin ata që vranë më 1997-n (mbi 2000 jetë njerëzish), ata që vodhën në rrugën Durrës-Kukës, ata që vjedhin e falin territore, ata që vranë në Gërdec, ata që vranë më 21 janar. Ndërsa të mbrosh ata që vjedhin votat, është fare e lehtë për zotin Berisha, se me sa duket askush, përveç opozitës, nuk ndjen përgjegjësinë e mbrojtjes së saj. Bile ka zëra që akuzojnë opozitën si të paaftë për të bërë të njëjtën gjë e se ajo të braktis po shkele ligjin. Ky është morali dhe standardi që ka vendosur zoti Berisha: më shërbe se unë s’të lë në baltë, edhe nëse je kriminel, mafioz apo vrasës e ca më shumë vjedhës votash.
Zgjedhjet në Tiranë u pasqyruan me realizëm e transparencë edhe në raportin e fundit që na u bë i njohur në 35 faqet e OSBE/ODHIR-it. Akuzat për KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor janë asgjësuese dhe mos harroni, shkruesit janë tejet të kujdesshëm, shpesh në standarde diplomatësh, por deformimet kanë qenë aq të mëdha sa ka qenë e pamundur të ruhej një gjuhë diplomatike. Cilat janë disa nga këto vlerësime? KQZ ka operuar, duke mos u mbështetur në ligj, u jepte prioritet padive të pozitës, nuk ishte koherente, ndiqte skenarë të paramenduar (sjellja e kutive në KQZ pa marrë vendim), vlerësimet e shqyrtimet e fakteve nga KQZ ishin parciale, nuk pranon të shqyrtojë filmimet e qendrave të votimit, KQZ ishte partiake dhe shumica e vendimeve kishin jo vetëm mungesë koherence, por edhe thyerje të rregullave të rëndësishme e mungesë në arsyetim. KQZ nuk zbatoi dhe afatin 24-orësh për zbardhjen dhe botimin e vendimeve të veta. Vlerësimet e votave nuk u bënë duke u mbështetur në nenin 117.3 të Kodit Zgjedhor.
Lidhur me Kolegjin, në raport thuhet se në vendimin 49 ka kontradikta dhe boshllëqe në arsyetim. Kolegji përdor gjuhë të paqartë dhe me dy kuptime. Kolegji ka tejkaluar kompetencat e veta. Në mosmarrjen parasysh të ankimimit të PS, Kolegji bie në kontradiktë, ndaj dhe në tërësi ai për Tiranën ishte plot kontradikta dhe inkonsistenca. Përfundimi është i qartë, kjo KQZ dhe ky Kolegj kanë humbur besimin e qytetarëve në Shqipëri.
Pas ca vitesh e tërë kjo farsë do të shihet me turp e do të shërbejë si shembulli më flagrant se si mund të përdoren gjoja institucionet e pavarura, si mund të depersonalizohet një gjykatës, apo një profesionist në tërësi. Këta shembuj do të tregojnë se për të zhvilluar e stabilizuar një demokraci duhet mbi të gjitha të kesh vullnet për ta realizuar atë, të kesh vullnet të mposhtësh mentalitetin bizantin të pushtetit, për të fituar gjithçka dhe me çdo kusht. Në fakt jo vetëm banorët e këtij vendi, por të gjithë ata që sado pak kanë lidhje me këtë vend, përfshirë edhe trupin diplomatik, nuk mund të jenë, e në fakt nuk qëndrojnë indiferentë me çfarë shohin këtu.
Pa dashur më shkon në mendje një thënie e Remarkut, fill mbas Luftës së Dytë Botërore – “Edhe nëse nuk u prekëm nga ciflat e granatave, prapë se prapë ne mbetëm të plagosur”. Askush nuk mund të shfajësohet nesër, kur të hedhë vështrimin në 20 vitet e tranzicionit, kur demokracia ka qenë më tepër një iluzion se realitet. Uroj të hapim faqen e parë të demokracisë reale, zgjedhje me standarde, por që padyshim mund të bëhen vetëm pa praninë e praktikave Berishiste.