Heronjtë e ditëve tona!
Anila Dushi, 06.10.2013
Myfid Paçrami, është burri që humbi jetën në det, teksa shpëtoi jetën e tri vajzave. Ngjarja e bujshme, ku vdiqën dy persona dhe u shpëtuan tre të tjerë, kaloi e gjitha në heshtje. Akti i rrallë ndër ne, u shua bashkë me sipërmarrjen e atij njeriu për të mbajtur një jetë një adoleshente, motrën e saj dhe vajzën e dajës së tyre. Kjo ngjarje ka ndodhur me 27 gusht të këtij viti, por askush nuk kujtohet jo vetëm të propagandojë këtë akt heroik, por as të kujtojë familjen e tij, që pas humbjes së jetës së Paçramit, nuk ka kush t`i ushqejë.
I vetmi njeri që sjell ndërmend atë inisiativë hyjnore është vetëm vajza 16 vjeçe, nga Laçi i Vaut të Dejës, e cila tashmë jetën e saj, ia dedikon pikërisht jetës së humbur të këtij burri. “Shekulli” kërkoi gjurmët e këtij njeriu të madh, për të mësuar më shumë nga ajo pasdite tmerri në Velipojë, ku 56-vjeçari doli shëtitje me gruan dhe vajzat e tij në breg të detit, për të mos u kthyer më i gjallë nga aty.
Tragjedia e 27 gushtit Të shpëtosh jetë duke rrezikuar jetën tënde, madje deri në ekstrem, duke e humbur atë, është sa e pazakontë aq dhe madhështore. Raste të tilla, edhe pse të pakta, me të drejtë zënë vend në media pasi një sakrificë e tillë sublime meriton të shërbejë si model dhe të ketë mirënjohjen e të gjithë shoqërisë. Një rast i tillë sa fisnik e madhështor aq dhe i dhimbshëm është ai i qytetarit shkodran Myfid Paçrami. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 27 gushtit në plazhin e Velipojës ku Myfidi me familjen e tij, gruan dhe dy vajza të mitura ishin me pushime. Dëshmitarët okularë tregojnë se atë paradite moti i keq e kishte bërë të pamundur frekuentimin e plazhit, ndërsa pasdite koha ishte hapur.
Tri vajza ulërasin duke kërkuar ndihmë. Myfidi reagon. Gruaja e tij dhe një tjetër person mes atyre që ishin grumbulluar në breg përpiqen t’a ndalojnë duke i thënë të mos futej se dallgët e mëdha mund t’a rrezikonin. Por Myfidi, ndërsa zhvishet e futet në ujë u thotë se do i ndihmonte pasi kështu do bënte po të ishin vajzat e tij. Arrin të kap, 16-vjeçaren E. Lekaj nga Laçi i Vaut të Dejës dhe e nxjerr në breg. Futet për të ndihmuar të tjerat. Aktin e tij e ndjekin pas dhe të tjerë. Myfidi kap dhe vajzën e dytë dhe e nxjerr duke ja dorëzuar të tjerëve që e kishin ndjekur pas. Rikthehet për të marrë të tretën. Dallgët e mëdha e rrëmbejnë dhe ai humb jetën.
Trupi i tij i pajetë nxirret nga dy djem të rinj. Bilanci i asaj dite në Plazhin e Velipojës ishte tragjik; 2 të vdekur dhe tre të dëmtuar rëndë. Viktima tjetër, një kosovar, siç tregojnë dëshmitarët, nuk dinte not dhe dallgët e përfshinë lehtësisht duke i shkaktuar vdekjen. Myfidi dinte not shumë mirë, por ai nuk kishte dalë në breg për t’u larë atë ditë. Ai u fut për të shpëtuar të tjerët që rrezikonin të mbyteshin, ja arriti të shpëtonte 16-vjeçaren, të ndihmonte motrën e saj dhe më pas humbi jetën. Rrëfimi i vajzës nga Vau i Dejës “Deti kishte dallgë në fillim jo shumë të mëdha. Unë me motrën dhe vajzën e dajës u futëm të laheshim. Shpejt dallgët u bënë më të mëdha dhe të tmerrshme.
Dëgjova kushërirën time që kërkonte ndihmë dhe qëndronte mbi dallgë. Unë u afrova bashkë me motrën dhe në përpjekje për t’a nxjerrë u zhyta në ujë. Sapo dola në sipërfaqe më mbuloi një dallgë e madhe dhe më largoi prej tyre. Motra dhe vajza e dajës kërkonin ndihmë. Dy djem u afruan dhe u drejtuan tek kushërira ime ndër- sa afër meje erdhi një burrë që më pas mora vesh se ishte Myfid Paçrami. Mbaj mend që më tha: Vajzë ma jep dorën e mos ki frikë. Mund të vdisja unë aty por shpirti i tij i mirë më la gjallë dhe më shpëtoi jetën”.