Tragjedi greke

0
52

Nga Arianna Huffington, 15 Maj 2012
Kryeredaktore e Huffington Post

Teksa ndjek tragjedinë moderne greke të luhet në skenën evropiane, më kujtohen vetvetiu ato 18 vite të kaluara në Athinë, duke shkuar për në shkollë në Plaka (pjesa e vjetër e qytetit), në të njëjtën rrugë që tani mësyhet nga protestuesit dhe dhuna.

Gjatë fëmijërisë, familja ime i ngjasonte shumë ekonomisë së sotme greke. Ne ishim zhytur në borxhe nga përpjekjet e njëpasnjëshme dhe të dështuara të babait tim për të hapur një gazetë. Kjo ishte një nga shkaqet kryesore që shtyu mamanë time drejt divorcit, duke më marrë edhe mua me motrën të jetonim me të. Ne përsëri jetonim në Athinë edhe vazhdonim ta takonim babain, megjithëse kishim garsonierën tonë.

Kushtet ekonomike sa vinin e përkeqësoheshin, por mamaje ime ishte e qartë për një gjë: ajo do të sakrifikonte të gjitha që vajzat e saj të mos kishin gjë mangët. Ajo kishte vetëm dy fustane dhe asnjëherë nuk shpenzonte për veten e saj. Më kujtohet akoma kur ajo shiti edhe vëthët e saj të fundit për një grusht paresh. Mamaja merrte borxh nga kush të mundte që të na mundësonte një shkollim të mirë dhe ja doli. Unë i mbarova studimet ne Cambridge, ndërsa motra ime në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër. Ishte koha kur vajzat greke e kishin akoma traditën që para se të martoheshin duhet të paguanin pajë. Mamaja na thoshte gjithmonë se “edukimi ishte paja jonë”.

Teksa vështroj statistikat, sidomos ato të papunësisë që arrijnë deri në 54% tek të rinjtë grekë, mendoj për historitë e njerëzve të ndryshëm që janë të përfshira nga kjo shifër tmerruese. Shumë ëndrra të shkatërruara, shumë premtime të pambajtura dhe e gjithë ndjenja e fajit, turpit dhe frikës që kaq shpesh ecën krah për krah me papunësinë.

Rruga ndëshkuese e kursimit dhe tkurrjes së pamëshirshme ekonomike ka të ngjarë të çojë në një tjetër stanjacion të ekonomisë në 2013, gjë që kurrsesi nuk duhet lejuar të ndodhë. Dhe si e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit, populli grek nuk do ta lejojë të ndodhë. Ato do të kërkojnë ndryshim radikal, qoftë kjo përmes kutive të votimit ose dhunës në rrugë, – mbase edhe një kombinim i të dyjave.

Rreziku që bartin protestat e dhunshme është i dukshëm. Por gjithashtu rreziku buron edhe nga kutitë e votimit. Një parti ekstremiste e djathtë me tendenca të forta kundra emigracionit mori rreth 7% të votave, ndërsa partia e majte PASOK humbi 119 vende në parlament duke përfunduar si parti e tretë me një rezultat turpërues. Në qoftë se Banka Qendrore Evropiane nuk e ndryshon retoriken e saj të ashpër dhe shtrënguese, Greqia nuk do të ketë opsion tjetër përveçse të lëre Eurozonën. Kjo sigurisht do të bartë rreziqet e veta, por Bashkimi Evropian e ka lënë Greqinë me pak alternativa racionale.

Argjentina, e cila gjatë fillimeve të 2001 pësoi një krizë dhe e rimori veten, mund të përdoret si një pikë krahasimi. U paralajmërua se Argjentina do të falimentonte në qoftë se do të ndaltë të dobësonte peson kundrejt dollarit dhe ato nuk e shlyen borxhin në kohë. Natyrisht ka shumë ndryshime ndërmjet Greqisë dhe Argjentinës, por vonesa e saj në shlyerjen e borxhit solli vetëm disa muaj recesioni dhe më pas vite të tëra të një rritjeje ekonomikë të qëndrueshme. Ky është një pozicion krejtësisht ndryshe nga ai i Greqisë, e cila po e fut veten në një rrugë të pafundme tkurrjesh, e cila po shkatërron ekonomikisht me miliona jetë dhe po gjymton rëndë shpirtin e paepur grek.

Është mëse e vërtetë se grekët kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme para krizës ekonomike. Shembulli tipik është ai i babait tim. Por kjo nuk është arsye që të ndëshkohen fëmijët, t’i shkatërrosh atyre të ardhmen, për atë që kanë bërë baballarët e tyre. Ato nuk janë kurrsesi përgjegjës për atë çka ka ndodhur në të shkuarën.

Unë kam kaluar shumë net vere në sheshin Syntagma, përballë parlamentit. Ai është i mbushur këto ditë me të rinj e të vjetër, të vetëpunësuar e të papunë, aktivistë e pensionistë. Miliona grekë të tjerë përdorën medien sociale për t’iu bashkuar protestuesve.

Gjithandej kamerierët, taksixhinjtë, dyqanxhinjtë edhe njerëzit në tavolinat ngjitur kishin vetëm një temë bisede. Ata deshën dhe duan akoma që të jenë më të përfshirë në vendimet që prekin të ardhmen e tyre, një të ardhme, që e dëshirojnë me më shumë zgjedhje se ato që ofrohen nga Banka Qendrore Evropiane.

Kur Papandreu, kryeministri i dorëhequr i Greqisë vizitoi zyrën e shtypit të Huffington Post, shprehu të njëjtat ndjenja. “Njerëzit mendojnë se janë duke u ndëshkuar padrejtësisht. Ato gjithashtu ndjejnë se nuk janë fajtorë për krizën”, tha ai.

Greqia, pak a shumë si nëna ime, gjithmonë i ka patur fëmijët e saj prioritet ndaj gjithçkaje. Kur e ardhmja e atyre fëmijëve cungohet, atëherë e ardhmja dhe jeta e të gjithë Greqisë cungohet gjithashtu.

Fotoja ime e preferuar nga protestat është ajo e një djaloshi, i cili kërcënon me grushte një rresht policash, ndërsa mamaja e tij i mban xhaketën pranë që djalin të mos ta zërë i ftohti. Në qoftë se Greqia vazhdon në rrugën e saj pa krye të recesionit të shkaktuar prej tkurrjeve dhe kursimeve, rinia do të revoltohet dhe prindërit do të jenë gjithmonë me to, duke i dhënë zemër dhe duke u kujdesur për to.

Dhe në qoftë se të pasurit të ardhme përkthehet në lënien e euros, ajo do të jetë edhe zgjedhja e grekëve. Grekët janë ata që krijuan demokracinë dhe tani është koha që ai shpirt novacioni dhe zotësie të rindizet përpara se telashet ekonomike të prodhojnë më shumë dëshpërim,- si nëpër rrugë ashtu dhe në kutitë e votimit.

Përktheu: Aldion Baze