Trafikun e raketave nuk e ka bërë Shqipëria, e ka bërë Fatmir Mediu

0
61

Nga Tema

Në përgjigje të reagimeve ndër medie e forume të huaja, se Shqipëria myslimane po ndihmon terroristët e Hezbollahut. Ne kemi terroristë, por vetëm në qeveri. Dy ditë më parë presidenti amerikan i kërkoi Libanit të ndalojë trafikun e armëve ose do përballet me pasojat

Mediet në Ukrainë, Izrael, Rusi, Sllovaki, por dhe në botën arabe prej ditësh po trajtojnë problemin e raketave që përmes Shqipërisë kanë mbërritur në duart e terroristëve të Hezbollahut. Lajmi u raportua më së pari nga gazeta “TemA”, së cilës i referohen në të shumtën e rasteve këto medie. Lajmi ka trazuar dhe selitë diplomatike dhe përfaqësitë ushtarake të vendeve perëndimore. Megjithatë, të pyetur nga mediet arabe, zyrtarisht shteti shqiptar, por dhe të tjera shtete nga ka kaluar ky trafik, kanë mohuar të kenë dijeni.

* * *

Ngjarja e rëndë e trafikut të raketave duke përdorur Shqipërinë vjen në një moment delikat. Dy ditë më parë presidenti amerikan, Barack Obama, priti homologun libanez, Michel Suleiman. Takimi mes tyre pati në qendër të vëmendjes dhe trafikun e armëve që bëhet në drejtim të organizatës terroriste Hezbollah. Agjencitë e huaja citojnë presidentin Obama të ketë thënë se Libani duhet të ndërmarrë çdo masë ndaj trafikut të armëve që kërcënon Izraelin. Burimet saktësojnë madje se Obama ka deklaruar se do ketë sanksione, nëse do të vijojë ky trafik armësh. Nga ana tjetër, presidenti amerikan ka thënë se ushtria libaneze duhet të forcohet, por për të ruajtur sovranitetin e saj, jo për të kërcënuar sigurinë e vendeve të tjera. Presidenti libanez ka deklaruar se është Izraeli që dhunon sovranitetin e vendit të tij dhe duhen marrë masa.

* * *

Sa herë flitet për këtë konflikt kaq të nxehtë, zgjohen shumë ndjeshmëri. Kështu, në forume të ndryshme në internet, bloggers-at ukrainas dhe rusë shpesh e identifikojnë këtë trafik me faktin që një vend mysliman po mbështet Hezbollahun.

Gazeta “TemA” sqaron se një pretendim i tillë nuk është aspak i vërtetë. Të gjithë e dinë se ky është një rrjet trafiku i ngritur duke përdorur shtetin shqiptar, ku nuk implikohet dhe trazohet asnjë ndjeshmëri fetare e shqiptarëve. Po a ka Shqipëria terroristë, siç pretendojnë bloggers-at e huaj? Po, ka. Por ata janë në qeveri, nuk ka ndër njerëz të thjeshtë.

Trafiku i raketave për në Bejrut është një histori korrupsioni, në krye të së cilës qëndron Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, aktualisht ministër Mjedisi. Është ai që së bashku me Ylli Pinarin kanë gjurmuar deri te paratë e Iranit, dhe kanë përdorur autoritetin e shtetit tonë për të bërë trafikun e rrezikshëm me terroristët. Nga buxheti ynë nuk kanë dalë pará për këtë blerje. Mediu dhe Pinari janë sekserë që abuzojnë me pozitat që kanë pasur dhe me dobësinë e një shteti që nuk kontrollohet dot. Mediu dhe Pinari kanë përfituar thjesht copën e tyre në këtë trafik, që me shumë gjasë ka qenë e madhe. Janë ata të blerë nga terroristët. Është për t’u theksuar se në këtë aksion kaq të rrezikshëm shfaqet dhe firma e kryeministrit, Sali Berisha, në rastin kur vendoset që raketat e blera nga Shqipëria të nxirren jashtë përdorimit.

Ne jemi shqiptarët, ata që në fundin e Luftës së Dytë Botërore kishim më shumë hebrenj në vend sesa kur lufta nisi. Ne jemi ata që për këtë çështje, vetëm para pak ditësh rrjeti gjigant amerikan CBS na kushtoi një edicion special për mbrojtjen e hebrenjve.

Ne jemi ata që jemi më pro-amerikanët dhe më pro-perëndimorë në Evropë, e në mos në gjithë botën. Ne jemi ata që përpiqemi me gjithë shpirt të integrohemi, duke pasur si qëllim që, kur të quhemi anëtarë të BE, të mos kemi mbi kokë këta qeveritarë. Të paktën kështu sugjerojnë anketat. Ne jemi ata që i bëmë pritjen madhështore presidentit Bush, ku qartësisht dukej se dashuria ndaj emrit që ai përfaqëson ishte e sinqertë. Ne jemi ata, të cilëve kjo ndjenjë po na përdoret e përdhoset nga këta qeveritarë.

Po a ka myslimanë qeverisja e sotme? Të paktën publikisht dimë që Fatmir Mediu dhe i biri i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, janë ata që duan të na tregojnë se janë të tillë. Janë ata fajtorët për tragjedinë e Gërdecit, por janë të dy njëkohësisht të dhënë pas trafikut të armëve. Dhe nëse ka një nyjë ku lidhet terrorizmi, besimi dhe trafiku, atëherë ja ku është pista.

Ne të tjerët, banorët e këtij vendi të përvuajtur ndër regjime të ndryshme, duam të jetojmë të lirë në botën e qytetëruar. Asgjë më shumë.