Trafikantët e djeshëm, heronjtë e sotëm

0
24

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Në vitin 2005, kur erdhi në pushtet, Berishës i duheshin doemos shembuj të fortë se do të ishte i angazhuar në betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe për të krijuar një bilanc bindës, ai ndërmori një fushatë të pashembullt arrestimesh ndaj gjithë ish-grupeve mafioze, të lidhura deri në atë kohë me politikën, që ishin bërë të paprekshëm. Kjo e bindi ndjeshëm opinionin publik se ai po mbante një distancë prej tyre dhe po i luftonte ata.

Por nuk kaluan as dy vjet dhe Berisha u dorëzua. Grupe të tjera trafikantësh dhe linja droge nisën të gjallojnë, por Berisha dhe qeveria e tij nuk u pa më në krye të betejës kundër tyre. Zyrtarë të lartë politikë të policisë, me lidhje direkte me Berishën, filluan të vendosin kontroll mbi këto grupe kundrejt shpërblimeve financiare dhe 5 vite pas ardhjes në pushtet, Shqipëria mbetet ende vend nga ku kalojnë linjat e trafikut të drogës dhe ku askush nuk ndëshkohet më.

Në opinionin publik është shumë e thjeshtë t’i identifikosh këto grupe kriminale me njerëz të afërt të Berishës, të cilët janë garancia e paprekshmërisë së tyre. Beteja e Berishës me ta u humb, kur Berisha dha i pari shembullin e kundërt të asaj që bëri në vitin 2005. Kur në vitin 2008 prokuroria kërkoi të merrej i pandehur një Ministër i kabinetit të tij, Lulëzim Basha, për abuzime në rrugën Durrës-Kukës, Berisha i vuri gjoksin betejës, duke thënë se drejtësia duhet të kalonte së pari mbi trupin e tij. Kur drejtësia kërkoi të gjykohej Fatmir Mediu, Berisha përdori pushtetin për ta mbyllur gjyqin me procedurë.

Kur prokuroria kërkoi të hetonte Damir Fazlliçin, për të cilën Berisha dhe vajza e tij lavdërohen se e kanë mik shtëpie dhe klient, gjyqi u mbyll sërish me procedurë. Madje dhe një përpjekje modeste e disa qytetarëve të Gërdecit për ta riçuar para drejtësisë Fatmir Mediun, dështoi duke e mbyllur çështjen Gjykata e Lartë.

Këto shembuj të fortë mos-ndëshkueshmërie për shkak të lidhjeve me Berishën, do të mjaftonin në çdo vend të botës, që drejtësia të perceptohej si një ndëshkim vetëm për njerëzit që nuk janë në pushtet. Shembujt e fortë kundër hetimit dhe gjykimit të aferave të mëdha që Berisha ka dhënë duke marrë në mbrojtje të akuzuarit e mëdhenj të këtyre dy viteve, do të mjaftonin për çdo vrojtues të zhvillimeve në Shqipëri të konstatonte atë që ka konstatuar Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili thotë në raportin e tij se “Hetimet e rasteve të korrupsionit pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarët e lartë të qeverisë, gjykatësit dhe anëtarët e parlamentit”.

Për t’u rikthyer në standardet e vitit 2005, për Berishën është një mision i pamundur. Trafikantët e djeshëm të anatemuar prej tij, janë sot heronjtë e pushtetit të vet. Rezart Taçin që e akuzonte si trafikantin më të madh të naftës në Ballkan, sot e ka klient të pushtetit të dhe familjes së vet, Mihal Delijorgjin që e kishte të akuzuarin e madh të lidhur me mafien rajonale, sot e ka heroin e familjes së vet politike, Fatos Nanon që e kishte simbol të korrupsionit, e ka aleatin më të madh politik, ndërsa Ilir Metën që e ka konsideruar kryeministrin më të zi për lidhje me mafien dhe drogën, e ka shtyllë kryesore morale në pushtetin e tij.

Për gjithë këto arsye është e tepërt t’i kërkosh kësaj qeverie të lërë të qetë drejtësinë të luftojë korrupsionin. Ajo është në konflikt të pastër interesi me misionin e drejtësisë. Ose do ta lërë drejtësinë të lirë dhe vetë të shkojë në bankën e të akuzuarve, ose do mbajë pushtetin me çdo kusht për të akuzuar verbalisht, siç po bën, drejtësinë.