JEHONË NË SHTYPIN SHQIPTAR
Nga DALIP GRECA
Publicisti, poeti, shkrimtari Kolec Traboini ka dalë para lexuesit me dy libra të rinj, të cilët janë botuar nga Petraq Risto, pronar i “Globus R” në Tiranë. Libri ”Bukuri Shkodrane”, që është konceptuar në dy libra në një të përbashkët, nis me një replikë, e cila ka për qëllim që të ruaj nga denigrimi njërin nga personalitetet shqiptare në Greqi, arvanitasin Aristidh Kolia, për të cilin Traboini, përveçse e ka njohur nga afër, ka investuar kohë, mund, ka investiguar dhe ka përcjellë tezën se ai është vrarë nga antishqiptarët. Autori në hyrje të librit shkruan” Aristidh Kolia, ish presidenti i Arvanitasve të Greqisë, ndryshe nuk mund të kuptohet veç si arvanitasi me fat tragjik, si paraardhësi i tij Jorgo Maruga, i cili themeloi Shoqatën Arvanitase në vitin 1983 e për këtë, qarqet ultranacionaliste greke, po atë vit e vranë, pra njeriu në mes të dy dashurive të mëdha, për dy popuj, dy shtete, që ende si atavizëm historik, kishin në mes tyre një mal me urrejtje.”
Është e vërtetuar katërcipërisht se Arisidh Kolia ishte një shqiptar i madh që nuk rreshti së luftuari për shqiptarizëm deri në rrahjet e fundit të zemrës, dhe ka gjasa që ai u sakrifikua në emër të përkushtimit për të shpërndarë retë e zymta të urrejtjes mes dy popujve fqinj. Mirëpo përkundër këtij përkushtimi të tij, del në Tiranë një pensionist si Petrit Bidoshi dhe na e epiteton Kolian përçues të megaloidhesë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.Pikërisht kundër këtij interpretimi të pabazuar të Bidoshit ngrihet Traboini, tek ndriçon me penën e tij madhështinë e figurës së Aristidh Kolisë, i cili në kohën e luftës në Kosovë ishte heroi i bisedave televizive në favor të Kosovës, ku dihet se cfarë ndjenjash antishqiptare ushqenin grekët, aleatë të hapur të Millosheviçit. Është vetë vepra dhe jeta e Aristidh Kolias dëshmi e shqiptarizmës së tij të kulluar.
Në fund të replikës, Traboini i hedh “dorashkën” Bidoshit: Përgjigju pyetjes:”Kush dhe pse e vranë Aristidh Kolian”? Kontribut i Kolec Traboinit për madhështinë e figurës së Aristidh Kolias janë dhe botimet e mëparshme të tij si esseja: ”E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias” si dhe “Vrasja e dytë e Aristidh Kolias”Në librin ”Bukuri Shkodrane” esetë, artikujt replikues zënë një vend të konsiderueshëm. Kolec Traboini shfaqet si mbrojtës i vlerave të pavlerësuara. Kështu në esenë kushtuar poetit të talentuar Frederik Reshpja, ai lartëson lirikun e ëmbël, që pati një fat tragjik në jetë. Në shkrimin kushtuar këtij kolosi të poezisë shqipe ”Nobel për së vdekuri”, Traboini shkruan:” Të thoshe se e kishe mik është njësoj sikur t’i mbushje mendjen vehtes se kishe mik një yll në qiell. Ndaj më së shumti mbeten të pakuptueshme mënyrat e sjelljes së tij në këtë botë njerëzore ku kishte të ngjashëm veç veten. Edhe kur e shanin edhe kur e lavdëronin qëndronte indiferent si një orakull.
Ishte tepër larg për të qënë tokësor Frederik Rreshpja, lirik-pikëllimi kozmik i shekullit shqiptar…” Traboini përmes esesë kushtuar poetit mitik nuk ia fal të gjallëve mosvlerësimin dhe dënimin që i bënë të ndjerit me “harrim” ; ” A nuk duhet ta ndjente ai nderimin e respektin për talentin e jashtëzakonshë m e punën e tij të mbinatyrshme me poezinë, sepse ai u shkri për artin poetik? Kaq të pasur jemi sa ta braktisinim “Në vetmi” një gjeni të lirikës shqiptare?Ndoshta vitin tjetër do t’i japin “Penën e Artë” Frederik Rreshpes, do të shkojnë e me përgjërim do t’ia vendosin mbi varr , aty në Rrmajin e Shkodrës ku flenë edhe Kol Idromeno, Hil Mosi e plot burra të shquar të kombit shqiptar.
Por çfarë vlere ka. Shkrimtarit i duhet respekti, mirënjohja e për më tepër sadisfaksioni në të gjallë e jo “vdis pa të dua”, një mizerabilitet moral shqiptar që i shtohet mizerabiliteteve të tjera të jetës së përditëshme ku poetët e mëdhej që nderojnë kombin, lihen të vdesin në harrim e në skamje të paimagjinueshme në fillimet e shekullit 21.” Në esenë e tij përkushtuese Traboini nuk kursen askënd:” Le te pyetet fundja Presidenti shqiptar, si darovitës kombëtar i titujve e ndereve që është, se kush më shumë se Frederik Rreshpja ishte “Mjeshtër i madh “, titull ky që është vendosur në shumë gjokse artistësh të harruar që në të gjallë, sepse veprat e tyre nuk kanë jehonë dhe as atë kualitet që të imponohet në qarqet letrare e artistike?” Me drithërimë shpirti është shkruar edhe një esse kushtuar poetes që iu vranë ëndrrat, Drita Como.
Që në titull ”I vetmi faj i saj…se ish lindur” lexuesi merr mesazhin e krimit ndaj një krijese të pafajshme. Reticenca merr spjegim brenda rreshtave të esesë: ”Ishte ëngjëllore si një fëmijë i posalindur. I vetmi faj i saj ishte, se erdhi në këtë botë në një kohë pa kohë. Erdhi atëhere kur nuk duhej të vinte.”. Duke cituar e interpretuar metaforisht vargjet plot ndjenjë e figura artistike të Drita Çomos, packa se ngrica e kohës përpiqej t’i bënte të acarta, Traboini na e bënë më të prekshëm shpirtin tragjik të asaj që pat lindur në kohë absurde.Ajo vdiq në moshën e dashurisë, por që absurdi e dënoi me vetmi dhe shkretëtira e vetmisë lindi sëmundjen fatale. Shpirti i saj ngërthente poezinë e zemrës:”Vetmia është të duash shumë/ Dhe të mos keshë çfarë të duash/ Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule/ Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’iathuash…”…
E dënuar të përjetonte vetminë e internimit, vajza , e vriste vetminë kanceroze nën shoqërimin e poezisë: ”Mbrëmë prapë nata ish e qetë? Përmbi pisha errësira ra/ Nxorri kokën hëna që nga retë/ Po askujt asgjë ajo s’i tha…/Prapë mbrëmë vezulluan yjet/ Prapë klithi qyqja me trishtim/ Përshpëritën fletët nëpër pyje/ Drurët ulën degët, psherëtinë…”.Vajza e dënuar për të mos jetuar, me vargjet që pikonin metafora sfidonte metastazat, që si gjarpërinjtë i kafshonin shpirtin. Për të nuk kish rreze, dhe në vend të tyre ajo përdorte poezinë… Pena e Traboinit denoncon ata që e varrosën për së gjalli shpirtin që kishte lindur për poezi. Ai do të shpërthejë në mbrojtje të vajzës-viktimë :”Si mund të mbulohej në dheun e zi klithma e protestës për tragjizmin e fatit të një poeteje, e përtej saj, tëmbarë një populli? Dhe vjen shpërthimi: ”Në sa gradë nën zero paske lindur Dashuria ime siberiane?….
Përse autori i ka vënë emrin librit ”Bukuri shkodrane”? Shfletimi i librit do t’ia japë përgjigjen pyetjes. Libri i dytë, brenda librit”Bukuri Shkodrane” përcjell “Ritet e hershme të Libohovës” dhe mbështetet në rrëfimet e veteranit libohovit Vasil Malita. Lexuesi ka rast të marrë një përshkrim historik dhe gjeografik të qytetit në jug të Shqipërisë, pranë Gjirokastrës. Libër tjetër i Kolec Traboinit që sapo ka dalë nga shtypi është edhe “Koha e prostitutave” . Edhe ky libër është botuar nga Globus R Tiranë. Libri është ndërtuar me lirika dhe etyde ose siç e përcakton vetë shkrimtari ”Lirika & Etyde në katër kohë: Dashuria, Urrejtja, Meditimi dhe Buzëqeshja”.
Nju Jork, nentor 2007
Botuar në gazeten “Ndryshe”, Tiranë 21 nëntor 2007