TOPOSI ARTISTIK I SHKARPËS

0
34

(Në vend të recensionit)

Prend BUZHALA, (Prill, 2015)

Poeti Fran Tanushi, poezinë e vet dëshiron ta ligjërojë si ndjesi shpirti dhe urtie. Porse, për të, poezia është dhe një Mburojë Shpirti në kërkimet e vetvetes, në mbrojtjen e vlerave identitare dhe, përgjithësisht, të vlerave njerëzore. Këtë mbresë ta dhurojnë vargjet e përzgjedhura te “Shkarpa” e Fran Tanushit. Është poeti ai që poezinë e vë në vendin e nderit, aty ku i provon dhe shkrin artistikisht ndjesitë më të bukura, në këtë kohë, kur ende mbillet farë e keqe me kalërim ligësie, mu aty ku nis dhe një stinë e re:

ndjesinë e shpirtit e vendos në vargje
stinës se re notat ia shkruaj…

1. Mallkimi i kodit të prekur

Aty, te ai vend i nderit, ligjërojnë fjala dhe e bukura e dheut, kurse ndjesitë që poeti i ligjëron urtësisht e shpirtërisht, përbëjnë një gamë të gjerë e të larmishme, sikundër janë: urtësia, shenjtëria, fjala, ëndrrat, loti, yjet, vetvetja, kujtimi, vetmia, dhembja, pritja. Tutje lexojmë reagimet emocionale të krijuesit, të veshura me ndjesi mërgimtari, apo me ndjesitë që t’i dhuron një ditar i përlotur, me vitet e vjedhura a me ndjesitë e dashurisë. Një mall i mbështjellë me dhimbje, përmasash rrëmbyese e të vrullshme, tujgon kudo nëpër këto vargje, kurse “fatin e pafatësisë” e ndjek pas një mallkim jo vetëm individual, por edhe historik, si shenjë e prekjes në vlerat e shenjta (“me mallkimin e kodit të prekur”). Krijuesi e bën edhe një hap, për t’u zhytur në thellësitë e kërkimeve meditative të artit poetik, sikundër janë: muzgu, koha, kodet e qenies, fati, apo “Valsi i jetës” (tërësi e bukur poetike). Vjen Lutje Bogdanit, pastaj atdheu, liria, njeriu në bronz, Fishta, Gjergji i Madh, Iliria, Buna, deti, copëza historie, etnografie e trashëgimie, që e japin më të plotë gjeopoetikën në vertikalen historike, në horizontalen spirituale.

Dhe, jo rrallë, poeti, duke qëndruar në këtë univers të pa skaj valsesh të humbura, në kërkim të përhershëm, zë e shqetësohet, madje detronizohet, shndërrohet në imazh ironik e ironizues, qesëndisës e vetëqesëndisës… Tashmë ai ka zbritur në një tjetër rrafsh këndimi, ka hyrë në botën e aktualitetit; aty ku heroi i takon së kaluarës; tashmë zë e na vjen antiheroi lirik, që, në pamundësi për ta ndërruar gjendjen, ai e qesëndis këtë realitet, e ironizon. Madje antiheroi ia përplas pseudoheroit të vërtetën në sy, e, ky antihero lirik, është personifikim i guximit jetësor, për t’i emërtuar gjërat të tilla çfarë janë, në thelbin e tyre:

që kur e fshehe kokën nën dhe
heroi im ti s’je

Kurse ai, folësi lirik i rigjetjes së vlerave të bjerra, tash zëvendësohet me defilues ndjenjash të humbura, ku njeriu tashmë është zhveshur nga vlerat e brendshme, etike (poezia “DEFILUESIT E NDJENJAVE TË HUMBURA”, apo kur strukturohet një zhveshje fabulative e realitetit (ZHVESHJA E TERRIT, MACJA DHE MINJTË). Qëndrimi dyshues, i drejtuar kundër vlerave të rrejshme metafizike të qenies, i rimerr figurat e territ, brejtësve dhe të imazheve të pakuptimta të jetës së përditshme, nga njëra anë, si dhe të boshllëkut ekzistencial, nga ana tjetër. Vijnë skenat e imazhet e skepsës lirike-meditative: personazh i bjerrë, pika e zezë, në gojë të ujkut, invazion, kalërim ligësie…

2. Poetika e humbjes, trajtat e ripërtëritjes

Humbjet e vjeljet në jetë, harxhimet e moshës a të kohës, mungesat e shumta të të vetëve dhe të Atdheut që t’i dhuron mërgimi, nuk kanë se si të mos e kenë dhe një tis balade, i kënduar si vals i humbur – për t’u sintetizuar te SHKARPA, si kryefigurë e këtyre ecejakeve nëpër kohë, për t’i kompensuar çastet e humbura, apo për t’i rikthyer ato çaste lumturimi, si shpërblesë kujtimi, si vravashkë e ndezur që vë drejtpeshimin midis qenies, atdheut dhe fatit (“ndize një shkarpë në Shkarpë/ për zërat e shkapërderdhur udhëve”). Shkarpa ka poliseminë e vet artistike: ajo është shenjë varfërie (shkarpa janë dhe këpucët e vjetra e të grisura), është shenj- katandisje e njeriut nëpër meridianet e jetës: shkarpa është edhe dega e hollë, e thatë, që shërben për të ndezur zjarr, kurse metaforikisht ajo është shenjë e ripërtëritjes së ngrohtësisë në myjën e dimrit; është shenjë e nostalgjisë dhe vuajtjes për humbjen e bjerrjen e vlerave në jetë (“u bë shkarpë, u dobësua shumë, u hollua tepër, u tha”…); shkarpa shënjon të parëndësishmen në jetë, kur i braktis vlerat themelore… Shtegtarët kanë tretur nëpër mote, folësi lirik nuk pajtohet me këtë tretje të qenies, as me humbjen, sepse rrënjët e shkëlqimit të dikurshëm nuk thahen, ato janë të thella.

Shtegtar i tretur udhëve të botës
po të qiti udha ndonjëherë
me u kthye në Shkarpë
merre e ndize një shkarpë të terur
aty ku gurët e themeleve
me ndonjë ballë muri të mbetur
mirëseardhje të urojnë

E, nëse nuk do të ishte kësisoj, atëherë ndodh dhe tragjedia e qenies, mu ashtu si do të thoshte George Bernard Shaw: “Në jetë ndodhin dy tragjedi. Njëra, kur e humb dëshirën e zemrës sate. E dyta, për ta fituar atë.” Ky mbushullim me tis balade, ndodh vetëm në trajtën e rilindjes së brendshme. Ripërtëritja ndodh! Sepse poeti përgjërohet gjithnjë për Shkarpën e tij:

zërat e ikur shekujve
kanë me të përgjigj
lëshoje një thirrje të zëshme
të jehojë fuqishëm
atyre grykave të hapura
shtegtar i tretur moteve
nën rënkimin e truallit të bjerrë
mblidhi gurët e caranit

Po qe se folësi lirik ndjehet i zhgënjyer, i humbur, i thyer apo i pasigurt, ai i kthehet vetvetes. Nuk është e habitshme, që, në këso çastesh meditative, do të lindin edhe pyetje nga pak të rënda e dilema sfilitëse: përse jam këtu, kush qenkam tash dhe këtu…(?) E, atëherë po ky subjekt lirik e rizbulon dhe e rinjeh vetveten te ato rrënjë, sepse në ato thellësi nuk arrin askush… Madje, këtu situata kontrastohet skajshëm dhe bëhet figurë e oksimoronit paradoksal (“rreth vatrës akujt të shkrijnë“). Zërat poetikë identifikohen me ata të shekujve: vijnë si zëra mbështetës për qenien që nuk e lënë të ligështohet.

ndize një shkarpë në Shkarpë
për zërat e shkapërderdhur udhëve
për gjymtyrët e tyre të ngrira
rreth vatrës akujt të shkrijnë

Shkarpa nuk është vetëm toponim, por edhe topos artistik, që heq paradigmën e këndimit që nga Martin Camaj (ai ka romanin pak më ndryshe të titulluar: “Karpa”), e këndej:

Shtegtar i tretur udhëve të botës
po të qiti udha ndonjëherë
me u kthye në Shkarpë
merre e ndize një shkarpë të terur
aty ku gurët e themeleve
me ndonjë ballë muri të mbetur
mirëseardhje të urojnë
në atë ambient heshtjeje

Sado që asgjë nuk mund të krahasohet me gjithë këtë univers vlerash (shkarpa, dashuria, atdheu, kikat e vlerave etnike, Bogdani, Fishta), megjithatë, ka diçka që ka humbur nga ai shkëlqim e nga ajo ndjesi, kur na rrethon një mot i brishtë (“poeti e mallkoi motin e brishtë/ duke e zbrazur një gllënjkë verë ,,kallmet’’/ për shpirtin e gjeniut Fishtë”).dhe kërkimi i së humburës nuk pran. Kërkim që ngrihet në parim universal (“Valsi i humbur”), ku poeti thur dhe një kosmogoni të veten poetike, me tone lasgushiane.

Qiellit të harlisur gjithësisë së pa skaj
nga dehja e moshës planetët u hutuan
lëvizjet e çrregullta me nxitim i shtojnë
ritmin e valsit të humbur kërkojnë

Ndjesitë e tilla rilinden nëpër tituj të humbur, një si paradoks i gjetjeve të bukura artistike! E zhdukura bëhet e pranishme, e harruara ringjallet, ndarjet e dhunshme hiqen, e humbura i vjen pranë.

jeta i lidh(ka) ngjarjet
si degët lisi i moçëm në bjeshkë
unë në poezi e kërkoj ngushëllimin
po më kërkove aty do më gjesh…

3. Kohezioni lirik

“Shkarpa”, ky titull kaq evokues, poetikisht ndërlidhet me tematikën dhe strukturën e librit. Kurse strukturimi i librit kësisoj, me një ndarje që vetëkomentohen nëpërmes vargjeve, dëshmon dhe një prirje tjetër të poetit, siç është ajo për zotërimin e strategjisë së veçantë poetike dhe të zgjidhjeve e gjetjeve lirike. Sado që ligjërimi poetik ngërthen caqe të avangardës artistike, megjithatë, krijuesi ruhet nga konceptimi apokaliptik i realitetit, si ndodh me jo pak poetë. Ndodh kësisoj, sepse ai dëshiron ta ruajë drejtpeshimin mes imagjinatës krijuese, frymëzimit dhe lëndës së kënduar. Poezitë, apo tërësitë poetike, kur lexohen veç e veç, dëshmojnë dhe për një dorëshkrim autentik dhe, pse jo, edhe origjinal, të thurjes artistike.

Përjetimet, sado që janë të larmishme, ato vetëm sa përplotësohen e nuk përsëriten. Diskursin lirik duket sikur poeti e kushtëzon herë nga ritmi, rima e rrjedha melodike e vargut: Herën tjetër, ky përjetim kushtëzohet nga thënia e shkurtër dhe e tipit të vargut të lirë, jo metrik; d.m.th. ku ndërgjegjshëm poeti nuk lejon shpërthime retorike apo evokime psherëtimash, dhe, kësisoj, denduria dhe forca e lirizmit subjektiv, sprovon dinamikën e konturave ekspresioniste. E pra, poeti mban qëndrim krijues, si ndaj fjalës, ashtu edhe ndaj figurës, si ndaj përjetimit, ashtu edhe ndaj tipologjisë së vargut e që mund të përkufizohet si model i kohezionit artistik.