SHKODËR – Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dhe Kryetarja e Parlamentin Jozefina Topalli kanë shkëmbyer replika të forta në distancë sa i përket deklaratave që ato kanë bërë ditët e fundit në publik ndaj njëri-tjetrit.
Presidenti Topi nga Shkodra ka reaguar ndaj deklaratave që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka bërë në një intervistë të dhënë në 11 tetor 20011 për agjencinë e lajmeve Radio Europa e Lirë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë intervistës së saj ka nënvizuar se kreu i shtetit kohët e fundit ka luajtur majtas.
“Zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së presidentit”,- është shprehur në intervistën për Radio Europa e Lirë kryeparlamentarja Topalli.
Në reagimin e tij presidenti Topi theksoi se Kryeparlamentarja Topalli duhet më parë të mësojë të artin e komunikimit.
“Spikeret kanë detyrë të recitojnë bukur atë që shruhet, por në rastin konkret Zonja Topalli duhet të flasë korrekt gjuhën shqipe, duhet të mësojë artin e komunikimit. Së pari këto zotëri duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara jo sipas vullneteve të individëve të caktuar, por sipas Kushtetutës”, – deklaroi Topi.
Ndërkohë ka vijuar ‘lufta’ e deklaratave mes krerëve të dy institucioneve më të larta në vend. Reagimi i kryetares së Kuvendit ka qenë i menjëhershëm. Përmes një mesazhi të shpërndarë në media zyra e Kuvendit thekson:
“Topalli thekson se flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë shqipe që foli Fishta, Migjeni dhe Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot”, – thekson Topalli në reagimin e saj të shkurtër.
Kjo deklaratë është pasuar me tjetër reagim të zyrës së Presidentit, ku me nora ironike thuhet:
“Presidenti vlerësoi sonte në Shkodër të gjitha familjet e njohura e me tradita qytetarie, kulture dhe sportdashëse që i kanë dhënë emër Shkodrës dhe krenari gjithë Shqipërisë. Nisur nga deklarata e zyrës së shtypit të Kuvendit, zyra e shtypit të Presidentit shpreh bindjen se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do ndiheshin të fyer kush po i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike dhe institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë”, – nënvizon Topi.
TOPI: LIGJET TË LEXOHEN JASHTË SFONDIT POLITIK
Kreu i Shtetit duke iu referuar ligjit për mbetjet që ktheu për rishqyrtim në Parlament bëri thirrje që ligjet të mos shihen në sfondin politik, ndërkohë theksoi se vendimi i tij është i bazuar në Kushtetutë.
“Unë gjej rastin të rishpreh edhe njëherë atë vullnet që kam shprehur nëpërmjet dekretit tim. Mund t’ju them që të gjitha betejat e karakterit juridik që janë zhvilluar konsiderohen të fituara nga institucioni i Presidentit. Boll të merrni në konsideratë atë që ka qenë cështja më e ndjeshme, cështja e pronave, Gjykata Kushtetuese i shkoi në sintoni sipas të drejtës, vendimmarrjes, që pati Presidenti për ta kthyer.
Unë i sugjeroj këtyre zotërive që mos ti trajtojnë në sfodnin politik gjërat. Presidenti i Repulikës ka të drrejtën absolute Kushtetuese të shprehë vullnetin e tij, aq më shumë kur ai është i argumentuar qoftë në planin juridik, qoftë edhe në planin tjetër, ku Kushtetuta detyron shtetin edhe sa i përket pozicionit social”,- sqaroi Topi.
Presidenti Topi duke shprehur indinjatën e tij për deklaratën e Ministrisë së Mjedisit, e cila e cilësoi vendimin e kreut të shtetit si akt të pastër politik, Topi i tërhoqi vërejtje se nuk po kujdeset për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
“Nuk kam parë ndonjë përfaqësues të mjedisit të jetë kaq i painteresuar për mjedisin. Do t’u thoja të orinetohen tek mendimet e qytetarëve. Ligji është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që kryesisht është korrekt, por i korrigjueshëm për një cështje për të cilën unë s’e kam kaluar”, – vlerësoi Topi.
(e.menga/BalkanWeb)