Topi: Të mos pengohet drejtësia

0
76


Nga Korresp. 24-ore.com

Presidenti i Republikës, Bamir Topi duke folur në një dalje për mediat ka deklaruar se nuk duhet të pengohet drejtësia në zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Kreu i shtetit ka theksuar se ekziston një mendësi e pushtetit politik për të nënshtruar institucionet kushtetuese të pavarura.

“Fatkeqësisht kur duhet të flasë vetëm drejtësia në gjithë këtë heshtje, beteja e gjatë politike që shkaktoi 21 janarin, vazhdon të përgojojë përgjëgjës dhe bashkëpërgjegjës, të akuzuar dhe akuzues duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj që të ndajë të vertetën nga jo e vërteta. Jam besimplotë se drejtësia do dijë të kapërcejë këtë sfidë. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushtetit të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës. Suksesi, do të rimëkëmbte besimin e humbur dhe rikthente shpresën së Shqipëria ka një të ardhme të sigurtë demokratike”, është shprehur Topi.

“Fatmirësisht ndërgjegjja dhe përgjegjësia e qytetarëve në Shqipëri kanë arritur një stad zhvillimi për të kuptuar mendësinë e pushtetit politik që kërkon tkurrjen, nënshtrimin e institucioneve kushtetuese”, tha presidenti.

Kreu i Shtetit ka deklaruar se ka qenë shumë i shqetësuar për ngjarjet në 21 janar dhe këtë e ka bërë publike nëpërmjet reagimeve të tij. Ai ka theksuar se të gjitha kontaktet e institucionit që ai drejton janë institucionale.

“Jam shprehur qartë edhe në 21 janar nëpërmjet një deklarate publike që ishte e vetmja në momente të vështira. Të gjitha kontaktet e presidentit të Republikës kanë qenë dhe mbeten institucionale”, theksoi ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli për një korrespondencë me kreun e shtetit, Topi ka deklaruar se në të i kërkohej që të ndërhynte për një çështje të caktuar në një institucion të pavarur.

“Ishte një kërkesë për të ndërhyrë në një institucion të pavarur. Kam kthyer një përgjigje në sensin figurativ ‘të kopsitur’ nga pikëpamja ligjiore, se presidenti do të akuzohej nëse do të ndërhynte, sepse sipas ligjit, presidentit nuk i lehohet të ndërhyjë për çështje konkrete. Nëse dikush kërkon të mos e respektojë linjën e konfidencialitetit, unë jam i hapur që gjithçka të bëhet publike. Asgjë nuk është konspirative, gjithçka është kushtetuese dhe zyrtare”, theksoi Topi.

Në lidhje me lirimin e të akuzuarve të çështjes “Gërdeci”, presidenti ka deklaruar se është një inspektoriat që do të bëjë të gjitha verifikimet e nevojshme.

“Është ngritur një inspektoriat që do të verifikojë aspektet proçeduriale dhe ligjore të asaj çështjeje. Të gjithë e keni parë lojën e avokatëve dhe është shumë e rëndësishme që drejtësia të reflektohet në hallkat e saj”, deklaroi ai.

“Difektet e një politike jo bashkëpunuese kanë bërë që shumë reforma në drejtësi të mbeten të parealizuara, duke krijuar fatura. Gjithkush duhet të kuptojë që ky vend ka Kushtetutë dhe kuadër ligjore. Sa kohë janë të sanksionuara dhe kandidaturat i referohen ligjit, askush nuk mund të paragjykojë politikisht, duke i lënë institucionet në vakum”, shtoi presidenti.