Topi: Spiunët në kupolën e politikës. Mark Marku ka të drejtë!

0
27

TemA, 26 Qershor 2012

Presidenti i Republikës në detyrë, Bamir Topi, ka hedhur akuza të rënda ndaj drejtuesve kryesorë të pushtetit për lidhjet e tyre me të kaluarën dhe ka premtuar se rikthimi i tij në politikë do të jetë thjesht një mision. Duke folur për gazetaren Ilva Tare, Topi tha se “do të kthehem si misionar në politikë, pas një karriere të gjatë duke nisur nga jeta akademike”.

“Karriera akademike është e ezauruar, dhe po kështu ajo politike, përsa i përket karrigeve. Rikthimi do të jetë si misionar. Duhet të ndahet fakti nëse një pushtet fitohet për interesa të ngushta meskine dhe ajo për të ndihmuar qytetarët që të kanë besuar. Unë besoj të bëjë këtë të dytën.”

Në komentet e tij lidhur me zgjedhjen e presidenti të ri, Bamir Topi tha se ka një njohje të vjetër me zotin Nishani, por ndryshimet kushtetuese të bëra kanë rritur shanset që të rritet autoritarizmi i dy liderëve, Ramës dhe Berishës.

“Kam një njohje relativisht të vjetër me Nishanin, vazhdimisht me të ka qenë një komunikim korrekt dhe në kohën kur ishte ministër i Drejtësisë. E konsideroj një figurë që i ka të gjitha shanset ta administrojë mirë si funksion. Por ndryshimet kushtetuese bënë të mundur që Presidenti të zgjidhej si një preferencë politike. Kushtetuta u bë vetëm në favor të rritjes së autoritarizmit të dy personave, Berishës dhe Ramës,” tha Topi.

Por akuza më e rëndë që Topi lëshoi kishte të bënte me lidhjet e njerëzve të politikës me regjimin e kaluar. “Në rrethin e politikës ka njerëz të lidhur me sigurimin, sipas informacioneve zyrtare që unë kam.”

Edhe më parë Topi ka bërë akuza edhe më të qarta lidhur me lidhjet e Berishës me familjen Hoxha dhe regjimin e vjetër.

Topi po ashtu duket se tentoi të inkurajojë zërat kundër Berishës brenda PD-së, duke lavdëruar kritikat e fundit të deputetit Mark Marku.

“Mark Marku ka të drejtë, vjen me vonesë, më mirë vonë sesa kurrë, ristabilizim të filozofisë se gjithçka shkon mbi bazën e meritës”, tha Topi.

Ai njësoj si Marku beson se në PD ka probleme me karrierën. I pyetur në lidhje me çështjen e nënkryetarit të ri të KLD, Topi pranoi se atë do e zgjedhë KLD me presidentin e ri.