Topi: OK varrezave greke, por duhet edhe obelisk për çamët e masakruar

0
25

Mentor Nazarko

Intervistoi Mentor Nazarko

Duhen nderuar pikërisht ata të cilët kanë pasur një fat të keq nga politika të caktuara represive. Duhet të ketë një barasvlershmëri dhe gjërat duhen parë në ekuilibër”.

Po e nis me një pyetje të parë, që lidhet me mesazhet që vijnë nga politika e ditës. Opozita ka paralajmëruar protesta në datën 30 prill, ndërsa mazhoranca po i përgjigjet me një tjetër manifestim në datën 1 maj. Cili është mesazhi që ju doni të jepni nisur nga këto njoftime që vijnë nga politika?

Mentor Nazarko

Natyrisht nuk mund të ketë një mesazh eksplicit që vjen nga Presidenti për partitë politike, sepse çështjet janë të ndara, pushtetet janë të ndara, partitë politike kanë të gjithë hapësirën demokratike të nevojshme që të marrin vetë vendimet politike, të shprehin të gjithë taktikat politike, pra, do ta konsideroja si një element ekskluziv të partive politike. Mesazhi është që çdo lëvizje politike duhet patjetër që të shkojë në interes të zhvillimit të standardeve të demokracisë, padyshim, të japë sensin e arritjeve dhe të progresit, qoftë dhe nëpërmjet një proteste.

Dihet, qoftë nga eksperiencat botërore, qoftë nga eksperiencat shqiptare, qoftë nga eksperiencat personale, që të gjithë kemi protestuar në një moment. Është një hapësirë lirie, e cila mund të shfrytëzohet në çdo moment të dhënë kur partitë politike apo individë të caktuar mendojnë që mund të protestojnë në mënyrë transparente për të dhënë mesazhet e duhura publike.

– Një pyetje me karakter prospektiv. Nëse opozita, së bashku me mazhorancën, nuk do ta kishin ndryshuar Kushtetutën, a do të kishim një zgjidhje më të shpejtë të thelbit? Pra, a do të kishim një funksionim të institucioneve në një mënyrë më efektive?

Këtu nuk është shumë çështja tek disa elemente të reja kushtetuese në bazë të ndryshimeve të 21 prillit të vitit 2008. Këtu çështja, sikurse e thashë edhe në fillim të bisedës, ka të bëjë në mënyrë vendimtare me vullnetet politike të partive politike. Pra, për çështje të karakterit politik, të cilat mund të implikohen edhe me çështje të karakterit juridik, tek e fundit, gjithçka është te ligji në radhë të parë, dhe ka një dishendencë të rregullit institucional, është Kushtetuta, është ligji që e derivon Kushtetuta, është kuadri i institucioneve ligjore që funksionojnë në Shqipëri, janë vullnetet politike të cilat demonstrohen; ose kur duhen të ndryshohen, ndryshohen në parlament mbi bazën e këtij vullneti, bëhen ndryshimet edhe në kuadrin ligjor. Unë besoj që ky është terreni ku partitë politike duhet të zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Dhe, nëse diçka zhvillohet jashtë këtij terreni, atëherë ka të bëjnë me vullnetet politike të partive politike dhe i kanë ato në dorë, nuk i ka askush tjetër.

Në përgjigjet e deritanishme, është e vështirë, flas për publikun me perceptim me kritika të forta për klasën politike në vend.

– Megjithatë, ju jeni duke vuajtur si institucion, duke vuajtur pasojat e krizës, që është emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë në vendet vakante.

Ende jo për Gjykatën Kushtetuese, sepse ende jemi në kohë, por për të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, vërtet ne po e ndiejmë dhe nuk është çështje që e ndien vetëm institucioni i Presidentit. Institucioni i Presidentit ka lançuar publikisht një shqetësim që lidhet me nevojën apo domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të zgjedhur anëtarë të gjykatave shumë të rëndësishme, sepse kjo do të merrte një ngjyrim tjetër, në rast se do të votohej vetëm nga njëri krah.

Unë do të dëshiroja që ata të ishin të gjithë në sallë, sepse bëhet fjalë për pushtetin e tretë, dhe për pushtetin e tretë nuk janë jo një apo dy vjet, por janë nëntë vjet për çdo anëtar, qoftë të Gjykatës së Lartë, qoftë të Gjykatës Kushtetuese, pra, po t’i marrësh në mënyrë kompleksive janë dhjetë anëtarë në dy gjykatat, të cilët në total përbëjnë nëntëdhjetë vjet. Dhe nëntëdhjetë vjet që realizohen si zgjedhje brenda një muaji, do të thotë që duhet të ketë një vëmendje e jashtëzakonshme.

– Në një nga vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, në fakt janë shumë vendime që, si të thuash, e zhbëjnë atë që ka bërë opozita, që ka bërë kjo shumicë gjatë këtyre viteve, është që lidhet edhe me çështjen e përkufizimit të vijës bregdetare me Greqinë. Ai është një proces, i cili edhe sipas opozitës, edhe sipas këtij vendimi, nuk ju ka përfshirë, qoftë dhe formalisht. Tani që ky proces po ribëhet, negociatat kanë filluar ose do të fillojnë, cilat janë disa nga direktivat që ju do të jepnit për këtë proces?

Së pari, unë nuk jam përfshirë në këtë proces, sepse çështja vjen te Presidenti, vetëm kur duhet të dekretohet. E kam thënë edhe herë tjetër…

– E kisha fjalën për kushtetutshmërinë…..

Pikërisht, edhe unë do të dal aty. Problemi është që Presidenti, në asnjë lloj rrethane, nuk mund të jetë pjesë e një debati politik publik paraprak, sepse duhet të kalojë në hallkat parlamentare, dhe Presidenti flet në momentin kur duhet të shpallë dekret. Fakti që nuk ka pasur një rrjedhë të tillë, do të thotë që Presidenti nuk ka pasur arsye të shprehet. Natyrisht, kam dhënë mesazhet e mia publike dhe përsa i përket anës procedurale. Sot mund të flas me atë rezultat që ka Gjykata Kushtetuese, që domosdoshmërish, kur ka marrëveshje të natyrës shtetërore, jo se e them unë, por e shikon Kushtetuta si të tillë, që duhet të ketë një plotfuqi nga ana e Presidentit.

– Duhet të ketë një plotfuqi preventive pra, paraprake…

Sigurisht, nëse ka marrëveshje ndërshtetërore, është Presidenti. Në rast se ka marrëveshje midis qeverive, sigurisht që është Kryeministri. Pra, sot nuk mund të bëjmë një analizë tjetër, por sot mund t’i referohemi një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyrimisht detyron një rinegocim, i cili besoj do të shkojë në të gjitha standardet e Kushtetutës së Shqipërisë.

– Sepse Gjykata Kushtetuese kishte vërejtje edhe për përmbajtjen, pra jo thjesht për…

Unë nuk mund të futem në elementët e përmbajtjes.

– Jo, dua thjesht një sugjerim. Ky proces, me siguri është duke u zhvilluar, ose ka filluar, ose pritet të fillojë…

Sa kohë që unë nuk kam dhënë zyrtarisht plotfuqinë, do të thotë që unë nuk mund të them asgjë, nëse ka filluar apo se në ç’fazë është.

– Megjithatë, vijmë te një çështje që është e prekshme tani, e një debati publik, që është marrëdhënia me Greqinë. Ju e keni ndjekur besoj, të ashtuquajturin manifestim të marinsave grekë, të cilët këndonin këngë raciste ndaj shqiptarëve. Raciste jo në fakt, por këngë të egra, antinjerëzore do të thosha, antishqiptare?

Ajo që unë mund të them tani në këtë moment, është që, më vjen mirë që ka reaguar qeveria greke, nëpërmjet zërit eksplicit të ministrit të Mbrojtjes, të zëvendësministrit të Mbrojtjes, dhe patjetër ata i kanë dënuar dhe ndjesa e kërkuar të dikton që të mos e trajtojmë këtë temë, sepse zëra të çjerrë nacionalistë, zëra që nuk i shërbejnë një miqësie që është instaluar nëpërmjet institucioneve tona, aq me shumë midis dy vendeve që janë vende fqinje dhe anëtare të NATO-s, tregon që ky është një proces, i cili patjetër në linjën e dënimit moral, ndoshta dhe ligjor të këtyre zërave, që është në kompetencën e institucioneve greke. E rëndësishme është që nga zërat më prominentë të politikës greke, ka ardhur ndjesë dhe një dënim i aktit të këtij kori të çjerrë për të rikthyer në disa situata, të cilat nuk është e nevojshme t’u rikthehemi midis dy vendeve tona.

– Megjithatë, duket sikur kjo mazhorancë, nuk po i hyjmë në krahasim me mazhorancat e tjera, sikur e ka humbur sensin e reciprocitetit të marrëdhënieve me fqinjin tonë. Le të marrim p.sh., çështjen e varrezave. Fare mirë mund t’i kishte kërkuar palës greke që, krahas ngritjes apo pranimit të ngritjes së varrezave të ushtarëve grekë, të lejohej, të ngrihej një obelisk apo një mënyrë nderimi për viktimat e pafajshme, për gratë dhe fëmijët shqiptarë çamë, të cilët janë vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ju e konsideroni të arsyeshme këtë?

Besoj që çështja e politikës që ka të bëjë me varrezat e ushtarëve grekë, është një çështje e trajtuar prej vitesh në parlament. Do të thosha që është në standardin e trajtimit të ushtarëve, të cilët kanë rënë në Shqipëri, edhe për kombet e tjera. Kjo merr një kuptim të veçantë, për shkak të marrëdhënieve specifike që ne kemi pasur në të kaluarën me Greqinë. Por besoj që gjëja e parë është në standardet e një politike që ne kemi ndjekur edhe me ushtarët anglezë.

– Më falni, zoti President, është madhësia, numri i varrezave…

Unë ju thashë që nuk kam ndërmend të futem në elemente specifike, por unë e shikoj plotësisht të arsyeshme që duhet të sjellim në vëmendje edhe problemin e nderimit të popullsisë çame, e cila është masakruar në një periudhë të caktuar të historisë. Sot, kur bëhet fjalë për të nderuar, duhen nderuar pikërisht ata të cilët kanë pasur një fat të keq nga politika të caktuara represive. Dhe kur vjen puna për të nderuar, duhet të ketë një barazvlefshmëri dhe jam plotësisht dakord që gjërat duhen parë në ekuilibër. Por, nuk shoh asgjë të keqe në atë vendim që ka marrë Parlamenti, sepse e shikoj si një çështje që është trajtuar me shumë kujdes. Për ta politizuar, pastaj mund t’i japim….

– Zoti President, megjithatë, duket sikur kjo shumicë, nuk po hyjmë në raport me shumicat e tjera, ka humbur pak sensin e reciprocitetit në marrëdhënie me fqinjin tonë jugor; domethënë rastin e negocimit për varrezat. Ajo nuk ka guxuar të ngrejë në këtë parimin, parimin e reciprocitetit, dhe nderimin e viktimave çame, po themi të grave dhe fëmijëve, nga të cilat vdiqën viktima të pafajshme të luftës.

Duke dhënë çaste nga përvoja ime politike ku kam qenë edhe pjesë e strukturave politike të mazhorancës aktuale, mund të dëshmoj të kundërtën. Në takimet me personalitetet e huaja, është trajtuar edhe çështja e Çamërisë; besoj se kjo çështje po trajtohet dhe do të vazhdojë të trajtohet edhe në të ardhmen, pasi është një element që kërkon patjetër vëmendje, sikurse unë shikoj me një lloj ekuivalence çështjen e trajtimit të varrezave, sikurse kemi bërë edhe me ushtarët e vendeve të tjera, por kjo çështje ka marrë një ngjyrim tjetër, për shkak të marrëdhënieve specifike që Shqipëria ka pasur në të kaluarën me Greqinë.

Gjithsesi, jetojmë në një kohë kur çështja e reciprocitetit është një çështje bazale në marrëdhëniet e politikës midis vendeve, aq më shumë midis dy vendeve që janë fqinj, vende që sot janë anëtare të NATO-s, që nesër do të jenë, patjetër, dy vende të Bashkimit Europian. Ka shumë çaste për t’u takuar e për të sinkronizuar qëndrimet dhe për të nderuar në mënyrë reciproke. Unë e shikoj më se të nevojshme që kur të trajtohet çështja e masakrës çame, detyrimisht, duhet të pranohet çështja e një obelisku, sepse është më se normale.