Topi: Nëse do doja, e bllokoja Berishën. Ai u hakmor ndaj përkrahësve të mi

3
62

TemA, 25 Maj 2012

Presidenti tha se drejtuesit e PD dhe PS janë personat më autokratë. Kryetari i shtetit tha se në institucione ka njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ai vlerësoi figurën e Ina Ramës dhe deklaroi se mbështet një president që del nga një shumicë më e madhe se ajo qeverisëse

Presidenti Bamir Topi, duke folur për Alfred Pezën në Vizion Plus, tha se po të donte, e bllokonte Berishën me atë që njihej si pakica bllokuese. Bëhet fjalë për periudhën kur u miratuan ndryshimet kushtetuese.

Në rast se do kisha tentuar, ai do kishte qenë i bllokuar. Por në sjelljen time kurrsesi nuk ka pasur intencione të kësaj natyre. Të gjitha pozicionimet e mia ka qenë për diskutime të hapura për ndryshimet kushtetuese. Por pashë që kishte një vullnet të gjerë të mazhorancës dhe të opozitës ndaj e firmosa menjëherë dekretin. Të dy kryetarët e partive praktikisht sot janë personat më autokratë. Ka rrezik të thonë një ditë se nuk ke të drejtë të marrësh ajër, se ne e kemi në dorë. Ishte një marrëveshje e pamoralshme mes dy njerëzish. Sot e kësaj dite, një njeri që u fut me amatorizëm të plotë dhe sot ngre duart e thotë bëra gabim, e tjetri që përfiton nga amatorizmi, i kanë marrë frymën partive të vogla dhe kanë dominancë absolute,” tha Topi.

I pyetur për heqjen e njerëzve të tij nga listat e kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2009, Topi tha se konfirmon atë nëntekst të gazetarit, që Berisha u hakmor ndaj tij.

Ashtu sikurse e keni në nëntekst. Nuk ka mundësi që njerëz që kanë qenë kontributorë të rëndësishëm në sistemin mazhoritar, që kanë influencë të drejtpërdrejte me staturën individuale, kanë të drejtë të vazhdojnë edhe kur listat janë të kryetarit,” tha Topi.

Presidenti, duke folur për kryeprokuroren, tha: “Ina Rama ka qenë një propozim i imi, absolutisht i imi. Përshtypjet ishin shumë pozitive nga njerëzit që e kishin njohur në jetën profesionale. Unë them se ka qenë zgjedhje racionale, për të cilën jam i gëzuar vërtet.”

Duke komentuar çështjen e Gërdecit, Topi tha: “Mbledhja e menjëhershme e Këshillit të Sigurisë mendoj se ka qenë reagimi i duhur për situatën. Keqardhje që ende nuk është dhënë verdikti dhe nuk ka përfunduar si proces gjyqësor. Procesi u zgjat për shkak të procedurave, lojërave. Di që ka qenë një proces i mundimshëm.”

Presidenti u shpreh se ka qenë dhe është për hapjen e dosjeve. Ai akuzoi se në institucione ka zyrtarë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. “Kam qenë i vendosur për ta kërkuar vazhdimisht hapjen e dosjeve. Kam qenë nënshkrues i një drafti me zotin Majko.

Por në Kuvend erdhi një ligj ku nuk ishte filozofia për të cilën kishim luftuar. Kam mbajtur një qëndrim konform ekspertizës ndërkombëtare. Njerëz që janë sot në institucione, kanë damkën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Njerëzit e dinë mirë se Shqipëria nuk është vend i madh,” tha Topi.

Duke komentuar zgjedhjen e tij në vitin 2007 dhe votën e disa deputetëve të PS, Topi tha: “Unë që sigurisht nuk e kam pasur në dorë procesin e zgjedhjes. Procesi ka qenë brenda normave kushtetuese. Unë mund të gjykohem pas mbarimit të mandatit, nëse ushtrimi është bërë sikurse ka qenë fryma kushtetuese. Unë kam qenë koherent në deklaratat e mia. Pozicioni i përkrahësve të Nanos ka qenë i rëndësishëm për ta bërë vendin me president. Unë personalisht nuk kam negociuar me Nanon atëherë. Unë i jam mirënjohës Nanos, por ai kontribuoi në atë kohë për të bërë Shqipërinë me president dhe për të mos kaluar në krizë.”

Presidenti komentoi gjatë edhe zgjedhjen e presidentit të ri, duke thënë se ishte për një president që zgjidhet me më shumë se 71 deputetë.

“Mendoj se procesi i përzgjedhjes së presidentit është në rrugë normale, kushtetuese. Mesa di unë dje është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, brenda afatit kushtetues. Unë nuk mund të futem në paragjykime se nuk jam pjesë e bisedimeve. Jam i prirur se procesi do ecë në rrugë përgjithësisht normale.

Unë besoj se termi më i drejtë që është përdorur është presidenti më shumë se i një mazhorance politike. Mund të jetë edhe president i PD, askush nuk ka të drejtë të gjykojë në këtë mënyrë. Në rast se një figurë nga PD do gëzonte një konsensus më shumë se koalicioni që është në pushtet, atëherë merrte kuptimin e një presidenti më shumë se mazhoranca politike. Unë personalisht do të isha për një president me mbështetje të gjerë. Natyrisht të ketë mbështetjen e opozitës,” tha Topi.

“Në këndvështrimin tim presidenti duhet të jetë politik, por jo detyrimisht duhet të jetë politik. Kur them se duhet të jetë politik, kam bindjen se pasi vetë situata është e tillë, se edhe kur presidenti ka pasur një begraund politik, kanë qenë të tjerët që e kanë sulmuar politikisht dhe e kanë futur në një situatë kur i është dashur të abuzojë politikisht. Mendoj se një njeri me eksperiencë e administron në mënyrë më profesionale institucionin. Kjo nuk do të thotë se një person i ardhur nga rrethet akademike nuk do jetë në gjendje ta bëjë këtë gjë,” vijoi më tej ai.

Presidenti Topi komentoi sërish votën e tij më 8 maj, të vendosur në kontekstin e raportit të DASH, që shprehej se është minuar e drejta për të ndërruar qeverinë me votë.

“Kur nuk garantohet vota e presidentit. Në momentin e parë u ekstraktua vetëm një votë dhe kjo ishte vota e presidentit. Kur doli vendimi i gjykatës për të hapur kutitë, doli që në kutinë ku ishte bërë i njëjti gabim, diku kishte pesë vota të hedhura gabim, ndërsa në atë kuti ishte vota e presidentit. Pra është vetë KQZ që ka mbajtur qëndrim zyrtar. Vota është e fshehtë, duhet të jetë e fshehtë dhe aq më shumë kur bëhet me një qëllim politik, që është i dënueshëm,” tha Topi.

Duke komentuar deklaratën e Berishës se ai ka ndryshuar zonën e tij zgjedhore, Topi tha: “Në historinë e zgjedhjeve shqiptare jam deputeti më i votuar, me gati 10 mijë vota. Në rast se ka një lëvizje nëpër zona të caktuara, sigurisht është së pari një vullnet i kryesisë së një partie të caktuar. Unë jam mësuar të kandidoj nga zonat e thella malore dhe në zona të vështira me dominancë të majtë. Herën e fundit kam konkurruar në lagjen time të vjetër.”

I pyetur nëse ka synuar ndonjëherë postin e kreut të PD, ai tha: “Nuk e kam synuar asnjëherë postin e kryetarit të PD. Nuk e kam tharmin e karrierizmit në vetvete.”

3 COMMENTS

  1. Bamir,

    tregoheni tepër të butë, sa as në gjendje të mbroni veten dhe përkrahësit tuaj përkundërt një skizofreni e njeriu të shitur, nuk jeni. Duke qenë në postin më të lartë të shtetit, me sistemin gjyqësor në dorë, me Prokurorinë e SHISH-in, dhe i paaftë për të mbrojtur veten, si kujton se do e mbrosh veten dhe përkrahësit e tu, kur të mos jesh më President?!

    Një ish-punonjës SHIK-u nga Tropoja, po më thoshte para disa kohësh, që përkrahësit e Bamirit i rrahim me shpulla, pikërisht si Sllobodani rrihte kosovarët, para se të ndërhynte NATO. Ju keni qenë e jeni atje, në majë të shtetit, shumë gjëra i kishe bërë më mirë dhe më me rreptësi, por Berisha jua ka mësuar të metat ju, tërheqjen tuaj, rrezikon më shumë dhe jua merr kulaçin nga dora.

    Sepse ju mendoni, ndërsa ai si skizofren, nuk ka sistem frenimi dhe vepron, ndërkohë që ju prisni që ai t’i thërrasë ndërgjegjes, që nuk e ka më! Ai është një qënie vegjetative në dorë të mafies rajonale dhe ju keni përgjegjësi të madhe që nuk e keni frenuar e bllokuar, madje edhe larguar!

  2. Administrator!
    Ajo qe ju dhe shume te tjere nuk kuptoni eshte pikerishte fakti, qe nje president frut i kompromiseve partiake, asnjehere nuk ka per te pasur fuqi per te bere diçka te mire.
    Ai ka per te qene, edhe ne rastin e nje njeriu te ndershem, nje buratin ne doren e partive.
    Ka te drejte Arbën Xhaferri kur e quan “president pule”, qe s’ka fuqi as te turbulloje ujin.

    ———përgjigje ———–
    Agim, pse Presidenti është frut i kompromisit mes partive, i tillë është edhe në Gjermani, Itali, e në vende të tjera me Republikë Parlamentare, por kjo nuk do të thotë se Presidenti duhet të lejojë shkeljet ligjkore, qofshin këto të kryera edhe nga Kryeministri. Kemi rastiun e Italisë, kur Berluskoni e teproi e shkoi më larg se duhet, Presidenti e thirri e i tha “jep dorëheqjen”… Dhe kavalieri u largua, ndonëse ndodhej në akuza. Sa shanse kishte Bamiri t’i kërkonte Berishës dorëheqkjen pas Gërdecit, pas 21 janarit?

    Unë jam distancuar publikisht nga PD pas Gërdecit, por unë nuk kam shumë në dorë, si Braçe tani që vetëm flet, kush e ka në dorë siç e kishte Bamiri, nuk veproi në kohën e duhur, dhe nuk veprojnë as tani për ta rrëzuar Berishën, se shumë njerëz janë mësuar ta shohin si të suksesshëm këtë fuks të serbëve dhe tërhiqen para tij… kur e kanë në dorë edhe ta rrëzojnë. Dhe ky skizofren u ha kokat një nga një atyre, kur ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë…

    Disa muaj para se të vriteshin 4 vetë më 21 janar, unë pata botuar një shkrim ku e cilësoja Berishën si njeriu i mbyllur në kullë dhe nga frëngjia e kollës së tij, ai vret këdo që i afrohet… pra logjika flet vetë, unë kisha parashikuar kullën e Viçidolit në kryeministri dhe ashtu ndodhi, Berisha vrau njerëz, shqiptarë të pafajshëm.. Pyetja logjike i bëhet Prwesidentit të shtetit: Po kush leshin është ky i çmendur që vret njerëz, ju e keni në dorë ta frenoni, e nuk e bën? A nuk përbën krim / shkelje ligjore edhe kjo që ka bërë Topi? Si guxon ai ta thotë tani? Për t’iu servilosur Berishës e bën, apo çfarë?

  3. Peshtjellimi shkaktohet nga perpjekja per te kuptuar ose per te gjetur pergjigje ndaj nje situate.
    Peshtjellimin e krijon mungesa e besimit.
    Thomas Jefferson thote :
    “Çdo brez ka nevoje per nje revolucion te ri.”
    Revolucioni eshte nje ndryshim i papritur, rrenjesor dhe teresor nga menyra sesi gjerat behen normalisht.
    Zakonisht revolucionet nisin nga nje person apo nje grup i vogel njerezish te cilet nuk duan te jetojne me siç kane jetuar ne te kaluaren. Ata besojne se diçka mund dhe duhet te ndryshoje, keshtu qe promovojne idete e tyre deri sa te filloje nje dallgezim qe do te ndryshoje perfundimisht situaten, shpesh ne menyre rrenjesore.
    Menyrat e vjetra te te menduarit zevendesohen me ide te reja.
    Si psh. revolucioni shkencor, revolucioni industrial.
    Ne jemi te paralizuar nga fakti qe deklarojme se : “S’mund te bejme dot asgje”, ne kete bote te mbushur me probleme kaq te medha. Motoja duhet te jete :
    – Refuzoj te rri duarkryq
    – Jam kunder padrejtesise
    – Jam pjese e zgjidhjes dhe jo e problemit
    – Qellimet e mira nuk mjaftojne.

    Asgje e mire nuk ndodh rastesisht.
    Kam lexuar ne nje liber nje histori interesante per kater persona qe quheshin: Çdonjeri, Dikushi, Ndonjeri dhe Askushi.

    “Ishte nje pune e rendesishme per t’u bere dhe Çdonjeri ishte i sigurt se Dikush do ta bente.
    Ndonjeri mund ta kishte bere, por Askush nuk e beri. Dikush u zemerua shume per kete gje, sepse ishte detyra e Çdonjerit. Çdonjeri mendoi se Ndonjeri mund ta bente, por Askush nuk e kuptoi se Çdonjeri nuk do ta bente. Ne fund, Çdonjeri fajesoi Dikushin kur Askushi nuk beri ate qe Ndonjeri mund ta kishte bere.”
    Konkluzioni, ne kush jemi?
    Jam i detyruar te perserise ate qe Edmond Burke thote:
    “Qe e keqja te triumfoje eshte e mjaftueshme, qe te miret te mos bejne asgje.”
    Atje ku e keqja nuk kundershtohet, ajo gjen vend dhe shumohet, por te mos harrojme se sa me shume t’i pergjigjemi te keqes me te keq, perseri, aq me shume ajo shtohet.
    Pershendetje.

    ————–
    Konkluzioni yt i drejtë: “Qe e keqja te triumfoje eshte e mjaftueshme, qe te miret te mos bejne asgje.”
    Dhe unë e konsideroj Bamir Topin ndër të mirët, që bëri pak nga sa kishte në dorë të bënte, për të frenuar të keqen e këtij vendi: Sali Berishën.

Comments are closed.