Topi ‘hyn’ në FRD dhe paralajmëron: Aleancën e kemi me qytetarët, jo me partitë e vjetra

0
18

TemA, 3 Gusht 2012

Bamir Topi thotë se takimin tjetër do e realizojnë në selinë e Frymës së Re Demokratike

Ish- presidenti Bamir Topi, ashtu siç ishte paralajmëruar, takoi sot drejtuesit e grupit nismëtar të Frymës së Re Demokratike. Pas takimit, përpara mediave folën kreu i grupit nismëtar, Gazmend Oketa dhe vetë Bamir Topi.

“Shprehëm mirënjohjen ndaj presidentit Topi për kontributin e tij si president i Republikës në respektim të Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura.

E njohëm me projektin tonë politik që synon të sjellë një politikë ndryshe në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për integrimin evropian të bëhet realitet.

Eksperienca e Topit si presidenti dhe politikan i spikatur do jetë një aset i shtuar dhe vlerë e mirëpritur në Frymën e Re Demokratike,” deklaroi Oketa.

Kurse presidenti Topi tha se ky ishte një hap i parë drejt rikthimit në politikë. Topi tha se do ketë edhe një takim tjetër, kësaj here në selinë e FRD.

“Unë e konsideroj këtë takim si hapin e parë publik të procesit të zyrtarizmit të rikthimit në politikë. Më vjen mirë që sot kam qenë me njerëz të nderuar në përgjigje të ftesës së tyre.

Natyrisht do jetë fundi i këtij muaji që do të realizojë hapin përfundimtar dhe unë jam i bindur se takimi tjetër do realizohet në selinë e re të FRD. Një forcë e re politike, e cila në projektin politik e ka bërë të qartë që do të jetë në funksion të plotë aspiratës qytetarë dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e zotit Oketa kur është pyetur për aleancat e mundur, ka thënë se aleanca jonë është aleancë me qytetarin,” tha Topi.

I pyetur për mundësinë e aleancës së FRD me PS, Topi dha një mendim personal: “Nëse do mbaj një pozicion personal, them se aleanca do jetë vetëm me qytetarin dhe jo me ato që konsiderohen parti të vjetra në Shqipëri. Nuk do kishte sens një forcë e re politike që kërkon të realizojë një model totalisht ndryshe në përputhje me standardet evropiane ku do drejtohemi.”

I pyetur nëse do jetë ai që do drejtojë FRD, Topi tha: “Nuk jemi futur në termat e bisedimit për kryesimin e FRD. Unë e kam thënë se do rikthehem si misionar politik dhe nuk e lidh këtë me një pozicion të caktuar.”

Presidenti Topi u pyet edhe në lidhje me deklaratën e tij për rotacion politik në vitin 2013. “Rotacioni në demokraci vjen gjithmonë nëpërmjet votës së popullit. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë duke argumentuar qartë se politika ka sjellë një zhgënjim që vjen nga zëri i qytetarëve,” tha Topi.

Kurse Oketa, duke folur në lidhje me rotacionin, deklaroi: “Ne do japim kontributin tonë për një politikë ndryshe. Rotacionin e garantojnë qytetarët me votën e tyre të lirë.”