Topi frikëson Berishën, ja 7 qarqet ku FRD rrëzikon PD

0
31

Zgjedhje-2013 NGA JAKIN MARENA 08 Qershor 2013

TIRANE – Berisha gjendet në një trysni të jashtëzakonshme për shkak të rritjes hap pas hapi të mbështetjes për FRD të drejtuar nga ish-nënkryetari i PD, ish-presidenti i vendit i zgjedhur me votat e demokratëve Bamir Topi.

Shqetësimi në rritje i kreut të mazhorancës nuk vjen thjeshtë se rritet mbështetja për rivalin e tij politik, por sepse kjo rritje është tërësisht në kurriz të PD, duke marrë vota maksimalisht nga radhët e të djathtëve, përfshirë pronarët dhe ish-të përndjekurit që kanë qënë gjithnjë një “parcelë” e Berishës gjatë 23 viteve.

Burime brenda PD bëjnë me dije se ka qënë pikërisht fushata derë më derë e filluar nga ana e strukturave të PD, duke bërë në këtë mënyrë dhe “sondimin” tek qytetarët për mbështetjen, ajo që ka treguar rrjedhjen e votave për FRD pikërisht nga “thesi” i PD.

Duke filluar nga kryeqyteti ku mendohet se do të jetë dhe rrjedhja më e madhe dhe ku FRD pothuajse ka të sigurtë një mandat deputeti e që mendohet të marrë mbi 12 mijë vota, mendohet se çarja e PD ka ndodhur pikërisht në njësitë bashkiake 3, 7, 8, 9 etj, pa përjashtuar një mbështetje totale në zonën e Dajtit, në Kamzë por dhe në Kavajë.

Për më tepër që mbështetje indirekte kanë dhënë dhe deputetët e pakandiduar nga Berisha në kryeqytet, të cilët i ka zëvendësuar me dy deputetët e PS, Islamin dhe Dogjanin, duke sjellë pakënaqësi tek të djathtët. Ku rrjedhjen e votave nuk e kompenson as LZHK e Dash Shehit.

Por dhimbje koke Berishës i ka shkaktuar dhe mbështetja për FRD në qarkun e Durrësit, ku Oketa e ka pothuajse të sigurtë fitoren, çka do të thotë se PD i hiqet një mandat neto demokratëve, pa llogaritur zbrazjen e votave për të djathtën në këtë qark të rëndësishëm, për shkak të numrit dy të listës së FRD, Sami Gjergji.

Burimet saktësojnë se rrjedhja e votave nga PD drejt FRD ka ndodhur dhe në Shkodër, kryesisht në qytet dhe rrethina dhe kjo për shkak të sjelljes aspak dinjitoze të qeverisë në momentin e përmbytjes, dhe duke e dëmtuar rëndë rezultatin e së djathtës, pavarësisht se ndoshta nuk merr asnjë mandat në kryeqendrën e veriut.

Ndërkohë që vendosja e një ish-futbollisti në qarkun e Elbasanit, Artim Kovaçi, ka lëkundur fort balancat e PD, duke rrezikuar shumë për një mandat deputeti, për ta katandisur atë me pesë deputetë, pasi një mandat e sulmon fort dhe e majta për të kapur 8 mandate.

Sipas burimeve që kanë qënë në terren në takimet e vogla, mësohet se dhe në Vlorë e njëjta situatë është, pasi FRD po sulmon fort Lumin e Vlorës e qytetin, duke rrezikuar rëndë numrat për PD, përmes dhe një kandidati potencial, si Daut Gumeni, ish-i përndjekur i regjimit komunist dhe me mbeshtetje të fortë në atë zonë.

Ndërkohë që në qarkun e Dibrës, e kryesisht në aksin Peshkopi-Bulqizë, përmes kandidatit Sali Shehu FRD pritet të marrë një mandat deputeti. Por vota heq dhe Fier, Kukës, Lezhë, Korçë, Gjirokastër dhe Berat, duke marrë vetëm nga PD.

Pikërisht këto informacione kanë sjellë acarimin e Berishës, që po shkon pikërisht nga dy herë në këto qytete, duke lëshuar akuza të forta në drejtim të kundërshtarëve politikë dhe presion mbi votuesit.

Nga ana e tij, ish-kreu i PD Tritan Shehu, nënvizon se “Topi nuk e dëmton PD pasi ai merr vota vetëm nga opozita dhe PS. Topi e ka zgjedhur me kohë pozicionin e tij, përkrah Ramës. Ndaj nuk merr vota të djathta, por dëmton vetëm të majtën”.

FRD, KU E RREZIKON BERISHËN

Qarku i Tiranës
Njësitë bashkiake 3, 7, 8 dhe 9-të.
Qarku Shkodër
Kryesisht mbështetje në qytet e rrethina
Qarku Durrës
Mbështetje në qytet me banorët e vjetër
Qarku Vlorë
Mbështetje në qytet, por dhe Lumin e Vlorës
Qarku Elbasan
Mbështetje të qytetarët autoktonë.
Qarku Dibër
Mbështetje në aksin Peshkopi-Bulqizë
Qarku Fier
Kryesisht në Qytet dhe rrethina

Shkrimi u botua sot gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)