Topi e konsideron Berishën pacient në fazë të rënduar mendore: “E vërteta është se ka frikë dhe ka të drejtë…”

0
44

ResPublica.al, 19 shtator 2012

Bamir Topi i është përgjigjur sot akuzave të Berishës për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi duke e nisur deklaratën e tij me një citim të Mark Tuenit, që “këshillonte të mos debatohej me njerëz të tillë, pasi të tërheqin në nivelin e tyre”. Ish-presidenti Topi e ka konsideruar S.Berishën të çekuilibruar, konfliktual, të pabesë e të paemancipuar.

Tha Topi mes të tjerash: “Kryeministri lëshoi një lumë akuzash, fyerjesh e denigrimesh.. Kam bindjen se kushdo që e ka dëgjuar, ka krijuar atë ndjesi që pata dhe unë. Sërish u shfaq në një gjendje të çekuiliburuar dhe humbje kontrolli për t’u mëshiruar. I njëjti njeri ka 22 vjet që baltos institucionet dhe jetën publike, njerëzit e ndershëm dhe kritikët e tij.. Unë e kuptoj shumë mirë rënien e tij në nivele të tilla. Sa herë ai sheh një kërcënim elektoral, e humbet kontrollin dhe është gati të bëjë gjithçka…Sikur sjellja e tij të ishte thjesht personale, as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk do merreshin me të. Ai mbetet një pacient në fazë të rënduar mendore…

Me zhargonin e tij konfliktual, të një njeriu të paemancipuar, e lidhi emrin tim me vrasjen e gjykatësit Konomi dhe pronat e tij. Kryeministri që drejton policinë dhe shërbimin sekret, ka detyrimin ligjor dhe aksesin për informim zyrtar, ai nuk heton dhe zbardh të vërtetat e mëdha, por vetëm shpif sepse për të nuk ka rëndësi e vërteta. Çdo procedurë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është bërë me votat e ministrave të tij dhe me votim të fshehtë të 15 anëtarëve të KLD, ku presidenti ka vetëm votën e tij.

Shqiptarët e dinë se cili politikan e ka krijuar karrierën e tij mbi konflikte permanente. Sikur e dinë se cili politikan kërcënon me jetë nga tribuna e parlamentit. E vërteta është se kryeministri ka frikë dhe ka të drejtë… Logjika e përvoja e tij njohin vetëm frikën e kërcënimet, shantazhin e baltosjen, gënjeshtrën dhe pabesinë. Ai e ka humbur tashmë shumicën, ka humbur mbështetjen e publikut…”.

Duke e quajtur Berishën “stalinisti i fundit në Europë” dhe një “model mesjetar, që hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë” – Topi e ka mbyllur me: “Unë jam në mision i vendosur për të mos lejuar kalimin e vendit në pashallëkun privat të kryeministrit dhe familjes së tij.” – A.N.