Topalli skandal me lekët e Kuvendit, zbulohen dietat e ‘majme’ të të djathtëve

0
65

nga Korrieri OnLine, 21 Prill 2010

TIRANË – Rrogat e gjashtë muajve të 64 deputetëve të PS-së në periudhën e bojkotit parlamentar nuk kanë qenë të ardhura që mbetën në buxhetin e shtetit. Një pjesë e mirë e tyre i është dhënë deputetëve të mazhorancës, përmes dietave tejet të fryra, lekëve për karburantin apo telefonin, dhe që në total përbëjnë një shumë që në disa raste ia kalon edhe rrogës, që ata marrin.

Kjo situatë vazhdon ende, ku deputetë të PD-së favorizohen nga kryetarja e Kuvendit në mënyrë krejt antiligjore, ndërsa homologët e tyre socialistë janë bërë pre e penalizimeve pa fund, edhe kur bëhet fjalë për shpenzimet që ata kryejnë në përmbushje të detyrimeve dhe të përgjegjësive të ngarkuara nga detyra që kryejnë.

Gazeta “Shekulli” disponon faturat e lajmërimit të kreditimit të shpenzimeve të muajit mars për disa deputetë të djathtë dhe të majtë, ku natyrisht evidentohet qartë ndryshimi i përfitimit financiar i të zgjedhurve socialistë, si dhe abuzimi që në këtë rast bën kryeparlamentarja në shpenzimin e buxhetit të institucionit të Kuvendit. Nga krahasimi i këtyre tabulateve vihet re se të gjithë deputetët socialistë për muajin mars janë trajtuar financiarisht vetëm me 18.3 mijë lekë për dieta, ndërsa nuk u është kompensuar asnjë lek qoftë për karburantin ashtu edhe për telefonin.

Ndryshe nga ata, kolegët e tyre të djathtë përveç dietave të majme që arrijnë deri në 74 mijë lekë të reja, janë trajtuar financiarisht edhe për karburantin që kanë konsumuar në udhëtimet e tyre, për telefonin celular, çka në total në disa raste shuma ka shkuar deri në 160 mijë lekë të reja. Kështu, deputeti socialist i Beratit, Erion Braçe, ka mundur të marrë si kompensim për shpenzimet e muajit mars vetëm 18.3 mijë lekë dhe këto të detajuara vetëm si dieta dhe nuk i është paguar kompensuar as karburanti dhe as telefoni, megjithëse kjo parashikohet në ligjin “Për statusin e deputetit”.

Ndërkohë që kundërshtari i tij i të njëjtit qark, Lefter Maliqi, pavarësisht largësive të barabarta nga Tirana ka marrë në total 140 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë si dieta (një deputet që banon në Tiranë i paguhen 6 ditë dieta me nga 30 mijë lekë, ndërsa një deputeti që banon jashtë Tirane i njihen 12 ditë të tilla), 40.5 mijë për karburantin, 17 mijë për telefonin, si dhe 9 mijë lekë për pjesëmarrjen në komisione. Në rastin e Maliqit duhet të theksojmë se nga deklarata e tij e pasurisë në ILDKP rezulton se ai ka shtëpi në Tiranë.

Pra, nga krahasimi i të dhënave duket qartë trajtimi me dy standarde që Kuvendi i bënë deputetëve të të njëjtit qark, pavarësisht se ligji parashikon një trajtim të barabartë mes tyre. Një tjetër rast është ai deputetit Taulant Balla, i cili ashtu si Braçe ka marrë vetëm 18.3 mijë lekë për dieta, duke mos iu njohur as kompensimi i karburantit dhe as i telefonit. Ndërsa kolegu i tij i të njëjtit qark, Luçiano Boçi, ka përfituar në total 139 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë lekë dieta, 37.8 karburant, 17 mijë lekë telefon dhe 10.8 mijë lekë nga komisionet.

Pra, sërish vihet re fenomeni i favorizimit të deputetëve të djathtë. Një rast akoma më flagrant përbën ai i deputetit Igli Cara, i cili pavarësisht se është deputet i Durrësit, pra vetëm 30 km larg Tiranës, ka mundur të marrë në total 132 mijë lekë, nga të cilat 73.2 mijë si dieta, 33.3 mijë për karburantin dhe 17 mijë lekë për telefonin. Pabarazia mes deputetëve të djathtë dhe të majtë bëhet edhe më e madhe në rastin e deputetëve të zonave të largëta.

Kështu, ndërsa deputeti socialist Qemal Minxhozi ka përfituar si dietë vetëm 18.3 lekë, kolegu i tij i djathtë i të njëjtit qark Bedri Hoxha ka marrë plotë 160 mijë lekë të reja si dieta, karburant, telefon dhe për pjesëmarrjen në komisione, ose thënë ndryshe rreth 300 mijë lekë më shumë sesa rroga që ai merr si i zgjedhur.