Topalli presidente! Provokim apo mundësi reale?

0
29

Nga: Skender Minxhozi

Ideja për Topallin presidente nuk është e sotme. Ajo është shfaqur prej kohësh. Sot ajo del në një dimension të ri në skakierën e brendshme të Partisë Demokratike, në kushtet kur Lulzim Basha ka hyrë në bashkinë e Tiranës, duke u afishuar si një figurë politikisht potente në PD. Zonja Topalli është, me shumë gjasë, njeriu më i dëshpëruar në spektrin politik, pas Edi Ramës, për këtë sukses të Bashës

A është Jozefina Topalli një politikane që mund të unifikojë të gjithë shqiptarët? Dikush mund të bëjë pyetjen normale se për çfarë i duhet asaj të jetë e tillë, kur është përfaqësuese e një krahu të caktuar politik? Ja që u dashkan bërë edhe pyetje të tilla “të rënda” në këtë kohë vere, kur vakuumi politik dhe mungesa e lajmeve nëpër media, nxjerr në sipërfaqe lloj-lloj diversionesh. Të pavërteta, gjysëm të vërteta, ose edhe të vërteta. Ku i dihet. Sepse, që ta biem bisedën brenda temës që duam të trajtojmë, demokristianët (hajde gjeje se cila degë e tyre), kanë hedhur këto ditë propozimin që zonja Topalli të jetë presidente e ardhshme e Shqipërisë, më 2012, kur Bamir Topit t’i jenë dhënë duart nga maxhoranca që e zgjodhi duke blerë vota në vitin 2007.

Ideja për Topallin presidente nuk është e sotme. Ajo është shfaqur prej kohësh. Sot ajo del në një dimension të ri në skakierën e brendshme të Partisë Demokratike, në kushtet kur Lulzim Basha ka hyrë në bashkinë e Tiranës, duke u afishuar si një figurë politikisht potente në PD. Zonja Topalli është, me shumë gjasë, njeriu më i dëshpëruar në spektrin politik, pas Edi Ramës, për këtë sukses të Bashës. Ndoshta vetëm posti i kreut të shtetit mund ta ngushëllonte për një periudhë pesëvjeçare, e cila qysh tani duket se do të kurorëzojë Lulzim Bashën si pasardhës të Berishës në PD. Nga ana tjetër, ky propozim rri tashmë krah për krah me emrin e Sali Berishës, për të cilin qarkullojnë prej kohësh fjalë se po tundohet nga posti që dikur e mbajti për dy mandate.

Kandidatura e Jozefina Topallit do të ishte në logjikën e kohës që jetojmë. Një hapësirë e mbushur me antagonizëm politik, kundërvënie të forta sociale dhe mungesë thuajse totale dialogu mes palëve. Një pasqyrim besnik i kulturës së tensionit që mishëron karriera e Sali Berishës në këto njëjzet vjet. Sjellja politike e Topallit, besnikëria politike e verbër e saj ndaj kreut të shumicës, agresiviteti arkaik dhe militantizmi partiak që shpesh kap kufinjtë e humorit, e bëjnë atë një kandidate “të sigurtë”, pas eksperimentit Topi, i cili krijoi aq telashe në PD (në fakt jo për faj të Topit, por thjesht për faktin se kushdo që është ulur në atë vend, ka pasur sherr me Berishën).

Kryetarja e Parlamentit i ka pra të gjitha cilësitë që i kërkohen një kandidati demokrat për presidencën gjatë vitit të ardhshëm. Por këtu ka një problem jo të vogël, gjithnjë nëse do të jetë ajo e përzgjedhura e kryeministrit për Presidencën.

Pas 8 majit po fillon të marrë formë ngadalë, një qëndrim i ndërkombëtarëve, i cili shtyn drejt një hapjeje të madhe të palëve, për një listë kompromisesh, ku hyjnë reforma e Kodit Zgjedhor, normalizimi i jetës parlamentare dhe eventualisht ndryshimet kushtetuese dhe gjetja e kandidaturave “pajtuese” për kreun e shtetit, kryeprokurorin e disa poste të tjera të rëndësishme. Nëse kjo linjë, e cila ka një precedent, atë të vitit 2002, do të zyrtarizohej, atëhere zonja Topalli do të kishte shumë pak shanse që të hynte në Presidencë. Europianët s’mund të lejojnë që një figurë politike, që ata e kanë goditur fort personalisht në opinionin e Komisionit Europian të dhjetorit të shkuar, të marrë postin e kreut të shtetit.

Hapja e baletit presidencial me propozimin e ndrojtur të demokristianëve për Topallin, duket më shumë si një zhvillim i brendshëm në PD, sesa si një prelud i vërtetë i negociatave për pasardhësin e Bamir Topit. Zonja Topalli edhe mund të bëhet presidente e ardhshme e Shqipërisë, por është ende herët për ta besuar realisht këtë gjë. Skena politike shqiptare ka shumë e shumë të panjohura brenda saj në këtë moment dhe identikiti i kreut të shtetit është i ëvshtirë të shquhet, në morinë e faktorëve që kanë influencë mbi procesin.