Nga Kledian Lula
Dy ditë më parë, në pompozitetin e saj tipik e fluturues, Jozefina Topalli përuroi bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse biblioteka e Kuvendit nuk është e nevojshme për një pjesë të mirë të deputetëve, kjo ishte një mangësi e plotësuar që i duhej një institucioni ligjvënës, qoftë edhe formalisht, si në rastin e përbërjes aktuale të parlamentarëve apo nëpunësve të kuvendit. Nuk e dimë se cilët do të jenë ata deputetë leximtarë, që do të ulen në tavolinat e kësaj biblioteke, por na bëri përshtypje, që zonja Topalli la jashtë fondit të kulturës së kësaj biblioteke një literaturë teoriko-praktike të krijuar për 20 vjet radhazi prej anti-komunistit më të tërbuar dhe demokratit më modern shqiptar të këtyre viteve, shefit të saj Sali Berisha.
Mendojmë, se zonja Topalli duhej të fuste në bibliotekën e Kuvendit edhe 10 tituj “librash” të shkruar në këto 20 vite demokraci prej politikës qeverisëse e opozitare të lëvizjes “Berisha&Co”. Kjo neglizhencë e zonjës Topalli është një mangësi e vlerave të kësaj biblioteke e cila patjetër, që duhet të pajiset edhe me 10 tituj kryesorë të teorisë dhe praktikës 20 vjeçare politiko-qeverisëse të Sali Berishës.
1. Teoria dhe praktika e puçeve tipike komuniste, për të sunduar si kryetar i përjetshëm i një partie. Literatura: Kongreset e PD. Autor, redaktor dhe botues Sali Berisha.
2. Ligjet që të zhvasin pronën, variantet e moskthimit të tyre dhe metodat për të mashtruar pronarët. Literatura: Praktika e re marksiste-leniniste dhe reforma e re agrare për pronat. Autor, redaktor dhe botues Sali Berisha.
3. Autobiografia e dhjetoristit Sali Berisha: Si përmbysa komunizmin në vilën e Ramiz Alisë, nën përkujdesjen e sigurimit të shtetit. Literatura: Rrëfime personale dhe dokumentarët e opinionet në TV “Klan” 2005-2010. Autor dhe redaktor: Sali Berisha, konsulentë Aleksandër Frangaj, recensent Blendi Fevziu.
4. Buletin me udhëzime konkrete për sulmet ndaj institucioneve shtetërore, për pushtimin dhe shkatërrimin e tyre. Literatura: Arkiva e PD, mitingjet dhe fjalimet e Berishës në vitet e opozitës 1997-2005. Autor dhe redaktor Sali Berisha
5. Si mund të jesh i suksesshëm në vjedhjen e votave për të mos lëshuar pushtetin. Literatura: Historia dhe praktika e zgjedhjeve të 26 Majit 1996. Autor, redaktor dhe konsulent Sali Berisha.
6. Rekrutimi, nënshtrimi dhe goditja e kundërshtarëve politikë rrezikues për pushtetin. Literatura: Përvojë nga qeverisja e viteve 1992-1997 dhe veprat 1-60 të Enver Hoxhës. Autor, redaktor dhe konsulent Sali Berisha.
7. Metodikat funksionale të ngritjes së firmave piramidale, grumbullimi dhe përvetësimi i kursimeve të një populli. Literatura: Përvojë nga Rumania. Autor dhe redaktor Sali Berisha, konsulente Sudja, recensent Ritvan Bode.
8. Vazhdimi i luftës së klasave, duke mashtruar dhe persekutuar ish-të përndjekurit politikë. Literatura: Udhëzimet e Gorbaçovit në Katovicë. Autor dhe redaktor Sali Berisha, konsulent Ramiz Alia
9. Praktika efiçente për hedhjen në erë të zonave të banuara me demontim municionesh. Literatura: Historia e njësiteve guerile partizane. Autor Sali Berisha, konsulent Efraim Diveroli, konsulent Fatmir Mediu.
10. Përvoja shqiptare e viteve 2009-2010 për përmbytjen e zonave të banuara, mjeshtëria për të mos i kompensuar. Literatura: Përvoja e Shkodrës. Autor, dhe redaktor Sali Berisha, konsulent Jozefina Topalli.