Topalli gjen fajin tek pozita gjeografike e Shkodrës

0
53

Nga TemA

Një fjalim i mbushur me kontradikta nga kryetarja e Kuvendit. Fillimisht deklaron se Shkodra është mësuar me këtë situatë, pastaj thotë se nuk është parë ndonjëherë një situatë e tillë. Medieve u thotë të mos krijojnë panik, por vetë thotë se lumenjtë janë tërbuar mbi Shkodër e koha e keqe do vazhdojë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha nga Shkodra se asnjë qytet tjetër nuk është i vendosur në një pozitë të tillë që të rrezikohet kaq shumë nga përmbytjet. Topalli tha se gjysma e lumenjve të Ballkanit derdhen në Shkodër. “As një qytet tjetër, asnjë pjesë e rajonit të Ballkanit si pjesa e Shkodrës nuk është e vendosur në mënyrë të tillë, që të gjitha shkarkimet nga gjysma e Ballkanit të derdhen në këtë pjesë të basenit të Shkodrës. Këtu kam parasysh duke filluar nga lumi i Moraçës, lumi i Semit, i Përroit të Thatë, i Gjadrit, i Valbonës, lumi i Bunës, Drinit, dhe fryrja shumë e madhe e liqenit të Shkodrës,” tha Topalli.

Ajo shtoi se shkodranët i njohin situata të tilla. “Sigurisht që shkodranët i njohin situata të tilla, dhe janë të përgatitur sepse historia e këtij qyteti është një histori e një baseni ku shkarkohen të gjitha ujërat e Ballkanit. Duhet të përgatitemi për më tej; është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, gjë që do të thotë se shkalla e mobilizimit dhe e përgjegjësisë është e nivelit më të lartë. Siç e shikoni, këtu jemi në mbështetjen totale të të gjithë shtetit, ushtrisë, policisë,” tha Topalli.
Ajo u bëri apel banorëve për t’u larguar. “Unë dua të falënderoj pushtetin lokal, për punën që ata bëjnë natë e ditë. Pa dyshim shkarkimet do të vazhdojnë dhe ne duhet të mbrohemi nga më e keqja. Deri tani janë të evakuuara mbi 240 familje nga Velipoja, Bushati, Dajçi, nga Oboti, nga Ana e Malit. Ndërkohë janë strehuar 200 fëmijë romë, të vegjël në një kamping që është ndërtuar për ta në Rrenzë.

Varkat janë në dispozicion në Obot. Unë njerëzisht i kërkoj edhe njëherë çdo banori të zonës së NënShkodrës të largohen nga zonat e përmbytura. Janë 1900 shtëpi të rrethuara nga uji; unë i kërkoj atyre që një minutë e më parë të largohen. Ata kanë mbështetjen e ushtrisë dhe të shfrytëzojnë këtë mbështetje për të larguar fëmijët dhe veten. Me sa duket kjo kohë do të vazhdojë, dhe ne duhet të jemi të përgatitur pasi kjo situatë e rënduar do të vazhdojë edhe për një kohë të caktuar. Kjo situatë ka ndodhur gjithmonë në Shkodër, kjo është historia jonë. Shteti është në këmbë për të mbështetur me të gjitha nevojat familjet në vështirësi, në komunat në vështirësi”.

Kryetarja e Kuvendit deklaroi se mediat nuk duhet të krijojnë panik, por vetë tha se koha do vazhdojë të jetë e tillë dhe lumenjtë janë çmendur. Topalli kundërshtoi veten pasi tha se kjo që po ndodh nuk ka ndodhur ndonjëherë. Më përpara ajo tha se kjo situatë ka ndodhur gjithmonë në Shkodër. “Unë kërkoj dhe bashkëpunimin juaj, përfaqësuesve të medias për të mos krijuar panik, dhe për ta parë me ndjenjë të fortë përgjegjësie situatën. Kemi një situatë ku lumenjtë janë çmendur, janë tërbuar. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më përpara ajo që po ndodh, kemi dy muaj pa pushim që po bie shi dhe pa pushuar rrjedhja dhe derdhja e lumenjve më të egër. Detyra jonë është për ta përballuar të gjithë bashkë,” tha Topalli.

* * *

“Zhduket” Meta, para dy javësh garantoi se përmbytjet nuk do të përsëriten

Nga TemA

Para dhjetë ditësh, mediat pranë qeverisë hapeshin me tituj të mëdhenj nga raportimet e zv/kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta në Komisionin e Sigurisë. “Meta garanton se përmbytjet nuk do të përsëriten” ishin titujt e mëdhenj të të përditshmeve pranë qeverisë. Por, ajo që ka ndodhur dje është se zv/kryeministri është zhdukur. Së paku nuk është parë në ekranet televizive. Kurse kryeministri ka deklaruar në mbledhje qeverie se shkarkimet nga hidrocentralet po vazhdojnë fuqishëm. Por më 11 nëntor, Meta deklaronte me krenari se situata ishte nën kontroll dhe se nuk do përsëritej ajo që ndodhi në janar në Shkodër.

“Sikurse jeni njohur vetë, dhe përmes mediave tuaja ia keni bërë të njohur edhe opinionit publik, këto dy ditët e fundit në zonën e Shkodrës ka pasur reshje të jashtëzakonshme, të cilat kanë shkaktuar edhe përmbytje në zonën e mbi Shkodrës dhe në disa segmente ka vështirësi për kalimin e rrugëve nacionale apo lokale.

Në këto kushte është mbledhur Shtabi i Emergjencës në Korporatën Elektro-energjetike Shqiptare, si dhe Sekretariati Teknik i Menaxhimit të Plotave, të cilët vendosën fillimin e shkarkimit të ujit nga portat e hidrocentraleve të Komanit dhe të Vaut të Dejës, duke pasur në konsideratë që shkarkimi i ujërave të ketë efekte sa më minimale në zonën e Nënshkodrës. Dua t’ju bëj të ditur se kjo situatë është tërësisht nën kontroll, sepse kuota në liqenin e Fierzës është ruajtur në nivele tepër optimale, jemi 13-14 m nën nivelin maksimal të lejuar të punimit në hidrocentralin e Fierzës,” deklaroi Meta.

Edhe pse tha se ka pasur shira jashtë të zakonshmes, Meta tha se ministria e tij është përgatitur edhe për më të keqen, që sipas tij nuk ka gjasa të ndodhë.

“Kjo na jep qetësinë dhe sigurinë për t’i kaluar sa më shpejt këto efekte të përkohshme që kanë ardhur për shkak të prurjeve të jashtëzakonshme anësore në Koman dhe në Vaun e Dejës. E theksova edhe më parë, edhe niveli në këto hidrocentrale është mbajtur në nivele minimale të mundshme, duke pritur shira dhe reshje të shumta. Kuptohet që kur niveli i prurjeve është jashtëzakonisht i lartë, atëherë e vetmja rrugë për të mos dëmtuar edhe vetë këto vepra të rëndësishme hidroenergjetike është të bëhen shkarkimet e detyruara. Nuk do të ketë asnjë situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, për arsye sepse është punuar me kujdes maksimal në menaxhimin e të gjithë Kaskadës dhe sidomos në menaxhimin e Fierzës,” deklaroi Meta.
Tani që situata është e njejtë me atë të vitit të kaluar, Meta është zhdukur.