Topalli dhe mamografia te privati

0
42

Analize nga ARBEN MUKA

Fushatat e Kryetares së Parlamentit kundër kancerit në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë kundër tumorit të gjirit dhe të qafës së mitrës së grave e vajzave shqiptare janë të hershme. Më kujtohen madje dhe parakalime e manifestime nëpër rrugë, të cilat në një pikëpamje të ftohtë janë një kauzë tejet njerëzore, në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe aq më tepër që bëhen nga një njeri i duhur.
Por, ajo që kam parë ditën e martë më ka befasuar.

Në fillim në ekranet e televizioneve dhe më pas në faqen elektronike të Parlamentit kam parë zonjën Jozefina Topalli me foto, shoqëruar dhe me tekst të hollësishëm, që e tregonte duke shpërndarë kupona për shërbimin falas të Mamografisë dhe Paptestit në një spital privat të huaj në periferi të Tiranës. Duke gjetur rastin për t’i thënë çdo gruaje “mos ki frikë, shko dhe bëj Mamografinë, mos ki frikë, shko edhe bëj Paptestin; mos ki ndrojtje, përkundrazi, ta parandalosh këtë sëmundje, të ndihmosh edhe një mike, edhe shoqen edhe motrën, komshijen, kushërirën edhe familjen, çdo njeri që do në jetë, që të shkojnë të bëjnë Mamografinë dhe Paptestin”.

Gjithnjë sipas lajmit që shpërndahet online nga Parlamenti, znj. Topalli duke patur si sfond një banner të madh ku reklamohej spitali i huaj privat u ka shpërndarë atyre “kuponin për diagnostifikimin falas të Mamografisë dhe Paptestit”. Dhe më tej: “…mjekët e spitalit (jepet emri) vlerësuan fushatën sensibilizuese të Kryetares së Kuvendit për kryerjen e Mamografisë dhe të Paptestit dhe theksuan se, këto analiza janë shërbime esenciale për një jetë të shëndetshme dhe sa më të gjatë të nënave, grave dhe vajzave”.

Që Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë nxit vajzat e gratë shqiptare të bëjnë analiza, të cilat parandalojnë dhe kurojnë me efektivitet sëmundje serioze, kjo është padiskutim me shumë vend dhe e nderon znj.Topalli. Por, orientimi i pacientëve për t’u drejtuar në një spital privat është shumë i diskutueshëm dhe jo pa dyshime.

Ndodh rëndom që një zyrtar i lartë shqiptar në qeverisjen qendrore dhe lokale t’i kryejë të gjitha “shërbesat” shëndetësore, parandaluese e kuruese, në spitalet private brenda ose jashtë Shqipërisë. Kjo është një zgjedhje e natyrshme dhe e pakritikueshme, pavarësisht ndonjë argumentimi moralizues, përderisa është një aksion dhe zgjidhje tërësisht private që i takon zyrtarit vetë ose famijes së tij, nëse “ia mban xhepi” le të shkojë.

(Personalisht i kam përcjellë me shumë trishtim më herët lajmet që drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë edhe për shqetësimin më të vogël kanë vrapuar për trajtim tek privati dhe pasi kanë mbaruar punë janë kthyer po me entuziazëm të shërbejnë dhe të lavdërojnë kushtet në sektorin publik të shëndetësisë shqiptare…).

Duke iu kthyer fushatës së znj. Topalli, më duket i pavend akti i orientimit të pacienteve gra për tek privati. Rrjeti i spitaleve jopublike (duke përfshirë dhe spitalin që ka bashkëpunuar me Kryetaren e Parlamentit) në të gjitha profilet e shërbimit që ofron ka një sistem dinamik të promocionit, për të cilin shpenzon fonde me qëllimin e vetëm për të patur sa më shumë pacientë në ambientet e tyre. Kjo ecën sipas logjikës se ekonomisë e tregut dhe nuk ka vend për kundërshti.

Por ama pjesë e sistemit promocional nuk mund të bëhet një Kryetare e Parlamentit. E dimë që krejt hapur doktorë të specialiteteve të ndryshme në shërbimin publik kur rekomandojnë vizita ose analiza për tek privati nuk harrojnë t’i kujtojnë pacientët që të përmendin emrin e tyre si rekomandues. Ky është një mekanizëm që gjeneron përqindje fitimi. Kështu funksion bashkëpunimi mes doktorëve, kurse në rastin e znj, Topalli nuk i dimë termat e kooperimit me privatin në këtë fushatë.

Do ta konsideroja si shumë pozitive, serioze dhe dobiprurëse nëse idetë dhe qëllimet e fushatës antikancer znj. Topalli t’i aplikonte në bashkëpunim të ngushtë me sistemin publik shëndetësor. Mund të afrohen në këtë nismë dhe operatorë privatë, por rolin kryesor e luan sektori publik. Është ai që pret e përcjell pjesën më të madhe të qytetarëve të këtij vendi. Orientimi në këtë rast i grave dhe vajzave në ambientet publike të shëndetit lidhet dhe me faktin se ato janë më të përballueshme në kosto shërbimi jo vetëm për thjesht një Mamografi a Paptest, por për gjithë gamën e sëmundjeve të kësaj natyre.

Të ndërhyet pranë autoriteteve shëndetësore, që për gra dhe vajza në nevojë të ketë Mamografi dhe Paptest falas, ose me çmime simbolike. Nëse në qytete e zona të caktuara ky shërbim është problematik, apo nuk ekziston, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë ka gjithë instrumentet për të ndërgjegjësuar dhe nxitur në radhë të parë autoritetet shëndetësore qendrore e lokale që ta ndryshojnë gjendjen.

Ja, e zemë se pasi ato qindra gra e vajza që morën nga duart e vetë kryeparlamentares këtë të martë një kupon falas, u bindën, hoqën frikën dhe morën rrugën e shkuan në spitalin privat të huaj në periferi të Tiranës. Por, nuk e di a ka zot më pas, t’u heqë atyre frikën e listës së çmimeve për analiza, ndërhyrje apo trajtime të tjera edhe ato të domosdoshme?

Dikush mund të thotë se kjo është një çështje personale të cilësdo paciente, sepse, kushdo sipas mundësive mund të zgjedhë vetë privatin apo publikun. Por, cili është efekti afatgjatë i një fushate ndërgjegjësimi, ku në qendër është Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë? Të ndajë kupona për një spital privat, apo të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të sektorit publik shëndetësor, që ai t’i përgjigjet një numri sa më të madh qytetarësh?

Mirë, në Tiranë Kryetarja e Parlamentit e ka gjetur një partner privat në fushatën e saj publike. Po gratë dhe vajzat në zona të tjera të vendit, ku do t’i orientojë për të bërë Mamografinë dhe Paptestin? Apo krahas kuponave falas për dy analizat do të verë në dipozicion dhe automjete që pacientet të mbërrijnë në periferi të Tiranës, për të gjallëruar aktivitetin e këtij spitali privat.

Duke e shtyrë më tej hamendësimin mbi fakte të dukshme, kjo ka shkas edhe sepse në këtë mandat, sektorin publik shëndetësor e menaxhon një parti anëtare e koalicionit qeveritar, që nuk para gëzon ndonjë simpati të veçantë nga znj. Topalli.