Topalli, 2 milionë lekë për 2 spote nga 30 sekonda

0
43

TemA Online, 10 Mars 2013

Gjatë shtatë viteve të drejtimit prej Jozefina Topalli, aktivitet parlamentare jashtë dhe brenda vendit kanë zënë një pjesë tejet të madhe në buxhetin e shtetit. Ashtu sikurse vitin e shkuar ku u prodhuan 9 spote për nder të vitit jubilar për Pavarësinë, ora për Kuvendit duket se ka mbetur sërish pas duke porositur edhe dy spote të tjera për 100 vjetorin.

Janë plot 2 milion lekë të cilat priten që të lëvrohen nga Kuvendi për prodhimin e dokumentarëve që në qendër të tyre do të kenë përfshirjen e grave në politikë. Përmes prokurimit publik, i është kërkuar agjencive që merren me prodhimin e spoteve që të paraqesin ofertat e tyre. Në koston e Kuvendit nuk janë përfshirë shpenzimet për transmetimin, por vetëm për prodhimin e tyre, shkruan gazeta “Shekulli”

Qëllimi i këtyre spoteve dhe dokumentarëve do të jetë njohja e të vërtetës nga publiku i gjerë i historisë të rolit të gruas shqiptare në jetën shoqërore dhe politike. Propozuesit shprehen se një nga spotet do të ketë si përmbajtje një thirrje të fuqishme kundër dhunës ndaj grave, duke marrë parasysh edhe viktimat e viteve të fundit të dhunës në familje, të cilat kanë qenë më së shumti gra, ndërsa një spot tjetër do ketë si qëllim sensibilizimin e grave shqiptare për të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Gjithashtu, spotet dhe dokumentari duhet të gjejnë mundësinë e bërjes së një thirrje publike që të ndërmerren iniciativa ligjvënëse për përmirësimin e kuadrit ligjor të mbrojtjes së të drejtave të grave si dhe dorëzimin e dokumenteve arkivore me vlerë historike në Kuvend.

Këto dokumente mund të jenë dokumente shkresore apo fotografike që tregojnë rolin e luajtur ndër vite nga gruaja shqiptare në çështjet më të rëndësishme të shtetit dhe shoqërisë shqiptare gjatë 100 viteve të fundit. Këto spote dhe dokumentare do të kenë filmime të vjetra arkivore, foto, kolona zanore të përzgjedhura për të cilat nevojitet një regjisor dhe një regji e cila në bashkëpunim edhe me historianë do të bëjnë të mundur realizimin e tyre (spoteve dhe dokumentarit) të tillë që në një kohë të shkurtër të mund të përmbledhin një histori 100 vjeçare të rolit të gruas.