Toka e Argitës, intelektualët e PD-së dhe një seminar për lirinë e medias

0
39

Nga Ilir Yzeiri, 17 Janar 2013

Nëse dikush do të më kërkonte që të gjeja tre fjalët kyç të ngjarjeve që shtillen në Shqipëri këto ditë, çështjet që kam paraqitur si titull të këtij shkrimi, në një farë mënyrë, janë argumenti i ligjërimit publik jo vetëm të mediave në Tiranë, por edhe të opinionit në përgjithësi. Ah! Jo të gjitha. E dyta, seminari për median që organizoi ambasadori Sekui, Majlinda Bregu, Genc Pollo dhe natyrisht Remzi Lani, nuk ishte ndonjë ngjarje që la gjurmë të veçantë.

E bukura e këtij seminari shtetëror ishte se u mbajt nën atmosferën e luftës që po bëjnë intelektualët e PD-së për të shkulur nga rrënjët besimet e vjetra dhe zakonet prapanike të Edi Ramës dhe ashtu, të mbledhur grusht rreth partisë me flamurin që pat ngritur Tritan Shehu kur shkatërronte kishat e xhamitë, dhe nën shembullin e kujdestarëve të konvikteve dhe dushisteve të PD-së, po ndriçojnë popullin me dritën e fjalimeve të Jozefinës që Edi Rama të dalë nga strofulla e obskurantizmit dhe obstruksionizmit e të çlirojë dritën që mban të ndrydhur në zemrat e deputetëve të opozitës. Pra, ky seminar u zhvillua në këtë atmosferë dhe bash atëherë kur Top Chanel denoncoi një nga skandalet më të bujshme të viteve të fundit, atë që po zien prej kohësh në ato pak media të lira që kanë mbetur në këtë vend. E kam fjalën për denoncimin e biznesmenit pakistanez ndaj Argita Berishës. Në atë denoncim përmendej një fakt që nuk shkonte me atmosferën e seminarit.

Një ambasador i shtetit shqiptar nxiste biznesmenin që të hidhte në gjyq Mero Bazen, gazetarin që është bërë simbol në luftën kundër tiranisë së mafies së familjes Berisha. Jo vetëm kaq, por ky ambasador thoshte se kishin gati edhe një avokat dhe një shumë parash të majme. Pikërisht në këtë atmosferë zhvillohej seminari në Tiranë dhe folësit përsërisnin si në kor afshe përdëllimi për lirinë e fjalës. Të vinte për të qarë nga mallëngjimi kur dëgjoje Gencin apo ambasadorin Sekui, apo edhe vetë mikun tonë të lashtë, Remziun, që është moderator i të gjitha qeverive dhe ndërmjetësi ynë me Perëndimin e largët. Por le të kthehemi te argumentet tona.

Toka e Argitës

Në denoncimin e biznesmenit pakistanez, ajo që mua më la përshtypje të thellë është ngulmimi i Argitës për të blerë tokën në fillim. Këto ditë po flitet lart e poshtë për të drejtën e avokatit dhe detyrën e tij, për ligjin dhe moralin. Meqenëse jetojmë në një vend ku këto kritere janë përdhosur, po i përmbahemi vetëm këtij fakti. Cilën tokë donte t’i shiste Argita biznesmenit pakistanez ? Një zyrë avokatie nuk mund të jetë edhe agjenci imobiliare.

Biznesmeni pakistanez ngul këmbë se pikërisht për këtë çështje, pra për tokën që donte t’i shiste Argita dhe për çmimin e saj, ata u prishën në pazar. Pse? Sepse çmimi i tokës ishte i lartë dhe toka ndodhej në një vend pa infrastrukturën e nevojshme për investimin që do të kryhej aty. Mirëpo opinioni duhet të sqarohet se cila është kjo tokë që Argita mund t’ia shesë cilitdo që kërkon të kryejë një investim në Shqipëri. Ku gjendet ajo? Nga e ka përfituar Argita këtë tokë?

Zoti Prokuror i Përgjithshëm, unë kam qenë dhe jam skeptik se ti nuk e kryen dot punën e rëndë që ke marrë përsipër. Në këtë pikë unë i jap të drejtë Jozefina Topallit që edhe ajo, ashtu si unë, ishte skeptike se ti nuk ke shpatulla për ta kryer këtë punë të vështirë. Unë nuk e vë dot dorën në zjarr, por ndoshta kryetarja e Kuvendit ka pasur parasysh edhe këtë rast, pra edhe përfshirjen e vajzës së kryeministrit në afera të dyshimta.

A je në gjendje të na sqarosh, i dashur zoti Llalla, se ku dhe si Argita Berisha e gjeti tokën që donte t’i shiste biznesmenit pakistanez? Ti duhet të dish ndonjë gjë për tokën e Fazlliçit në Porto Romano, që ai e bleu me 1 euro metrin dhe donin t’ia shisnin pakistanezit me 100 euro metrin. A është kështu zoti Llalla apo nuk është kështu? Historia e karriges ku ju jeni ulur është e mbushur me heshtje dhe denoncime publike. Ju të paktën nuk duhet të heshtni, por duhet të na sqaroni se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është krim.

Intelektualët e PD-së

Në gazetën “Dita” dhe në rubrikën “Antena” të gazetës Tema po qarkullon edhe një listë e 100 “intelektualëve” të PS-së, që do t’i përgjigjen flakë për flakë intelektualëve të PD-së. Po ta lexosh atë listë, do të qeshësh fund e krye. Ata që e kanë hartuar atë kanë zgjedhur vetëironinë dhe kanë vënë në lojë me shumë elegancë dhe finesë emra të nderuar e të njohur në publik duke i paraqitur ata me profesionet e deformuara të intelektualëve të PD-së. Të bie në sy humori dhe ironia.

Pra kemi të bëjmë me dy vështrime. Nga njëra anë kemi uniformën partizane të intelektualëve të PD-së, që paraqiten me rroba zbori, të detyruar, por edhe të bindur se po shkatërrojnë armikun e partisë dhe, nga ana tjetër, kemi një vetëdije më të ngritur që te roli i intelektualit në demokraci nuk sheh rreshtimin si në zbor dhe profesionin, por lirinë.

Ndaj profesionit të intelektualit “akrobat”, lista brilante e PS-së i ka shtuar atë të “lundërtarit”, “të pasagjerit të linjës Ballsh-Progonat”. Në listën e PS-së është edhe Mario Kempes që Xhaferri i firmave piramidale e solli si trajner të Lushnjës. Ndër intelektualët e PS-së është edhe Gert Bogdani, që është pastiçier te Rruga e Kavajës e plot qyfyre të tjera. Kjo mënyrë të vështruari brilante që ka për autor Andi Kananajn and Co, dëshmon gjithsesi se klima politike në Shqipëri nuk është edhe aq e ngjyrosur në jeshilen e uniformave ushtarake të intelektualëve militantë të PD-së.

Në Shqipëri humori dhe sidomos humori për të vështruar seriozitetin banal të pushtetit të radhës është një shenjë emancipimi. Ndërkaq, duke hedhur një sy në faqet e librave ku flitet fjala vjen për rolin e intelektualëve në SHBA, më ra në sy ky evidentim. Amerikanët shquajnë katër intelektualë që kanë dhënë ndihmesë në zhvillimin e demokracisë amerikane me idetë e tyre, jo me firmat e tyre si në Shqipëri. Ata janë William James (1824-1910), figurë madhore e filozofisë pragmatiste, mbrojtës i liberalizmit fetar dhe gjyqtarit të lirë. W.E.B. Du Bois (1868-1963), sociolog afro-amerikan. Punimet e tij sociologjike dhe historike e transformuan atë në një avokat të demokratizimit racial të SHBA-ve.

Noam Chomsky lindur më 1928, gjuhëtar dhe emri i tij si intelektual është rritur pas kritikave të pareshtura ndaj “imperializmit” të qeverisë amerikane dhe të bashkëfajësisë së elitave. Susan Sontag (1993-2004), e cila u shqua për kritikën në fushë të kulturës. Ajo kundërshtonte ngushtësinë e interpretimeve diturore të artit dhe kërkonte relativizimin e hierarkisë së shijeve, pa e zgjidhur tensionin e hapur mes demokracisë së kulturës dhe autoritetit të kulturës gjithashtu. Nuk e di nëse edhe listat me nëpunës që po hartohen këto ditë mund t’i quajmë intelektualë. Më duket gallatë e madhe gjithsesi.