Tkurrja e LSI-së

0
24

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja, 17.11.2009

Pas zgjedhjeve të pjesshme të së dielës, LSI-ja deklaroi se përkrahja në elektorat i është rritur 2.5 herë në krahasim me zgjedhjet e 29 qershorit. Kjo deklaratë, u bazua në rezultatet e zgjedhjeve të pesë njësive të vogla vendore, në të cilat, opozita nuk mori pjesë. Të tilla deklarata optimiste të LSI-së, në fakt, nuk janë të reja për publikun shqiptar.

Kështu, fill pas zgjedhjeve të parakohshme në Komunën Kashar vitin e kaluar, Ilir Meta deklaroi me kënaqësi, se LSI-ja ishte bërë partia e dytë politike në vend, dhe se, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, ajo do të dilte e para.

Ku e bazoi atë deklaratë aq të fortë, udhëheqësi i LSI-së? Në faktin se kandidati i tij zuri vendin e dytë në garën për Komunën Kashar, duke lënë pas kandidatin e PS-së, dhe për më tepër, duke marrë 2.8 herë më shumë vota se ç’kishte marrë LSI-ja një vit më parë.

Më vonë, para zgjedhjeve të 28 qershorit, Meta e zbuti pak deklaratën optimiste të pas-Kasharit. Ai premtoi se partia e udhëhequr prej tij (ose më saktë, partia e tij) do të siguronte të paktën 35 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Përndryshe, ai do të rishikonte qëndrimin e vet në krye të LSI-së. Por siç dihet tashmë, kaposhi 35-mandatëshi i Metës u katandis në një thelë 4-mandatëshe.

Përse ndodhi kështu? Po t’i besojmë deklaratës publike të Dritan Priftit të datës 2 korrik, i bie që shkak kryesor për tkurrjen e LSI-së të ketë qenë vjedhja e votave nga komisionerët e PD-së dhe PS-së. Sipas tij, pasi ai bëri një marrëveshje me Berishën, komisionerëve të PD-së në Fier iu dërgua një sms, dhe fill pas saj, LSI-së nuk iu vodhën më votat.

Duke mos e përjashtuar mundësinë, që deklarata e Priftit të ketë qenë e vërtetë, është sidoqoftë e vështirë të mendohet se vjedhja e votës të ketë shkaktuar tkurrjen dramatike nga 35 mandatet e premtuara prej Metës, në 4 të marra faktikisht prej LSI-së.

Në Fier, për shembull, mund të vihej në diskutim mandati i vetëm i Priftit, por jo një mandat i dytë për LSI-në. Ndërsa në rang republike, është e vështirë të gjesh një qark, përveç Tiranës, ku LSI të kishte ndonjë shans për mandat tjetër.

Për të parë se sa reale ka qenë tkurrja e LSI-së në zgjedhjet e qershorit 2009, vlen të analizohen rezultatet në qytetin e Tiranës, ku, për shkak të vëzhgimit të fortë lokal e ndërkombëtar, mundësia e manipulimeve ishte minimale. Në 11 minibashkitë e Tiranës të marra së bashku, LSI-ja mori vetëm 5.2% të votave në qershor 2009. Ndërsa në shkurt 2007, ajo mori plot 10.7%.

Pra, pasi LSI-ja u shkëput nga koalicioni i majtë, përqindja e votave të saj u përgjysmua në kryeqytet. Një tkurrje e ngjashme e përqindjeve të LSI-së, pra një përgjysmim, konstatohet edhe në shkallë vendi kur krahasohet rezultati i 2007-ës (9.2%) me atë të 2009-ës (4.8%).

Le të kërkojmë arsyet e kësaj tkurrje dramatike të LSI-së.

Që në fillim të herës, Ilir Meta nuk e kuptoi dot të vërtetën kokëfortë, se një parti e re mund të bëhet dominante vetëm në rastet kur ndodhin tronditje të forta të sistemit politik, ose kur elektorati stërlodhet nga klasa politike ekzistuese.

Kështu, ai duhej ta dinte se PD-ja shqiptare, e shumë parti të ngjashme të Evropës Lindore, u bënë parti dominante fill pas ndryshimit tektonik që solli rënia e komunizmit. Ndërsa “Forca Italia” e Berluskonit, u bë forcë dominante pasi elektorati italian ishte lodhur për 50 vjet me klasën e vjetër politike, e cila kishte abuzuar tej mase me shtetin.

Gjithashtu, partia e ish-Mbretit Simeon të Bullgarisë, u bë partia numër një vetëm pasi socialistët dhe demokratët e kishin lodhur elektoratin bullgar deri në atë pikë sa vetëm nga 20% e votuesve votonin për secilën prej tyre. Por, kushte të ngjashme nuk ekzistonin në Shqipëri.

Sidoqoftë, Meta i’u fut udhës pa krye të krijimit të një partie të re, që, sipas tij, do të bëhej parti dominante në Shqipëri.

Dhe në fakt, në vitin 2005, partia e tij e pati një farë shansi ta realizonte këtë synim. Kjo, për faktin se elektorati i majtë dhe i lëkundur, ishte lodhur nga papërgjegjshmëria me të cilën kishte qeverisur Fatos Nano. Por LSI-ja mori realisht diçka më pak se 10% të votave.

Shumë pak, për të qenë parti dominante, por mjaftueshëm, për ta zbritur Nanon nga froni i tij arrogant. Pra, LSI-ja nuk i ndreqi dot punë vetes, ajo thjesht i prishi punë Nanos. Duke i hapur kështu rrugën Berishës, për t’u bërë Kryeministër dhe Ramës për t’u ngjitur në krye të PS-së…

Por, përse LSI-ja nuk pati sukses në 2005-ën? Atëherë nuk u krye ndonjë exit-poll, për të studiuar pse votuan shqiptarët ashtu siç votuan, por hamendje edhe mund të bëhen. Arsyeja e parë që të vjen në mend, për të shpjeguar rezultatin modest të LSI-së në 2005-ën, është se udhëheqësi i saj, pavarësisht se i ri në moshë, ishte një veteran në politikë.

Dhe sado i suksesshëm mund të kesh qenë si politikan, pjesëmarrja e gjatë në majat e politikës ta konsumon emrin. Ndryshe ishte puna me Berluskonin apo Simeonin. Ata kishin qenë biznesmenë të suksesshëm, që u futën në politikë si “të jashtëm”. Dhe ishte pikërisht statusi i “të jashtmit”, që i bëri partitë e tyre të arrinin një ngjitje meteorike, vetëm 4 muaj pas themelimit.

Duke parë LSI-në e para zgjedhjeve të 2009-ës, mund të vihej re lehtësisht, se strategjia e saj mbeti e ngjashme me atë që ndoqi kur në krye të PS-së ishte Nano. Sulmohej Kryetari i PS-së për korrupsion dhe butësi ndaj Berishës, me synim që elektorati i majtë të orientohej drejt LSI-së, partisë që udhëhiqej nga ish-kryeministri më i suksesshëm i së majtës.

Por problemi i kësaj strategjie ishte se, përderisa nuk pati sukses në 2005 (kur kontrasti mes kryetarëve të PS-së dhe LSI-së ishte aq i madh), nuk mund të kishte tani që Kryetar i PS-së ishte Edi Rama, kryebashkiaku më i suksesshëm i së majtës. Pikërisht kjo do të ketë qenë dhe arsyeja kryesore, që strategjia e erozionit që aplikoi LSI-ja ndaj PS-së iu kthye në një bumerang.

Po tani, që Meta me katër mandatet e tij kuvendore i siguroi Berishës rimandatimin si kryeministër, a do të vazhdojë tkurrja e LSI-së? Karta kryesore që Meta përdorte për të tërhequr vota para 29 qershorit, ashpërsia ndaj Berishës, u dogj me futjen e tij në qeverinë e këtij të fundit. Karta tjetër që ai përdorte, ishte shpresa që i ngjallte përkrahësve të vet se do të rikthehej së shpejti në fronin kryeministror.

Por, për sa kohë ai është në koalicion me Berishën, kjo shpresë mund të quhet praktikisht e vdekur. Si rezultat, karta e vetme që mund të përdorë Meta tani, për të tërhequr vota, është ofrimi i favoreve pushtetore për përkrahësit e vet. Por, përdorimi i kësaj karte në 18 vjetët e fundit, ka prodhuar vetëm parti të tipit PSD, PAD, PAA, të cilat kanë pësuar tkurrje të vazhdueshme nga zgjedhja në zgjedhje…