Tjetërsimi i dyfytyrësisë në pafytyrësi

0
27

Nga Kico Blushi

Ata që këto ditë i bëjnë thirrje opozitës të mos ushtrojë trysni mbi organet e pavarura, mbi KQZ-në e Kolegjin Zgjedhor, po mësyjnë me top Topin, Presidentin e Republikës, që ky të mos guxojë t’i drejtohet Venecias. Ata që dje molisnin ‘nuk duhet të hapen kutitë’, sot dalin e thonë zëplotë se hapja e tyre dhe rinumërimi i votave është një e drejtë kushtetuese, se kësisoj respektohet vota dhe vullneti i qytetarit…Ata që dje ishin ministra të së majtës, sot janë ministra të së djathtës. Ata që ishin propagandistë mediatikë të Ramës, sot janë të Berishës…Në pamje të parë kjo sjellje publike ngjan e natyrshme, u mësuam me tjetërsimin! Vetëm se nuk kemi të bëjmë me dyfytyrësi, një dukuri aq e shpeshtë e diktaturës që shërbente për mbijetesë; në liri-demokraci është transformuar në këtë lloj pafytyrësie: atë që pështyn sot, mos ngurro ta lëpish nesër dhe anasjelltas. Këto 20 vite post-diktaturë provuan se tjetërsimi i dyfytyrësisë së diktaturës në pafytyrësi “demokratike” tash quhet një normë morale, normale, mjaft dobiprurëse, aspak e dënueshme, madje e lavdërueshme, sepse tregon zotësi. Njeriu i mençur ndryshon, por mbetet në hije; ndërsa njeriu “i talentuar”, i përshtatshëm, di të nxjerrë dhjamë edhe nga pleshti, sepse pranon të shesë fytyrën, karakterin. Fjalën, votën dhe të drejtat e veta në tezgat e partive, duke dalë përherë i fituar. Aleancat e partive, vendimet e gjykatave, opinionbërësit e opinionçbërësit, marrëdhëniet e krerëve me ligjin, raporti i kryetarit me këshilltarët, me forumet dhe anëtarësinë mund e duhet të kalojnë pa asnjë problem nga dyfytyrësia në pafytyrësi, nga hipokrizia në dashuri, nga miqësia në armiqësi, përherë sipas interesit vetjak të çastit e në çdo rast në dëm të atij publik. Zgjedhjet përherë janë problematike, me tension, pa humbës, jo vetëm se kandidatët duan me çdo çmim të fitojnë, porse tek ne gjenden kollaj komisionerë të gatshëm që shesin veten, që manipulojnë votën, bashkë me procesin, në këmbim të një shpërblimi…Pafytyrësia ka çmim të lartë në çdo parti, në çdo proces!
Tjetërsimi i dyfytyrësisë në pafytyrësi morale, rëndom sendërtohet sipas parimit të lashtë ‘dorën që nuk e kafshon dot, puthe!’; puthe dhe mos ngurro të japësh prova publike se armiku i shefit tënd automatikisht duhet të jetë edhe armiku yt! Mos ngurro që atë që e quan sot të drejtë e të moralshme, nesër ta quash të shtrembër, të dëmshme, në mos një budallallëk…E lindur nëpër korridoret e partive, pafytyrësia sot është leva e Arkimedit që mundëson kollaj karrierën, pasurim të shpejtë, larje të mëkateve të diktaturës, lavdi të pamerituar, jetëgjatësi dhe siguri në post…Nuk ka gjykatës që nuk e zbaton këtë parim ekstra juridik. Këtë faturë mbrapshtie detyrohet ta paguajë demokracia; në emër të saj e të Ligjit, pafytyrësia mediatike po bën kërdinë mbi moralin shoqëror e marrëdhëniet njerëzore!
Autoriteti moral, integriteti profesional, ndershmëria e përkushtimi, sipas lapërdharëve të sotëm mediatikë quhen mbeturina të panevojshme e të paarritshme! Nga kjo blerje morale shoqëria ka mbetur pa modele idealistësh, pale të humanizmit dhe të solidaritetit. Kjo është merita kryesore dhe ndoshta e vetme e klasës tonë politike: njeriut të sotëm i janë zhbërë e zhvleftësuar shembujt e ndershmërisë dhe të përkushtimit ndaj interesit të përgjithshëm! Besimi te shteti dhe institucionet, te partitë dhe kryetarët e tyre, pse jo edhe te sistemi demokratik, është më i dobët se kurrë. Vlera morale dhe intelektuale sot konvertohet me mall, me pasuri, me dukje, me llapaqenëri, me një makinë të shtrenjtë, me një post, me pasuri të patundshme, me aftësinë për t’u kameleonizuar, apo për t’u shtirë i persekutuar…Bashkëjetesën harmonike në komunitet pafytyrësia e krerëve e ka bërë tejet të vështirë, në mos të pamundur, pasi konfliktualiteti i tyre ushqehet me shpifje e sharje, domethënë me pafytyrësi, duke thelluar hendekun mes të pasurit dhe të varfrit, mes të fortit dhe të dobëtit, mes atij që është me ne dhe atij që është kundër. Sot është e vështirë të përballosh sulmin asgjësonjës të shembullit negativ që të ndjek ngado e kurdo, nga lart e nga poshtë, pa kursim, si një bombardim. Pafytyrësia e administratës publike, nën shembullin e krerëve partiakë, qeveritarëve, gjykatësve apo analistëve, të cilët, duke parë njërit-tjetrin, po e përdorin me sukses këtë mjet çudibërës: pafytyrësinë, për t’u rekrutuar, për t’u bërë klientë, për t’u shitur sa më shtrenjtë, sepse vetëm kështu, mesa duket, një hiçanak province mund të transformohet në Zot fuqiplotë i një zyre, i një prone, i mediave, madje edhe i peshores kombëtare të vlerave! E dini sa kushton sot një karrige në KQZ, në KLD, në Gjykatën e Lartë apo në Kushtetuese? Nuk është fjala vetëm për ryshfet kesh, por më së pari për provën që duhet të kesh dhënë paraprakisht se je “yni”! Ky provim mund të fitohet vetëm nëse e ke bërë paraprakisht fytyrën shollë!…Kemi për të parë vitin tjetër, që të mos përsëritet “gabimi i Topit”, Presidenti i Republikës ka për t’u zgjedhur me këtë “ligj” të pashkruar…
***
Në ditët që Kolegji Zgjedhor, me zërin e Tom Ndrecës dha vendimin, në maternitetin e Korçës vdiq një grua, për shkak, siç u tha, të mjekimit të gabuar, kurse më pas, një i plagosur në Gërdec, për një shpërblim prej nja dyzet mijë eurosh, tërhoqi papritur padinë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu…Deri tani kemi dëgjuar dhjetëra raste që familjarët akuzojnë mjekët për vdekje, pas ndërhyrjeve të gabuara, por nuk kemi dëgjuar asnjë rast që të ndëshkohet ndonjë mjek i papërgjegjshëm! Pse? Sepse ekspertizën do ta bëjnë po mjekët, qofshin këta të Tiranës, gjë që do të thotë, se në një vend ku ligji nuk funksionon, ku drejtësia gjeneron padrejtësi, ku pafytyrësia bën moralin, ku paraja hedh jo vetëm ujin përpjetë, po edhe institucionet e shtetit, mjeku është i detyruar të bëjë ekspertizë të rremë, njëlloj si ai mjeku i spitalit Ushtarak që tha se plumbat nuk ishin të gardës…Pra, mjeku do të mbrojë mjekun, gjykatësi gjykatësin, polici policin, hajduti hajdutin, ndërsa të gjithë këta bashkë do të mbrojnë kryetarin që i ka emëruar, sepse vetëm kësisoj mbrohet vetja nga ndëshkimi, ndërsa pacienti, i cili e ka “prerë biletën”, le të marrë atë që meriton…A nuk ndodhi kështu edhe me Gërdecin? A nuk e votuan gërdecarët Berishën dhe ky, me të drejtë, u mburr për këtë “arritje demokratike”? Qerthulli pra është i mbyllur. Shteti, si garant i të drejtës dhe i ligjit nuk funksionon; qytetarët gjithnjë e më pak besojnë se organizmat e tij mund të punojnë ndonjë ditë në mbrojtje të interesave të tij, në dobi të më të dobëtit, më të pafuqishmit, anonimit të ndershëm që vazhdon, për inerci, t’i besojë djersës dhe nderit. Shteti është privatizuar nga kryetarët e partive, si një bunker diku në Dajt, ku ardhacakët, me një dorë gjysmë analfabeti, kanë shkruar “pronë private”…Në një shtet të tillë drejtësia është një thikë me dy presa që të vret ditën e nuk të qan natën. Prandaj i plagosuri që guxoi të paditë Mediun e u tërhoq nga padia, nuk ka vepruar gabim kur i pat bërë llogaritë kësisoj: mos është më mirë të fitoj ca para, se sa të hallakatem gjyqeve nëpër procese që nuk do t’i fitoj kurrë?…Po edhe nëse do t’i fitoj (dhjetëra shembuj kanë provuar të kundërtën, qoftë procesi i Gërdecit apo edhe ai i katër të vrarëve te dyert e kryeministrisë!), ç’leverdi do të kem unë nga kjo valle e vështirë?
Kjo mendësi paralizonjëse e pafuqie drejton sot si të pandehurit, si akuzonjësit, si viktimat, si gjyqtarët, si komisionerët, ashtu edhe anëtarët e KLD-së, të KQZ-së apo të Kolegjit Zgjedhor! Edhe biznesmeni kosovar që vrau këngëtaren Emi në mënyrë shtazarake, në një garazh, do të gjykohet “në mënyrë të përshpejtuar” që t’i ulet 1/3 e dënimit, pasi edhe ai “e ka kryer vrasjen nga pakujdesia”…Pra, edhe ai ka për të dalë i pafajshëm, ndaj ka gjasë që të afërmit e viktimës, njëlloj si gërdecari i plagosur i Mediut, të mjaftohen me një dëmshpërblim të arsyeshëm dhe paskësaj…i vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët! A nuk arsyetojnë kësisoj edhe komisionerët, për të cilët, pak rëndësi ka se kush do të fitojë, para faktit dhe garancisë se kush do t’i fusë nesër djalin në punë, apo kush do ta shpërblejë më shumë e më mirë? Si mund të sillen ndryshe anëtarët e nderuar të Kolegjit Zgjedhor? Apo mos vallë këta juristë kanë zbritur nga qielli i dëlirtë i demokracisë, për t’i vënë kufirin te thana një klase politike të korruptuar e të pafytyrë? Më mirë se ne ata e dinë se kur nuk jepet drejtësi për gjëra të vogla, për krime ordinere, për çështje civile, nuk mund të jepet drejtësi për çështje madhore, politike, qeveritare, zgjedhore, ndërpartiake, të cilat, rrezik të paguhen me kokë, sepse…sepse kushtojnë disa qindra miliona euro! E pra, një gjykatës që blihet me një mijë euro, si mund të mos shitet për disa qindra mijë? Kur shitet një trup gjykues, si mund të mos blihet një dëshmitar, një viktimë apo një familjar i tij? Kur gënjen një kryeministër, një kryetar partie, një qeveritar i lartë, si mund të mbrosh të vërtetën, duke qenë anonim? Ja pra përse, në këtë klimë, e vetmja gjë që nuk vlen asnjë grosh, madje të dëmton, është ndershmëria dhe besimi në të! A nuk po jetojmë në këtë ngrehinë që e quajmë, për të ngushëlluar veten, “sistem demokratik”?!
***
Gjendemi në një molepsje mbarëkombëtare, ku qëllimisht të gjithë ngjajnë të ndotur, të pistë, të pamoralshëm, të paburrni, të korruptuar, hileqarë. Në një shoqëri ku Presidenti i Republikës bëhet leckë nga kryeministri dhe qeveritarët e tij, ç’mund të presin qytetarët e thjeshtë? Si mund të sillen ndryshe, me dinjitet e profesionalizëm, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, të Kushtetueses, të Gjykatës së Lartë apo edhe të KLD-së së Kreshnikut kuqezi, i cili nuk ka hallin e drejtësisë, në pikun më të zi të saj, po të nacionalizmës, të regjistrimit ose jo të popullsisë? Gjithë këta nëpunës të lartë të drejtësisë a mund të fajësojnë veten për vendime e qëndrime të padrejta, domethënë a i vret ndërgjegjja kur japin padrejtësi, teksa shohin se si trembet e zbythet edhe qytetari i parë, Presidenti i Republikës, pas sulmeve të paskrupullta? Por, nëse edhe Presidenti Topi hesht e pajtohet me këtë gjendje mjerane, pa guxuar të çojë çështjen e “fletëve të gabuara” në komisionin e Venecias, le më të mbledhë urgjentisht KLD-në, si mund të bëhet i palëkundur i plagosuri i Gërdecit apo edhe gjykatësi Ndreca?
Nuk ka paralizë më ndjellakeqe se kur shoqëria nuk ka fuqi dhe as energji të mjaftueshme për të përmirësuar jetën, ngaqë qytetari i zakontë, ashtu si nëpunësi, nëpërmjet shembujve negativë, janë bindur se të kërkosh drejtësi, se të luftosh për të drejtat, madje edhe të shkosh të votosh, është një punë e kotë, njëlloj si t’i biesh murit me kokë! Në këtë derexhe kemi mbërritur ne shqiptarët e sotëm të Sali-demokracisë! A kini dëgjuar për ndonjë gjykatës a trupë gjykatësish që të jetë ndëshkuar për vendime të padrejta edhe kur vendimet e tyre janë hedhur poshtë nga një gjykatë më e lartë? A është bërë ndonjëherë verifikimi i pasurive të gjykatësve? Jo dhe jo, se sado profesionist të jesh sot, po shfaqe integritet, ndershmëri, parimësi, nuk mund të quhesh nëpunës i sigurt, i qetë, i besuar…Kriza morale tek ne, edhe pse nuk e shohim e nuk i japim rëndësi, është më e rëndë se kriza ekonomike, paçka se nuk e ndjejmë, nuk e shohim e nuk na bën përshtypje, ndoshta ngaqë nuk e dimë se prej krizës morale buron rrënimi i pashmangshëm ekonomik, kulturor, social dhe familjar. Mërzitemi kur përballemi me një administratë publike të pafytyrë, qoftë ky polic, mjek, mësues, gjykatës, etj, po nuk e dimë që të gjithë këta ushqehen jo vetëm nga sistemi kleptokrat, por edhe nga ne; jo vetëm nga taksat tona, po edhe nga heshtja, pafuqia, ryshfetet, votat dhe duartrokitjet tona, të cilat ne në mos i falim, i shesim për hiçmosgjë! Prandaj, sistemi ynë është kaq i shfytyruar…Nuk ka fazë transitore për administratën publike, veçanërisht atë të drejtësisë, e cila, fund e krye, nga lart poshtë, në të gjithë piramidën e saj, duke qenë e rekrutuar politikisht, nuk ka asnjë mundësi për korrigjim, për drejtësi, sepse nuk më turp, as ndërgjegje profesionisti; nuk ka gjykatës të ketë frikë as nga Kushtetuta, as nga e nesërmja se mos, largqoftë! -I ndotet emri…Sepse këtë biçim nëpunësi pa din e pa iman, pa fytyrë të vetën, nëpër institucione e mbron, e kultivon dhe e stimulon ai që e ka përzgjedhur, i plotfuqishmi, i pagabueshmi, i pandëshkueshmi, i pazëvendësueshmi, Zoti që është lart, kryetari i partisë, shefi i qeverisë, “modeli zyrtar” i suksesit dhe i dështimit, i iluzionit dhe i rrënimi tonë! Prandaj sot mund të thuhet: lum kush është i pafytyrë!